verifikimiifakteve.mksitemap
verifikimiifakteve.mksitemap

Deklaratë që e shkundi Maqedoninë: Rekomandimi i BE-së – prapa në njëmendësi!

on 5 - 02 - 2016       
Овој напис го има и на: Maqedonisht
Југословенската комунистичка пропаганда: до ова дереџе ли стигнавме. Фото: архивска фотографија
Propaganda komuniste jugosllave: A deri në këtë derexhe arritëm? Foto: fotografi arkivi

Siç janë duke kaluar ditët pas asaj deklarate të pasqarueshme të komesarit Han se nuk është me rëndësi se kush do të marrë pjesë në zgjedhje, por me rëndësi është që ato të jenë të rregullta, demokratike (?) dhe të lira, nuk më hiqen nga mendja kujtimet nga disa kohë të mëparshme, për të cila menduam se nuk do të na përsëriten.

Shkruan: Аleksandar Sholjakovski

Eurukomesari Johanes Han, me deklaratën e tij për magazinën e Sofjes “Kapital”, në mënyrë të papërmbajtshme m’i përkujtoi kohërat e njëmendësisë, kohëra kur zgjedhjet konsideroheshin dhe ishin formalitet, për shkak se diheshte se kush do të fitojë, se gjithçka është përgatitur që më parë, është trukuar dhe të gjithë do të votojnë “për”! Ajo ishte koha kur komunistët, të cilët e kishin marrë gjithë pushtetin, sikurse VMRO-DPMNE-ja tani, e megjithatë zgjedhjet i realizonin rregullisht dhe kuptohet, me sukses! Dhe atëherë nuk ishte me rëndësi kush merr pjesë, përderisa marrin pjesë vetëm ata të pushtetit.

Në atë sistem dihej se duhet të ketë njëfarë përfaqësimi (gjinor, etnik, të moshës…). Mbahej llogari që çdo organizatë shoqërore, e tillë siç ishte (të gjitha nën tutelën e komunistëve), të jetë e përfaqësuar. Kishte, përveç komunistëve dhe anëtarëve të Lidhjes socialiste të popullit punëtor, nga organizata e luftëtarëve, e të rinjve, e armatës… Pothuajse të gjitha shtresat e popullatës ishin të përfshira në listat e deputetëve, gjegjësisht të delegatëve më vonë.

Zgjedhjet përgatiteshin në përpikshmëri, sikur, Zoti mos e dhashtë, nga kjo varej fati i pushtetit të atëhershëm. Këshillat dhe komisionet zgjedhore i udhëhiqnin kuadro të dëshmuara, listat ishin të sakta (të pastruara), çdokush merrte thirrje disa javë më parë në adresën e shtëpisë dhe çodkush e kishte për obligim të paraqitej dhe të votojë. Votimi ishte i detyrueshëm, një kohë madje mosvotimi shkaktonte edhe përgjegjësi kundërvajtëse, kështu që njerëzit vraponin të votojnë, duke u frikësuar nga dora e gjatë e sistemit.

VOTIMI SI FESTË

Vetë dita e votimit ishte pothuajse si festë. Në radio dhe në televizion emitohej muzikë patriotike dhe revolucionare, e që më parë kishte fushata për dalje (masovike) në votime, apelohej në obligimin që çdo qytetar ta kryejë detyrën e tij patriotike dhe qytetare, mirëpo nuk harrohej edhe fjala “obligim”.

Edhe pse shumë njerëz nuk e kishin të qartë se pse kishte nevojë të votohej, njerëzit shkonin në votime, të rregulluar si tani kur shkojnë kishë (atëherë në kishë nuk shkohej, bile edhe atëherë kur kjo nuk shihej si diçka e keqe), disi me pamje solemne. Për shkak se në atë kohë votohej vetëm në pranverë, pas votimit shkohej në park për shëtitje, haheshin qebapë.

Nuk më kujtohet se rezultatet priteshin me padurim, mirëpo në mbrëmje publikoheshin lajmet se zgjedhjet kanë kaluar në atmosferë demokratike dhe se votimi ka qenë i suksesshëm, ndërsa thirrjes i janë përgjigjur, në fillim zakonisht rreth 98-99 për qind, e më vonë kjo përqindje filloi të zvogëlohet, mirëpo jo në mënyrë drastike.

Ishte kjo një farsë e madhe. Diçka si garë kuajsh në të cilën gjithmonë fitojnë – gomarët!

Sipas kritereve të cilat i bëri të njohura dhe afirmoi Johanes Han, këtyre zgjedhjeve nuk mund t’u gjendej ndonjë mangësi në aspekt të rregullsisë, as të korrektësisë. Gjithçka sipas ligjeve në fuqi. Nuk ka pasur votues të egër, fantomë, letërnjoftime të rrejshme, mbushje të kutive ose çfarëdo lloj parregullsie. Më korrekte – shëndosh! Madje nuk kishte as humbës për shkak se të gjithë që kanë marrë pjesë kanë fituar, nuk ka pasur asnjë incident, nuk ka pasur nevojë as për vëzhgues…

Ato zgjedhje kishin vetëm një mangësi! Në to nuk merrnin pjesë si kandidatë ata që mendonin ndryshe nga pushteti dhe partia në pushtet. Mirëpo, tani kjo, sipas Hanit, nuk do të paraqiste problem. Me rëndësi është të ketë zgjedhje, korrekte dhe të rregullta, e kush merr pjesë – kjo nuk është me rëndësi. Sipas Hanit, këto do të ishin zgjedhje OK!

PSE TRANZICION?

Mirëpo, çka bëjmë nëse përkujtohemi se për shkak të zgjedhjeve të tilla dhe për shkak të disa gjërave të tjera, që ishin rezultat i zgjedhjeve të tilla, e gjithë bota e lirë dhe demokratike e demokracisë perëndimore zhvilloi luftë gjysmëshekullore që ta ndryshojë këtë dhe në zgjedhje të marrin pjesë edhe ata që mendojnë ndryshe nga pushteti. Me këtë ide u shkatërruan sisteme, shoqëri të tëra, u zhvilluan lufta qytetare, u likuiduan njerëz. u bombarduan qytete. Pse? Që në fund të realizohen zgjedhje pluraliste, shumëpartiake, në të cilat lirisht, pa manipulim nga pushtetmbajtësit, të marrin pjesë orientime dhe ideologji të ndryshme politike, e jo vetëm një sikur në kohën e njëmendësisë! Pse?! Që vullneti i qytetarëve ta vendosë fatin e shoqërisë. Edhe vendi ynë tashmë çerek shekulli kalon nëpër kohëra traumatike, u shkatërruan pikëpamjet të tëra personale për botën, u shkatërruan familje dhe miqësi për shkak të dallimeve politike.

Dhe pas një çerek shekulli vjen një diplomat jo aq i besueshëm, i cili kush e di se si ka ardhur deri te pozita e komesarit dhe jep deklarata të papërgjegjshme dhe drejtpërdrejt merr pjesë në thellimin e kaosit në të cilin gjendet shoqëria jonë. Një gjë është se a e pëlqen opozitën maqedonase (cilado qoftë ajo), mirëpo është krejtësisht diçka tjetër kur me fuqinë që i është dhënë dëshiron të na kthejë prapa. Dhe tani pyetem – çfarë marifeti ishte ai tranzicion, leksionet demokratike dhe ndryshimi i rendit shoqëror?

Mu për këtë arsye kjo deklaratë e pafat, e pamenduar dhe tepër e dyshimtë na jep material të dyshojmë në qëllimet e mira të Hanit, e në qoftë se realizohet kjo ide edhe në qëllimet politike të BE-së.

Hani dhe BE-ja duhet të sqarojnë se çka duan, cilat janë qëllimet e tyre, çka duan të porosisin. Për shkak se kështu vetëm e vërtetojnë dëshpërimin e njerëzve nga liria dhe demokracia.

 


Kjo kolumnë është përgatitur nga kuadër të Projektit të USAID-it për përforcimin e mediumeve në Maqedoni – Komponenta Shërbimi për verifikimin e fakteve nga mediumet, që implementohet nga fondacioni Metamorfozis.. Kjo kolumnë është mundësuar me përkrahjen e Agjencisë amerikane për zhvillim ndërkombëtar (USAID). Përmbajtja e kolumnës është përgjegjësi e autorit dhe nuk i paraqet qëndrimet e fondacionit Metamorfozis, USAID-it ose të qeverisë së SHBA-ve. Për më tepër informata për punën e USAID-it në Maqedoni, ju lutemi vizitoni ueb-faqen e USAID-it: (http://macedonia.usaid.gov) dhe faqen e USAID-it në Facebook: (www.facebook.com/USAIDMacedonia).

Abonohuni për lajmet më të reja