verifikimiifakteve.mksitemap
verifikimiifakteve.mksitemap

Dyfytyrësia si sistem

on 2 - 10 - 2015       
Овој напис го има и на: Maqedonisht
Од протестите на Студентскиот пленум. Фото: FOSIM, 17.11.2014
Nga protestat e Plenumit studentor. FOTO: FOSIM, 17.11.2014

“Prindërit nuk mendojnë sa duhet për ardhmërinë e fëmijëve të tyre në afat të gjatë, prandaj ne mendojmë” – Nikolla Gruevski, përgjigje në një pyetje deputeti në Kuvendin e Maqedonisë.

Shkruan: Sead Rizvanoviq

Duke e mbrojtur konceptin e testimit ekstern, të futur nga qeveria, të cilën e udhëheq pothuajse një dekadë, kryeministri Nikolla Gruevski e arriti kulmin e arrogancës së tij, duke projektuar një qëndrim absurd në formë të kombinimit të gënjeshtrës së pacipë dhe manipulimit të paturp.

Unë nuk dua të besoj se kryeministri me të vërtetë beson në këto fjalë, për shkak se kjo do të paraqiste një sindrom profetik, prandaj, do të supozoj se qeveria e VMRO-DPMNE-së dhe BDI-së thjesht vazhdon me ndjekjen kryeneçe dhe të verbër të reformave të të vendosura mbi baza që garantojnë dështim.

E gjithë premisa e futjes së testimti ekstern bazohet mbi supozimin se zinxhiri i arsimit në vend nuk është funksional, se arsimtarët dhe profesorët nuk arrijnë që nxënësve dhe studentëve t’ua përcjellin dijen dhe shkathtësitë, dhe se vlerësimi nuk bëhet në bazë të kritereve reale.

Realisht ky konstatim është i saktë dhe nuk është i ri. Kuptohet se duhet shmangur përgjithësimi, mirëo, është fakt se pavarësimi i Maqedonisë solli një sërë ndërprerjesh në sistemin e vendosur të funksionimit në të gjitha segmentet shoqërore, e kështu edhe në atë arsimor. Prandaj, qeveria vendosi që në mënyrë “revolucionare” ta zgjidhë problemin, me kontrollimin e dyfishtë të lëndëve dhe provimeve që janë dhënë njëherë, dhe kështu, sipas pushtetit, do të fitohet pasqyrë reale për dijen e gjeneratave të ardhshme.

PËRKATËSI DHE DËGJUESHMËRI PARTIAKE NË VEND TË ARSIMIT

Mirëpo, atë që kryeministri nuk ua thotë prindërve, të cilët “nuk kujdesen” për fëmijët e tyre sikurse ai dhe ministri Ademi, është se partitë amë të kryeministrit dhe të ministrit krijuan një sistem baza e të cilit nuk është dija dhe shkalla e arsimit, por përkatësia partiake dhe shkalla e dëgjueshmërisë ndaj direktivave partiake.

Duke filluar nga arsimi fillor, menaxherët kryesorë të shkollave, të personifikuar në drejtorë, pa përjashtim janë njerëz të cilët përshtatshmërinëe  tyre e certifikojnë të anëtarësia partiake. Shpesh herë ndodh që ky kriter të rezultojë me atë që në vendin e drejtorit të vendosen njerëz jokompetentë ose të papërvojë, të cilët në fakt duhet të jenë shtylla e institucionit arsimor. Dyfytyrësia pandemike e njerëzve të parë të shtetit vazhdon me zbatimin e kriterit partiak edhe mbi kuadrin arsimor, me çka kompletohet pasqyra e rrejshme për “kujdesin” për dijen e fëmijëve, dhe dëshmohet vetëm kujdesi për fitimin e zgjedhjeve të ardhshme, pa marrë parasysh se në këtë rast shkatërrohet ardhmëria e gjeneratave të ardhshme.

Kujdesi i rrejshëm i pushtetit vazhdon me prodhimin dhe shtypjen e librave shkollorë për arsimin fillor, të cilat janë shkruar nga autorë joprofesionalë, të cilat për çdo vit prodhojnë gabime të mëdha dhe flagrante, të cilat përqeshen nga gjithë publiku. Kuptohet, të gjithëve na kujtohen librat tonë nga arsimi fillor, të cilat ndoshta nuk ndryshoheshin aq shpesh sikur këto të sotmet, mirëpo funksionimi i sistemit të atëhershëm nuk lejonte gabime, të cilat përveç për pushtetin, për fat të keq bëhen turp edhe për shtetin dhe bëhen objekt përqeshjeje madje edhe në mediat rajonale.

PLENUMET DHE PROTESTAT – “KATASTROFË” PËR SHOQËRINË

Në qoftë se në një vend demokratik dikush nga ministrat, e lëre më kryeministri, do të deklaronte se “formimi i plenumeve partiake dhe protestimi në vend të mësimit është katastrofë për shoqërinë”, kjo sipas të gjitha gjasave do të shkaktonte reagim të ashpër të publikut. Kuptohet se në Maqedoni reagimi i tillë mungoi, mirëpo le të mbetet e shkruar se me këtë deklaratë kryeministri Gruevski jo vetëm që i ofendoi nxënësit e shkollave të mesme dhe studentët duke i kontestuar motivet e tyre, por e kontestoi edhe të drejtën legjitime për protestë, me çka kapacitetet demokratike të qeverisë pothuajse barazohen me mënyrën se si Putini e kupton shoqërinë.

Qeveria nuk dëshiron t’i dëgjojë pyetjet legjitime të cilat i parashtrojnë gjeneratat e ardhshme që duhet të jenë themeli i zhvillimit të Maqedonisë.

E fëmijët pyesin: Pse përkatësia partiake u bë kusht kryesor për punë në institucionet arsimore? Si ka mundësi që sistemi i cili bazohet në mosdije, të prodhojë dije dhe pse pushteti nuk dëshiron të dëgjojë se testimi ekstern vetëvetiu, thjesht nuk është asnjë garancë për dije?

Pse qeveria promovoi studime të disperzuara të universiteteve shtetërore nëpër gjithë shtetin, të cilat zhvillohen në kushte substandarde, ku fakultetet funksionojnë pa mjete të mjaftueshme, ndërsa kuadrot që prodhohen janë me kualitet më të ulët se sa ata që kanë diplomuar në Universitetin “Shën Kirili dhe Metodi” para dhjetë vitesh?

A ka mundësi kryeministri të përgjigjet se si kujdeset për dijen e fëmijëve në kushte kur qeveria e tij lejoi hapjen e një sërë fakultetesh private për të cilat edhe zogjtë nëpër drunj e dijnë se prioritet i kanë pagesat e shkollimit të cilat e ushqejnë biznesin arsimor, ndërsa studentët e diplomuar dalin pothuajse pa asnjë dije në raport me diplomën që e posedojnë.

Ndoshta kryeministri nuk do të thotë se gjatë të gjitha këtyre viteve ka qenë i detyruar nga ndonjë forcë madhore të krijojë sistem arsimor partiak dhe sipërfaqësor, e tani nxënësit, studentët dhe prindërit duhet të kalojnë nëpër reforma absurde dhe të dënohen për dështimet e tij.

Mu për shkak të këtyre fakteve, fjalimi i kryeministrit në Kuvend është njëra nga deklaratat dhe qëndrimet më hipokrite në serinë e cila zgjat me vite.

Krijimin e fshatrave të Potemkinit, stigmatizimin dhe shpalljen për armiq të “shtetit” dhe të “përparimit” kësaj radhe e përjetuan më të rinjtë.

Sulmet e paskrupullta të VMRO-DPMNE-së dhe të BDI-së mbi nxënësit dhe studentët vetëm e dëshmuan se këto dy parti nuk do të ndalen para asgjëje në mbrojtjen e qeverisjes së koalicionit, e në këtë startegji partiake as fëmijët nuk janë të shenjtë.

 


Kjo kolumnë është përgatitur nga kuadër të Projektit të USAID-it për përforcimin e mediumeve në Maqedoni – Komponenta Shërbimi për verifikimin e fakteve nga mediumet, që implementohet nga fondacioni Metamorfozis.. Kjo kolumnë është mundësuar me përkrahjen e Agjencisë amerikane për zhvillim ndërkombëtar (USAID). Përmbajtja e kolumnës është përgjegjësi e autorit dhe nuk i paraqet qëndrimet e fondacionit Metamorfozis, USAID-it ose të qeverisë së SHBA-ve. Për më tepër informata për punën e USAID-it në Maqedoni, ju lutemi vizitoni ueb-faqen e USAID-it: (http://macedonia.usaid.gov) dhe faqen e USAID-it në Facebook: (www.facebook.com/USAIDMacedonia).

Abonohuni për lajmet më të reja