verifikimiifakteve.mksitemap
verifikimiifakteve.mksitemap

Kur homofobia maskohet në gazetari

on 10 - 02 - 2017       
Овој напис го има и на: Maqedonisht

[Recension: “LGBT-isti nga Tetova: Homoseksualizmin nuk e solla unë, atë e gjeta në mesin tuaj”]

Recensionet e realizuara në kuadër të këtij projekti gjithnjë kanë pasur për qëllim të rrisin cilësinë e informacionit dhe të ulin numrin e lajmeve joprofesionale. Nuk mund të thuhet se është arritur qëllimi në mënyrë absolute, sepse, kjo është një rrugëtim i përhershëm. Mirëpo, ideja ngelet e pandryshuar që në fillim. E thënë në një formë të thjeshtë, lajmet joprofesionale janë të gjithë ato lajme që përbëjnë të paktën një shkelje të kodit etik të gazetarëve. Për fat të keq, ato janë të shumta në mediat tona. Një pjesë e tyre shkelin edhe mbi të drejtat e njeriut, si ky tekst që po e recensojmë.

[Recension: “LGBT-isti nga Tetova: Homoseksualizmin nuk e solla unë, atë e gjeta në mesin tuaj”]Linku për te artikulli origjinal: LGBT-isti nga Tetova: Homoseksualizmin nuk e solla unë, atë e gjeta në mesin tuaj

Data dhe koha e publikimit: 08.02.2017

Data e recensionit: 10.02.2017

Recensues: Agron Vrangalla

S’do mend se pjesa dërrmuese e lajmeve “problematike” janë ato të fushës politike. Shumë rrallë ndodh që të hasen shkelje tek lajmet me natyrë sociale apo të ndonjë fushe tjetër. Sidoqoftë, lajme të ngjashme si ky në linkun më lart, vërtetë që janë të rrallë. Bile, mund të themi se në të është paraqitur një çështje, që deri diku vazhdon të jetë tabu në shoqërinë tonë dhe në mediat në gjuhën shqipe.

Tema në vetvete aspak nuk paraqet problem dhe shumë mirë që është parashtruar. Çështja është tek trajtimi që i është bërë asaj tematike, sepse fundja, neve si gazetarë më tepër na intereson ndërtimi i një storjeje nga pikëpamja profesionale, sesa problemi që trajtohet. Nuk ka tema të mira dhe të këqija, ka vetëm trajtime profesionale dhe jo-profesionale të temave, fenomeneve të ndryshme shoqërore, aspekteve devijante e kështu me radhë.

Duke u nisur dhe bazuar në këto premisa, mund të thuhet se teksti në fjalë ka disa probleme, të cilat kanë mundur të evitohen fare lehtë. Në radhë të parë, lëshimi profesional vërehet qysh në ‘vardisjen’ që i është bërë një personi me orientim të caktuar seksual, duke ndjekur e publikuar statuset e tij që ka bërë në Facebook. Por, sidoqoftë, nëse redaksia ka vendosur që të merret me statuset e këtij personi apo edhe të personave të tjerë, të cilët veten e konsiderojnë si njerëz me preferencë të ndryshme seksuale, atëherë trajtimi është dashur të bëhet pak me më shumë përkushtim.

Këtu kemi vetëm një status që ka postuar aktivisti për të drejtat e komunitetit LGBTI,  Bekim Asani, e më pas janë hedhur disa gjykime mbi të, të cilat zbulojnë një homofobi, të cilën edhe nuk është munduar shumë që ta fshehë autori i tekstit. Kjo lloj qasje e të bërit lajme nuk shkon, në asnjë rast. Në fakt lajmi fillon me një fjali konstatuese duke thënë se “Antari i vetëm shqiptar nga Tetova i shoqatës së homoseksualëve, LGBT ka provokuar me një status…”. Pra, të thuhet se ky person qenka anëtar një dhe i vetëm i shoqatës së komunitetit gay që vjen nga Tetova, i bie që të kesh bërë një hulumtim mbi orientimin seksual të tetovarëve dhe, në fund, rezultatet të të thonë se vetëm një person është deklaruar si homoseksual. E keni parasysh? Konstatimet jepen atëherë kur atyre u paraprijnë faktet, ndërkohë që këtu nuk e kemi një situatë të tillë.

Si duket autorin e tekstit e ka revoltuar thënia e autorit të statusit se ”Homoseksualizmin nuk e solla unë, atë e gjeta në mesin tuaj”. Dakord, kjo nuk është një shprehje që mund të kalojë pa asnjë lloj vëmendjeje nga të tjerët. Sigurisht se të bën të mendosh rreth asaj se kush ishte ai që u shpreh në këtë stil para pesëqind e kusur viteve (Skënderbeu kur kthehet në Shqipëri) dhe kush është një person me një orientim të caktuar seksual, i cili, sipas logjikës së rrethit, në vend se të heshtë, ai po thotë një gjë shumë të “rëndë” për botëkuptimet tona. Por, nëse e mendoni me pak qetësi, thellë-thellë, ky person nuk ka gënjyer kur e ka thënë këtë gjë. Homoseksualizmi ekziston si fenomen që kur  ekziston njeriu, dhe në këtë kuptim është e vërtetë se nuk është Bekim Asani ai që e “degjeneroi” familjen, qytetin apo shoqërinë, por se kjo ka ndodhur edhe më herët, mbase në mënyrë shumë më të heshtur dhe më të fshehur.

Është një debat që nuk ka fund dhe, për këtë arsye, nuk po i futemi fare. Por, në këtë rast, na intereson vetëm ana metodologjike e sendërtimit të një teksti gazetaresk që është bërë për të qenë lajm. Po të kushtohej pak më shumë kohë, po të ekzistonte gadishmëria për të bërë një lajm me të gjitha namet e nishanet, atëherë ai do të dukej kështu: Së pari, statusi i personit që veten e quan gay, nuk do të merrej copy-paste, por do të shërbente vetëm si një lajtmotiv, pikë nismëtare për të filluar storjen tonë fantastike. Në fillim, do të kërkohej një prononcim nga ai person, duke e pyetur rreth gjërave që lidhen me jetën e tij, apo çdo gjëje tjetër që na intereson neve si gazetarë për të “ngacmuar” kërshërinë e publikut tonë lidhur me këtë temë. Pasi të kemi marrë një mendim nga protagonisti i storjes tonë, që në këtë rast është një homoseksual, fillon më pas stolisja e ngjarjes.

Kjo stolisje mund të bëhet në forma të ndryshme, këtu po japim një variant të mundshëm, që jodomosdoshmërisht është më i miri. Për shembull, shqyrtohet Kushtetuta e vendit kur flet për liritë dhe të drejtat e shtetasve të Maqedonisë. E shohim se përsëri na mungon diçka në të, dhe çfarë bëjmë? Nisim me kombinimin e famshëm të gazetarisë që është “pro et contra”. Kontaktojmë ndonjë sociolog që të na shpjegojë fenomenin dhe reflektimet e tija në shoqëri, edhe për këtë komunitet por edhe për komunitetet rreth tij. Mund të flasim edhe me ndonjë psikolog, i cili ka pasur përvoja profesionale me këtë kategori të njerëzve dhe mund të na shpjegojë se si ndjehen ata në një ambient i cili nuk i pranon edhe gjithaq me pozitivitet. Ai me siguri se do të flasë për mënyrën e zhvillimit të një seance psikologjike apo mënyrën e trajtesave që u bën atyre që kërkojnë ndihmë nga ai në këtë kontekst. Meqenëse shoqëria shqiptare përbëhet nga një kulturë me traditë fetare, ndoshta do të ishte e preferueshme që storjen ta pasurojmë me opinionet e një teologu, i cili homoseksualizmin do ta trajtonte nga perspektiva fetare.

Tani më, edhe ne do ta vërejmë se storja na është pasuruar goxha me mendimet e ndryshme që kanë parashtruar burimet tona. Për t’a përmbyllur në një formë pak më speciale, përfshijmë edhe qëndrimet e ndonjë organizate që merret me afirmimin e të drejtave të grupeve të margjinalizuara, hulumtojmë rreth asaj se si paraqitet situata në rrafshin global, cilat shtete janë më liberale në raport me këto kategori njerëzish, cilat shtete janë kundër, çfarë thonë statistikat më të fundit, a paraqitet homoseksualizmi si vlerë, si anti-vlerë apo vetëm si e drejtë për të pasur orientim të ndryshëm seksual, e kështu me radhë.

Kur do t’i kemi bërë bashkë këto të dhëna, atëherë do të kemi potencial për një storje tërësisht profesionale dhe padyshim të vlerësuar nga publiku, qoftë prej atyre që vijnë nga krahu konservator (kushtimisht thënë), apo nga ata që kanë botëkuptime më liberale. Çdo formë tjetër me qëllime tendencioze, do të gjykohej negativisht nga publiku.

Kodi etik i gazetarëve është shumë i qartë kur thotë se:

“Gazetari nuk do të krijojë me vetëdije e as që do të trajtojë informacione që i rrezikojnë të drejtat dhe liritë e njeriut, nuk do të flasë me gjuhën e urrejtjes dhe nuk do të nxisë dhunë dhe diskriminim në çfarëdo qoftë baze (nacionale, fetare, racore, gjinore, sociale, gjuhësore, orientimit seksual, politike..).”

Shumë kollaj është të jesh profesionist kur rregullat janë të përcaktuara. Çfarë të bëjmë atëherë kur s’i kemi, se, kur i kemi, lehtë është, mjafton t’i vëmë në zbatim. Në këtë mënyrë gjithmonë ne si gazetarë do të dalim fitues. Lexuesi ynë do ta kuptojë se është duke lexuar një artikull profesional, pa tendenca të natyrave të ndryshme, është i balancuar nga të gjitha anët, dhe mbi të gjitha, gazetari në këtë rast sikur dëshiron të thotë: “Publiku im i dashur, unë shterova të gjitha burimet që kisha për të ofruar këtë material. E juaja është të vendosni se cilën anë do përkrahni dhe cilën do fajësoni. Unë jam gazetar, në tekstet e mia gazetareske (e sidomos në lajme) nuk ka heronj dhe tradhtarë, nuk ka fajtorë dhe të pafajshëm, nuk ka të pasur dhe të varfër, budallenj dhe të mençur, e kështu me radhë. Aty janë të gjithë të përfshirë, por emrin do t’ua vendosni ju, ndërsa unë po ua servir të gjitha, me qëllim që ju ta keni më të lehtë rrugën e krijimit të mendimeve mbi atë që na rrethon e na prek”.


Ky recension është përgatitur nga kuadër të Projektit të USAID-it për përforcimin e mediumeve në Maqedoni – Komponenta Shërbimi për verifikimin e fakteve nga mediumet, që implementohet nga fondacioni Metamorfozis.. Ky recension është mundësuar me përkrahjen e Agjencisë amerikane për zhvillim ndërkombëtar (USAID). Përmbajtja e analizës është përgjegjësi e autorit dhe nuk i paraqet qëndrimet e fondacionit Metamorfozis, USAID-it ose të qeverisë së SHBA-ve. Për më tepër informata për punën e USAID-it në Maqedoni, ju lutemi vizitoni ueb-faqen e USAID-it: (http://macedonia.usaid.gov) dhe faqen e USAID-it në Facebook: (www.facebook.com/USAIDMacedonia).

INFOGRAPHIC

infoVistinitostTRUTHFULNESS

ka fakte

Një pjesë e tyre

pjesërisht

infoVistinitostSOURCES OF INFORMATION

ka burime të evidentuara

jozyrtare

1 burim

një palë

infoVistinitostEXTENSIVENESS

jogjithëpërfshirës

ndoshta ka informata të fshehura

infoVistinitostBIAS

Jo

ka shtrembërim të së vërtetës (spin)

informata të rrejshme

është i njëanshëm

anshmëri komerciale, anshmëri tjetër

infoVistinitostCOMMENTING

ka elemente të komentimit

të integruara me faktet

infoVistinitostPLAGIARISM

vepër origjinale

infoVistinitostTITLE QUALITY

informon

jokreativ

senzacionalist

adekuat

tendencioz

infoVistinitostPHOTOGRAPH

ka

adekuate

informon

është theksuar autori (burimi)

infoVistinitostHATE SPEECH

gjuhë ofenduese

gjuhë nxitëse

Përdor gjuhë nxitëse

diskriminon

diskriminim sipas orientimit seksual

infoVistinitostEDITED FOR THE WEB

i lexueshëm

nuk aplikohet

nuk ka linke kontekstuale

i rregulluar në aspekt stilistik

i palidhur me tag-e

Abonohuni për lajmet më të reja