verifikimiifakteve.mksitemap
verifikimiifakteve.mksitemap

Intervista konfrontuese nuk është e njëjtë me intervistën agresive

on 15 - 03 - 2017       
Këtë postim mund ta lexoni edhe në: Maqedonisht
Новинарката Оливера Трајковска е позната по својот конфронтирачки стил на интервјуирање. Фото: скриншот. Колаж: СПФМ
Gazetarja Olivera Trajkovska e njohur për nga stili i sak konfrontues i intervistimit. Фото: skrinshot. Kolazh: SVFM

 

Stili i intervistës është çështje e përcaktimit personal dhe brendimit të karrierës së gazetarit. Përderisa gazetari nuk e ka shitur shpirtin e vet që të bëjë intervista paraprakisht të porositura dhe të përgatitura, çështja e stilit është e parëndësishme.

 

Shkruan: Zoran Bojarovski

 

Sado që të tingëllojë naive dhe idealiste, intervistimi i politikanëve duhet të jetë profesionalisht dhe praktikisht  i përkryer në të gjitha kushtet dhe me secilin prej tyre. Çdo gazetar duhet ta dijë se ata, politikanët, kanë motivimin dhe agjendën e tyre. Prandaj gazetarët duhet të kenë kujdes që të mos „tërhiqen” në terrenin e politikanëve, gjegjësisht të lejojnë që ana e tyre e tregimit ta „kidnapojë” intervistën, ndërsa ajo që duhet gjithmonë ta kenë parasysh është se do të jenë më së miri të përgatitur dhe do ta „sundojnë” temën me përsosmëri dhe asnjëherë nuk do të futen në debat fyerjesh të cilat politikanët dinë ti përdorin në vend të debatit të argumenteve.

Më me rëndësi për gazetarin është që ai ta ketë parasysh se është aty për të zbuluar informacion me interes publik.

Kur prioriteti është interesi publik, atëherë intervista është çështje e përcaktimit personal dhe brendimit të karrierës së gazetarit. Përderisa gazetari nuk e ka shitur shpirtin e vet që të bëjë intervista paraprakisht të porositura dhe të përgatitura, çështja e stilit është e parëndësishme.

Prandaj rekomandimi i parë për gazetarët është që gjithmonë të kenë parasysh se:

 

1.Intervista është për publikun, opinionin dhe jo për ato personalisht apo për pronarët ose menaxherët e medieve

Të mos harrohet: edhe gazetarëve, e politikanëve u përket një pjesë e opinionit të cilit i drejtohen. Për politikanët këto janë votuesit potencial, ndërsa për gazetarët publiku.Dallimi qëndron në atë se tek gazetarët publiku është i përbërë edhe nga votuesit e përcaktuar të politikanit, por edhe nga ato të cilët ai përpiqet që t’i bëjë për vete. Kështuqë, gazetari ka përgjegjësi më të madhe, ndërsa politikani ka sfidë më të madhe.

Me këtë, gazetarët obligohen që intervistat t’i kryejnë në mënyrë të paanshme, pa paragjykime, të balancuar, që të „nxirret” informacion i saktë dhe relevant.

Edhe një gjë duhet mbajtur mend. Para kamerave politikanët nuk gënjejnë. Maherët për marrëdhënie me publikun i „trajnojnë” politikanët se duhet ta flasin të vërtetën, por jo edhe të gjithë të vërtetën. Domethënë aq sa konsiderojnë ato se ka nevojë të thuhet dhe në atë kontekst që e vërteta e pjesshme të duket si e plotë.

Prandaj, kur ulet në karrigen përballë politikanit, gazetari duhet ta dijë që ka ndërmarrë përgjegjësi në emër të opinionit dhe interesit publik, që të marrë një pjesë sa më të madhe të së vërtetës së plotë. Kur të ndizen kamerat dhe (ose) mikrofoni, qëllimi i gazetarit është e vërteta, dhe jo të duket bukur ose ta shfrytëzojë pozicionin që i jepet mundësia për të organizuar intervistë, që të fitojë ndonjë farë betejë personale, ose betejë të cilën dikush tjetër ia ka porositur.

 

2. Të merret marasysh motivimi i politikanëve

Motivimi i gazetarit është një informatë shtesë në emër të interesit publik, e cila do të fitohet me një intervistë pa kompromise. Në emër të atij qëllimi, gazetari gjithmonë do të jetë i përgatitur mirë që të ofrojë argumente të ndryshme në pyetjet e tij, të cilat do t’i parashtrojë në emër të opinionit. Përgjigjet e pyetjeve të këtilla janë të rëndësishme për vendimet dhe qëndrimet e publikut. Gjatë një procedure të tillë, ambiciet, interesi, përfitimet, hakmarrja edhe „bagazhi” tjetër personal, paraqesin një „barrë” e cila do të vendoset si pengesë në kërkim të së vërtetës së plotë.

Gazetarët kanë obligim dhe përgjegjësi që të lirohen nga ajo „barrë”. Kur gazetari lirohet prej saj, atëherë ai vishet me kostumin e quajtur integritet profesional i gazetarit. Nuk mund të realizohet një intervistë e mirë me një politikan nëse gazetari nuk ka integritet. Motivimi i politikanit, me gjasë dhe në shikim të parë nuk ka dallim nga ai i gazetarit – tu servirin votuesve informacion të vërtetë dhe qëndrime prej të cilave rrjedh integriteti i tyre. Mirëpo, lojaliteti dhe përkatësia ndaj një partie, frika se do t’i humbin pozitat dhe privilegjet e fituara, ambiciet, ideologjinë si dhe motivet që rrjedhin nga karakteri i tij personal, janë re të errëta kërcënuese.

Gazetari ka për detyrë që të depërtojë përtej atyre reve dhe t’i ballafaqojë argumentet e tij me argumentet e politikanit dhe në këtë prerje të zbulohet motivimi.

Politikanët harrojnë se janë nëpunës publik, gjegjësisht i shërbejnë interesit publik, qytetarëve. Ato janë të zgjedhur për një periudhë të caktuar, që të menaxhojnë me resurset të cilat janë pronë e qytetarëve që ua kanë dorëzuar për një periudhë prej një mandati. Shërbimi dhe efikasiteti i tyre janë gjithmonë të nënshtruar ndaj kontrollit dhe kritikës. Pjesë e sferës publike që ka të drejtë ti kontrollojë dhe kritikojë politikanët janë edhe gazetarët. Të „gërmohet më thellë” është një obligim dhe përgjegjësi e gazetarëve në emër të opinionit.

Kjo mund të bëhet mirë dhe në mënyrë bindëse vetëm nëse gazetari është i veshur me kostumin e integritetit.

 

3. Bëjeni thjesht

Politikani gjithmonë do të përpiqet ti komplikojë gjërat, sepse gjithmonë mundohet të gjejë mënyrë më të mirë që të mos e thotë gjithë të vërtetën, si dhe ta vërë atë në një kornizë nga e cila duket vetëm interesi i tij. Ndonjëherë përpiqen ti shfaqin gjërat ashtu që të fitohet përshtypje se gazetarët nuk kuptojnë për çfarë bëhet fjalë. Me siguri që ju kujtohen përgjigje politikanësh që fillojnë me frazat: „Gjërat nuk janë pikërisht ashtu si i shfaqni me pyetjen tuaj”, ose „Duhet ti dini rrethanat që ti përgjigjem pyetjes suaj”. Ose fillimi im i preferuar i përgjigjes që të mos i përgjigjet pyetjes: „Pyetje shumë e mirë. Do të kthehem aty por paraprakisht dua të…” që në fund të konstatoni se për atë pyetje nuk keni marrë fare përgjigje.

Prandaj gazetari nuk duhet t’i japë mundësi politikanit që të „shpëtojë” në atë mënyrë. Për këtë gjithmonë edhe nëpër pyetje, duhet t’i ketë pyetjet themelore gazetareske : çfarë, kush, kur , ku, si dhe pse. Pyetjet duhet të jenë të thjeshta dhe të qëlluara. Mos i ndërlikoni pyetjet me elaborime të gjata dhe të gjëra dhe as me pyetje „dy ose tre në një”. Kjo është „kënaqësi e madhe” për politikanin. Në rastin më të mirë, ai do ta zgjedhë pyetjen që do t’i shkaktojë më pak dëm, ndërsa në rastin më të keq do ta shfrytëzojë elaborimin e gjerë të pyetjes që të bëjë elaborim të gjerë pa përgjigje.

Nëse u ndodh kjo situatë dhe nëse, duke e dëgjuar me vëmendje, keni konstatuar se nuk ka përgjigje të pyetjes suaj – mos u tërhiqni. Tani duhet të vijojë një pyetje e pastër si kristal. Përsëritni pyetjen deri sa të merrni përgjigjen. Mllefi i tyre nuk duhet tu shqetësojë. Ju qëndroni të qetë. Ajo do të tregojë se e keni situatën nën kontroll.

 

4. Mos lejoni t’ju joshin në terrenin e tyre ose t’ju çvendosin nga fokusi i intervistës

Politikanët në ditët e sotme kanë këshilltarë për marrëdhënie me publikun dhe mediet dhe ato i mësojnë, midis tjerash edhe tua ndërrojnë drejtimin debateve në tema të interesit të tyre. Tjetër mësim është që ta „zbusin” sulmin e gazetarëve dhe ta marrin iniciativën. Që të ketë kjo gjë sukses, këshilla është që të dërgohet gazetari nëpër tema që nuk janë në fokusin e publikut dhe tek qëllimi fillestar që ato pyetje të paraqiten si më të rëndësishme në intervistë.

Gazetarët nuk duhet të bien pre e këtyre truqeve dhe spineve. Duhet t’i përmbahen qëllimit të tyre fillestar dhe tu përmbahen pyetjeve të parapara për intervistën, për të cilat thamë se kanë qëllim që ta zbulojnë, sa më shumë të jetë e mundur, të vërtetën.

Ndonjëherë, si këshilla nga spin-doktorët vjen edhe sugjestionimi i këmbënguljes së gazetarit dhe konfrontimi konstruktiv, në të cilën politikanët përgjigjen me konfrontim edhe më të madh, dhe madje edhe me agresivitet që të frikohet, të tërhiqet gazetari.

Mos lejoni tu trembin. Duhet t’i kuptoni këto truqe dhe të mos lejoni t’u nxjerrin jashtë trajektores tuaj. Gazetari duhet të qëndrojë gjakftohtë, i qetë dhe gjithmonë e vazhdimisht ta dërgojë lojën në rrugën e tij. Në fakt, gazetari është ai i cili në interes publik, i jep mundësi politikanit që të tregojë apo të dëshmojë se është duke e kryer shërbimin e tij në emër të popullit në mënyrë të determinuar nga sundimi i ligjit, transparenca, respektimi i institucioneve dhe procedurave…

Mos harroni: Atëherë kur gazetari e humb gjakftohtësinë, ai e humb edhe intervistën.

 

5. Mos bëni „ujdi“  me politikanët

Sado që të jetë përsëritur , asnjëherë nuk është tepër: Me politikanët asnjëherë nuk caktohet intervistë në bazë të çfarëdo marrëveshje, eksplicite apo implicite. Me ato nuk ka „ujdi” dhe nuk ka çfarëdo nënkuptimi të përbashkët se intervista po bëhet që të fitojnë nga pak të dy palët, gazetari dhe politikani. Gazetari ta kërkojë gjysmën e të vërtetës, ndërsa politikani të fitojë një pikë plus tek elektorati. Kontrata e tillë është një formë korrupsioni dhe është në kundërshtim me thelbin e gazetarisë.

Politikani gjithmonë do të përpiqet ta fitojë atë që ka qenë motivi për ta pranuar intervistën. Ky është thelbi i politikës së mundësive dhe të së mundurës. Mirëpo, gazetari duhet të ngrihet mbi këtë platformë politike. Ky është thelbi i gazetarisë dhe thelbi i integritetit të gazetarit.

Më e pakta që pritet është të merret vesh paraprakisht rrjedha e intervistës. E vetmja gjë për të cilën mund të arrihet marrëveshje është kohëzgjatja e intervistës, e cila është në proporcion të kundërt me pasionin e gazetarit i cili duhet të investojë që të zbulohet sa më shumë prej të vërtetës, nëse jo edhe e gjithë e vërteta.

 

6. Ata do të vijnë të përgatitur

Kur përgatiten për një intervistë të thellë me ndonjë politikan, gazetarët formojnë koncept, hulumtojnë, përgatisin dhe shkruajnë pyetje për të cilat mendojnë se na atë moment janë të rëndësishme për tu zbuluar e vërteta. Të njëjtën gjë e bëjnë edhe politikanët.

Gjegjësisht, më saktësisht, ato do të kalojnë disa seanca pune me këshilltarët e tyre për marrëdhënie me publikun dhe mediet. Spin-doktorët do ti këshillojnë dhe do ti përgatisin mesazhet politike të cilat në atë moment duhet të përcillen nëpërmjet intervistës.

„Përmbaju mesazhit” është titulli i ligjëratës së tretë të maherëve për marrëdhëniet me publikun, të cilën e përmendim në këtë ligjëratë. Repartet qeveritare për komunikim me publikun, si dhe këshilltarët në partitë politike, shpenzojnë shuma marramendëse parash nëpër ekspertë komunikimi. Manipulimi me mediet është një biznes i madh. Shpeshherë trajnimet bëhen nga gazetarë të mëparshëm të cilët e dinë shumë mirë se si funksionojnë mediet dhe çfarë pret publiku, gjegjësisht opinioni.

Ajo që duhet të mbani mend është se politikanët ndoshta nuk janë të përgatitur që ta thonë të gjithë të vërtetën, por me siguri janë shumë mirë të trajnuar që t’i përmbahen mesazhit politik të momentit.

Jini të sigurt se kjo gjë ndodh në momentin kur përgjigja e tyre do të fillojë me frazën: „më vjen shumë mirë që ma parashtruat këtë pyetje, por duhet ta kuptoni se arsyeja kryesore fshihet pas….”. Ose: „pyetja juaj përmban një cak të rëndësishëm, por tema kryesore në këtë rast është….”.

Prandaj, mbani mend: asnjëherë mos mendoni se jeni më të përgatitur se ato. Ky është një qëndrim naiv. Kur uleni përballë politikanit, duhet ta dini se jeni përballë një njeriu pas të cilit qëndron një ekip i tërë ekspertësh për medie dhe marrëdhënie me publikun.

Nëse jeni gjithmonë të vetëdijshëm për këtë gjë, ju mbetet që të krijoni qëndrim se, si gazetar, nuk do të lejoni t’ju shfrytëzojnë si megafon për një mesazh politik, por përkundrazi, do ta djersitni politikanin duke qëndruar të përqendruar tek qëllimi juaj i vetëm: të nxirrni prej tij të vërtetën.

 

7. Dëgjoni me kujdes dhe gjithmonë me mendje të hapur

Edhepse është me rëndësi të madhe të dini se çfarë do të pyetni dhe ta ndiqni trasenë e paracaktuar të intervistës, nëse dëgjoni me vëmendje dhe nëse keni mendje të hapur, si gazetar gjithmonë do të dalloni një pjesë të së vërtetës të futur, fshehur, në ndonjë frazë të gjatë. Ky është leksioni i katërt të cilën e huazojmë nga spin-maherët. Leksioni thotë: përdorni shumë fjalë, fjali të gjata që ta futni përgjigjen, ose një pjesë të së vërtetës që është problematike (për politikanin). Ideja është që përderisa politikani ta përdorë këtë taktikë, bie vëmendja e gazetarit dhe e publikut, dhe ka mundësi që në këtë situatë të „futet” përgjigja e pakëndshme pa u vënë re. Më vonë politikani ka alibi nëse duhet të dëshmojë se i është përgjigjur kësaj pyetje dhe se i vjen shumë keq që ajo gjë ka kaluar pa u vënë re nga gazetari.

Prandaj, dëgjoni me kujdes. Përgjigjet në vetvete fshehin elemente për pyetje të reja, ndërsa mendja e hapur duhet ti ndihmojë gazetarit që të dalë nga korniza të cilën e ka vendosur paraprakisht. Ajo nuk do të thotë që ai do humb kontrollin mbi intervistën. Vetëm dëshmon se dëgjon me vëmendje dhe nuk mund ti heshten përgjigjet e fshehura që kërkojnë pyetje plotësuese. Pas një digresioni të tillë të shkurtër, intervista duhet të “kthehet” në trajektoren e paraparë.

Nëse ky digresion nuk bëhet në këtë mënyrë, politikanët kanë të zhvilluar një shqisë me të cilën e ndjejnë pasigurinë dhe kjo u jep mundësi ta shfrytëzojnë atë mundësi deri në fund dhe ta plasojnë mesazhin e tyre politik, ose edhe më keq – të bëjnë propagandë.

 

8. Mos lejoni tu shmangen pyetjeve

Tashmë përmendëm disa mënyra me të cilat politikanët janë të trajnuar që t’i evitojnë pyetjet e pakëndshme. Është shumë me rëndësi që gazetari ta dallojë se kur ndodh kjo gjë. Edhe publiku di ta dallojë se kur politikanët evitojnë pyetje, por asnjëherë nuk është tepër që t’i rikujtoni se nuk i janë përgjigjur pyetjes suaj.

Kur bëni intervistë me politikanë, duhet ti përgatitni të gjitha pyetjet të cilat konsideroni se do tu çojnë deri tek e vërteta e plotë.Gjithmonë ekziston mundësia të mos ia dilni mbanë, ashtu siç eekziston edhe mundësi reale që të mos merrni përgjigje për të gjitha pyetjet e parashtruara.

Prandaj duhet të mbahet nën kontroll e gjithë rrjedha e intervistës. Koha e kufizuar dhe politikanët e rrëshqitshëm do tu ballafaqojnë me faktin se intervista duhet të përfundojë, ndërsa ju s’keni marrë shumë nga e vërteta. Kur keni kontroll, madje edhe në të tillë situatë ju arrini të shpëtoni dhe të shënoni me poenta efikase kreative në pyetjet e fundit.

Megjithatë, që të mos ballafaqoheni me situatë të tillë, rekomandohet një truk i thjeshtë. Parashtroni pyetjet më të rëndësishme, më provokative dhe më thelbësore në fillim të intervistës. Kjo është një taktikë e mirë sepse i tund politikanët nga pozita e rehatshme që e presin në fillim, ku zakonisht fillohet me një hyrje të sjellshme dhe me pyetje të lehta për tu relaksuar.

Përpiquni një herë të veproni në këtë mënyrë. Keni për ta parë ndryshimin. Kuptohet, rekomandimet për mbajtjen e kontrollit të plotë dhe pritjen e kundërsulmit mbeten në fuqi.

 

9. Duhet t’i njoftoni në më shumë aspekte

Edhepse kryejnë funksione të rëndësishme shoqërore, edhe politikanët janë njerëz, por me një linjë të veçantë që i ndan nga të tjerët – ato janë nën presion të vazhdueshëm që përsëri ta fitojnë mbështetjen e elektoratit. Prapë se prapë, meqë edhe ato janë njerëz si të gjithë ne, edhe ato i kanë pikat e dobëta të cilat i mbajnë sekret, sepse ashtu i mësojnë ekspertët për marrëdhënie me publikun.

Për këtë arsye gazetarët duhet të mësojnë dhe të zbulojnë aspekte të ndryshme të shprehive të tyre të punës. Kjo do tu japë mundësi që ta zgjedhin mënyrën më të mirë që ta thyejnë atë fasadë të akullt, e cila nga ana tjetër, do tu japë mundësi që të „gërmojnë më thellë” për të arritur tek e vërteta me interes publik.

Më konkretisht, kjo ndonjëherë mund të kërkojë edhe shfaqje konfrontimi, plot energji që në mënyrë të vendosur, të argumentuar, i parashtron pyetjet ashtu që do të jetë shumë vështirë të evitohet përgjigja. Nga ana tjetër, ndonjëherë edhe ndoshta nevojitet një qasje më produktive, e butë, dinake, analitike në stilin e intervistës, që të arrihet deri te përgjigjet e vërteta. Prandaj, të mos harrojmë  se ndonjëherë stili i pabazuar konfrontues i intervistimit mund ta „mbyllë” politikanin, dhe të krijojë përshtypje te publiku se gazetari ka qenë i ashpër.

 

10. Sigurohuni që fjala e fundit të jetë e juaja

Kush duhet ta ketë fjalën e fundit? Gazetari apo politikani? Sipas hulumtimeve, fjalët përmbyllëse në një intervistë, posaçërisht në televizion, janë ato të cilat më së shumti mbahen mend sepse në to, zakonisht qëndron sinteza, poentat kyçe të bisedës. Politikanët e dinë këtë. Prandaj, ekspertët e medieve u kushtojnë vëmendje të veçantë këtyre fjalëve të fundit. Për ato fjalë të fundit përgatiten „soundbite” speciale. Ato janë shprehje të shkurtra, të forta dhe domethënëse që fillimisht kanë për qëllim t’i mbulojnë të gjitha pikat e dobëta gjatë intervistës, dhe së dyti, por jo me më pak rëndësi, ato bëjnë jehonë në veshët e publikut, gjegjësisht votuesve.

Politikanët nuk do ta lënë rastin që ta bëjnë këtë. Por, pastaj duhet të vijojë rezymimi i intervistës të cilin duhet ta bëjë gazetari.

Prandaj, rekomandimi për gazetarët thotë: Përveç se që dëgjon bashkëfolësin me vëmendje gjatë gjithë intervistës, detyra e gazetarit është ti shkruajë pikat më të rëndësishme të përgjigjeve dhe në fund të intervistës ta sumojë paraqitjen e politikanit nëpërmjet një prezantimi të shkurtër.

Puna e mirë ekipore në një redaksi kërkon edhe një asistent të gazetarit që interviston, i cili ka për detyrë t’i shënojë dhe t’i zgjedhë citimet më të rëndësishme të përgjigjeve të politikanëve dhe në fund të bisedës, t’ia dorëzojë „nikoqirit” të intervistës për nevojat e rezymesë gazetareske. Këto citime janë ilustrimi më i mirë i pikëve të rezymesë.

Në fund, edhe nëse e dini gjithë këtë, dhe edhe që ta ndryshoni, do t’u duhet edhe fat, por në një sasi më të vogël. Kjo është një ndjenjë kënaqësie dhe tjetra më e rëndësishme është ajo kur gazetari mund të thotë :„Të mos isha unë, opinioni nuk do ta dinte këtë!”

Këto janë ato momente të rralla që e bëjnë këtë profesion kaq të bukur.

 

 

Linqet e përdorur:

 


Ky leksion gazetaresk është përgatitur nga kuadër të Projektit të USAID-it për përforcimin e mediumeve në Maqedoni – Komponenta Shërbimi për verifikimin e fakteve nga mediumet, që implementohet nga fondacioni Metamorfozis.. Ky leksion gazetaresk është mundësuar me përkrahjen e Agjencisë amerikane për zhvillim ndërkombëtar (USAID). Përmbajtja e analizës është përgjegjësi e autorit dhe nuk i paraqet qëndrimet e fondacionit Metamorfozis, USAID-it ose të qeverisë së SHBA-ve. Për më tepër informata për punën e USAID-it në Maqedoni, ju lutemi vizitoni ueb-faqen e USAID-it: (http://macedonia.usaid.gov) dhe faqen e USAID-it në Facebook: (www.facebook.com/USAIDMacedonia).

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

Abonohuni për lajmet më të reja