verifikimiifakteve.mksitemap
verifikimiifakteve.mksitemap

Kush e tha se janë kriminelë?

on 18 - 11 - 2013       
Овој напис го има и на: Maqedonisht

Gazeta LAJM Kriminelet shkupjan plackiten 76 banesa ne Selanik-crop-resize

Në diskursin që bën autori i tekstit të lajmit, lexuesi e ka të vështirë të kuptoje a bëhet fjalë për tre të dyshuar si plaçkitës, me ose pa precedentë, apo për kriminelë të organizuar në banda kriminale.

 

Shkruan: Аurora Karametidoktore e shkencave të informacionit dhe të komunikimit

 

Kriminelët shkupjan plaçkitën 76 banesa në Selanik” njofton një e përditshme e Shkupit për një lajm që i referohet shtypit grek, më saktë gazetës javore Proto Thema. Një lajm bombastik me një tekst jo voluminoz, por që në trupin e tij të vogël mbart probleme të mëdha të kuadratimit dhe shkrimit profesional të lajmeve. Etiketimi dhe shkelja e së drejtës për supozim të pafajësisë janë dy çështjet më të mëdha për diskutim që ngre ky lajm.

Autori i lajmit i etiketon si “kriminelë”  të arrestuarit, për të cilët në tekstin e lajmit theksohet se janë “të dyshuar” si plaçkitës të banesave. Kjo kontradiktë në paraqitjen e fakteve del në pah që në fjalinë e parë

“Policia e Selanikut ka arrestuar tre kriminelë nga Shkupi, të cilët dyshohen se kanë kryer vjedhje”.

Në tekst nuk ka elementë të tjerë apo argumente që do mund të justifikonin apo të mbështesnin emërtimin “kriminelë” për personat e dyshuar. Gjithashtu nuk saktësohet se këta tre “kriminelë nga Shkupi” janë quajtur kështu nga gazeta greke Proto Thema për rastin e plaçkitjes disa mujore në Selanik, apo ata janë kualifikuar si “kriminelë” nga policia në Shkup.

 

“Kriminelë”, “bashkëpunëtorë” dhe “banda”

 

Në lajm tregohet se “janë arrestuar edhe dy bashkëpunëtorë të tyre nga Maqedonia” por kjo frazë mbetet gjysmake, pa u mbështetur me informacione nëse këta bashkëpunëtorë kanë lidhje me plaçkitjet e bëra në banesat e Selanikut, nëse janë arrestuar në Greqi apo në Maqedoni, nëse janë kapur nga policia greke apo ajo maqedonase etj. Ky lloj informacioni bëhet i domosdoshëm për korrektësinë e raportimit të lajmit pikërisht sepse në tekst, pasi flitet për të arrestuarit “kriminelë, plaçkitës” dhe “bashkëpunëtorët e tyre”, flitet edhe për “bandat”. Në diskursin që bën autori i tekstit të lajmit, lexuesi e ka të vështirë të kuptoje a bëhet fjalë për tre të dyshuar si plaçkitës, me ose pa precedentë, apo për kriminelë të organizuar në banda kriminale.

 

Ky lajm shkel të drejtën për supozim të pafajësisë së këtyre tre personave nga Shkupi, të cilët për momentin janë vetëm të dyshuar nga policia, por që në lajm paraqiten si “kriminelë”, pa saktësuar nëse ky etiketim është bërë në formën e akuzave nga policia greke ose maqedonase, nga gazeta greke, apo nga vetë gazeta që e risjell lajmin për lexuesin e Maqedonisë. Po sikur këta të dyshuar për vjedhje të dalin të pafajshëm nga hetimi, si do e justifikonte lajmi etiketimin e tyre si “kriminelë” të organizuar në “banda”?

 

Fjala “banda” është përdorur në numër shumës (një bandë-disa banda) që do të thotë se bëhet fjalë jo për një, por për më tepër grupime të këtilla. Asnjë sqarim shtesë nuk jepet në diskursin mbi këtë histori, që do mund të hidhte drite mbi organizimin e mundshëm të këtyre të arrestuarve me dyshimin për vjedhje në një apo më shumë banda kriminale.

 

Prej ku vjen etiketimi?

 

Lajmi do të kishte marre vlerë nëse ai do të përmbushte kriteret për saktësinë dhe vërtetësinë e të dhënave. Nëse në këtë diskurs do të ishte cituar në mënyrë profesionale burimi i lajmit, pra në këtë rast shkrimi i gazetës greke Proto Thema, për të cilin të ishin dhënë të gjitha referencat e nevojshme (si data e botimit, numri i faqes dhe emri i autorit) dhe/ose linku i shkrimit në versionin online, lajmi do përfaqësonte një pjesë informative me shumë interes për lexuesin, si një informacion i huazuar nga media e një vendi në gjuhën e të cilit të paktë janë ata që mund të lexojnë, ndryshe nga konsumi i zakonshëm i shtypit të huaj në gjuhë si anglisht, frëngjish, gjermanisht etj.

 

Në rast të një referimi të plotë ndaj lajmit origjinal, ky lajm mund të vendosej në një kornizë tjetër dhe të shkruhej me një qasje tjetër ku të viheshin në dukje elementë të caktuar,  për shembull a ka të dhëna nëse  këta të dyshuar janë kapur në flagrancë duke plaçkitur apo jo, a ka qenë ky një operacion i përbashkët i policive të të dyja vendeve, cilave burime u referohet gazeta greke, a pritet të ekstradohen të arrestuarit apo do të gjykohen në Greqi etj.

 

Etiketimi i të dyshuarve shkupjanë për plaçkitje si “kriminelë” dhe anëtarë në “banda”, në njëfarë mënyre sugjeron edhe rezultatin e procesit gjykues ndaj tyre. Nëse këtë etiketim e bën gazeta greke, apo policia greke, atëherë kjo duhet të vihej në dukje në versionin e lajmit për lexuesin lokal në Maqedoni. Sidoqoftë, vendimi i gjyqit për disa të dyshuar për vjedhje konceptohet shumë i ndryshëm nga vendimi i gjyqit për një bandë kriminale. Me këtë etiketim që u ka bërë personazheve të historisë nga Selaniku, autori i lajmit sugjeron një vendim gjyqësor me dënim të shkallës përkatëse për një “bandë kriminale”.

 

Diskursi i ndërtuar në këtë lajm gjithsesi nuk është origjinal. Përveç mungesës së fakteve në raportimin e lajmit, përveç mungesës së etikës profesionale për çështje delikate siç është aksioni policor dhe arrestimi i disa të dyshuarve, mungesës së burimeve të informacionit të cituara në mënyrë korrekte, lajmi vuan edhe nga probleme të drejtshkrimit, që i bëjnë disa segmente të tij pothuajse të vështirë për t’u lexuar. Gjuha e shkruar është larg rregullave të drejtshkrimit që pritet të zbatohen nga media informative. Madje edhe vetë emri i gazetës greke është shkruar gabim Prototema në vend të Proto Thema. Kuptohet që është bërë përpjekje për një lloj përshtatjeje në gjuhën e lexuesit, por titulli i gazetës gjithsesi përbëhet nga dy fjalë, jo nga një.


Kjo analizë është përgatitur nga kuadër të Projektit të USAID-it për përforcimin e mediumeve në Maqedoni – Komponenta Shërbimi për verifikimin e fakteve nga mediumet, që implementohet nga fondacioni Metamorfozis.. Analiza është mundësuar me përkrahjen e Agjencisë amerikane për zhvillim ndërkombëtar (USAID). Përmbajtja e analizës është përgjegjësi e autorit dhe nuk i paraqet qëndrimet e fondacionit Metamorfozis, USAID-it ose të qeverisë së SHBA-ve. Për më tepër informata për punën e USAID-it në Maqedoni, ju lutemi vizitoni ueb-faqen e USAID-it: (http://macedonia.usaid.gov) dhe faqen e USAID-it në Facebook: (www.facebook.com/USAIDMacedonia).

Abonohuni për lajmet më të reja