verifikimiifakteve.mksitemap
verifikimiifakteve.mksitemap

EKSKLUZIVE: Gruevskit i është bërë rreng intervista e fundit!

on 10 - 06 - 2015       
Овој напис го има и на: Maqedonisht
Погледот далеку, проблемите блиску. Фото: скриншот
Shikimi larg, problemet afër. Foto: screenshot

 

Të kota janë intervistat e trilluara, boshe janë ofanzivat e paralajmëruara diplomatike ballkanike kur metastazat e krimit dhe të budallallëkut i kanë përfshirë të gjitha organet vitale të pushtetit. Regjimi ngadalë po shuhet, për çdo ditë duke humbur nga një funksion. Ja, këtë javë posa shkoi “në botën tjetër” politika e jashtme e Gruevskit. Amin.

 

Shkruan: Sasho Ordanoski, еkspert i shkencave të komunikimit

 

Ashtu jan gjërat në botën e Gruevskit: me vite do të udhëheqësh politikë të jashtme të pamenduar, të diktuar nga interesat private financiare dhe nga veprimet kriminale rajonale, e pastaj kur do t’i biesh “murit” të vendosur nga rendi ndërkombëtar dhe rajonal, do ta publikosh një intervistë për ndonjë “medie-kondom” (me gazetar të panënshkruar, kuptohet, dhe me një fotografi adekuate me një buzëqeshje të lumtur “viçi”), do të shkelësh mbi gjithçka që ke bërë dhe për shkak të gjithë asaj vendi dhe qytetarët e saj kanë pasoja të mëdha dhe do të nisesh në një drejtim krejtësisht të ri! Sikur asgjë nuk ka ndodhur!

Kthimet e tilla të papritura në politikë, zakonisht, kanë çmim të lartë për shëndetin. Grujoja, pa dyshim, e ka përdredhur qafën.

 

NË VEND TË GAZIT – KANALIZIM

E para, të kuptohemi, edhe pas leximit të parë, është e qartë se ai që përgjigjet në pyetjet e parashtruara në intervistën “Ardhmëria e Maqedonisë është në NATO dhe në BE nuk është Nikolla Gruevski. Ai as që ka qëndrime të tilla, e as që ka mendim të tillë të koncentruar dhe të qartë, e as stili nuk është i tij. Në fakt, është e qartë se edhe pyetjet e parashtruara edhe përgjigjet e dhëna, e veçanërisht momenti i paraqitjes së kësaj interviste false (pas debaklit në aspekt të numrit, pamjes dhe përmbajtjes së demonstratave proqeveritare të 18 majit, mirëpo edhe pas fiaskos së sigurisë në Kumanovë), janë produkt i makinës propaganduese të despotit tonë. Pothuajse jam i gatshëm të vë bast se autorët e kësaj interviste janë Martin Protugjeri dhe Sërgjan Kerimi, mundet edhe me renditje të kundërt. Dikush në DPMNE (mirëpo jo Grujos!) e ka pasur të qartë se me “marshin gruevist nga Lindja” pushteti erdhi në një situatë të paqëndrueshme – pozitat edhe ashtu të lëkundura të pushtetit po dëmtohen edhe më shumë me ngazëllimin eksplicit dhe publik të elitës së DPMNE-së me metodat jodemokratike të sundimit të Putinit dhe të “Internacionales antiperëndimore” të re të tij. Moska me këmbëngulje eksporton një çorbë ideologjike ku është futur gjithçka që gjendet në qilarin e ideve të mykura pan-sllaviste, autoritare, konservative-revolucionare, iliberale dhe populiste. Ky manipulim i Putinit, që përbëhet nga zëvendësimi i institucioneve demokratike me fuqinë e personalizuar të despotit, në Ballkan vjen nëpër gypat e gjerë propagandues të kanalizimit nëpër të cilat asnjëherë nuk do të rrjedhë gazi.

Duke iu falënderuar kësaj interviste, kuptojmë se Gruevski çdo mbrëmje bie të flejë dhe çdo mëngjes zgjohet me NATO-n dhe BE-në si prioritet në politikën e jashtme, edhe pse gjatë ditës së gjatë bën gjithçka që këto ide t’i nënçmojë dhe t’i shkatërrojë në Maqedoni. Nuk duhet bërë analizë më të gjerë, mjafton që të shihen mediet kryesore propaganduese të pushtetit, si “Dnevnik”-u i Kamçevit dhe i Kerimit, ose përmbajtja e emisioneve të disa budallenjve nëpër televizionet nacionale, në të cilat Gruevski është mysafir çdo tre muaj me biseda prej disa orësh; shiheni këtë “helm” antiperëndimor në komentet e Llatasit dhe të Mirkës, konfidantëve ideologjikë-politikë të Grujos; vizitojeni ueb-faqen e “Kurir”-it që t’u ngjallet nostalgjia për kualitetin e propagandës së dikurshme komuniste të “Pravdës” moskovite… Përkujtojeni lehtësinë me të cilën regjimi i Grujos me vite e përhapr dhe e nxit agjendën antievropiane dhe antiamerikane, e cila nëpër rrjetet sociale me orientim VMRO-ist arrin nivel të histerisë kolektive dhe të urrejtjes masovike kundër SHBA-ve dhe BE-së, të barabartë me urrejtjen ndaj “shiptarëve”.

 

DËSHMI, NË FAKT, NUK KA

Mirëpo, kjo intervistë që i është bërë rreng Gruevskit ka edhe një aspekt të rëndësishëm, të cilin shumë njerëz, ndoshta, nuk arrijnë ta vërejnë. Në fakt, me pranimin se nuk ka dëshmi të qëndrueshme për përzierjen e shërbimeve të huaja në përgjimet telefoniek në kuadër të akuzave të ngritura “puçiste” kundër Zaevit, kushdo që ta ketë bërë intervistën e Gruevskit krijon një hapësirë të qartë politike për refuzim gjyqësor të akuzave kundër liderit të opozitës në aferën “Puç”. Thjesht, me pranimin, se të gjitha “dëshmitë” për përzierjen e shërbimeve të huaja, në rastin më të mirë, indirekte – “më tha Zaevi”, “bisedat janë përkthyer në anglisht” dhe “ashtu ka thënë Verushevski” – edhe zyrtarisht është “varrosur” i gjithë konstruksioni juridik-politik i pushtetit se jo ajo, por ndonjë shërbim i huaj ka përgjuar 26.000 qytetarë të Maqedonisë që të shkatërrohet shteti maqedonas, në bashkëpunim në tradhëtarin Zaev!

Е në qoftë se rasti gjyqësor “Puç” nuk ka asnjë bazë juridike, atëherë arrestimi i Mijallkovit (Sashos) dhe i Jankullovskës (Gordanës) duhet të jetë vetëm çështje kohe, për shkak të përzierjes së tyre të drejtpëdrejtë komanduese në operacionin e madh ileagl të përgjimit nga ana e MPB-së, të cilën e zbuluan “bombat e Zaevit”.

Dhe tani ç’bëjmë? Putinin e hoqën qafe brenda natës në mënyrë të vrazhdë, me nënçmim të madh të ministrit të tij Llavrov, i cili tani mbeti “me gishtin në gojë” pas gjithë asaj mbrojtjeje publike të Gruevskit nga “konspiracionet” e Perëndimit; e Perëndimi i thotë, “Zotëri Gruevski, bëni çka të bëni, mirëpo hetim prë përmbajtjen e bisedave të përgjuara, si dhe për incidentin e madh në Kumanovë, patjetër të ketë! E poashtu edhe Ju duhet të jepni dorëheqje”.

Hapësira manovruese për shpëtimin e Gruevskit zvogëlohet me çdo ditë që kalon. Të kota janë intervistat e trilluara, boshe janë ofanzivat e paralajmëruara diplomatike ballkanike kur metastazat e krimit dhe të budallallëkut i kanë përfshirë të gjitha organet vitale të pushtetit. Regjimi ngadalë po shuhet, për çdo ditë duke humbur nga një funksion. Ja, këtë javë posa shkoi “në botën tjetër” politika e jashtme e Gruevskit. Amin.


Kjo analizë është përgatitur nga kuadër të Projektit të USAID-it për përforcimin e mediumeve në Maqedoni – Komponenta Shërbimi për verifikimin e fakteve nga mediumet, që implementohet nga fondacioni Metamorfozis.. Analiza është mundësuar me përkrahjen e Agjencisë amerikane për zhvillim ndërkombëtar (USAID). Përmbajtja e analizës është përgjegjësi e autorit dhe nuk i paraqet qëndrimet e fondacionit Metamorfozis, USAID-it ose të qeverisë së SHBA-ve. Për më tepër informata për punën e USAID-it në Maqedoni, ju lutemi vizitoni ueb-faqen e USAID-it: (http://macedonia.usaid.gov) dhe faqen e USAID-it në Facebook: (www.facebook.com/USAIDMacedonia).

Abonohuni për lajmet më të reja