Gazetaria joetike: copy/paste i informatave të paverifikuara
Published in Analiza
on 7 - 05 - 2013 Author: Жарко Трајаноски“Gazetari duhet: ta verifikojë saktësinë e informatave nga çdo burim dhe të jetë shumë i kujdesshëm që të mos bëjë gabime nga pakujdesia”. (Kodi i gazetarëve)
Në Ditën e punës shumë gazetarë/e nuk u përpoqën ta verifikojnë saktësinë e informatave që i publikuan. Sikur harruan se “verifikimi i të dhënave dhe saktësia janë imperative morale të gazetarisë” (Doracak për etikën në gazetari).
Më 1 maj 2013 u publikua artikulli “Freedom House – Maqedonia me rënie prej 22 vendesh për lirinë e mediave”me deklaratën se ”Liria e mediave në Maqedoni ka shënuar rënie prej 22 vendesh, sipas raportit të fundit Freedom House, i cili u publikua sot”. Artikulli tashmë është në dispozicion në ueb-faqen e Radios Evropa e Lirë, ndërsa linku që ka lënë gjurmë në agregatorin time.mk çon te një lajm tjetër.
Ku qëndron gabimi? Maqedonia shënoi rënie prej 22 vendesh në krahasim me vitin e kaluar sipas “Raportuesve pa kufinj” (PRESS FREEDOM INDEX 2013), e jo sipas raportit të “Freedom House” (Freedom of the Press 2013).
Nuk është aspak tragjike nëse ndonjë gazetar bën gabim nga pakujdesia. Por, tragjike është kur gabimi i njëjtë replikohet në shumë tituj të tjerë (“Мaqedonia me rënie prej 22 vendesh për lirinë e mediave”, “Rënie prej 22vendesh për lirinë e mediave në Maqedoni”, “Rënie prej 22 vendesh për lirinë e mediave në Maqedoni”, “VIDEO:Rënie prej 22 vendesh për lirinë e mediave, Maqedonia në shoqëri me Tanzaninë”, “Katastrofë: Maqedonia ra për 22 vende për lirinë e mediave”). Publikimi i të dhënave, saktësia e të cilave nuk është verifikuar e zvogëlon besimin e lexuesve te mediat, të cilët me arsye pyesin: A i lexojnë gazetarët raportet për të cilat shkruajnë?
Virtyti për ta pranuar gabimin
“Pranimi i gabimit është virtyt, ndërsa fshehja e tij është e papajtueshme me dinjitetin profesional”. (Doracaku për etikën në gazetari)
Sipas “Doracakut për etikë në gazetari”, “Të gjitha gabimet duhet të vërtetohen dhe të korrigjohen”, ndërsа“Është e pëlqyeshme që gazetari ose media të kërkojë falje për gabimin”. Gabimi i “Radios Evropa e Lirë” u korrigjua të nesërmen me artikullin “Freedom house – Rënie e lirisë së mediave në botë”, ku u publikua informata:
“Maqedonia është ranguar më poshtë nga të gjitha vendet e rajonit, në vendin e 120-të, të cilin e ndan me Turqinë, Kongon, Fixhin, Liberinë dhe Sejshelet. Në raportin e vitit të kaluar të Freedom house, Maqedonia ishte në vendin e 115-të, kur kishte 54 pikë, në shkallën prej zeros deri në 100”.
Për fat të keq, materiali i publikuar “Freedom house – Maqeedonia me rënie prej 22 vendesh për lirinë e mediave”u tërhoq nga interneti pa theksuar qartë se pse është bërë ajo. Në fakt, u injorua parimi etik se:
“Në përgjithësi duhet të shmanget tërheqja e materialit të publikuar në internet, e në qoftë se аi ndryshohet ose tërhiqet, kjo duhet të theksohet në mënyrë të qartë”. (Doracaku për etikën në gazetari)
Kjo flet për mungesën e virtytit që publikisht të pranohet gabimi dhe publikisht të kërkohet falje.
Te shumica e mediave që raportuan për “rënie prej 22 vendesh” nuk u bë korrigjimi i informatës jo të saktë.
Krahasimet dhe përfundimet joadekuate
Publikimi i informatave të paverifikuara rezultoi edhe me krahasime dhe me përfundime joadekuate në titujt e disa mediave:
“Rënie prej 22 vendesh për lirinë e mediave, Maqedonia në shoqëri me Tanzaninë”
“Mediat në Maqedoni dhe në Tanzani janë të njëjta”
Nëse gazetarët do ta kishin parë raportin e “Freedom house”, do të shihnin se Maqedonia nuk është në shoqëri me Tanzaninë, e cila është ranguar më lartë, në vendin e 106-të. Deri te përfundimi “Мediat në Maqedoni dhe në Tanzani janë të njëjta” nuk mund të vihet as nëse shihet raporti i “Raportuesve pa kufinj”, ku Tanzania është e ranguar në vendin e 70-të (ne ishim ranguar në vendin e 116-të). Edhe përkundër asaj se në këtë raport u gjetëm së bashku me Tanzaninë, në nënkapitulin “rënie të mëdha”, Tanzania ishte ranguar 46 vende para nesh. Prandaj, madje edhe nëse e anashkalojmë gabimin e madh me ngatërrimin e raporteve, përfundimi “Мediat në Maqеdoni dhe në Tanzani janë të njëjta” është krejtësisht joadekuat. Ne jemi shumë larg prapa Tanzanisë!
Jashtëzakonisht joadekuate (të mos themi “katastrofale”) në aspekt etik është edhe konstatimi: ”Kaloi koha kur ishim të barabartë me Zimbabven për lirinë e mediave, tani bashkëpartnerë tanë janë Tanzania, Mali dhe Kamboxha” (Katastrofë: Мaqedonia ra për 22 vende për nga liria e mediave). Si e para, për Tanzaninë, Malin dhe Kamboxhën nuk mund të thuhet se janë “bashkëpartnerë” tanë, por vende që u gjendën në nënkapitullin “rënie të mëdha”, që kanë rang të ndryshëm në raportin e “Raportuesve pa kufinj”. Për shembull, Tanzania është e ranguar në vendin e 70-të (106), Mali në vendin e 99-të (91), Maqedonia në vendin e 116-të (120), ndërsa Kamboxha është në vendin e 143-të (149) sipas raportit të “Raportuesve pa kufinj” (në kllapa janë dhënë rangimet sipas raportit të “Freedom house”). Përfundimi ”Kaloi koha kur ishim të barabartë me Zimbabven për lirinë e mediave” është joadekuat për shkak se akoma nuk jemi të barabartë me Zimbabven (e cila është e ranguar në vendin e 133-të), edhe pse dallimi është duke u zvogëluar në mënyrë drastike (prej 102 vendeve në vitin 2009, në 17 vende në vitin 2013).
Manipulimi mediatik nëpërmjet fshehjes së “ndërrimit të temave”
“Gazetari duhet të publikojë informata të sakta dhe të verifikuara dhe nuk do të fshehë të dhëna thelbësore dhe nuk do të falsifikojë dokumente.” (KODI I GAZETARËVE TË MAQEDONISË)
Një pjesë e mediave proqeveritare bënë edhe një “ndërrim të raportit”. Në vend të raportit “të freskët” të “Freedom house” me titull “Liria e shtypit 2013”, raportuan për raportin “bajat”, “Liria në botë – 2013” (poashtu i “Freedom house”, i cili ishte më aktual në janar kur edhe u publikua: Publikohet raporti për lirinë në botë, Maqedonia me rezultat të pandryshuar)
Agjencia e lajmeve MIA, më 1 maj 2013 e publikoi lajmin ”Freedom house”: Në vitin 2012 ka 118 demokraci zgjedhore në botë, duke iu referuar raportit “Liria në botë – 2013”. Në lajm aspak nuk përmendet Maqedonia, edhe pse në kuadër të raportit “Liria në botë – 2013” ka raport të veçantë për Republikën e Maqedonisë.
Injorim të plotë të raportit për Republikën e Maqedonisë ka edhe në lajmet:
”Freedom house”: Në vitin 2012 ka 118 demokraci zgjedhore në botë
Përmirësohen demokracitë zgjedhore në botë
”Freedom house”: Në vitin 2012 ka 118 demokraci zgjedhore në botë
Mënyra e këtillë e raportimit mund të interpretohet si manipulim i dyfishtë. Nga njëra anë, si manipulim nëpërmjet “ndërrimit të temës” (liria në botë, në vend të liria e shtypit) dhe si kornizim optimist, me të cilin fshehet rënia e lirisë së mediave. Nga ana tjetër, edhe kur raportohet për temën e ndërruar (liria në botë),injorohen kritikat që i janë drejtuar Republikës së Maqedonisë (si për shembull, kritikat eksplicite se “korruptimi është problem serioz” ose se “mediat në vend ballafaqohen me presion politik dhe maltretim, që rezulton me vetëcensurë”).
Kjo analizë është përgatitur nga kuadër të Projektit të USAID-it për përforcimin e mediumeve në Maqedoni – Komponenta Shërbimi për verifikimin e fakteve nga mediumet, që implementohet nga fondacioni Metamorfozis. Analiza është mundësuar me përkrahjen e Agjencisë amerikane për zhvillim ndërkombëtar (USAID). Përmbajtja e analizës është përgjegjësi e autorit dhe nuk i paraqet qëndrimet e fondacionit Metamorfozis, USAID-it ose të qeverisë së SHBA-ve. Për më tepër informata për punën e USAID-it në Maqedoni, ju lutemi vizitoni ueb-faqen e USAID-it:http://macedonia.usaid.govdhe faqen e USAID-it në Facebook: http://www.facebook.com/USAIDMacedonia.