verifikimiifakteve.mksitemap
verifikimiifakteve.mksitemap

Kaosi i njëtrajtshmërisë

on 26 - 08 - 2013       
Овој напис го има и на: Maqedonisht

Përfitimet minimale nga ky treg medial i pakonsoliduar, fragmentar dhe joprofesional krijojnë vetëm iluzionin e gazetarisë, një lloj diletantizimi, që as për së afërmi nuk i përgjigjet misionit të vërtetë të gazetarisë.

 

8636691165_d9f0341514_z

Foto: BAO.bits

 

Shkruan: Bardhyl Zaimi

 

TË GJITHA TEORITË E GAZETARISË duket se po japin shpirt përpara lehtësisë së padurushme me të cilën tashmë po qarkullon informacioni në botën e pafundme të internetit. Transponimi marramendës nga mediat dhe formatet tradiocionale të informimit në formatet  e reja po përcillet me një kaos të jashtëzakonshëm identifikimi dhe me një lloj fragmentarizimi të receptuesit-lexuesit. Përderisa mediat  tradicionale (televizioni, gazetat, radioja, javoret, revistat e ndryshme) me shumë siklet po përpiqen të mbajnë fronin e pranisë me një “autoritet” tashmë të zbehur, mediat e reja me një vrull të paparë po shtrijnë praninë e vete kaotike tek një audiencë e pastrukturuar me receptime të përcipta.

Në gjithë këtë dekompozim paradigmatik, mediat e reja kanë hedhur hapin për të qenë sa më të pranishme te lexuesit, me një fluks të papërmbajtur të informacionit, që në të shumtën e rasteve mbetet larg parimeve themelore të gazetarisë moderne. Në hapësirën shqiptare tashmë ekziston një numër i madh i portaleve, që me disa përjashtime, nuk arrijnë të përmbushin nevojën urgjente për një informim të drejtë, të saktë, të shpejtë dhe të difersifikuar.

 

“Pluralizëm medial”, por jo edhe parime gazetareske

Duket se mediat e reja kanë siguruar “pluralizimin medial”, por jo edhe funksonimin mbi principet e gazetarisë. Kaosi i mediave të reja, brenda kohës, ka krijuar njëtrajtshmërinë e informacionit, që në të shumtën e rastave shfaqet si një “refren” i lajmeve të njëjta që përsëritet nga një protal në tjetërin. Përgjithësisht lajmet e publikuara janë të agjencive dhe me pak ndryshime kozmetike mund t’i gjesh në çdo portal. Mungojnë qasjet, gjetjet dhe trajtimet autentike të lajmit, njësoj siç mungon pas çdo lajmi edhe autorësia.

Gazetari, ky rojtar i interesit njerëzor, i “shenjtërisë” së fakteve, ka humbur kuptimin në këtë kaos që pretendon prani të pakushtëzuar në botën virtuale. Shumica e portaleve, realisht, funksionojnë pa gazetarë dhe pa sensin më të vogël të aktualitet, të zhvillimeve politike, ekonomike, kulturore etj. Fatkeqësisht, prapa këtyre portaleve, nuk qëndron një redaksi e konsoliduar që i përgjigjet misionit të gazetarisë, por një “redaktor”, ose një “pronar” anonim që pa asnjë kriter dhe pa ndonjë politik redaktuese poston lajme të huazuara me të cilat pretendon të faktorizohet si medium në kaosin e madh të mediave online.

Përfitimet minimale nga ky treg medial i pakonsoliduar, fragmentar dhe joprofesional krijojnë vetëm iluzionin e gazetarisë, një lloj diletantizimi, që as për së afërmi nuk i përgjigjet misionit të vërtetë të gazetarisë. Në mungesë të platformave editoriale, kapaciteteve profesionale dhe të burimeve të financimit shumica e këtyre prortaleve nuk kanë arritur të krijojnë një fizionomi të tyre identifikuese që do të reflektonte seriozitetin, receptimin dhe ndikimin e duhur te lexuesit.

Nuk është gjithçka zi. Ekzistojnë portale që pavarësisht nga vështirësitë që kanë për të mbijetuar tashmë kanë treguar se janë në udhë të mirë për të kapur ritmet e gazetarisë online, gjithë atë sistem specifikash që e bëjnë të ndryshme nga formatet e gazetarisë që zakonisht i quajmë tradicionale. .

 

Portale pa redaksi

Përgjithësisht te shumica e portaleve vërehet mungesa redaksisë, e një ekipi, e gazetarëve, që janë në gjendje mbulojnë ngjarjet, të raportojnë në formë origjinale dhe t’i trajtojnë ato në bazë të një politike autentike editoriale. Informacioni më tepër përcillet në mënyrë stihike, zakonisht i marrë nga ndonjë medium tjetër dhe pa cituar burimin e informacionit. Është një repredukim i lajmeve të njëjta që shpesh edhe deformohen.

Në një farë mënyre shumica e tyre funksionojnë si ekip lajmi me një person ose siç njihet në teorinë gazetareske “ one-man raporting team”. Sigurisht ky përkufizim nuk është tërësisht adekuat për mënyrën e funksionimit të këtyre portaleve, sepse kuptimi i vërtet i kësaj termonologjie përshkruan një frymë të re në gazetarinë onlinë që as për së afërmi nuk i përgjigjet pretendimit të shumë njerëzve për të menaxhaur me një neë media siç është portali.

Padyshim, ky kaos ndërlidhet edhe me shumë faktorë tjerë shoqëror që nuk mundësojnë të bëhet një identifikim real i relevancës që mund të ketë një portal. Kjo vjen për shkak se komuniteti i internetit, përdoruesit e tij, janë të një moshe relativisht të re akoma të paformësuar për të identifikuar gazetarinë e mirë, atë që hulumton dhe trajton të vërtetën nëpërmjet një etike të padiskutueshme profesionale. Sidoqoftë, faktorizimi dhe relevanca profesionale patjetër bie mbi bartësit e portaleve që pretendojnë më tepër në fushën e gazetarisë onlinë, të cilët duhet që të shkëputen nga ky kaos i informacionit të përciptë, trivial me doza senzacioni dhe në të shumtën e rasteve të paverifikuara.

 

“Ta organizojmë kaosin…”

Gjithsesi, relevanca profesionale mund të rritet dhe mund të pushtojë hapësirën e gjerë të mediave online vetëm nëpërmjet etikës profesionale, gazetarisë së përgjegjshme, plurale dhe të diferifikuar. Kjo sfida e portaleve aktualisht. Bartja e përvojave nga vendet tjera që kanë shënuar avancim në profilizimin profesional të portaleve është një dimension tjetër që duhet të inkorporohet në gazetarinë online. Sigurisht në gjithë këtë pretendim implikohen edhe specifikat e gazetarisë online të cilat teorikisht por edhe praktikisht janë të dallueshme nga gazetaria në mediat tradicionale.

Pikërisht në këtë drejtim, do të duhej që në të ardhmen të organozohen sa më shumë debate dhe trajnime për gazetarinë online dhe për komunikimin e përmbajtjeve online me komunitetin e internetit. Do të duhet të sqarohet përfundimisht se format mund të ndërrojnë, por gazetaria në esencë mbetet e njëjtë, me po të njëjtat misione për të vërtetën të saktësuara dhe të afirmuara përmes principeve deontologjike.

Hapi i parë do të ishte një “klithje” e lehtë: “Ta organizojmë kaosin”. Në gjërësinë e pafundme të informacionit irelevantë, realisht do të duhet që në botën e internetit, aty ku banojnë edhe neë mediat, konkretisht prortalet, të strukturohet një interkomunikim i konsoliduar, i qëndrueshëm, plural për nga përmbajtja dhe i përgjegjshëm ndaj realiteteve njerëzore, lirisë dhe interesit të përgjithshëm njerëzor.

Duke pasur në horizont këto synime mund të organizohen me tëpër ngjarje që në epiqendër duhet të kenë debatin mbi këtë problematik. Kjo do të ishte rruga më e sigurt për t’u diferencuar prortalet e konsoliduara dhe të njëjtët të gjejnë sensibilitetin e duhur te lexuesit. Në të kundërtën kaosi dhe njëtrajtshmëria e informacionit do të jenë pjesë e pandashme dhe në asnjë rast nuk do të mund të ndahen profesionistët nga profanët e projekteve mediale.

Abonohuni për lajmet më të reja