verifikimiifakteve.mksitemap
verifikimiifakteve.mksitemap

Shërbim për verifikim të fakteve në media

Projekt i USAID-it për forcimin e mediumeve në Maqedoni
USAID Logo

A është me interes publik inçizimi ku shihet se si është shkelur Almiri i vogël?

on 7 - 07 - 2016       
Këtë postim mund ta lexoni edhe në: Maqedonisht, Anglisht
Сообраќајна несреќа со смртни последици и новинарската етика. Фото: pixabay
Fatkeqësi komunikacioni me pasoja fatale dhe etika gazetareske. Foto: pixabay

Fundjavën e kaluar publikun në Maqedoni e tronditi rasti me Almirin katërvjeçar nga Kumanova, i cili u shkel me qëllim, dhe më pas ndërroi jetë. Sipas informatave në medie, rastit të tmerrshëm i ka paraprirë një zënkë ndërmjet prindërve të fëmijës dhe të dyshuarit për shkeljen e fëmijës. Një ditë pas informatës për vdekjen e tij, u publikua edhe një video-material nga ngjarja e pahijshme

Shkruan: Аna Anastasovska

Portali në gjuhën shqipe “Telegrafi” të shtunën e kaluar publikoi një inçizim shqetësues nga kamerat e sigurisë ku shihet shkelja e Almirit katërvjeçar dhe e prindërve të tij nga Kumanova. Video-materialin e morën një numër i madh i medieve elektronike, e disa prej tyre e transmetuan atë në mënyrë senzacionaliste që të mbledhin sa më shumë pëlqime dhe komente, që shkaktoi edhe reagime të ashpra në sferën mediatike. A duheshte të transmetohet ky video-material? Kjo është dilema që u hap pasi rrjetet sociale filluan “të kallen” nga inçizimi. Portali “Telegrafi” një ditë më vonë e hoqi video-materialin nga kanali zyrtar në “Youtube”.

Pasi inçizimi i tmerrshëm u paraqit në ueb-faqet e pothuajse të gjitha medieve, një pjesë e gazetarëve u paraqitën me reagime dhe me apele që ajo të largohet dhe të tërhiqet për shkak të nxitjes së tensioneve ndëretnike që mund të vëreheshte nga komentet në rrjetet sociale.

PUBLIKIMI SENZACIONAL I INÇIZIMIT ËSHTË NË KUNDËRSHTIM ME KODIN E GAZETARËVE

Profesoresha Zhaneta Trajkovska nga Shkolla e lartë për gazetari dhe për marrëdhënie me publikun, nëpërmjet profilit të saj në Facеbook, i pyeti gazetarët që e publikuan inçizimin, se cili është arsyetimi i tyre për këtë veprim.

“Cili është interesi publik këtu?! Nxitja edhe më e madhe e emocioneve, nxitja e mosdurimit etnik, më tepër klikime për portalin tuaj, shfryrje në dhimbjen e huaj, apo punoni që Gruevski dhe Aliu të mbeten në pushtet edhe 10 vite të tjera?! Interesin e kujt publik e mbroni dhe cili është distancimi etik dhe arsyetimi për publikimin e inçizimit të tmerrshëm?! Zbuluat diçka që nuk e dinim, përveç se njerëzit janë bisha?! Gjithsesi nuk punoni në emër të qytetarëve dhe për mbrojtjen e interesit publik! Më tregoni një normë etike që ju arsyeton! Ma tregoni normën njerëzore që do t’ju arsyetojë në shtëpi! Ku e keni mendjen?! A keni mend?!”, shkruan Trajkovska.

Me reagim u paraqit edhe Këshilli për etikë në medie i Maqedonisë (KEMM), duke theksuar se marrja dhe publikimi i përmbajtjes së këtillë shkakton shqetësim plotësues dhe urrejtje te publiku në lidhje me këtë incident dhe pasojat prej tij. Nga KEMM-ja janë decidë se raportimi senzacionalist në publik nuk ka përparësi ndaj raportimit profesional dhe etik, ku duhet të mbahet llogari edhe për pasojat nga tragjedia për famlijen.

“Publikimi i video-incizimit është në kundërshtim edhe me nenin 8 të Kodit të gazetarëve, sipas të cilit „mënyra e informimit në raste të tragjedive familjare duhet të jetë e çliruar nga sensacioanlizmi“. Edhe përkundër asaj se raportimi i këtillë te disa media mund të arsyetohet me nevojën e përmbushjes së pritjeve të interesit publik dhe me të kuptuarit e rëndësisë së incidentit, ua bëjmë me dije se gazetarët dhe redaktorët duhet që ta respektojnë edhe privatësinë e personit, gjë që është në përputhshmëri me nenin 7 të Kodit të gazetarëve të Maqedonisë”, thuhet në komunikatën e KEMM-së.

Ata u bënë apel medieve që të mbajnë llogari për qëllimin dhe për pasojat e raportimit të tyre, si dhe për publikun që do të vijë në kontakt me përmbajtjen shqetësuese.

“Përveç kësaj, redaktorëve ua bëjmë me dije se bartin përgjegjësi për shpërndarjen më të gjerë dhe qasjen deri te video materiali i publikuar nga ana e kategorive të ndjeshme të njerëzve dhe personave të mitur, gjë që mund të shkaktojë shqetësim plotësues dhe pasoja nga raportimi i tillë”.

PUBLIKU KA TË DREJTË TA DIJË

Redaktori i “Slloboden peçat” dhe udhëheqës i portalit “Plusinfo”, Branko Geroski, ka vendosur, ditën kur është paraqitur inçizimi, që të mos e publikojë në portalin e tij. Mirëpo, një ditë më vonë, ka vendosur se publiku ka të drejtë ta shohë video-inçizimin.

“Ditën kur inçizimi, në të cilin shihet se si vetura e vrasësit e shkel familjen Aliu, me ç’rast Almiri i vogël e humbi jetën, “Plusinfo” nuk e publlikoi atë. Inçizimi është shqetësues, ajo e shton dhimbjen e të afërmve të Almirit dhe mund të nxisë ndjenja hakmarrëse te njerëzit. Kjo ishte arsyeja që ditën kur u paralajmërua dhe u mbajt protesta nuk deshëm të hedhim vaj në zjarr. Mirëpo, sado që të jetë shqetësues, publiku ka të drejtë ta shohë inçizimin e tmerrshëm nga Kumanova, që dëshmon për një vrasje me të vërtetë mizore, për një akt që vështirë se mund të sqarohet, e lëre më të arsyetohet”, thekson Gruevski.

Ai thotë se çdokush e ka publikuar inçizimin në mënyrën e vet, ashtu siç ka vlerësuar se duhet.

“Ka medie që vepruan ndryshe. Disa inçizimin e publikuan në mënyrë senzacionaliste, disa e publikuan e pastaj e tërhoqën, disa të tjerë vendosën ta kursejnë publikun nga kjo dëshmi për një marrëzi tragjike. Nuk e kontestojmë vendimin e askujt. Çdokush i ka argumentet e veta. Me dozën e nevojshme të kujdesit, që e imponoi embargoja njëditëshe, vendimi ynë është i pakuptimtë – fitoi parimi kulmor i etikës së gazetarisë, publiku ka të drejtë ta dijë”, është decid Geroski.

ÇKA THOTË KODI I GAZETARËVE

Kodi i gazetarëve në nenin 7 në mënyrë të qartë thekson se:

Gazetari është i obliguar ta respektojë dhimbjen personale dhe pikëllimin.

Pastaj në nenin 8 thuhet:

Mënyra e informimit në rastet e fatkeqësive, katastrofave natyrore, luftërave, tragjedive familjare, sëmundjeve, proceseve gjyqësore duhet të jetë e çliruar nga senzacionalizmi.

Këto rregulla më detajisht janë sqaruar në Doracakun për etikë në gazetari të publikuar nga Shoqata e gazetarëve. Në fakt, në pjesën kushtuar Kodit të gazetarëve – udhëzime dhe rekomandime, në faqen 18 thuhet se:

E drejta e publikut për të qenë i informuar nuk mund të jetë arsyetim për nevojën për senzacion.

Në faqen 19, shkruan:

Raportet duhet të mbajnë llogari për familjen e viktimës, të mos ia shtojë dhimbjen, por edhe të mos çojë drejt “stigmatizimit” të tyre.

Ç’ËSHTË INTERES PUBLIK NË MEDIE

A është interes publik publikimi i inçizimit nga ngjarja tmerruese në Kumanovë ku u shkel Almiri i vogë? Është e vërtetë se interesi publik nuk është i definuar në asnjë ligj që i rregullon mediet. Doracaku për interesin publik në gazetari e definon si “ajo që është me interes ose në dobi të numrit më të madh të njerëzve në shoqëri”. Mirëpo, siç thuhet në Doracak, problem është ajo se gazetarët shpeshherë nuk bëjnë dallim ndërmjet asaj që e intereson publikun dhe asaj që është me interes për publikun, gjegjësisht në dobi të shoqërisë.

“Interesi publik, nuk është ajo për të cilën është i interesuar publiku, ajo që dëshiron të dijë publiku dhe nuk do të thotë plotësim i kureshtjes të tij, e as që mund të arsyetohet si kriter moral për ndonjë sjellje skandaloze. E drejta e publikut të dijë nuk mund të jetë arsyetim që për të shikuar vjedhurazi në jetën private të dikujt. Informacionet e pavërtetuara dhe xhirimet anonime thjesht nuk mund të publikohen në emër të mbrojtjes së moralit publik”, thuhet në Doracak.

Gjatë përcaktimit të interesit publik, gazetarët duhet t’i respektojnë 10 parime kryesore:

1. Besueshmëria dhe mbrojtja e interesit publik;
2. Saktësia dhe e vërteta;
3. Paanshmëria;
4. Transparenca;
5. Llogaridhënia;
6. Integriteti dhe pavarësia redaktuese;
7. Ndershmëria- të qenit të drejtë;
8. Dëmi dhe fyerja;
9. Privatësia;
10. Mbrojtja e fëmijëve dhe të rinjve.

 


Ky leksion gazetaresk është përgatitur nga kuadër të Projektit të USAID-it për përforcimin e mediumeve në Maqedoni – Komponenta Shërbimi për verifikimin e fakteve nga mediumet, që implementohet nga fondacioni Metamorfozis.. Ky leksion gazetaresk është mundësuar me përkrahjen e Agjencisë amerikane për zhvillim ndërkombëtar (USAID). Përmbajtja e analizës është përgjegjësi e autorit dhe nuk i paraqet qëndrimet e fondacionit Metamorfozis, USAID-it ose të qeverisë së SHBA-ve. Për më tepër informata për punën e USAID-it në Maqedoni, ju lutemi vizitoni ueb-faqen e USAID-it: (http://macedonia.usaid.gov) dhe faqen e USAID-it në Facebook: (www.facebook.com/USAIDMacedonia).

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *