Dixhitalizimi – fotografi më e mirë, por ende pa rezolucion të lartë HD për të gjithë
Published in Analiza
on 31 - 03 - 2016 Author: Vladimir Petreski
Çfarë fituam me dixhitalizimin e sinjalit televiziv? A kemi tani cilësi më të mirë të fotografisë televizive, a u aplikuan teknologji të reja interesante dhe me vlerë apo, nga ana tjetër, a ka mundësi që së shpejti të aplikohen teknologji të tilla si rezultat i dixhitalizimit të sinjalit televiziv.
Shkruan: Vlladimir Petreski
Padyshim që dixhitalizimi solli një fotografi televizive më cilësore. Më 1 qershor të vitit 2013 përfundimisht mori fund transmetimi i sinjalit të vjetërsuar kompozit, rezolucioni i të cilit ishte 640 me 480 (numri i pikselëve shndritës më të imët, gjegjësisht pikave të ekranit të televizorit të cilat e ndryshojnë ngjyrën dhe prej të cilave krijohet edhe fotografia televizive) dhe formati 4:3 (raporti midis gjatësisë dhe lartësisë së fotografisë televizive). Rezolucioni, gjegjësisht dendësia e pikave shndritëse është me rëndësi sepse prej tij varet edhe cilësia e fotografisë televizive – sa më i madh të jetë rezolucioni, aq më cilësore dhe më e mprehtë do të jetë fotografia. Cilësia e fotografisë televizive varet edhe nga elemente të tjerë, por ky është një ndër më të rëndësishmit dhe bazë për përmirësimin edhe të të tjerëve.
Teknologjitë e reja dixhitale mundësuan që sinjali televiziv të transmetohet në definicion standard (Standard definicion – SD/EDTV – standard prej 720×576 pikave) ose definicion të lartë (high definicion – HDTV – standard me rezolucion prej 1.280×720), dhe deri në maksimumin prej 1.920×1.080 rezolucion, gjatë të cilit u ndërrua edhe formati, i cili tani llogaritet 16:9. Gjithashtu, u miratua edhe DVB-T- standardi i transmetimit të programit gjatë të cilit sinjali televiziv transmetohet në formë të komprimuar.
Sot në botë ekzistojnë edhe teknologji të reja, shumë më të avancuara si 4K (rezolucion 4.096×2.160) dhe në shtetet e zhvilluara disa operatorë televiziv dhe stacione televizive transmetojnë ngjarje sportive në këtë standard tashmë prej një viti, por edhe prej më herët, por që të mund të ndiqen ato në këtë standard, nevojiten televizorë të veçantë, të cilët ende janë relativisht të shtrenjtë. Për shembull, kjo teknologji mundëson edhe zgjedhjen e kamerës televizive të cilën do të dëshironit ta shikoni në ndonjë moment të caktuar të lojës së futbollit. Përveç kësaj, tani ekziston edhe teknologjia 3D, kur fotografia televizive regjistrohet me kamera të cilat kanë nga dy objektive dhe për ndjekjen e të cilave nevojiten të ashtuquajturit OLE Televizorë. Këto teknologji janë ende relativisht larg prej nesh. Si fillim, në vendin tonë nuk ka se kush ta ritransmetojë sinjalin e tillë, dmth. ai nuk ka se si të arrijë deri tek televizori juaj, edhe nëse keni një të tillë. Të gjitha pajisjet, si video miksuesit, video konvertorët dhe kamerat janë të ndryshme nga ekzistueset dhe duhet të blihen veçmas. E ngjashme është gjendja edhe me standardin e ri DVB-T2 për transmetim të programit, i cili ofron një kompresim edhe më të madh të sinjalit televiziv, që e bën më të përshtatshëm për transmetim në HDTV, edhe pse edhe ekzistuesi DVB-T mund dhe shfrytëzohet për të njëjtin qëllim. Por, për shembull, edhe pse në Serbi ky standard i ri shfrytëzohet për transmetim të 10 kanaleve SD dhe HD të transmetuesit publik RTS dhe në Kroaci në 2 multipleksë parapagues, implementimi i tij në Maqedoni ende nuk është as afër.
HDTV TRANSMETOHET, POR A ARRIN DERI TEK APARATËT TELEVIZIV
Ajo që për momentin mund të synojmë dhe të përpiqemi ta arrijmë si përfitim më të madh teknologjik të dixhitalizimit, është arritja e standardit HDTV me rezolucion 1.920×1.080 në ekranet tona televizive. Por, edhe pse tashmë ka televizione që transmetojnë HD sinjal në rezolucion të lartë 1.920×1.080, si „Sitel”, „TVM”, „TV 21”, „Telma”, televizioni i ri kabllor „Nova”, „Tv Tera” nga Manastiri e të tjerë, prapë se prapë nuk domethënë që deri tek televizorët e të gjitha amvisërive HD sinjali i tillë i transmetuar arrin në atë formë. Në të gjithë vargun e transmetimit të stacioneve televizive, nëpërmjet operatorëve televizivë me aparatet televizive nëpër amvisëri, sinjali duhet të pranohet dhe të transmetohet në rezolucion HD, që si i tillë të arrijë tek shikuesit. Nëse vetëm një nga këto pjesë të zinxhirit të transmetimit dhe të ritransmetimit e ul rezolucionin, në fund do të fitohet sinjal me cilësi më të ulët. Kjo ulje e rezolucionit mund të ndodhë në vende të ndryshme. Mund të ndodhë tek operatori televiziv, gjegjësisht operatorët me rrjete publike të komunikimit, siç quhen zyrtarisht kompanitë komerciale që arkëtojnë parapagesë nga amvisëritë dhe kompanitë, siç janë operatorët kabllorë „Blizoo”, „Telekabel”, dhe të tjerët, DVB-T operatori „ONE” (TV-paketet e markës „Boom TV”), IPTV – operatori „Telekomi i Maqedonisë” (Tv-paketet e markës „Max TV”) dhe operatori satelitor „Total TV”. Ja çfarë thotë për këtë problem Borçe Nikollovski, udhëheqësi i teknikës në „24 Vesti”.
Problemi qëndron në atë se si të pranon operatori. Të gjithë televizionet të disa operatorëve transmetohen në dy platforma – në rezolucion HD ose SD. Operatori është i obliguar t’i ketë të dy formatet që të mund t’ia ofrojë konsumatorit përfundimtar.
Por, problemi mund të shfaqet edhe në anën tjetër, gjegjësisht tek amvisëritë. Është e kotë që operatori të lëshojë cilësi HD, nëse parapaguesi nuk ka televizor i cili mund ta shfaqë fotografinë e tillë, por ajo duhet të reduktohet në rezolucion që i përshtatet televizorit nëpërmjet telekomandës dhe pajisjes për pranim (kutisë të marrë nga operatori televiziv ose të blerë nga shitorja për ndjekje falas të televizioneve kombëtare dhe të programeve të Radio Televizionit të Maqedonisë – RTM).
Rreth 40% e qytetarëve nuk kanë blerë televizorë me ekran të sheshtë, por ende përdorin televizorë CRT (me gyp katodik), thotë Nikollovski.
Madje edhe televizorët e rinj me ekran të sheshtë, jo të gjithë kanë aftësi për shfaqjen e të ashtuquajturës fotografi „Full HD” me rezolucion 1920×1.080, por janë të certifikuar si „HD Ready”, që domethënë rezolucion prej 1.280×1.720. Televizorët e këtillë, edhe pse nuk kanë mundësi për riprodhim të rezolucionit FULL HD, janë popullorë për shkak të çmimit të tyre më të ulët.
Ta lëmë mënjanë faktin që të gjitha stacionet televizive nuk transmetojnë në rezolucion HD dhe të gjithë amvisëritë nuk kanë televizorë HD, por ç’ndodh me operatorët televizivë? Të paktën ato, a transmetojnë sinjal HD nga ato stacione televizive nga të cilat e pranojnë si të tillë? Këtu punët janë të komplikuara dhe kjo varet edhe nga vetë operatori, por edhe nga lloji i operatorit. Operatorët kabllorë, sipas rregullit, duhet të kenë mundësi që të transmetojnë në
HD pa problem, sepse kablloja u mundëson „përhapje” pa pengesa dhe transmetimi varet vetëm nga nëse pajisjet e tyre „centralet” janë të dedikuara dhe nëse kanë mundësi për transmetim HD. Në Maqedoni ka 71 operatorë kabllorë dhe pjesa më e madhe e tyre janë të vegjël dhe lokalë, andaj nuk është e lehtë të përcaktohet rezolucioni dhe formati i transmetimit të tyre.
Nga ana tjetër, operatori televiziv satelitor „Total TV” transmeton në HD në të gjithë territorin e vendit:
Ato që pranojnë program televiziv nëpërmjet satelitit kanë përparësi, sepse kanë sinjal të mirë në të gjithë territorin e vendit. Përparësi është edhe ajo që pranuesin satelitor mund ta merrni me vete dhe të shihni televizor edhe në shtëpinë tuaj të vikendit, për shembull, nëse aty paraprakisht keni vendosur antenë adekuate. Madje pranuesin satelitor mund ta dërgoni edhe jashtë shtetit, sepse sinjali satelitor transmetohet edhe në vende të tjera dhe edhe atje mund t’i shikoni kanalet e Maqedonisë, thotë Nikollovski.
Kur bëhet fjalë për operator DVB-T, siç është „ONE” me markën „Boom TV”, ai nuk transmetohet në HD. Dhe vetë pajisja për pranim, e cila merret me këtë paket televiziv, nuk ka të ashtuquajturën dalje HDMI për televizor, e cila është e domosdoshme për pranim në HD, shpjegon Nikollovski.
HD DHE SD TANI PËR TANI, POR SË SHPEJTI DO TË JETË VETËM HD
Tek teknologjia IPTV (internet protocol), të cilën e shfrytëzon „Telekomi i Maqedonisë” për transmetim të programit televiziv në kuadër të markës së vetë „MAX TV”, gjendja është pak më komplekse.
Gjithkund ku ka kabllo të vjetër bakri, ka mundësi për IPTV nëpërmjet centraleve të tyre nëpër komuna, por vetëm në rezolucion SD. Për HD, nevojiten kabllo optike. Prandaj, ky operator, nga mediet, televizionet, e pranon edhe sinjalin SD edhe atë HD, që atij që ka optik dhe është i parapaguar në paket të tillë, të mund t’i lëshojë program në HD, ndërsa atij që merr sinjal televiziv nëpërmjet të telit të bakrit, t’i lëshojë SD. Kjo do të ndryshojë me kalimin e kohës dhe të do mbetet veç HD. Ato vendosin pajisje të reja, vendosin centrale të reja dhe në fund do të mbetet vetëm HD. Ato parapagues deri tek shtëpitë e të cilëve është sjellë kablloja optike, pranojnë rezolucion FULL HD, por nga ana tjetër parapagesa të paktën tani për tani është e lartë, shpjegon Nikollovski.
Përndryshe, numri i parapaguesve të internetit në rrjetin optik të „Telekomit të Maqedonisë”, të cilët kanë mundësi pranimi të programit televiziv në HD, dhe shumica e pranojnë, sepse pjesa më e madhe janë të parapaguar në pakete të dyfishta ose trefishta (internet, TV dhe telefon fiks) në mesin e vitit 2015 numëronte 16.295 nga të cilët 13.322 janë amvisëri.
Ekzistimi i këtyre dy standardeve dhe rezolucioneve të ndryshme reflektohet edhe tek televizionet:
Problemi është se me gjithë këtë përzierje dëm pësojnë televizionet. Ato kanë investuar shuma të mëdha të parave që të mund të transmetojnë në FULL HD rezolucion, ndërsa në pjesën më të madhe operatorët nuk kanë mundësi teknike që atë sinjal FULL HD ta dërgojnë deri tek parapaguesit, por dërgojnë veç SD. Prandaj duhet që rrjeti i operatorit të ketë mundësi teknike, por kjo, siç e shohim nuk është gjithmonë ashtu, thotë Nikollovski.
ÇKA NËSE NUK JENI PARAPAGUES ASKUND
Ndikimin më të madh dixhitalizimi e kishte tek ato amvisëri që nuk janë të parapaguara në asnjërin prej paketeve televizive komerciale që i ofrojnë operatorët televiziv komercialë. 40.000 amvisëri që marrin ndihma sociale, fituan pajisje për pranim nga shteti, ndërsa të tjerët duhej t’i blinin që të mund ta ndjekin programin televiziv. Në fillim ato kushtonin nga 1.000 denarë, por tani mund të gjenden për vetëm 600 denarë dhe madje kanë edhe USB hyrje, që domethënë se programi mund të regjistrohet.
Për transmetim të sinjalit dixhital, shteti, nëpërmjet të atëhershmit Këshill për radiodifuzion (Tani Agjencia për shërbime mediatike audio dhe audiovizuale – ASHMAA) ndau shtatë multipleksë (multipleksi paraqet grup të shërbimeve televizive, midis të cilëve edhe transmetimi i sinjaleve televizive – emri vjen nga fjala multiplexing, që domethënë teknikë për transmetim të disa sinjaleve nëpërmjet një kanali komunikativ). Prej tyre, dy iu dhanë NP „Radiodifuzioni i Maqedonisë” (RDM) për transmetim të programeve të RTM-së dhe pesë grupacionit „ONE” prej të cilave tre për televizion të paguar dhe dy për transmetim të stacioneve televizive në nivel shtetëror dhe rajonal. Programet e RTM-së dhe ato të televizioneve komerciale kombëtare dhe rajonale me licencë tokësore mund të ndiqen falas me pajisjen për pranim të blerë nga shitorja. Por, a është kështu gjithkund? A e ka mbuluar „ONE” mjaftueshëm shtetin me transmetues dhe a e ka plotësuar obligimin primar që të mbulojë 92% të territorit të vendit, që tani thuhet se mbulimi arrin 94%?
Pikëpyetje është nëse multipleksi i „ONE-t” ka 94 % mbulim. Pikëpyetje është se sa është ai numër preciz. Duhet të shihet harta e mbulimit, por ajo është vetëm fotografi. Që të shihet saktë, duhet të dilet në teren. Të caktojmë disa pika dhe të shohim se a ka sinjal dhe si do të duket. Gjithmonë ka pika të vdekura, zona të vdekura në sinjal, ku nuk mund të fitosh asgjë, asnjë sinjal. Më parë me teknologjinë analoge, me një lëvizje të vogël të antenës mund të fitoje ndonjë sinjal, ndoshta edhe me borë, por tani me sinjalin dixhital këtë më nuk e kemi. Tani ose ka, ose s’ka program, thotë Nikollovski.
Rrugëdalja nga një problem i këtillë eventual është sërish parapagesa tek një operator televiziv i cili ka mundësi teknike që të dërgojë sinjal gjithkund:
Gjithmonë ka rrugëdalje. Populli tashmë është i mësuar dhe do të blejë antenë satelitore dhe do të parapaguhet tek operatori satelitor „Total TV”. Mund të ndodhë edhe të gjendet ndonjë operator televiziv lokal i cili do ta rimarrë sinjalin e „Total TV” dhe do t’ua lëshojë banorëve të atij vendbanimi, shton ai.
Për dallim nga transmetimi i paketit të vetë televiziv nga marka „Boom TV”, i cili nuk transmetohet në HD, edhe multipleksi i „ONE” është i dedikuar për stacionet komerciale tokësore (edhe kombëtare dhe rajonale) për ndjekje falas dhe ai i RDM-së, i dedikuar për kanalet televizive të RTM-së, sinjalin e transmetojnë ashtu siç e pranojnë, që domethënë se ato televizione që transmetojnë në HD, mund edhe të shihen në HD në amvisëritë që kanë HD televizorë, dhe nuk janë të parapaguara në paketet e asnjë operatori televiziv.
SA AMVISËRI NUK JANË TË PARAPAGUARA NË ASNJË OPERATOR TELEVIZIV
Por, sa janë këto amvisëri? Për këtë të dhënat nëpër institucionet janë kontradiktore dhe askush nuk e di numrin e saktë. Grafiku në fillim të këtij teksti, i cili e tregon numrin e përgjithshëm të parapaguesve të të gjithë operatorëve komercialë televiziv, flet për numër prej 374.000 amvisërish të tilla nga gjithsej 576.000 amvisëri në vend, sipas regjistrimit të popullsisë të vitit 2002. Nga ana tjetër, grafiku i mëposhtëm, i publikuar nga ana e ASHMAA, dhe i përpiluar nga të dhëna të fituara nëpërmjet anketës, tregon se vetëm 6,2 % të amvisërive nuk janë të parapaguara në ndonjë paket televiziv të ndonjë operatori. Kjo është plotësisht joreale. Përqindja e këtillë do të thotë se vetëm 35.700 amvisëri nuk janë parapaguar në ndonjë paket televiziv, që duhet të nënkuptohet se edhe disa mijëra nga ato 40.000 amvisëri, që janë raste sociale dhe që për atë shkak fituan pranues falas nga shteti, janë parapaguar tek ndonjë paket televiziv. Nga ana tjetër, drejtori i ASHMAA-së, D-r Zoran Trajçveski, në intervistë për „Nova TV”, të dhënë më 31.05.2013, gjegjësisht vetëm një ditë para fillimit të dixhitalizimit, deklaroi se vetëm 15 % të amvisërive në vend nuk janë të parapaguara në ndonjë operator televiziv, që do të thotë vetëm 85.000 amvisëri. Dallimi prej 150.000 amvisërish, të cilat atëherë nuk paraqiteshin në shifrat e numrit të përgjithshëm të parapaguesve sipas të dhënave të AKE të marra nga operatorët televiziv, u shpjegua me atë që ato nuk i kanë paraqitur parapaguesit e tyre që t’i shmangen pagimit të tatimit.
Numri i amvisërive që nuk janë parapaguar në asnjë operator mund të jetë nga 50.000 dhe deri në 200.000, nëse numrat të cilat i dorëzojnë operatorët televiziv deri tek AKE-ja janë të sakta dhe nuk ka evazion fiskal. Ky numër, sipas të gjitha gjasave, është më i përafërt me atë prej 100.000 amvisërish, kur dihet se 37.000 fituan falas pajisje për pranim nga shteti si raste sociale dhe nëse shtojmë edhe vetëm 10 % më shumë nga amvisëritë në Maqedoni që nuk janë parapaguar askund, që edhe nuk është tepër në situatë kur Maqedonia po përballet me një papunësi prej rreth 25% përqind. E gjithë kjo, nga ana tjetër, domethënë se rreth 100.000 amvisëri i ndjekin vetëm televizionet kombëtare komerciale tokësore („Sitel”, „Kanal5”, „Telma”, „Alfa” dhe „Alsat-M”), programet e servisit publik të radiodifuzionit (RTM-së), si dhe televizionet rajonale, të cilat me siguri edhe nuk do të jenë më falas, por vetëm nëpërmjet të operatorëve kabllorë sepse pjesa më e madhe e tyre nuk janë në gjendje që ta paguajnë licencën prej 15.000 eurosh që të mund të transmetojnë nëpërmjet të multipleksëve të „ONE-it”, siç shpjegon Dejan Georgievski nga Qendra për zhvillim të medieve:
Një nga gjërat që ndodhën është që „ONE” fitoi monopol, praktikisht, në pjesën komerciale të radiodifuzionit. Dhe, tani që t’i kthejë paratë që nevojitej të investohen në rrjetin transmetues, përsëritës, transmetimi në nivel kombëtar kushton 98.000 euro, ndërsa rajonal – 15.000 euro. Ideja ishte që televizionet lokale të kalojnë në televizione rajonale, sepse nuk kishte frekuencë lokale. Por, çfarë ndodhi? Asnjë nga televizionet lokale nuk do të mbledhë 15.000 euro. Për ato janë shumë para. Ja, në çfarë niveli i kemi transmetuesit lokalë. Dhe tani, për këtë arsye të gjitha televizionet lokale u transferuan në transmetim nëpërmjet operatorëve kabllorë dhe tjerë të cilët kryejnë transmetim të sinjalit televiziv.
Ndërsa, transmetimi në nivel lokal nëpërmjet operatorit kabllor në qytet ose rajon është shumë më i lirë. Bëhet fjalë për një marrëveshje komerciale nëpërmjet të operatorit televiziv dhe stacionit televiziv, por nëpër qytetet e vendit ka edhe të tillë ku operatori kabllor do ta emitonte stacionin tuaj televiziv lokalisht edhe për 500 euro. Por, nga ana tjetër, kjo tregon se ato amvisëri që nuk janë të parapaguara në asnjë operator televiziv, gjegjësisht që shohin vetëm stacione televizive falas në qytetin e tyre, nëse nuk bëhet ndonjë ndryshim, nuk do të mund t’i shohin stacionet televizive lokale në qytetin, fshatin apo rajonin e tyre. Kjo do të thotë se edhe në këtë rast zaret kurdisen në favor të pesë televizioneve kombëtare tokësore komerciale dhe RTM-së, të cilët janë më të mëdhenjtë dhe më të pasurit në tregun televiziv të Maqedonisë, me çka të hyrat e RTM-së janë më të mëdha se të hyrat e të gjithë pesë televizioneve të tilla së bashku.
PËR PARAPAGUESIT NUK PATI DIXHITALIZIM
Dixhitalizimi sikur nuk ka ndodhur fare për operatorët televiziv komercial. Sipas asaj që e tregojnë shifrat, numri i parapaguesve në dy vite e nëntë muajt e kaluara është rritur vetëm për 40.000 ose 12,6%. Kishte rritje të vogël në parapagesën e kuartalit të dytë dhe të tretë të vitit 2013, gjegjësisht në periudhën kur filloi transmetimi i sinjalit dixhital, por kjo ishte e gjitha. Kjo rritje e vogël u nda midis të gjithë llojeve të operatorëve, përveç tek servisi DVB-T i „ONE”. Dhe pikërisht tek ky operator televiziv, i cili është pronar i markës „BOOM TV”, i cili nuk ofron mundësi për rezolucion HD, është i vetmi i cili shënon stagnim, madje edhe rënie të vogël në raport me periudhën e vitit 2013 kur filloi dixhitalizimi.
Gjithsesi, rruga drejt implementimit të rezolucionit HD është e ilustruar dhe një ditë në të gjithë televizorët në vend do të transmetohet vetëm sinjal i tillë edhe atë si standard minimal:
Një ditë do të thonë se televizionet nuk mund të transmetojnë më sinjal SD dhe njëjtë siç tha ASHMAA-ja me dixhitalizimit që minimum është sinjali SD, domethënë televizionet nuk mund të transmetojnë më sinjal kompozit, analog, siç e kemi quajtur në atë kohë, thotë Nikollovski.
Por, kur do të ndodhë kjo, ende nuk është e qartë. Me siguri do të duhet të kalojë kohë që të ndërrohet edhe gjenerata e tanishme e televizorëve nëpër shtëpi, që nuk janë me rezolucion HD, dhe të cilët ende po shiten nëpër shitore. Deri atëherë me siguri do të paraqiten edhe standardet e reja me rezolucion më të lartë se HD, cilësi më të mirë dhe me shpejtësi më të lartë të transmetimit dhe nga ajo se sa do të jenë emocionues dhe interesantë për shikuesit, do të varet edhe shpejtësia e miratimit të tyre. Por, çfarë fituam nga dixhitalizimi i sinjalit televiziv, në fakt, duke pasur parasysh faktin që madje 55-75% e amvisërive tashmë ishin parapagues të paketeve televizive të operatorëve komercialë dhe për ato dixhitalizimi sikur të mos ketë ndodhur. Këtë më së miri e ilustron Georgievski nga QZHM:
Me dixhitalizimin e sinjalit televiziv kemi fotografi më cilësore dhe më pak pengesa në ndjekjen e programit televiziv. Përndryshe, në aspektin e ofertës programore, nuk fituam asgjë. Çdo ndryshim tek ne, dhe ja tani edhe ky ndryshim rregullator-teknologjik, nuk rregullon asgjë, por vetëm e betonon një situatë aktuale.