verifikimiifakteve.mksitemap
verifikimiifakteve.mksitemap

Bombat dhe frika nga liria

on 9 - 10 - 2015       
Овој напис го има и на: Maqedonisht
Слобода. Фото: pixabay.com
Liria. Foto: pixabay.com

Problemi ndodh atëherë kur shteti dhe përfaqësuesit e aparatit shtetëror konsiderojnë se duhet ta përaktojnë shkallën e lirisë siç përcaktohet lartësia e kullosës që duhet të pritet.

Shkruan: Zoran Bojarovski

“Liria është përgjegjësi. Prandaj shumë njerëz tremben prej saj” – Bernard Sho

Kur flasim, duke i pasur parasysh frazata e llojllojshme për lirinë ose për gjendjen “për të qenë i lirë”, ajo – liria, dikujt mund t’i jepet, mund të merret, për të duhet të luftoni dhe ta fitoni, dikush mund të lëshohet ose të lihet në liri, mund të jenë të lirë, njeriu mund të jetë i lirë si zog, mund të shihet lirshëm, lirinë mund ta keni ose të mos e keni, pa liri nuk mundet.

Liria gjendet në thelbin e çdo qenieje njerëzore, fillimin në të cilin gjendet kuptimi i ekzistimit të njeriut. Edhe sipas evolucionistëve (Darvinit) edhe sipas teologëve. Pa lirinë njeriur nuk është njeri. Liria është conditio sine qua non e mbijetesës së tij. Vetëm kur e realizon lirinë e tij dhe lirinë e të tjerëve, njeriu i jep kuptim ekzistimit të tij dhe e realizon rolin e tij historik. Për shkak se vetëm ata që janë të lirë mund të luajnë rol historik. Sipas kësaj, liria është përgjegjësi për fatin personal dhe për fatin e njerëzve të tjerë të lirë. Filozofët thonë se gatishmëria për këtë përgjegjësi e paraqet vendosmërinë për të mbijetuar, ndërsa zëri i kësaj lirie fundamentale nuk mund të heshtet dhe quhet – ndërgjegje.

Referimi në këtë ndërgjegje është pjesë e lirisë personale të njeriut, ndërsa në këtë ndërgjegje është i përfshirë edhe parimi universal që tjetrit të mos ia bëjmë atë që nuk duam të na e bënë. Liria personale shprehet ndaj vetëvetes, ndaj të tjerëve dhe ndaj mjedisit në kuadër të një konteksti të pashmangshëm shoqëror me të cilin përcaktohet shteti.

Problemi ndodh atëherë kur shteti dhe përfaqësuesit e aparatit shtetëror konsiderojnë se duhet ta përaktojnë shkallën e lirisë siç përcaktohet lartësia e kullosës që duhet të pritet. Në fakt, ç’është për pushtetin, gjegjësisht për shtetin, qimja e një njeriu?

Përkundër qëllimit të këtillë, liria është luftë e vazhdueshme, gjendje e shpirtit, mosnënshtrim. Liria është edhe mjet edhe – qëllim. Liria është hapësirë e hapur nga e cila na merren mendtë. Hapësirë e panjohur për aventurë. Тera incognita. Prandaj edhe është emocionuese dhe e dëshiruar. Në të njëjtën kohë, për ata që nuk kanë vetëdije për lirinë, personale dhe të të tjerëve, ajo është prangë, pengesë, aventurë e panevojshme…

Atë, anën tjetër të (mos)lirisë në mënyrë të detajuar dhe gjithëpërfshirëse e elaboron Fjodor Mihajlloviç Dostoevski, në kokën e “Inkuiziotorit të madh” në kryeveprën “Vëllezërit Karamazov”. Në fakt, Dostoevski thotë se disa njerëz me vetëdije heqin dorë nga liria, ose, më saktë, ua lënë liderëve të tyre për shkak se për ta ajo do të thotë siguri, mundësi për ta eliminuar frikën nga ndryshimet, heqje dorë nga më e mira në vete dhe pëlqim që ta përdridhet kurrizi dhe të nënshtrohet qafa gjithmonë kur do të dëgjohet zëri i ziles së prijësve të turmës.

Dikush diku ka thënë se bytha frikacare rrallë herë lëshon pordhë të hareshme. Ata që kanë frikë nga liria, besojnë se për çdo nënçmim, për çdo heqje dorë nga revolta, për çdo kompromis dhe konformizëm do të shpërblehen në botën që dikush tjetër e krijon për ta në për shkak të lirisë nga e cila kanë hequr dorë. Ata nuk besojnë se kjo është bota e vetme ku e fiton atë që je i gatshëm ta marrësh vet.

Në fabulën “Ujku dhe qeni” të La Fontenit, ujku i dobët takohet me një qen të trashë dhe, pasi vlerëson se qeni është më i fortë se ai, e lavdëron pamjen e tij. Qeni i përgjigjet se edhe ai, ujku, mund të bëhet si ai nëse largohej nga pylli për shkak se atje nuk ka kush ta ushqejë. Ujku është interesuar dhe e ka pyetur qenin se çka duhet të bëjë si kundërshpërblim. Qeni i është përgjigur se ujku nuk duhet të bëjë asgjë përveç që herë pas here duhet t’i sulmojë lypësit dhe t’i kafshojë endacakët që t’ia bëjë qejfin pronarit të tij. Atëherë ujku e ka shikuar qafën e qenit dhe ka parë se e ka të rrudhur dhe përplot me vragë. Kur e ka pyetur qenin se prej ku i ka këto shenja, qeni i është përgjigjur se kjo është një çikërrimë – nga zinxhiri me të cilin e lidh pronari i tij. Atëherë, ujku ka vendosur të largohet nga qeni dhe të vazhdojë të vrapojë nëpër pyll, duke hequr dorë nga ushqimi që i është ofruar në pjata të arta.

Kjo është njëra nga parabolat më ilustrative për lirinë dhe të kundërtën e saj – frikën nga pavarësia, frikën nga liria që vetë ta udhëheqësh vetëveten. Në situatat e tilla, kur nuk e ke veten, ti je instrument në duart e dikujt tjetër, “dhëmbë” që kafshojnë në llogari të dikujt tjetër, rojtar i pronarit tënd, i cili të vë në gjumë përderisa t’i tregon tregimet dhe ëndërrat e tij dhe i cili të fut në një shtëpizë të vogël prej druri, gjithmonë kur do të lehësh pak më tepër.

Në kuptim psikologjik, frika e individëve ose e grupeve nga liria paraqet heqje dorë nga thelbi i njerëzimit, nga forca kreative dhe dorëzimi para mazohizmit të kënaqësisë së dhënies së lirisë të tjerëve, në shenjën e të cilëve, atyre që nuk janë të lirë u rrjedhin liga, sikurse qenve të Pavllovit, gjithmonë kur do të dëgjojnë fjalë kyçe, fotografi kyçe, përsëri fjalë kyçe, përsëri fotografi kyçe… Gjegjësisht, kur urdhërat arrijnë nëpërmjet mediave. Për shkak se mediat i zëvendësuan kamxhikët e mëparshëm të pronarëve.

Sot me ata që nuk janë të lirë dirigjohet me telekomandë… me televizionet, radiot, internetin, gazetat…

Atë që nuk janë të lirë, shikuesit e zakonshëm televizivë nuk mendojnë në mënyrë kritike dhe nga distanca. Lehtë magjepsen me përmbajtje dhe porosi përplot me armiq imagjinarë ose të sugjeruar, të cilët ekzistojnë vetëm që t’i rrezikojnë ata dhe komunitetin e tyrre të individëve që nuk janë të lirë. Këta robër bashkëkohorë bëhen pre e nervozës, pasigurisë, paqartësisë së krijuar, frikës dhe panikut se nuk kanë ardhmëri në qoftë se nuk mbështeten te pronarët e tyre, të cilët i shfrytëzojnë mediet që të jenë rojtarë të pronarëve, e jo të së vërtetës.


Kjo kolumnë është përgatitur nga kuadër të Projektit të USAID-it për përforcimin e mediumeve në Maqedoni – Komponenta Shërbimi për verifikimin e fakteve nga mediumet, që implementohet nga fondacioni Metamorfozis.. Kjo kolumnë është mundësuar me përkrahjen e Agjencisë amerikane për zhvillim ndërkombëtar (USAID). Përmbajtja e kolumnës është përgjegjësi e autorit dhe nuk i paraqet qëndrimet e fondacionit Metamorfozis, USAID-it ose të qeverisë së SHBA-ve. Për më tepër informata për punën e USAID-it në Maqedoni, ju lutemi vizitoni ueb-faqen e USAID-it: (http://macedonia.usaid.gov) dhe faqen e USAID-it në Facebook: (www.facebook.com/USAIDMacedonia).

Abonohuni për lajmet më të reja