verifikimiifakteve.mksitemap
verifikimiifakteve.mksitemap

Gazetarët, ligjet dhe mundësia për të parashtruar pyetje të mirëfillta

on 27 - 05 - 2013       
Овој напис го има и на: Maqedonisht

Njëra nga përparësitë kryesore të gazetarëve është ajo se ata u nevojiten politikanëve dhe veçanërisht përfaqësuesve të pushtetit. Nëpërmjet tyre politikanët/përfaqësuesit e pushtetit i promovojnë idetë dhe programet e tyre, u tregojnë qytetarëve se çka kanë bërë, njoftojnë për aktivitetet e ndërmarra dhe promovohen si ndërtues të demokracisë dhe respektues të të drejtës.

Mu për këtë arsye, gazetarët, për dallim nga qytetarët e tjerë, e kanë privilegjin që rregullisht të parashtrojnë pyetje dhe t’i verifikojnë deklaratat e politikianëve/bartësve të pushtetit. Dhe kjo paraqet një hallkë shumë të rëndësishme në sinxhirin e kontrollit dhe llogaridhënies së pushtetit.

Që gazetarët ta shfrytëzojnë këtë privilegj është shumë e rëndësishme përgatitja e tyre për materien për të cilën parashtrojnë pyetje. Tërësia e informatës, mbulimi i pyetjeve që mund të parashtrohen dhe trajtimi i paqartësive, janë elemente të kontrollit që mediat (e nëpërmjet tyre edhe publiku) duhet ta ushtrojnë mbi politikanët/bartësit e pushtetit.

Njëra nga veglat e domosdoshme në këtë kontekst janë tekstet e ligjeve. Në fakt, shqyrtimi i ligjeve, problematizimi i deklaratave të politikanëve/bartësve të pushtetit në prizmin e ligjeve dhe kthimi i vazhdueshëm dhe këmbëngulës i politikanëve/bartësve të pushtetit në obligimin e tyre që të punojnë në përputhje me ligjet, paraqet armë të fuqishme në duart e gazetarëve.

Në qoftë se deklarata, thënia, aktiviteti i politikanit/bartësit të pushtetit kalon pa konstatim të qartë se ajo që e thotë ai është në përputhje me ligjet, shumë lehtë ato mund të perceptohen si veprime ligjore, adekuate, të drejta, gjegjësisht qytetarët të marrin informatë të gabueshme dhe përshtypje të gabueshme se këto veprime janë adekuate për një shoqëri demokratike ku sundon e drejta.

Vetëm si shembull:

Hapet shitorja elektronike “Niko-Fon” me subvencione nga qeveria

Unë si lexues nuk e di se si ta interpretoj këtë lajm të publikuar pothuajse në të gjitha mediat dhe të vendosur në portalin e qeverisë. Çka mungon në një artikull të këtillë, që ai të mund nga një deklaratë e përcjellë të shndërrohet në informatë?

Në çfarë baze është ndarë subvencioni?

Cilat kanë qenë kriteret, në çfarë mënyre është realizuar konkursi dhe pse është zgjedhur mu kjo firmë?

A ka nevojë për subvencione në fushën për të cilën bëhet fjalë (shitore elektronike)?

A mund eventualisht të parashtrohet pyetja për ”parimet e ekonomisë së tregut sigurimit të konkurrencës së lirë dhe përmbushjes së obligimeve që janë marrë me marrëveshjet ndërkombëtare të ratifikuara nga ana e Republikës së Maqedonisë që përmbajnë dispozita për ndihmë shtetërore” në përputhje me Ligjin për kontroll të ndihmës shtetërore (Gazeta zyrtare e Republikës së Maqedonisë nr. 145/2010)?

A është njoftuar Komisioni për mbrojtjen e konkurrencës, gjegjësisht , në qoftë se bëhet fjalë për ndihmë me përmasa më të vogla, a i ka paraparë ky Komision kushtet për një gjë të tillë?

Vetëm në këtë mënyrë qytetarët mund ta dijnë se a është ndihma e ndarë ligjore ose joligjore, a favorizohet dikush me të në mënyrë arbitrare ose ndoshta nxitet zhvillimi i vendit, a prishet apo ndoshta ndërtohet sistemi me një të tillë.

Reagim i Ministrisë për kulturë ndaj deklaratës së Zhernovskit për moratorium të projektit 2014

Në të gjitha mediat u përcoll deklarata e ministreshës për kulturë Kançevska:

“Kryetari i komunës Qendër nuk ka bazë ligjore për moratorium të ndërtimit të objekteve që janë në kompetencë të Ministrisë për kulturë”

dhe

„Potencojmë se për të gjitha aktivitetet që kanë të bëjnë me ndërtimet, të cilat nëpërmjet Ministrisë për kulturë realizohen në territorin e Komunës Qendër veprohet në përputhje me dispozitat ligjore në Republikën e Maqedonisë, ndërsa objektet ndërtohen në përputhje me lejet e plotfuqishme për ndërtim”, e cila gjendet edhe në portalin e qeverisë.

Deklarata e përcjellë në këtë mënyrë e ministreshës për kulturë nuk është informatë. Mirëpo, mund të jetë dezinformatë dhe në vend që mediat të paraqiten si kontrollorë të pushtetit ato mund të bëhen manipulatorë të opinionit me qëllim që ta mbrojnë pushtetin. Në fakt, në qoftë se në asnjërën nga mediat, së bashku me deklaratën, nuk janë parashtruar pyetje për atë se:

Sipas Ligjit për vetëqeverisje lokale, a ka apo nuk kompetenca kryetari i komunës ta rishqyrtojë ligjshmërinë e aktiviteteve që zhvillohen në territorin e komunës së tij?

A zhvillohen aktivitetet për të cilat flet ministresha për kulturë pa asnjë pjesëmarrje të komunës ose ndoshta ekzistojnë vendime të komunës që kanë të bëjnë me këto aktivitete dhe për të cilat konkretisht përgjegjësi mban mu kryetari i komunës?

Cilat janë ato ligje për të cilat flet ministresha dhe për të cilat thotë se janë respektuar (gjithmonë duhet të kërkohet përmendja e ligjeve dhe dispozitave për të cilat bëhet fjalë)?

A është respektuar Ligji për përmendoret memoriale dhe shenjat përkujtimore (Gazeta zyrtare e Republikës së Maqedonisë nr. 66/2004)

A ka të drejtë ministresha t’i kërcënohet atij që dyshon se ka shkelje të ligjeve nga ana e pushtetit dhe i cili paralajmëron inicim të procedurës ku duhet të rishqyrtohet shkelja e mundshme?

Ministri për transport dhe lidhje Mile Janakieski i promovoi ndryshimet më të fundit të Ligjit për trajtim të objekteve të ndërtuara pa leje si – legalizimi i terasave për një euro

Pas legalizimit të ndërtimeve pa leje për një euro për metër katror, u paraqit edhe legalizimi i terasave të ndërtuara pa leje nga një euro për metër katror. Mediat e transmetuan deklaratën e ministrit Janakieski, përsëri pa interes elementar për dimensionin juridik të aktivitetit të ndërmarrë dhe pa analizë elementare të vetë deklaratës nga aspekti i realizimit të të drejtave të qytetarëve. Askush nuk parashtroi pyetje:

Prej kur ligjet ndryshojnë me miratimin e tyre në mbledhje të qeverisë, në vend se në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë („Kjo është e paraparë me ndryshimet më të reja në Ligjin për trajtim të objekteve të ndërtuara pa leje të cilat qeveria i miratoi në mbledhjen e saj të fundit”)?

Pse ekziston “Ligjin për trajtim të objekteve të ndërtuara pa leje” i publikuar në Gazetën Zyrtare nr. 23/2011 në qoftë se nuk zbatohen dispozitat e këtij Ligji?

Çka të bëjnë qytetarët të cilët për shkak të ekzistimit të këtij ligji i kanë legalizuar ndërtimet e terasave dhe kanë paguar çmim të plotë për këtë legalizim në përputhje me nenin 20 të këtij ligji?

A nuk stimulohet në këtë mënyrë mosrespektimi i ligjeve?

Vazhdon…

*****************************************************************************************************************

 

 

 

Kjo analizë është përgatitur nga kuadër të Projektit të USAID-it për përforcimin e mediumeve në Maqedoni – Komponenta Shërbimi për verifikimin e fakteve nga mediumet, që implementohet nga fondacioni Metamorfozis. Analiza është mundësuar me përkrahjen e Agjencisë amerikane për zhvillim ndërkombëtar (USAID). Përmbajtja e analizës është përgjegjësi e autorit dhe nuk i paraqet qëndrimet e fondacionit Metamorfozis, USAID-it ose të qeverisë së SHBA-ve. Për më tepër informata për punën e USAID-it në Maqedoni, ju lutemi vizitoni ueb-faqen e USAID-it: http://macedonia.usaid.gov dhe faqen e USAID-it në Facebook:http://www.facebook.com/USAIDMacedonia.

Abonohuni për lajmet më të reja