verifikimiifakteve.mksitemap
verifikimiifakteve.mksitemap

Artikujt “pa autor”: Ngopin lexuesin me lugë zbrazur, lënë të uritur median

on 5 - 06 - 2013       
Овој напис го има и на: Maqedonisht

Lajme të gatshme, pa grintë, pa vazhdimësi, por me qëllim, serviren shpesh dhe me lehtësi nga media. Lajme ku nuk problematizohet ngjarja apo fenomeni, ku nuk ngrihen pyetje dhe nuk kërkohet llogari, ku nuk shprehet shqetësim në emër të publikut shtojnë numrin e lajmeve, por ngjajnë shumë me “lajmërime” mallrash e shërbimesh dhe pak me “lajme gazetash”.

Ky konstatim mbështetet në disa shembuj të pikasur vetëm brenda një dite, më datë 14 maj 2013. Kjo kategori lajmesh mund të kualifikohet si më poshtë, por ato vështirë mund të cilësohen si lajme të mirëfillta.

Lajm triumfalist

Shembulli i parë është lajmi «Hilton hyn zyrtarisht në Maqedoni»  në Zhurnal,  “Hotel Hilton hyn në Maqedoni” në Almakos, dhe «Hilton hyn në Maqedoni» në Kurir. Ky lajm, është botuar i shkruar me stilin e deklaratave të shtypit, mesa duket, ashtu siç e kanë dërguar nga pala e interesuar. Shkrimi nuk është i firmosur nga ndonjë autor-gazetar në asnjë prej këtyre mediave. Lajmi është botuar në “origjinal”. Teksti i njëjtë, pa ndryshime në përmbajtje, përveç disa paragrafëve më shumë a më pak, është botuar në të trija këto media.

Në tekst lajmërohet hyrja e një brendi të njohur, duke dhënë të njëjtat informacione bazë për të, si në formë përshkruese ashtu edhe në formë statistikore, dhe mbetet me kaq. E vetmja informatë konkrete për lexuesin gjendet në fjalinë : “Hoteli, që do të ndërtohet në lagjen e Aerodromit përskaj Vardarit, […] duhet të fillojë me punë në fillim të vitit 2016 ». Kjo fjali është lënë pothuajse e paprekur nga të gjitha këto media (përveç Zhurnalitqë fjalën « përskaj » e ka zëvendësuar me fjalen « buzë »).

Kostatohet se mungon ana tjetër e këtij lajmi, ajo e sitjes kritike, pjesë të cilën gazetarët , të paktën, pritet ta bëjnë vetë në raste të lajmeve si ky që « vijnë në redaksi». Mungon pjesa e kontributit të gazetarëve për ti ofruar lexuesve të dhëna që ndikojnë në jetën e tyre dhe që ata mund të dëshirojnë ti kuptojnë më mirë si  psh. sa serioze është kjo sipërmarrje e re, nga kush do kryhen punimet, a ka të dhëna për kushtet e punës së punëtorëve (duke patur parasysh aktualitetin ndërkombëtar) etj.

Lajm alarmist

Shembulli i dytë, lajmi nga Fondi për Sigurime Shëndetësore titullohet «Çdo qytetar harxhon dhjetë kutia barna në vit» nga Portalb dhe « Nga 10 kuti ilaçe për çdo qytetar »  nga Kurir. Një lajm i botuar krejt në stilin e njoftimit për shtyp të dalë nga zyrat e marrëdhënieve publike të institucioneve (në këtë rast Fondit për Sigurime Shëndetësore).

Tekstit nuk i është shtuar asnjë kundër-argument për këtë informacion që del nga zyrat e Fondit, institucion që parimisht është grup interesi. Këtij lajmi mund ti shtohej ana tjetër e medaljes së problemit, e cila është e dukshme në frazën : « Numri i ilaçeve të dhëna me recetë në tre vitet e fundit është rritur shumë sidomos i ilaçeve që kanë të bëjnë me sëmundjet kardiovaskulare. »

Gazetari, mund të nisej pikërisht nga kjo frazë për të ngritur jo një, por disa pyetje : Pse rritet numri i të sëmurëve kardiovaskulare ? Çfarë ndodh me qytetarët këto tre vite, çfarë ndodh me nivelin e jetesës, me sigurinë, me drejtësinë,  me shërbimin shëndetësor ? Rritja e konsumit të barnave nuk është zgjedhje për njerëzit por nevojë ; atëherë pse del ky lajm nga Fondi, po i kushton shumë kjo rritje konsumi? Mos vallë ky lajm i paraprin ndonjë kërkese për kufizim të ilaçeve me recetë ?

Me pak iniciativë, me disa pyetje gazetari/redaktori i çdo mediumi mund të hapte një debat të gjerë mbi atë se ç’ndodh me ata që nuk mund të marrin « ilaçe me recetë » ;  po ata, a gjejnë kujdes mjeksor, a kanë shans të jetojnë pa dhimbje ? Po ata që kanë nevojë për ilaçe të shtrenjta, a mund ta përballojnë participimin në blerjen e tyre dhe çfarë thotë Fondi për këtë problem ? Asnjë nga këto pyetje, apo të tjera  për Fondin nuk i është shtuar tekstit të shkrimit të Fondit për rritjen e konsumit të ilaçeve nga qytetarët e siguruar.

Lajm festiv
Shembulli i tretë është lajmi mbi kutinë magjike të shërbimit energjitik. Zhurnal e titullon lajmin «EVN promovon shërbimin ‘Aparati folës’ » , Almakos e titullon “EVN Maqedoni: ‘Aparati folës’ kontrolloni përmes telefonit gjendjen e faturës suaj!” ndërsa Kurir“EVN Maqedoni e promovoi shërbimin e ri ‘kuti zanore’” . Edhe këta artikuj nuk kanë kaluar nëpër filtrin kritik të mediumit.

Titulli i Almakos-it, më shumë se një lajm është një thirrje, ndërsa titulli i Kurir-it, me fjalët “e promovoi shërbimin” pretendon të imponojë përshtypjen se shërbimi i kutisë paskësh qenë i shumëpritur dhe ja, më në fund erdhi. Titulli i Zhurnal-it është pa tone të forta.

Versionet e Zhurnal-it dhe të Kurir-it shfaqen të strukturuar. Përkundër këtij formati korrekt, në tekstet e tyre pa emër autori, mungon ndonjë kënd alternativ i shkrimit të lajmit. Informacioni është kuadratuar si një ngjarje ku në qendër është lehtësia që tashmë i ofrohet konsumatorëve të energjisë elektrike.

Për shembull, fjalia: “EVN Maqedoni në vazhdimësi punon për përmisimin e shërbimeve për shfrytëzuesit e saj” gjendet në shkrimet e të trija këtyre mediave me dallimin e vetëm se Zhurnal e vendos atë në thonjza si një pjesë e cituar nga deklarata e EVN-së, ndërsa Almakos dhe Kurir me këtë fjali nisin paragrafin e fundit të shkrimit. Ky ilustrim provon se stili i marrëdhënieve publike nuk është fshirë dhe se artikullit origjinal nuk i janë vënë përballë edhe probleme që EVN mund të ketë ende për të përmirësuar.

Një lajm i shkruar nga gazetarët e vetë mediumeve, mund ta kish parë këtë risi nga një tjetër kënd dhe si rrjedhim ta vendoste lajmin në një tjetër kornizë psh. sa do e ndihmojë kjo lehtësi mbledhjen e detyrimeve më shpejt se më parë dhe çfarë impakti pritet të ketë kjo në investime të reja, punësime etj.

Këta artikuj vuajnë jo vetem nga qasja por edhe nga stili; ata qëndrojnë midis informacionit dhe promocionit. Në një paragraf shkruhet: « Tash e tutje, shfrytëzuesit në çdo kohë do të kenë mundësi … », « atë çfarë duhet shfrytëzuesi të bëjë », « nëse shfrytëzuesi ka harruar » e të tjera forma si këto, ndërsa në paragrafin tjetër shkruhet «  lajmëroheni [ju]», « faturës suaj », « në çdo kohë do të keni mundësi », « ju të merrni » etj. Në tekste të tillë të mediatizuar, lexuesi merr përshtypjen se informacioni, më shumë sesa ta informojë, kërkon ta bindë. Lexuesi nuk gjen aty gazetarin qe i del në mbrojtje interesit të tij si lexues i thjeshtë por gjen zëdhënësin që i bën propagandë për një mall apo shërbim që ai duhet ta blejë si konsumator i thjeshtë.

Më shumë gazetarë-autorë lajmesh

Pjesa më e madhe e këtyre shkrimeve promovuese janë të pa-firmosur me emrin e autorit që mund ti kishte shkruar (përveç ndonjërit vetëm me iniciale). Lajme të tillë, të njohur si lajme PR, janë ushqim i përditshëm për median informative por ajo çfarë media duhet të nxjerrë prej tyre është lajmi dhe problematika që e shoqëron atë. E kundërta ndodh: Jo media, por shërbimet e marrëdhënieve publike të subjekteve të biznesit apo administratës, nxjerrin prej medias “fjalën e mirë” për veten. Ndodh ajo që media bëhet zëdhënës i zëdhënësve. Media nuk i vendos lajmet në kornizën e vet të interesit publik por i servir brenda së njëjtës kornizë promovuese ku i vendosin ato grupet e interesit, që sipas interesit, mund të jenë herë korniza triumfaliste, herë alarmiste, herë festive etj.

Lajmet PR apo lajmet promovuese, nuk janë informacione për tu neglizhuar. Shpesh ato prekin direkt jetën e përditshme të njerëzve dhe pas tyre fshihen të vërteta të mëdha. Shpesh ato janë vetëm maja e ajsbergut të problematikave të thella të cilave, nëse gazetarët do tu kushtojnë vëmendje, mund ti shndërrojnë në lajme interesante si për lexuesin-konsumator ashtu edhe për median.

 

 

 

Kjo analizë është përgatitur nga kuadër të Projektit të USAID-it për përforcimin e mediumeve në Maqedoni – Komponenta Shërbimi për verifikimin e fakteve nga mediumet, që implementohet nga fondacioniMetamorfozis. Analiza është mundësuar me përkrahjen e Agjencisë amerikane për zhvillim ndërkombëtar (USAID). Përmbajtja e analizës është përgjegjësi e autorit dhe nuk i paraqet qëndrimet e fondacionit Metamorfozis, USAID-it ose të qeverisë së SHBA-ve. Për më tepër informata për punën e USAID-it në Maqedoni, ju lutemi vizitoni ueb-faqen e USAID-it: http://macedonia.usaid.gov dhe faqen e USAID-it në Facebook: http://www.facebook.com/USAIDMacedonia.

Abonohuni për lajmet më të reja