verifikimiifakteve.mksitemap
verifikimiifakteve.mksitemap

Iljazi: Gjithmonë kemi ndjerë presione politike

on 4 - 09 - 2015       
Овој напис го има и на: Maqedonisht

Në prag të një takimi, që do të zhvillohet në mes të muajit shtator, ku në fokus do të jetë përparimi dhe realiteti i medies shqiptare në Maqedoni, po zhvillohen një cikël intervistash, si dëshirë për të hapur debat dhe për të nxitur apo dhe evidentuar sfidat dhe arritjet e medieve shqiptare.
Ju sjellim intervistën me kryeredaktorin e gazetës “Koha”, Besim Iljazi. Në ditët në vijim do të pasojnë edhe intervista të tjera. 

Besim Iljazi 2Në tregun e medieve të shkruara në Maqedoni, tashmë nëntë vite, bën pjesë edhe gazeta “Koha”.
Kryeredaktori i kësaj gazete Besim Iljazi thotë se gazeta ka pasur shumë sfida, por ia ka dalë. Ai thotë se megjithatë sfida më e madhe është të mbash besimin e lexuesit. Vetëm para pak javësh, nga anketat e realizuara nga Instituti Republikan Ndërkombëtar (IRI), kjo gazetë,  u shpallë e para për lexueshmërinë e saj për lajme politike, duke lënë pas edhe gazetat më të mëdha në gjuhën maqedonase. Për kryeredaktorin e gazetës “Koha”, Besim Iljazi, duke marrë parasysh gjithë rrethanat e tregut mediatik, sërish ky është një satisfaksion i madh që konfirmon angazhimin e tyre profesional.

Si e shikoni faktin në zhvillimin e medies së shkruar në Maqedoni, që sipas anketës së IRI, një gazetë shqip lexohet më shumë për lajme politike, në një vend ku megjithatë gjuha maqedonase është në përdorim më të madh?

Iljazi: Pa dyshim se ky është një satisfaksion i madh që konfirmon angazhimin tonë profesional ndër vite, për një gazetari të përgjegjshme. Lexuesit këtë kanë ditur ta vlerësojnë. Është fat që këto nota pozitive publikohen nga një organizatë relevante ndërkombëtare siç është Instituti Republikan Ndërkombëtarë (IRI).

Cila është përgjegjësia e stafit të gazetës “Koha” për informimin e publikut shqiptar në Maqedoni!

Iljazi: Gazeta KOHA përveç se informon saktë dhe me kohë, di edhe të jetë lider në pengimin e politikave të këqija. Të ju kujtojmë, gazeta KOHA ishte e para kundër Enciklopedisë maqedonase, kundër maqedonishtes nga klasa e parë, kundër stimulimit të padrejtë të natalitetit në shtet, kundër regjistrimit të gabueshëm të popullatës, për nevojën e pastrimit të listave zgjedhore, ndarjen e padrejtë të buxhetit të shtetit, si dhe shumë raste tjera. Shumica e këtyre projekteve ishin të hartuara nga qeveria, ndërsa ne krenohemi që u dolëm ballë dhe i penguam të realizohen.

Sa e vështirë është të jesh gazetë sot? Cili është presioni i tregut dhe mediave online, edhe pse edhe ju keni funksional edhe portalin në internet?

Iljazi: Ekziston një treg jolojal, ku stimulohen mediat maqedonase dhe ato të afërta me Qeverinë. Natyrisht se është vështirë të imponohesh me cilësi, mirëpo ja që deri tani ia kemi dalë të mbijetojmë falë angazhimit tonë fanatik. Sa i përket mediave online, këtu ka dy aspekte. Është e vërtetë se këta media dëmtojnë mediat e shkruara, por nga ana tjetër, ka edhe një përparësi. Lufta e tyre për klikime i detyron ata shpesh të gabojnë qëllimisht, dhe nga misioni kryesor për të informuar, ata bëhen burime të manipulimeve, duke humbur besueshmërinë para publikut. Ne si gazetë këtë nuk mund t’ia lejojmë vetes. Sa për ilustrim, në ditën e luftimeve në Kumanovë, nuk kishte portal në vend dhe jashtë që nuk e dha lajmin për një fëmijë të vrarë së bashku me prindërit e vet. Madje u publikuan edhe emrat e tyre. Pavarësisht presionit të madh të opinionit, meqenëse nuk arritëm ta konfirmojmë vetë, këtë “lajm” ishte vetëm gazeta KOHA ajo që nuk e publikoi. Në fund u tregua që kishim pasur të drejtë.

Po presionet politike, i ndieni?

Iljazi: Gazetaria çdo herë ka pasur presion nga politika. Këtë e kemi ndier që nga dita kur kemi vendosur të merremi me gazetari. Edhe si gazetë, nuk ka asnjë formë të presioneve që nuk u kemi mbijetuar gjatë këtyre nëntë viteve. Ne jemi të vetëdijshëm se ky presion, qoftë më pak ose më shumë, do të ekzistojë edhe në të ardhmen, pavarësisht se kush do të jetë në pushtet.

Në disa raste jeni etiketuar si medie proqeveritare. Madje, edhe jeni akuzuar se rregullisht merrni mjete të konsiderueshme nga pushteti. Si do t’i komentonit këto akuza?

Iljazi: Një korrigjim në pyetjen tuaj. Në asnjë rast ne nuk jemi akuzuar për këtë që flitini, përveç se nga kryeredaktori i Alsatit, Muhamed Zeqiri. Kur ai na sulmon në vërtetohemi se jemi në rrugë të drejtë. Është e vërtetë që dallohemi për nga pikëpamjet tona, si për protestat e opozitës maqedonase dhe mashtrimin që ju bë shqiptarëve se do të zbardhet e vërteta për rastin “Monstra”, poashtu edhe për idenë e hapjes së Universitetit shqiptar në Shkup. Me një fjalë, kemi aq shumë dallime, dhe ato nuk janë të reja. Ato datojnë që nga viti 2001, kur ky njeri punonte në televizionin maqedonas Kanal 5, nga i cili medium luftëtarët e UÇK-së quheshin “terroristë”. Nuk e kuptojmë se pse në vend të debatit mbi këto qëndrime të kundërta, që i konsiderojmë krejt normale dhe demokratike, ai në mungesë të argumenteve ruralizon këtë debat duke hapur front me gazetën KOHA dhe duke pohuar se ajo merr para nga Qeveria. Ka dallim mes fjalës merr dhe fiton. Të sqarojmë për publikun: E vërteta është se gazeta KOHA, së bashku me gjithë gazetat tjera shqipe dhe maqedonase: Dnevnik, Sloboden Peçat, Lajm, Vest, Utrinski Vesnik, Nova Makedonija etj, merr pjesë në procedurë legale, në tenderë publikë, dhe në konkurrencë me këto media që përmenda më lart, fiton ose humb ndonjë tender për publikimin e shpalljeve nga institucionet publike. Publiku duhet ta dijë se është e paraparë me ligj që të gjitha shpalljet e organeve shtetërore apo publike DUHET të jenë dygjuhësore. Elemente të tjera që kanë të bëjnë me natyrën e kërkesave për gazetat rreth botimeve të shpalljeve qeveritare, në disa raste është numri i kopjeve të botuara çdo ditë, tirazhi i gazetës, të cilën gazeta KOHA e përmbush si kërkesë. Edhe ky element mund të jetë i panjohur për publikun, por na habit si nuk e di këtë një gazetar? Ajo që mund ta vërejnë lexuesit, është se në faqet e gazetës tonë s’ka aspak fushata qeveritare, me përjashtim të rasteve të rralla dhe kjo as që nuk mund të krahasohet me buxhetet që marrin mediat maqedonase. Ne jemi të gatshëm të bisedojmë me argumente për të gjithat temat që dëshiron zotëriu, qoftë edhe atë të financimit, sepse fundja, këtu s’kemi shumë dallime mes vete. Thënë shkurt e shqip, dashakeqësia e këtij njeriu buron nga politikat tona të ndryshme redaksionale. Përgjigja më e mirë për të është besimi i lexuesve, që së fundmi u shpreh nëpërmjet anketës së IRI-t, ku gazeta KOHA doli të ishte e para në listë, madje edhe para medieve maqedonase. I jap të drejtë vetes të them, se megjithatë ne krenohemi me faktin që në nivel nacional jemi mediumi i vetëm profesional Puro–shqiptar

Përshkruani marrëdhëniet e “Koha”-s me partitë politike shqiptare në Maqedoni! Keni pasur presione ose kërcënime në ndonjë rast? Si jeni ballafaquar me to? Po raste kur ju kanë neglizhuar si medie, ka pasur?

Iljazi: Ne kemi marrëdhënie korrekte me të gjithë. Problemet që hasim në punën tonë janë zakonisht shkaku i shërbimeve katastrofale për informim nga partitë shqiptare, ku në emër të konsultimit me “shefin”, zëdhënësit shpesh herë të lënë në situatë të mos mundesh të realizosh si duhet temën e caktuar. Sa i përket presioneve direkte, duhet të përmendim rastin me “reformatorin” Zijadin Sela, i cili për një artikull që mbronte pikërisht të drejtat e tij dhe kritikonte pushtetin, në mënyrë të paturpshme dhe tinëzare paditi gazetën KOHA për gjoja publikim e paautorizuar të të dhënave të tij personale. E veçanta e kësaj padie ishte se po të dënohej gazeta KOHA, paratë që do të detyroheshim t’i paguanim do të shkonin në buxhetin e shtetit. Ndaj këtu qëndron befasia jonë nga “reformatori” i cili dëshiroi të dëmtonte një gazetë shqipe për llogari të buxhetit të Maqedonisë. Për fat të mirë, dy herë radhazi, gjykata vendosi që Sela nuk ka të drejtë dhe padia e tij u hodh poshtë si e pabazë.

Në Maqedoni ka mungesë të mediave të shtypit në gjuhën shqipe. Konkurrenca më e madhe do ta përmirësonte ose do ta vështirësonte punën e gazetës “Koha”?

Iljazi: Gazeta KOHA është mësuar me konkurrencë, edhe atë që nga dita e parë. Të mos harrojmë se gjatë këtyre 9 viteve të fundit ne ishim në treg së bashku me gazetën FAKTI, gazetën SHQIP, gazetën 24 ORË, gazetën LAJM, gazeta e ashtuquajtur “**** e RE”, si dhe me gazetën ZHURNAL. Pikërisht kjo konkurrencë, e cila shpesh herë ka ditur të jetë edhe jolojale, ka ndikuar që gazeta KOHA të jetë aty ku është sot.

Si e shikoni zhvillimin e mediave në gjuhën shqipe dhe ato maqedonase? A ka realisht një rritje në ato në gjuhën shqipe?

Iljazi: Është një periudhë e vështirë në sferën ekonomike në vend, dhe kjo natyrisht reflektohet edhe në zhvillimin e mediave. Derisa sektori privat është dobësuar, nga ana tjetër është shtuar ndikimi i atij publik. Dhe për këtë arsye, gazeta KOHA insistoi që Shoqata a Gazetarëve të Maqedonisë, në dialogun e filluar me Qeverinë, të kërkojë që mjetet që shpenzohen në emër të shpalljeve apo fushatave të bëhen në mënyrë transparente dhe sipas kritereve të sakta profesionale. Për fat të keq, asgjë nga kjo nuk u realizua deri sot.

Tani kur po diskutohet nga politika roli i TV-së publike, cili është qëndrimi juaj për këtë diskutim, por edhe për vetë TVM-në?

Iljazi: Problemi i RTVM-së është sistemor dhe jo vetëm konjuktural, siç propagohet nga individë me ambicie personale. Ky problem ekziston që nga pavarësia e këndej dhe qeverisjet e deritanishme nuk kanë qenë të interesuara të kemi servis publik në interes dhe shërbim të qytetarit. Në disa raste ka dështuar transformimi i njëmendtë i Televizionit shtetëror në servis publik, ashtu siç e kemi rastin për shembull me televizionin shtetëror kroat, i cili është transformuar dhe është si shembull pozitiv se si duhet të jetë një servis publik i cili financohet nga taksapaguesit.

Si janë marrëdhëniet tuaja me kolegët e mediave të tjera dhe sa janë marrëdhëniet e mira kolegiale të rëndësishme për të lehtësuar punën e gazetarit?

Iljazi: Gazeta KOHA ka pas vetes një periudhë të shkëlqyeshme prej 9 viteve bashkëpunimi me kolegët gazetarë. Ne jemi ithtarë të mendimit se së bashku jemi më të fortë. Kjo u vërtetua kur para disa viteve u bënë reformat në Shoqatën e Gazetarëve të Maqedonisë. Me iniciativë dhe insistim të gazetës tonë, e cila pastaj u përkrah edhe nga kolegët tjerë shqiptarë, por edhe ata maqedonas, u bënë ndryshime në statutin e SHGM-së. Si rezultat u fut që çmimi për gazetari hulumtuese, edhe atë për të gjithë gazetarët, të jetë çmimi “Jashar Erebara”, si dhe u mundësua me statut që gjuha shqipe të ketë përdorim të barabartë me atë maqedonase. Vlerësojmë se SHGM-ja mund të bënte edhe ma shumë në atë periudhë, por ja që për fat të keq gazetarët humbën kompaktësinë që patën në fillim.


Ky leksion gazetaresk është përgatitur nga kuadër të Projektit të USAID-it për përforcimin e mediumeve në Maqedoni – Komponenta Shërbimi për verifikimin e fakteve nga mediumet, që implementohet nga fondacioni Metamorfozis.. Ky leksion gazetaresk është mundësuar me përkrahjen e Agjencisë amerikane për zhvillim ndërkombëtar (USAID). Përmbajtja e analizës është përgjegjësi e autorit dhe nuk i paraqet qëndrimet e fondacionit Metamorfozis, USAID-it ose të qeverisë së SHBA-ve. Për më tepër informata për punën e USAID-it në Maqedoni, ju lutemi vizitoni ueb-faqen e USAID-it: (http://macedonia.usaid.gov) dhe faqen e USAID-it në Facebook: (www.facebook.com/USAIDMacedonia).

Abonohuni për lajmet më të reja