verifikimiifakteve.mksitemap
verifikimiifakteve.mksitemap

Konflikti i Kumanovës si një “media event”

on 17 - 12 - 2015       

KUMANOVA
Mjetet e komunikimit masiv janë ngritur mbi bazën e të informuarit. Me kalimin e kohës, janë inkorporuar edhe elementë të tjerë siç është edukimi, argëtimi dhe transmetimi i kulturës. Edhe përkundër funksionalitetit të shumëfishtë që kanë masmediat, informimi si mision ngelet prioritar për median. Në qoftë se edicionet e lajmeve që transmetohen në televizion, përveç aspektit të nevojës për tu informuar, do të shikoheshin edhe nga aspekti i strukturimit të tyre, del se lajmet në një edicion qendror apo periferik janë të renditura sipas peshës publike që kanë. Se a është një ngjarje e tillë apo jo, kjo përsëri varet nga media. Mund të ketë ngjarje që në vetvete janë të mëdha por nuk kanë vëmendjen e duhur mediatike, mund të ketë ngjarje të vogla që media i rrit si të tilla, dhe mund të ketë ngjarje të cilat marrin vëmendjen e merituar nga ana e mediave. Ngjarjet me peshë të madhe në publik ndryshe njihen edhe si media event. Dy autorët e njohur Daniel Dayan dhe Elihu Katz kësaj problematike i kanë kushtuar një libër me titull Media Events, ku përmes nuancave të ndryshme, ata përpiqen të zbërthejnë të kuptuarit e fenomeneve të ngjarjeve të mëdha. Në kuptimin metaforik, media events, ata i kanë quajtur edhe si high holidays of mass communication apo “festat e mëdha të komunikimit masiv” (Dayan dhe Katz 1992: 1). Madje ngjarjet e mëdha i konsiderojnë si zhanër më vete të gazetarisë dhe komunikimit, sepse sipas tyre, këto ngjarje mund të analizohen në shumë nivele, duke filluar nga ai sintaksor, semantik dhe pragmatik. Në rrafshin sintaksor, media events mund të konsiderohen si “dalje nga rutina”, ku në një farë mënyre ato arrijnë të monopolizojnë fushën e mediave dhe komunikimit, qoftë përmes kanaleve të programeve të ndryshme, transmetimet live apo transmetimeve të paraplanifikuara. Në rrafshin semantik, ngjarjet mediatike janë vënë në skenë si “raste historike” ku pasojnë manifestime të ndryshme ceremoniale. Ndërkaq, në rrafshin pragmatik, media event arrin të magjepsë audienca shumë të mëdha të cilat i shikojnë këto ngjarje si spektakolare. Këto tre kritere mund të gjenden edhe në forma të tjera në fushën e komunikimit masiv, por në këtë rast ato janë tregues se media event mund të kategorizohet si zhanër më vete në pistën e zhanreve mediatike.

Katz dhe Dayan, shtrojnë tre parime kryesore kur flasin për raportin midis ngjarjes dhe mbulimit mediatik të saj:

 

  1. Vetëm ato veprime që arrijnë mbulimi mediatik bëhen gjerësisht publike;
  2. Mbulimi mediatik ka tendencë të rritet me risi, përçarje dhe me dhunën e akteve  kolektive;
  3. Mbulimi mediatik nuk ka gjasa për të rikonstruktuar ndërveprimet e sakta ndërmjet aktorëve, e sidomos nëse aty përfshihet dhunë apo përçarje midis dy palëve. [1]

 

Së bashku, këto tre parime përbëjnë atë që mund të quhet dilemat e publikut mbi të bërit distinkcion midis ngjarjes në vetvete dhe ngjarjes së konstruktuar mediatike. Nëse shtrohet pyetja se a mund të konsiderohet si media event konflikti në Kumanovë, përgjigja është po, për faktin se ai i plotëson të tre këto kritere që autorët përcaktojnë për tu quajtur një ngjarje e tillë. Së pari “Kumanova” arriti të tërheqë vëmendjen jo vetëm të mediave vendore apo ballkanase, por ajo u bë edhe lajm ditor i disa mediave globale, duke përfshirë kanale të ndryshme televizive si BBC[2], CNN[3], Fox News[4], CBC[5], Deutsche Welle[6], Al Jazeera[7], e kështu me radhë, çka tregon se flitet për një moment enorm në fushën e raportimit. Elementi i dytë për sa i përket dhunës është më se evident në këtë rast, ku gjatë përleshjes dyzet e tetë orëshe në mes grupit të armatosur dhe policisë maqedonase humbën jetën 10 pjestarë të grupit sulmues dhe 8 policë maqedonas. Gjithashtu pati shtëpi të djegura, por fatmirësiht e gjithë ngjarja përfundoi pa civilë të vrarë. Ndërkaq elementi i tretë është pak më i komplikuar për tu matur por teorikisht është i shpjegueshëm. Të gjiha mediat janë metafora aktive sepse ato zotërojnë fuqinë për ta përkthyer një përvojë në forma të reja, do të thoshte McLuhan[8]. Kjo nënkupton se ngjarja në vetvete ndahet në dy pjesë. Nga njëra anë qëndron vetë ngjarja që ka ndodhur, për të cilën janë dëshmitarë aktorët dhe publiku që është prezent aty, në rastin tonë aktorët e përfshirë në konflktin e “Lagjes së Trimave” në Kumanovë dhe nga ana tjetër është ngjarja e mediatizuar. Kjo ngjarje ndryshon nga e para, sepse tani më kemi mediat konvencionale dhe mediat sociale si një kanal komunikimi nëpërmjet të cilit transmetohet mesazhi. Vlen të theksohet se ka dallim midis një realiteti të konstruktuar mediatik dhe një realiteti që shfaqet në botën e mediave sociale, duke përfshirë këtu portalet e ndryshëm, kanalin e YouTube-it, rrjetin social Facebook, Twitter-in që më shumë se rrjet social, ekspertët e kanë cilësuar si microblogging, komunitetet online e kështu me radhë. Në të njëjtën kohë, këto shfaqje u prirën të mbështeten në garë dhe përçarje në mënyrë që të arrijnë publicitetin e caktuar. Këtu nuk është fjala për publicitetin si koncept marketingu, por kemi të bëjmë me një përballje në mes ngjarjes reale dhe ngjarjes mediatike, të cilat të dyja luftuan për të marrë “fronin”, të cilin fron e jep publiku me edukimin dhe përshtypjet e tij. Rrjedhat treguan se “Kumanova” e mediave e sidomos e mediave sociale, triumfoi mbi “Kumanovën” reale. Deri më sot, akoma nuk ekziston një bilanc i qartë në lidhje me atë se çfarë ndodhi atje, por nga ana tjetër janë publikuar mbi 150 lajme vetëm për këtë ngjarje. Ky mister që po zgjat kaq shumë, favorizon median për të ndërtuar ajo ngjarjen e saj. Si rezultat i kësaj, fazat e reja publike që janë ngritur lart, ndonjëherë nuk kanë forcën për të mbështetur diskutimin e hollësishëm ose të ekuilibruar. Një autor tjetër, Sean Scalmer në librin e tij Dissident Events, paraqet një tezë shumë interesante. Sipas tij, së bashku me rritjen dhe gjerësinë e ngjarjes në sferën publike, rritet cektësisa e analizës së ngjarjes që pason me mungesën e debatit publik, mungesa e të parit me racionalitet ngjarjen e kështu me radhë. Pra sa më shumë bujë mediatike të marrë eventi, aq më e ulët është mundësia e shikimit racional mbi të.[9]

Në qoftë se do të merret vetëm si indicie teoria tashmë e vjetëruar por akoma e cituar e sociologut kanadez, Marshall McLuhan që media është një zgjatim i njeriut dhe se mediumi është mesazhi[10], mund të thuhet se në epokën e mediave digjitale kjo gjë ka ndryshuar. Jo se ka ndryshuar krejtësisht por gjërat kanë lëvizur në drejtim të thyerjes së mureve midis medias dhe audiencës dhe tani më nuk është vetëm “mediumi është mesazhi”, por edhe “publiku është mesazhi”. Kur kemi parasysh këto dinamika të komunikimit masiv, vlen të theksohet se përdoruesit e mediave të reja janë bashkëprodhues të informacionit online dhe ky fakt shoqërohet me anën e tij pozitive dhe negative nëse do të zgjidhen këto dy terma për të bërë dallimin kushtor. Ta zëmë, portalet e mediave tradicionale më shumë dhe portalet e mediave online më pak, ofruan raportimin e ngjarjes në Kumanovë duke renditur kohëzgjatjen e aksionit, bilancin e viktimave, dëmet materiale, evakuimin e banorëve të Lagjes së Trimave, e kështu me radhë. Nga ana tjetër në mediat sociale u shfaqën shumë video të realizuara nga banorët të ciët ndodheshin në afërsi të kësaj lagjeje, sepse banorët e lagjes, në kohën kur po zhvilloheshin luftimet, ishin pozicionuar nëpër bodrumet e shtëpive të tyre dhe nuk kishin mundësi që të shikonin aq më pak të kuptonin se çfarë është duke ndodhur mbi kokat e tyre.

 

Referenca:

[1] Daniel Dayan dhe Elihu Katz (1992): Media Events: The Live Broadcasting of History, boton: Harvard University Press, Cambridge, Mass. and London. Londër. Fq. 118-210.

[2] BBC: “Macedonia blames Kosovans for deadly Kumanovo clashes”. Ora 14:22. 24.08.2015.

http://www.bbc.com/news/world-europe-32680904.

[3] CNN: “Gun battles in former ethnic flashpoint in Macedonia kill 5 police officers”. Ora 14:24. 24.08.2015.

http://edition.cnn.com/2015/05/10/europe/macedonia-police-raid-balkan-flashpoint/.

[4] Fox News: “Macedonia: 3 police officers dead, 20 injured in clashes with armed group in city of Kumanovo”. Ora 14:30. 24.08.2015. http://www.foxnews.com/world/2015/05/09/macedonia-3-police-officers-dead-20-injured-in-clashes-with-armed-group-in-city/

[5] CBC: “5 Macedonian police killed in clash with armed group. Ora 14:34. 24.08.2015. http://www.cbc.ca/m/touch/news/story/1.3068148.

[6] Deutsche Welle: “Skopje returns nine bodies from Kumanovo clashes to Kosovo”. Ora 14:34. 24.08.2015.

http://www.dw.com/en/skopje-returns-nine-bodies-from-kumanovo-clashes-to-kosovo/a-18471293.

[7] Al Jazeera: “Macedonia blames Kosovans for deadly clash”. Ora 14:38. 24.08.2015.

http://www.aljazeera.com/news/2015/05/macedonia-policemen-killed-battle-armed-group-150509213341943.html.

[8] Marshall McLuhan: Instrumentat e komunikimit. Media si një zgjatim i njeriut, boton në shqip: Instituti i Dialogut dhe Komunikimit, përktheu nga anglishtja Maklen Misha, Tiranë, f. 70.

[9] Sean Scalmer (2002): Dissident Events, boton: University of New South Wales Press Ltd, Australi. Fq. 52.

[10] Marshall McLuhan; Instrumentat e komunikimit. Media si një zgjatim i njeriut, boton në shqip: Instituti i Dialogut dhe Komunikimit, përktheu nga anglishtja Maklen Misha, Tiranë


Kjo kolumnë është përgatitur nga kuadër të Projektit të USAID-it për përforcimin e mediumeve në Maqedoni – Komponenta Shërbimi për verifikimin e fakteve nga mediumet, që implementohet nga fondacioni Metamorfozis.. Kjo kolumnë është mundësuar me përkrahjen e Agjencisë amerikane për zhvillim ndërkombëtar (USAID). Përmbajtja e kolumnës është përgjegjësi e autorit dhe nuk i paraqet qëndrimet e fondacionit Metamorfozis, USAID-it ose të qeverisë së SHBA-ve. Për më tepër informata për punën e USAID-it në Maqedoni, ju lutemi vizitoni ueb-faqen e USAID-it: (http://macedonia.usaid.gov) dhe faqen e USAID-it në Facebook: (www.facebook.com/USAIDMacedonia).

Abonohuni për lajmet më të reja