verifikimiifakteve.mksitemap
verifikimiifakteve.mksitemap

Kur politika ditore e medias është paralele e vijës partiake

on 20 - 10 - 2015       

media_politicsMedia në Maqedoni është akoma në fazën e saj të adoleshencës dhe çdo ditë po përballet me vështirësitë për gjetjen e identitetit të saj. Politika ditore dhe “agenda setting” e një medie varet nga interesat aktuale që ajo ka. Interesat mund të jenë disa por ajo që nuk mund ta mohojmë është ndikimi që ka politika mbi mediat. Politika duket sikur në heshtje e ka pranuar median si pushtet që rezulton të jetë edhe më i fuqishëm se ajo.

Në një shoqëri liberale dhe demokratike, media, supozohet që është e lirë të raportojë mbi të vërtetën pa kaluar nën prizmin e censurës dhe propagandës. Por kjo është një sfidë për të gjithë mediat e të gjitha vendeve. Edhe për mediat botërore që njihen si më të mirat, në sensin, më profesionale dhe që janë të njohura botërisht, ka njëfarë njëanshmërie dhe subjektiviteti sado e kamufluar me profesionalizëm qoftë ajo.

Këtë e thonë ekspertët e mediave dhe e pranojnë edhe vetë gazetarët e këtyre mediave.

Gazetari i CBS News, Sharyl Attkinson, në një intervistë të dhënë vitin e kaluar pranon: “… Nuk kam ndjerë asnjë rezistencë për të bërë artikuj që perceptoheshin si negative ndaj administratës së Bushit – nga askush, asnjëherë. Kam bërë artikuj që unë gjykoj se nuk janë pranuar mirë sepse njerëzit mendonin se do të reflektonin keq mbi qenerinë e Obamës.”

Disa shembuj të raportimeve të ditëve të fundit solli një analizë mbi lajmet e publikuara në media pas deklaratës së Presidentit Obama me rastin e sulmit të armatosur në Oregon ku ai tha:

“Do të kërkoja nga organizatat e lajmeve  – sepse unë nuk do t’i çoj këto fakte më tej – që të evidentojnë numrin e amerikanëve që janë vrarë nga sulmet terroriste gjatë dekadës së fundit dhe numrin e amerikanëve që janë vrarë nga sulmet me armë, dhe t’i publikojnë ata njëri përhrahë tjetrit gjatë raportimit të lajmeve. Ky s’do të jetë një informacion që vjen prej meje, por do të vijë prej jush.” Në analizë thuhet se Presidenti Obama këtë gjë e kishte kërkuar edhe herë të tjera por kësaj rradhe kërkesa ishte disi më direkte. Pas kësaj, mediat gjeneraun lajme me tituj: (CNN) “Vdekja e amerikanëve nga terrorizmi vs sulmet me armë në paraqitje grafike”; (Mother Jones) “Grafiku i sulmeve me armë që kërkoi Obama”; dhe (Newsweek) “Obama ka të drejtë, më shumë amerikanë vdesin nga sulmet me armë se sa nga terrorizmi”. Këto janë disa nga gjigandët mediatik botëror ku, siç shihet, politika ka ndikimin e saj në “agenda setting”.

Të lëmë anash problematikën e ndikimit të mediave globale nga politika sepse, ata kanë forma të tjera për të ushtruar ndikim e tyre, teknika që janë aq mirë të kamufluara sa duhen specialistë për t’i detekruar dhe interpretuar.

T’i qasemi problemit “në shtëpinë tonë”.

Gjendja e mediave në Maqedoni është më e mjerë. Një numër i konsiderueshëm i mediave janë nën pronësinë, menaxhimin apo financimin e personave që në një mënyrë ose në një tjetër janë aktiv në sferën politike. Gjë që është kundër etikës dhe kundër ligjit për mediat për arsye që mund të merren parasyshë. Kjo ndikon shumë në punën e medias dhe përcjelljen e informacionit dhe natyrisht, objektiviteti është i papërfillshëm. Qarkullojnë shumë informacione me tendenca manipulimi dhe propagandimi që janë aq evidente sa edhe një lexues i thjeshtë e ka të lehtë të detektojë se cila medie, cilit “klani” politik i takon.

Në media, veçanërisht, janë bërë të zakonshme lajmet që trajtojnë vetëm një anë të çështjes dhe nuk bëjnë ballafaqimin e argumentave të palëve të përfshira në të. Më shumë se të zakonshme janë bërë “lajmet” të cilat gjithë çfarë përfshijnë është një deklaratë zyrtare të një funksionari të një subjekti politik, ose vetëm një qëndrim të një qytetari të zakonshëm. Mendimi i tij personal është i rëndësishëm por nuk përfaqëson më shumë se aq – mendim personal. Çdo ditë bëhen “lajme”  edhe vetëm me një koment të një komentuesi të zakonshëm në rrjetet sociale, të mbështjellë nën ombrellën e një titulli bombastik dhe të prezantuar si top-lajm. Respekti ndaj opinionit të gjerë dëshmohet me informim të sakt dhe pasqyrimin e burimeve relevante. Burime relevante nuk mund të jenë miqtë e “gazetarit” në fejbuk si dhe postimet dhe komentet e tyre nuk mund të përbëjnë lajm.

“Gazetari” përcjellë bindjet e tij politike, të ngjeshura me komente personale dhe subjektivitet dhe gjykon që meqë e ka mbështetur atë me një burim në format e lartpërmendura “është i larë” dhe e ka bërë si duhet punën e tij. Kështu gjenerohen pafund lajme tendencioze dhe të një anshme që kanë si qëllimin nënçmimin e njërës palë dhe promovimin e palës tjetër. “…politika ka ndikuar dhe i ka dhënë formë medias më shumë se sa media ka ndikuar dhe i ka dhënë formë politikës.” Kjo sipas Remzi Lamit, studiues dhe drejtor i Institutit Shqiptar të Medias kur i referohet periudhës së tranzicionit të shteteve Ballkanike.

Përderisa trajtohet vetëm pjesërisht, ajo nënkupton, sikur qëndrimi i këtij individi është e vërteta absolute që media mbështet dhe qëndron me përgjegjësi pas tij. Parimisht, lajmi nuk duhet të prezantojë qëndrimet e medias dhe as të gazetarit dhe e konsideron “median si zgjatim të politikës”.

Ai që herë pas here na i hap sytë si për të na kujtuar se sa “në hall” jemi, është raporti i Freedom Hourse për lirinë e medias që edhe këtë vit rradhit Maqedoninë në vendin e fundit në Ballkan, ndërsa të parafundit në Evropë.

Politika duhet të mësojë teknika të tjera se si ta përdorë median për të bërë PR-in e vetes, por jo ta keqpërdorë atë duke cënuar lirinë dhe profesionalizmin e saj.

 


Kjo kolumnë është përgatitur nga kuadër të Projektit të USAID-it për përforcimin e mediumeve në Maqedoni – Komponenta Shërbimi për verifikimin e fakteve nga mediumet, që implementohet nga fondacioni Metamorfozis.. Kjo kolumnë është mundësuar me përkrahjen e Agjencisë amerikane për zhvillim ndërkombëtar (USAID). Përmbajtja e kolumnës është përgjegjësi e autorit dhe nuk i paraqet qëndrimet e fondacionit Metamorfozis, USAID-it ose të qeverisë së SHBA-ve. Për më tepër informata për punën e USAID-it në Maqedoni, ju lutemi vizitoni ueb-faqen e USAID-it: (http://macedonia.usaid.gov) dhe faqen e USAID-it në Facebook: (www.facebook.com/USAIDMacedonia).

Abonohuni për lajmet më të reja