verifikimiifakteve.mksitemap
verifikimiifakteve.mksitemap

Aksionet senzacionaliste policore: “‘Tazi’ (ky) arrestimi nuk është arrestim”?

on 26 - 09 - 2013       
Овој напис го има и на: Maqedonisht
5869724049_dbd312d310_z
Demonstrata kundër brutaliteti policor  – Shkup 25 qershor 2011, fotografia: Мite Kuzevski

 

Në vendin tonë u bë praktikë që mediat të publikojnë emra, fotografi dhe video materiale nga personat e arrestuar, para se policia të ngrejë padi penale për ta dhe para se gjykata të sjellë vendim për hapjen e hetimit dhe caktimit eventual të masës së paraburgimit.

 

Shkruan: Zharko Trajanovskimagjistër për të drejtat e njeriut

 

“Kur raportohet për fatkeqësi, kriminalitet, ose aksion të policisë, mediat duhet, në përgjithësi të përmbahen nga publikimi i emrave, fotografive ose të dhënave të tjera që do të mund t’i identifikonin viktimat ose kryerësit e tyre” (Doracaku për etikën në gazetari)

 

Gazetaria etike: publikimi fotografive të personave të arrestuar me “pranga”

 

Gazetarët janë obligim etik që në mënyrë të arsyeshme t[ veprojnë në rastet kur i emërtojnë ose raportojnë për persona të dyshuar për vepra penale, kur kundër tyre akoma nuk është ngritur padi formale penale. Në vendin tonë u bë praktikë që mediat të publikojnë emra, fotografi dhe video materiale nga personat e arrestuar, para se policia të ngrejë padi penale për ta dhe para se gjykata të sjellë vendim për hapjen e hetimit dhe caktimit eventual të masës së paraburgimit.

Në vende të caktuara, siç janë SHBA-të, nuk ka asnjë lloj kufizimi ligjor për inçizimin e personave të arrestuar të cilët në shoqërim të policisë dërgohen në gjykatë me “pranga” në dorë. Por, shumë redaktorë dhe ekspertë të etikës së mediave e kritikojnë praktikën gazetareske që të dyshuarit t’i parashtrohen pyetje tendencioze gjatë ecejs me pranga, paraqitjes së të dyshuarit në “slow motion”, ose shfrytëzimit të pamjes me pranga disa herë në kuadër të kontributit të njëjtë. Disa kritikë theksojnë se mediat e harrojnë funksionin e tyre demokratik – të jenë qenë rrojtarë të demokracisë – dhe në vend të kontrolluesve të policisë dhe të prokurorisë, luajnë rol të shërbëtorëve të tyre.

Para disa vitesh fotografitë e publikuara të drejtorit të FMN-së me pranga, si i dyshuar për sulm seksual, shkaktuan polemika dhe debate të mëdha etike. Pas një kohe, paditë u tërhoqën dhe i akuzuari u lirua, edhe pse autoriteti i tij, dhe karriera e tij politike në Francë u shkatërruan. Përdryshem, në Francë është e ndaluar të publikohen fotografi të të dyshuarve me “pranga“, për të cilën gjë janë paraparë dënime të larta.

 

Kur policia ka të drejtë të përdorë “pranga” (mjete për lidhje)?

 

Në një analizë paraprake, Najçevska përkujoti për arsyet ligjore për përdorimin e mjeteve për lidhje:

1) pengimin e rezistencës së personave ose kthimin e sulmit që është drejtuar ndaj nëpunësit policor;

2) pengimin e ikjes së personave dhe

3) pamundësimin e vetëlëndimit ose lëndimit të personave të tjerë.

Najçevska theksoi se “në media vazhdimisht paraqiten fotografi të njerëzve që janë të lidhur me pranga, e nuk ka asnjë shenjë se këta njerëz kanë dhënë rezistencë, kanë qenë të rrezikshëm për jetën e tyre ose jetën e të tjerëve ose se janë përgatitur për të ikur.”

Duke e pasur parasysh se përdorimi i prangave nga ana e policisë sugjeron se i dyshuari ka dhënë rezistencë, ose ka tentuar të ikë, ose ka tentuar të vetëlëndohet ose të lëndojë njerëz të tjerë, është obligim etik i gazetarëve të verifikojnë se a ka qenë ligjor përdorimi i prangave në rastin konkret.

Poashtu, gazetarët duhet ta dijnë se “mjetet e dhunës mund të përdoren, nëse qëllimi i veprimit të policisë nuk mund të realizohet në mënyrë tjetër.” Gazetarët vazhdimisht duhet të interesohen për shkaqet e përdorimit të mjete të dhunës dhe për faktin se “nëpunësi policor është i obliguar që ta ndëpresë përdorimin mjeteve të dhunës, sapo të përfundojnë arsyet për shkak të të cilave ka ardhur deri te përdorimi i tyre.” (neni. 80 i Ligjit për polici).

 

Arrestim spektakolar ose thirrje?

“Raportimi gazetaresk nuk guxon të jetë mënyrë për ndëshkim shoqëror të të dyshuarve dhe vënien e tyre në shtyllën e turpit.” (Doracaku për etikën në gazetari)

 

Një pjesë e madhe e mediave njoftuan se në kuadër të aksionit policor “Spiuni” është arrestuar edhe i një serie të popullarizuar humoristike. Një pjesë e mediave e publikuan emrin dhe mbiemrin në titull si lajm senzacionalist, dhe me këtë rast u publikuan edhe video dhe fotografi policore në të cilat mund të njihet regjisori me “pranga” në dorë. Pjesa më e madhe e mediave nxorën përfundim se regjisori është arrestuar së bashku me 17 persona të tjerë në aksionin “Spiuni”, mu nga komunikata e parë e MPB-së për aksionin, me ç’rast është publikuar edhe një video, në të cilën si “pre” kryesore është i dyshuari me pranga, i cili mund të njihet me ngjyrën e flokëve dhe shtatin.

Menjëherë, pas lëshimit nga MPB-ja, mbrëmjen e njëjtë, një pjesë e madhe e mediave njoftuan se i dyshuari i cili ka qenë i arrestuar është “liruar” (që nënkupton se ka qenë i privuar nga liria). Por, një medie njoftoi se “Regjisori… nuk ka qenë i arrestuar, por ka qenë i ftuar në bisedë informative në stacionin policor, dhe më pas është lëshuar, njoftoi Ministria për punë të brendshme.” Media e njëjtë publikoi edhe një fotografi të regjisorit menjëherë sapo është lëshuar nga MPB-ja, nga e cila mund të vërehet se personi ka të veshur kostumin dhe këmishën e njëjtë, sikurse edhe i arrestuari i parë me pranga në dorë në videon e MPB-së (0.27).

 

‘Tazi’ (ky) arrestimi nuk është arrestim, por thirrje?!

 

Një ditë pas arrestimit spektakolar të 17 personave, disa media e publikuan deklaratën e shkruar dhe si video të ministreshës për punë të brendshme, si përgjigje ndaj pyetjes gazetareske në lidhje me një person të arrestuar, i cili nuk është dërguar te gjykatlsi hetues: “Ministria për punë të brendshme, në përputhje me ligjin, ka të drejtë ta thirrë çdo person në bisedë informative dhe në bazë të bisedës që bëhet me personat konkretë bëhte vlerësimi se a duhet ose jo personi i caktuar të nxirret para gjykatësit hetues, së bashku me padinë penale ose informatat që i jep gjatë bisedës në stacionin policor mjaftojnë që të vendoset se si do të veprohet më tutje.”

Përsëri gazetarët publikuan një deklaratë kyçe të një personi përgjegjës që është në pushtet, pa mos e verifikuar dhe pa mos e shqyrtuar konzistencën e saj me deklaratat e mëparshme të MPB-së: “Janë arrestuar 17 persona, ndërsa ekzistojnë dyshime për spiunazh, bashkim për kriminalitet, shantazh dhe mashtrim, për 22 persona të involvuar”; “Janë bërë bastisje në shtëpitë e 17 personave…”.

Në fakt, gazetarët përsëri harruaan se roli i tyre kryesor nuk është vetëm t’i përcjellin informatat e organeve kompetente, por edhe të jenë kontrollues të pushtetit. Se obligim etik i gazetarit është “Me vëmendje ta ndjekë dhe me guxim t’i thërrasë në përgjegjësi personat që janë në pushtet.” Në këtë kuptim, gazetarët lëshuan rastin që të verifikojnë se a ka qenë “thirrja” e regjisorit në orën 5.30 të mëngjesit (nga ana e policëve specialë të armatosur dhe të maskuar) dhe dërgimi i tij me veturë policore, me “pranga” në dorë, në përputhje me dispozitat për “thirrje” të Ligjit për polici. Në faktë, gazetarët lëshuan mundësinë që të mbledhin informata për këto pyetje:

  • A ka qenë thirrja me ftesë në formë të shkruar, e cila, në mes tjerash, duhet të përmbajë “shkaqe për thirrjen, vendin dhe kohën e thirrjes, si dhe udhëzimin për të drejtën e mbrojtësit në procedurën policore, si dhe pasojat në qoftë se nuk i përgjigjet ftesës” (neni 43 paragrafi 2)?
  • A ka pasur urdhër gjyqësor për shoqërimin e dhunshëm nga policia, për shkak se “Personi i ftuar mund të sillet me dhunë vetëm me urdhër gjyqësor edhe atë vetëm atëherë kur në mënyrë të qartë shmanget që t’i përgjigjet ftesës së dorëzuar me rregull, në të cilën është paralajmëruar për mundësinë për shoqërim të dhunshëm edhe atëherë kur mosardhjen e tij nuk do ta arsyetojë.” (neni 43 paragrafi 3)
  • Nëse ftesa ka qenë me gojë, a ka qenë në përputhje me nenin 45 paragrafi 1 të Ligjit për polici: “Nëpunësi policor është i autorizuar të ftojë ndonjë person edhe me gojë, me ç’rast është i obliguar ta njoftojë atë me shkaqet e ftesës, dhe me pëlqim të personit mund ta dërgojë deri te hapësirat zyrtare.”
  • A është njoftuar “personi që është ftuar ose që është sjellë me dhunë” për të drejtat e tij “si dhe për faktin se nuk është privuar nga liria dhe se pasi të japë ose të refuzpjë të japë deklaratë mund të shkojë” (nenni 43 paragrafi 5)? Gjegjësisht, a ka mundësi që një person, i cili shoqërohet nga policia me “pranga” në dorë, të mos jetë privuar nga liria?
  • A është bërë bastisje e shtëpisë së personit “të thirrur” dhe me çfarë baze, gjegjësisht, a ka pasur urdhër me shkrim nga gjykata për bastisjen?

Në vend që të mbledhin informata plotësuese me qëllim që të verifikojnë dhe të qartësojnë deklaratat jokonzistente të përfaqësuesve të MPB-së, mediat vazhduan të publikojnë fotografi senzacionaliste të të dyshuarve me pranga, pa mos e verifikuar se përdorimi i një mase të tillë a ka bazë ligjore ose jo.

(vazhdon)


Kjo analizë është përgatitur nga kuadër të Projektit të USAID-it për përforcimin e mediumeve në Maqedoni – Komponenta Shërbimi për verifikimin e fakteve nga mediumet, që implementohet nga fondacioni Metamorfozis.. Analiza është mundësuar me përkrahjen e Agjencisë amerikane për zhvillim ndërkombëtar (USAID). Përmbajtja e analizës është përgjegjësi e autorit dhe nuk i paraqet qëndrimet e fondacionit Metamorfozis, USAID-it ose të qeverisë së SHBA-ve. Për më tepër informata për punën e USAID-it në Maqedoni, ju lutemi vizitoni ueb-faqen e USAID-it: (http://macedonia.usaid.gov) dhe faqen e USAID-it në Facebook: (www.facebook.com/USAIDMacedonia).

Abonohuni për lajmet më të reja