verifikimiifakteve.mksitemap
verifikimiifakteve.mksitemap

Efektet e filmave vizatimorë dhe stimulimi i dhunës tek fëmijët!

on 30 - 01 - 2016       
Овој напис го има и на: Maqedonisht

“Një drejtor i një spitali raportonte se një miush, për të cilin thuhet se po shihte televizion, sulmoi një vajzë të vogël dhe macen e saj… Si miu ashtu dhe macja mbijetuan, por po e japim këtë incident për të treguar se si janë duke ndryshuar kohët.”[1]

(James Reston, “New York Times”, 7 korrik, 1957)

tom-et-jerry-serie-tv-10-g-415x380Shkenca nuk do të fliste kurrë për luftën nëse ajo nuk do t’i shkaktonte pasoja njerëzimit. As me sëmundjet që shfaqen në botë nuk do merrej, nëse këto nuk do paraqisnin ndonjë problem për njerëzit. Si duket, gjërat e dëmshme kanë zënë më shumë vend në fletët e librave shkencorë sesa ata të dobishmet. Prandaj edhe kjo analizë  më shumë do të fokusohet te elementet negative që i sjell filmi i vizatuar fëmijës. Ndër ato është edhe dhuna që shfaqet në filmat e animuar.

Nëse nisemi nga ajo se sa kontroll kanë prindërit ndaj fëmijëve të tyre për këtë çështje, duhet të thuhet se jo aq sa duhet! Këtu ndikojnë shumë faktorë si: puna, angazhimet e ditës, moscaktimin e një ore në ditë ose në dy ditë vetëm për edukim të fëmijëve, vendosjen e televizorit në dhomën e fëmijëve, e kështu me radhë. Shumica prej tyre mendojnë se të shikuarit televizor, i bën fëmijët më të urtë, kanë ku ta humbin kohën dhe nuk dalin shpesh jashtë me shokët, sepse kësisoj edhe mund të zihen më shpesh!

 

“Mesatarisht në kohën kur një fëmijë ka kryer shkollën fillore, ai ose ajo do të ketë parë rreth 8,000 vrasje dhe rreth 100,000 akte të ndryshme dhune (si p.sh. sulme, përdhunime etj) në rrjetin e televizionit. Numrat janë edhe më të mëdhenj nëse fëmiu ka qasje në kabllovik, ose posedon lëshues të videokasetave. [2]

 

Nuk është pretendimi të konstatohet se çdo akt dhune detyrimisht të rrjedhë nga televizori, këtu radhiten të gjithë mediat tjera ku mund të jenë lojërat kompjuterike apo videolojërat, faqe të ndryshme të internetit, celularët, muzika, revistat me përmbajtje për të rritur, e kështu me radhë. Gjithashtu në këtë varg dhune bashkangjiten edhe eksperiencat sociale të fëmijëve, si p.sh. në ç’familje rriten, kë ka bashkëlojtar nga fëmijët e lagjes, me çfarë lodrash loz, a ka vëlla ose motër më të madhe, çfarë raportesh ka me mësuesin dhe nxënësit e klasës etj.

“Në një studim amerikan ekspertët përcollën fëmijët e moshës mes 2 dhe 5 vjeçare, dhe erdhën në përfundim se filmat e vizatuar janë të rrezikshëm, sepse i mësojnë fëmijët se sjellja e dhunshme nuk është e dënueshme… Ekspertët po ashtu pajtohen se filmat e vizatuar ndikojnë negativisht në masë shumë më të madhe tek djemtë sesa që konsiderohej deri më tani. Djemtë e vegjël, të moshës mes 2 dhe 5 vjeçare, të cilët shikojnë rregullisht filma të vizatuar bëhen shumë më agresivë dhe më jotolerantë në moshën e mëvonshme se sa moshatarët e tyre që janë rritur pa idhujt e tyre të vizatuar…, ndërsa vajzat që në po atë moshë i shikojnë të njëjtët filma të vizatuar, në periudhat e mëvonshme të jetës sillen në mënyrë asociale, transmeton DW.[3]

Në vitin 2000, shkolla për shëndet publik pranë Universitetit të Harvardit, ka sajuar se 62 për qind e të gjithë filmave vizatimorë paraqesin të paktën një vrasje.”[4] Por ky është vetëm minimumi i vrasjeve apo i dhunës në tërësi. P.sh. Tomi dhe Xheri, (produksion i shtëpisë filmike MGM – Metro Goldwyn Mayer, të cilën e krijoi hebreji rus Louis B. Mayer[5]), mund të quhet si filmi më i dashur i fëmijëve, në të njejtën kohë është edhe më i dhunshmi, por kjo e dyta nuk sajohet, vetëm aplikohet në mënyrë të padëshiruar te fëmijët. Kush po merret me këtë?! Shumicës së prindërve as që u ka shkuar ndonjëherë ndër mend se Tomi dhe Xheri, ose të tjerë të ngjashëm me këtë, i bëjnë fëmijët më të dhunshëm. Vetëm një episod i Tomit dhe Xherit, i cili zgjat rreth 6 minuta, në vete përmban, prej 30 deri në 60 akte dhune! Madje, kur bëja numërimin e këtyre akteve, disa herë e kisha të vështirë t’i numëroja veprimet e dhunës, sepse ndodhte të shfaqen dy apo tre akte në të njejtën kohë, p.sh. në ndërkohë kur macja sulmon miun, qeni sulmon macen, thyhen drunj mbi kokat e tyre, çfarë gjejnë përpara shkatërrojnë dhe ç’është më skandalozja, asnjëherë askujt nuk i japin llogari për atë që bëjnë. Përdoren armë, thika, mjete pune, prishen shtëpi, tavolinat e ngrënies, pianot, vidhen ushqime nga frigoriferi… dhe asnjëherë nuk dënohen për këtë! Të mos flasim për intrigat dhe gënjeshtrat e panumërta që i bëjnë heronjtë e këtij filmi. Për çfarë? Për të dëmtuar tjetrin, pra për të bërë një vepër të keqe! Sigurisht se ka raste kur personazhet i ndihmojnë njëri-tjetrit, por këto raste janë të padukshme në krahasim me të parat. E njejta histori është edhe me Road Runner, Bugs Bunny, Donald Duck, Pink Panther…

Edhe produksionet japoneze të filmave vizatimorë janë të stërmbushur me skena dhune. Madje mbi bazën e luftimit e ndërtojnë edhe ngjarjen. P.sh te Dragon Ball Z, protagonist i filmit, Songoku me shokët, çdo herë lufton të këqinjtë të cilët po bëhen të fortë e më të fortë dhe këtë luftë e bëjnë për të mbrojtur planetin tokë. Vdesin, transformohen, ripërtërihen, përsëri vdesin dhe përsëri ringjallen edhe atë bëhen më të fuqishëm pas ringjalljes! Çdo gjë është e mundur, bëhen sulme të magjishme kundër njëri-tjetrit, fluturojnë, zhduken për një çast dhe dalin në një vend tjetër… Këtu nuk është e mundur të numërohen aktet e dhunës, sepse janë të pakapshme për syrin e njeriut! Janë më të shpejtë se rrufeja. Edhe për fëmijët shqiptarë është e njohur teknika e heronjëve të Dragon Ball-it “kame – hame – ha, e cila realizohet me fërkimin e duarve dhe shtrëngimin fort të tyre. Pasi e bën këtë, del një formë zjarri që i drejtohet armikut. Këtë teknikë e dinë të gjithë fëmijët e lagjes s’ime dhe herë pas herë e praktikojnë…  mirë që s’munden edhe zjarr të nxjerrin!

Në fund të gjihë kësaj, del se këto filma të vizatuar u dedikohen fëmijëve të moshës 2, 3, 4, apo edhe 10 vjeçare. Ato stimulojnë instiktin e fëmijëve dhe ndikojnë në shtimin e akteve të dhunës. Ndikojnë në krijimin e hutisë dhe të mosbërit dallim midis reales dhe imagjinares. Për fëmijët nuk vlen kjo ndarje, ata imagjinatën e kanë të mbushur me gjëra sureale, sepse, ndër të tjera, janë produkt i një kulture mediatike.

 

Referenca:

[1] Marshall McLuhan: Instrumentat e komunikimit – Media si një zgjatim i njeriut, për botimin shqip: Instituti i Dialogut dhe Komunikimit, 1964.

[2] Cynthia Carter dhe C. Kay Weaver: Violence and the media, boton: Open University Press, Buckingham – Filadelfi, 2003.

[3] Artikull: “Studimi amerikan: Filmat vizatimor, të rrezikshëm” – http://zhurnal.mk/content/?id=2011317222857. Data: 03.09.2012.

[4] Dokumentar: “Gender & Comm. – Kids Cartoon Violence” –  http://www.youtube.com/watch?v=oceyNYLoUCc&feature=related. Data: 04.09.2012.

[5] Neal Gabler: An Empire of their Own – How the Jews invented Hollywood, boton: Doubleday, Broadway, New York, 1988.


Kjo analizë është përgatitur nga kuadër të Projektit të USAID-it për përforcimin e mediumeve në Maqedoni – Komponenta Shërbimi për verifikimin e fakteve nga mediumet, që implementohet nga fondacioni Metamorfozis.. Analiza është mundësuar me përkrahjen e Agjencisë amerikane për zhvillim ndërkombëtar (USAID). Përmbajtja e analizës është përgjegjësi e autorit dhe nuk i paraqet qëndrimet e fondacionit Metamorfozis, USAID-it ose të qeverisë së SHBA-ve. Për më tepër informata për punën e USAID-it në Maqedoni, ju lutemi vizitoni ueb-faqen e USAID-it: (http://macedonia.usaid.gov) dhe faqen e USAID-it në Facebook: (www.facebook.com/USAIDMacedonia).

Abonohuni për lajmet më të reja

Sorry. No data so far.