verifikimiifakteve.mksitemap
verifikimiifakteve.mksitemap

“Gazetari përtace dhe manipuluese” – raportim nëpërmjet raporteve policore

on 12 - 12 - 2016       
Овој напис го има и на: Maqedonisht
„Пишувам приказни по цел ден“. Мрзливо новинарство. Фото: Tony Delgrosso, 2009

“Shkruaj tregime gjithë ditën”. Gazetaria përtace. Foto: Tony Delgrosso, 2009

Çdokush që ka autorizim të përdorë fuqi, gjithmonë mund të ballafaqohet me vijën e hollë të shkeljes së të drejtave dhe të lirive të njeriut. Kjo, tregon se duhet pasur kujdes të madh edhe për përdorimin, kushtimisht thënë, të kufizuar të informatave policore në çdo rast, e veçanërisht kur raportohet nga ngjarje ku ka traziar dhe ku policia përdor forcë.

Shkruan: Теоfil Bllazhevski

Çështje e madhe etike dhe profesionale për gazetarinë bashkëkohore në përgjithësi, e veçanërisht për gazetarinë në Maqedoni, është raportimi nga ngjarjet që mbështetet vetëm në burime zyrtare, e sidomos kur bëhet fjalë për policinë. Para do kohësh, publiku ynë dhe komuniteti i gazetarëve u përball me një problem të tillë. Bëhet fjalë për mbulimin mediatik të ngjarjeve në Gjorçe Petrov, pas vrasjes së djaloshit 19 vjeçar. Disa nga normat etike u shkelën menjëherë nga një pjesë e mediave, me atë që në titujt dhe në raportet me shpejtësi u potencua fakti se viktima ishte një maqedonas etnik, ndërsa vrasësi ishte një shqiptar etnik, me çka u mbështet gjuha e urrejtjes dhe u ndihmua përhapja e mosdurimit nacional. Por, një tjetër normë etike dhe jo vetëm etike, doli në sipërfaqe: sjellja e mediave në rrethana të trazirave masive dhe kur policia i zgjeron kompetencat dhe zbaton censurë të caktuar gjatë raportimit.

Në fakt, në sipërfaqe doli çështja se si (nuk) duhet të sillen mediet në gjatë raportimit nga ngjarjet ku ka dhunë dhe trazira, të cilat me këtë rast (mund të jenë) të ngarkuara edhe me marrëdhëniet ndëretnike. Shembujt nga mediet onljan të Maqedonisë, të cilat janë të përshtatshme për diskutim për këtë çështje janë të shumta, por këtu do të përpiqemi që përmes analizës së një rasti ta hapim këtë çështje.

Pa balancim, vërtetësia është standardi i parë që dështon

Теksti që e zgjodhëm si rast është plasuar nga agjencia Netpress më 22.05.2014 me titullin:  “VIDEO: Një pjesë e madhe e demonstrantëve në Gjorçe kanë ardhur nga pjesë të tjera që të shkaktojnë trazira, konstatoi MPB-ja”. Storja është problematike për sa i përket përmbushjes së një pjese të standardeve themelore, ndërsa në vlerësimin e pjesës etike është problematike për sa i përket trajtimit të informacionit policor nga ana e gazetarit dhe redaksisë. Autori pa asnjë distancim i transmeton si të vërteta absolute informacionet e policisë, e poashtu përdor edhe burime anonime dhe spekulative, pa e potencuar këtë, me çka vetë heq dorë nga paanshmëria dhe balancimi. Me këtë e problematizon objektivitetin e informacionit të ofruar dhe në mënyrë plotësuese e ngarkon me elemente komentuese. E vërteta në tekstin e ofruar është vënë në pikëpyetje që në paragrafin e parë:

“Përderisa disa nga pikëllimi, zemërimi dolën në rrugë për të protestuar në mënyrë paqësore kundër vrasjes së tetëmbëdhjetëvjeçarit Angell Petkovski, disa njerëz këtë moment tragjik për banorët e lagjes Gjorçe Petrov të Shkupit tentuan ta keqpërdorin që të shkaktojnë incidente, të përleshen me policinë.”

Kjo hyrje e tekstit, kjo kokë e lajmi është komentuese me elemente përshkruese dhe me pohim, i cili që të jetë i besueshëm, pritet të konfirmohet nga autori si dëshmitar – gazetar në terren, që e ka parë këtë me sytë e tij. Por, në vend të kësaj, në paragrafin pasardhës, autori i referohet pohimit të policisë.

“Se një numër i pjesëmarrësve në protestë kishin pikërisht synime të tilla tregojnë informacionet e policisë se në mesin e tyre ka pasur disa që kanë pasur kokteje të molotovit, shufra dhe gjësende të ndryshme”.

Thënë të vërtetën, autori në në moment përdor edhe një burim tjetër të informacionit – “informacione jozyrtare” dhe “qytetarë që kanë dashur të mbeten anonimë”.

“Qytetarët, që duan të mbeten anonimë, dëshmojnë për bisedat dhe përgatitjet si të nxitet përleshja me policinë dhe se kjo patjetër duhet të bëhet”.

Një qasje e këtillë në konstruksionin e tezës është bërë aq e zakonshme në gazetarinë në Maqedoni, sa që është banale të sqarohet. Kodi i gazetarëve të Maqedonisë, kodet dhe rregullat e tjera etike, shkollat dhe fakultetet e gazetarisë, potencojnë se anonimiteti lejohet si formë e skajshme, mirëpo, me këtë rast, gazetari duhet ta njohë burimin e tij dhe të tregojë se pse burimi ose burimet kanë dashur të mbeten anonime. Megjithatë, gazetari nuk është i liruar nga përgjegjësia që pohimet e burimit ose të burimeve t’i kontrollojë sa më shumë të jetë e mundur, gjegjësisht në këtë rast të përpiqet të gjejë burim, qoftë edhe anonim, nga ana tjetër, gjegjësisht nga ata që janë të akuzuar nga burimet e tij të para. Në vend të kësaj, në këtë rast gazetari i ka përdorur burimet e tij anonime vetëm për t’i mbështetur tezat e paraqitura në tekst dhe për ta mbështetur pretendimin e burimit zyrtar – të policisë. Prandaj, mosbesimi eventual i lexuesit ndaj “informatave jozyrtare” dhe ndaj “qytetarëve që kanë dashur të mbeten anonimë” është reagim i arsyeshëm dhe i pritur.

“Dhënai e leksioneve” nga gazetarët gjatë raportimit

Ajo që gjithashtu bi në sy në këtë tekst, në kuptimin e standardeve, është dhënia e leksioneve nga ana e autorit pa emër. Gazetari nuk e ka të ndaluar të japë mendimin, qëndrimin, gjykimit e tij moral. Mirëpo, kjo është e palejueshme nëse bëhet në formën gazetareske të lajmit, raportit. Lajmi, raportimi, nënkupton radhitje të fakteve që janë marrë nga burimet, sipas radhitjes që e zgjedh gazetari dhe redaktori. Nga cili kënd do ta përshkruajnë në mënyrë sa më të plotë ngjarjen për të cilën raportojnë, është vlerësim i lirë varësisht nga aftësitë profesionale që i posedojnë dhe varësisht nga ajo se a janë të paanshëm gjatë raportimit. Komenti, analiza, kolumna dhe disa gjini dhe nëngjini të tjera, janë mënyrat në të cilat gazetari, redaktori, redaksia, mund t’i shprehin qëndrimet e tyre.

Në rastin e këtij teksti, pikëpamjet personale përzihen me faktet, dhe autori ka ardhur në situatë absurde që të debatojë me pikëpamjet e partive politike për ngjarjen e dhënë dhe t’u japë leksione se si është dashur apo nuk është dashir të veprojnë.

“Përkundër kësaj, opozita qëndroi në mbrojtje të atyre që u sollën në mënyrë vandale nëpër rrugët e Gjorçes, që shkatërruan automobila, thyen dritaret e dyqaneve, dëmtuan pronat e huaja private dhe shkaktuan frikë dhe ankth në mesin e banorëve të lagjes”.

Në fund, gazetari shpreh edhe një qëndrim personal, me të cilin edhe një herë e vërtetën anshmërinë e tij:

Megjithatë, policia ishte në lartësinë e detyrës, nuk lejoi që protestat të dalin jashtë kontrollit, dhe protestuesit të arrijnë deri te ndonjëra nga lagjet e afërta të banuara me shqiptarë.

Autori, i cili në këtë tekst tregon anshmëri të pamaskuar, ka mundur ta arrijë të njëjtin efekt me vetëm pak shkathësi gazetareske, dhe me këtë do ta kishte ruajtur dinjitetin profesional. Ai ka mundur t’i përdorë fjalët: nga policia thonë se ajo ka qenë në lartësinë e detyrës apo madje edhe të shtojë – në lartësi të detyrës, për dallim nga dita e parë, kur u dogjën shumë dyqane të shqiptarëve në Gjorce.

A të mbështeten dhe sa të mbështeteni në informatën policore?

Përdorimi i burimeve zyrtare gjatë raportimit nga ndonjë ngjarje është i domosdoshëm në qoftë se gazetari ka për qëllim të arrijë besueshmëri sa më të lartë. Është çështje krejtësisht tjetër se në çfarë mase do të përdoren burimet zyrtare. A do të bëhet kjo me një fjali, me deklaratë të plotë, me komunikatë etj. Por, në qoftë se teksti bazohet vetëm ose në përgjithësi në burimin zyrtar, në këtë rast te policia, atëherë problematizohet balancimi dhe objektiviteti.

I tillë është rasti me raportimin dhe të disa mediave të tjera të Maqedonisë për ngjarjet në Gjorçe Petrov. Një pjesë e mediave të shkruara, si për shembull gazeta Dnevnik, kanë gjetur mënyrë për t’iu shmangur këtij kurthi, kështu që në mbititull, titull dhe nëntitull, madje edhe në çdo paragraf, autori e ka parë të arsyeshme të theksojë se ato janë ekskluzivisht informata policore. Ndoshta një nga shembujt më të mirë të raportimit dhe të shmangies së kurthit, është zbatuar në Utrinski Vesnik, ndërsa stacionet televizive në nivel nacional, veçanërisht ato të cilat pjesa më e madhe e publike i vlerëson si pro-qeveritare dështuar totalisht (p.sh. Kanal 5).

A duhet dhe në qoftë se po, sa duhet gazetari të mbështetet në informacionet zyrtare nga policia? Duhet pasur parasysh se policia, në përgjithësi, vepron si institucion, i cili përveç parandalimit ushtron edhe represion. Çdokush që ka autorizim të përdorë fuqi, gjithmonë mund të ballafaqohet me vijën e hollë të shkeljes së të drejtave dhe të lirive të njeriut. Kjo, tregon se duhet pasur kujdes të madh edhe për përdorimin, kushtimisht thënë, të kufizuar të informatave policore në çdo rast, e veçanërisht kur raportohet nga ngjarje ku ka trazira dhe ku policia përdor forcë.

Në të kundërtën, gazetaria shndërrohet në gazetari “përtace”, të mos raportohet për ngjarjen, por të pritet interpretimi zyrtar, e kjo mund të çojë në gazetari manipuluese, me ose pa qëlllim, si do që të jetë. Një shembull i mirë se si parandalohet një gjë e tillë është kolegjiumi i mëngjesit i një gazete të përditshme, për të cilën dëshmoi publikisht kryeredaktori i saj.

Kjo çështje, nuk është dilemë dhe problem i një pjese të madhe të gazetarisë në Maqedoni, por edhe i gazetarisë në vendet më të zhvilluara në aspekt të lirive mediatike dhe mbrojtjes së drejtësisë dhe obligimit për informim të lirë të qytetarëve.

Për shembull, profesori Douglas McLeod nga Shkolla për gazetari dhe komunikime masive e Universitetit Viskonsin – Medison, konsideron se mbështetja në burimet zyrtare gjatë raportimit nga protestat sjell rrezikun që të nënçmohet pala tjetër:

“Që moti ka dëshmi se mediet kryesore në masë të madhe mbështeten në burimet zyrtare (gjatë raportimit nga protestat – v.j.). Shfrytëzimi i burimeve zyrtare zakonisht u sjell prestigj raporteve gazetareske… Mirëpo, kur përfaqësuesit zyrtarë janë burim që mbisundon i informatave, atëherë raportet fitojnë tendencë që ta tregojnë perspektivën e të fuqishmëve, të pushtetit dhe njëkohësisht të nënçmohet perspektiva e më të dobtëve (demonstrantëve – v.j.) që e sfidojnë pushtetin.”  – konstaton profesori në librin e tij Mbulimi gazetaresk i protestave shoqërore.

“Vetëvrasja morale e medieve”

Si shembull do t’i theksojmë edhe ndodhitë në Britaninë e Madhe në trazirat masive në vitin 2011, të cilat shpërthyen pasi policia e qëlloi për vdekje një djalë zezak, për të cilin pastaj pohoi rrejshëm se kа qenë i aramatosur. Trazirat që filluan pas këtij incidenti në Totenhem, u shndërruan në protesta masive dhe demonstrata të dhunshme në disa qytete të vendit, me dëmtim të madh të të mirave publike dhe private dhe me përdorim të madh të aparatit represiv të shtetit për ta vendosur rendin dhe qetësinë publike.

Disa muaj më vonë u organizua një konferencë e madhe në të cilën mbi 150 pjesëmarrës diskutuan për raportimin e medieve në Britani gjatë trazirave dhe pas tyre. Njëri nga folësit kryesorë të konferencës profesori Gus John nga Instituti për arsim pranë Universitetit të Londrës, raportimin e shumicës së medieve e vlerësoi si “thjesht të turpshëm” dhe si “vetëvrasje morale”.

Në publikimin që ishte rezultat i kësaj konference, është cituar kryetari i atëhershëm i Sindikatës britanike të gazetarëve(NUJ) Donnacha DeLong, vlerësimi i të cilës mund të të shërbejë si mësim edhe për veprimin e gazetarëve në Maqedoni:

“Njëri nga momentet më të këqija në raportimin për incidentet e e dhunshme ishte kur përmbajtja e gazetave vinte drejtpërdrejt nga policia”.


Ky leksion gazetaresk është përgatitur nga kuadër të Projektit të USAID-it për përforcimin e mediumeve në Maqedoni – Komponenta Shërbimi për verifikimin e fakteve nga mediumet, që implementohet nga fondacioni Metamorfozis.. Ky leksion gazetaresk është mundësuar me përkrahjen e Agjencisë amerikane për zhvillim ndërkombëtar (USAID). Përmbajtja e analizës është përgjegjësi e autorit dhe nuk i paraqet qëndrimet e fondacionit Metamorfozis, USAID-it ose të qeverisë së SHBA-ve. Për më tepër informata për punën e USAID-it në Maqedoni, ju lutemi vizitoni ueb-faqen e USAID-it: (http://macedonia.usaid.gov) dhe faqen e USAID-it në Facebook: (www.facebook.com/USAIDMacedonia).

Abonohuni për lajmet më të reja