verifikimiifakteve.mksitemap
verifikimiifakteve.mksitemap

Leksion për redaktorët: Kultivojeni zjarrin

on 15 - 03 - 2017       
Овој напис го има и на: Maqedonisht

Redaktorët nuk duhet ta kultivojnë zjarrin e punës, ato duhet ta mirëmbajnë atë dhe t’i hedhin dru. Një nga detyrat më të rëndësishme të redaktorëve është që t’i frymëzojnë gazetarët. Suksesi i medieve varet nga gazetarët. Gazetarët, nëse kanë një redaktor të tillë, bëhen pasqyrë e energjisë së liderit entuziast ose të redaktorit letargjik, të pafytyrë dhe joshpirtëror.

 

Shkruan: Zoran Bojarovski

 

Puna në redaksi duhet të jetë në një nivel të lartë profesional, e përgjegjshme, dhe para së gjithash – zbavitëse. Reporterët duhet t’i gëzohen ardhjes në punë. Çdo ditë. Për menaxherët thuhet se duhet “të ndezin” vullnetin për punë. Gazetarëve, për shkak të natyrës edukative të punës që bëjnë, nuk u duhet një zjarr i tillë. Ata brenda vetes kanë zjarrin e vetë profesioni. Gazetarët e vërtetë. Redaktorët nuk duhet t’i vënë flakët zjarrit, ato duhet ta mirëmbajnë atë dhe t’i hedhin dru. Një nga detyrat më të rëndësishme të redaktorëve është që t’i frymëzojnë gazetarët. Suksesi i medieve varet nga gazetarët. Gazetarët, nëse kanë një redaktor të tillë, bëhen pasqyrë e energjisë së liderit entuziast ose të redaktorit letargjik, të pafytyrë dhe joshpirtëror. Redaktori gjithmonë duhet të mendojë nëse  vendimet e tij inkurajojnë ose shuajnë kreativitetin e gazetarëve në redaksi. Një redaktor i mirë duhet të dijë nëse ajo që bën ose ajo që thotë frymëzon impuls një impuls pozitiv tek kolegët e tij; nëse veprimet e tij janë inkurajuese, apo frustuese. Po, ndonjëherë redaktorët përcjellin lajme të këqija për punën e medies, për vendimet e menaxherëve, që ndikojnë në sigurinë financiare dhe sociale të gazetarëve. Por, këtë duhet ta bëjnë me sinqeritet dhe ndershmëri – hapur. Është e vështirë, por nuk është e pamundur.

 

kolaz 001 001 002 final

Një shembull klasik i „kultivimit të zjarrit“ – historia më e njohur e të gjitha kohërave – Robert Redford dhe Dustin Hoffman si Woodward dhe  Bernstein, gazetarë të Washington Post, në filmin „All the President’s men” për skandalin Watergate për shkak të të cilit presidenti Richard Nixon dha dorëheqje: Foto: vintageisclassic, 1976

 

 

Dhe po, puna në redaksi duhet të jetë zbavitëse edhe redaktorët duhet të jenë të parët në krijimin e një mjedisi pune kreativ dhe frymëzues. Në vazhdim ju ofrojmë disa rekomandime se si mund të arrihet kjo.

 

Bëjeni me kënaqësi punën e tuaj

 

Asnjë punë nuk është e përkryer, por pozita e liderit në një redaksi ofron mundësi për kreativitet, aktivitete interesante dhe kolegë dinamik. Gjithashtu, kjo detyrë kërkon shumë nga redaktori dhe ndonjëherë ai mund të mendojë se nuk ia vlen. Nëse nuk e bëni me kënaqësi punën tuaj, atëherë nuk do e bëni atë siç duhet. Nëse përballeni me një gjë të këtillë, pyeteni veten se çfarë ju bën të ndjeheni në këtë mënyrë. Zgjidhja mbase mund të jetë në duart Tuaja. Nëse zgjidhja është në duart e menaxherit, ju duhet tua bëni me dije këtë. Siç thamë, asnjë punë nuk është e përkryer. Por, nëse menaxheri është pengesa në rrugën drejt një atmosfere të përkryer në redaksi, a nuk mendoni se duhet t’ia thoni këtë? Nëse nuk pajtoheni me stilin e tij, menjëherë kërkoni nga ai që t’ju lirojë nga kjo detyrë. Së paku tregohuni i sinqertë me veten tuaj.

Lëvdoni kolegët tuaj çdo ditë

 

Çdo redaktor duhet të gjejë mënyrën dhe kohën, dhe ta ketë si pjesë të përditshmërisë, t’i lëvdojë gazetarët. Sado e lodhshme dhe e keqe të ketë qenë dita, duhet të gjeni mënyrë për të lëvduar ndonjë nga kolegët. Në mënyrë direkte, jo në përgjithësi. Në sy. „Shkrim i mirë“, „titull i mirë“, „deklaratë e shkëlqyer“ – nuk do ju bëjë dëm nëse ia thoni këtë. Duhet edhe të kritikoni, por kritikën mos u mundoni ta fshihni me ndonjë nga ato frazat e njohura, por të gabuara si „Titulli është i mirë, por…“ Mënyra e këtillë e të shprehurit nuk është mënyra e duhur.

 

Kritikat shndërroni në sfida

 

Redaktori nuk duhet të lejojë që të botohen shkrime gazetareske nën standardet e caktuara. Edhe nëse ndodh që të bëhet ndonjë lëshim, bisedoni me kolegun tuaj. Pyeteni se çfarë mendon ai për shkrimin e tij. Çfarë është mirë, e çfarë nuk shkon. Nëse bini dakord se diçka nuk është mirë, mos u sillni me autoritet sepse e keni ndihmuar që ta gjejë gabimin, por mundohuni të gjeni mënyrën për të zbuluar se përse ka ndodhur një gjë e tillë. Çfarë është dashur të bëhet që e gjithë kjo të dukej ndryshe. A bëhet fjalë për ndonjë gabim të rastësishëm, apo për ndonjë gabim për të cilin është e nevojshme punë më thelbësore për të përsosur shkathtësitë e gazetarit. Në këshillën tuaj ai duhet të shohë qëllimin tuaj të mirë dhe sfidë për diçka më të mirë, si për të ashtu edhe për medien. Kjo është zgjidhja, e jo një redaktor i mllefosur.

 

Lëvdatat shndërroni në sfida

 

Redaktori gjithmonë do i nxisë gazetarët që të jenë edhe më të mirë. Bashkë me to ai do ndihmojë që elementet pozitive e të mira të ekipit, të bëhen edhe më të mira. Këto lloj sfidash janë shkëndija energjie për arritje të reja dhe më të mira të gazetarëve.

 

Identifikoni bashkërisht qëllimet që duhet të arrihen

 

Gazetaria hulumtuese dhe e përgjegjshme për shoqërinë nuk bëhet në mënyrë të rastësishme. Redaktori i mirë, bashkë me gazetarët, duhet t’i caktojë planet afatmesme dhe afatgjate që duhet t’i realizojë redaksia. Redaktori do i përcaktojë prioritetet dhe do i ndajë detyrat sipas kapacitetit të secilit gazetar në veçanti, ose ekipeve të cilat ai do i formojë. Mos harroni të realizoni edhe detyrat dhe planet ditore – edhe ato për çdo ditë duhet të bëhen gjithnjë e më mirë: pse të mos ketë një burim më shumë, pse të mos ketë një foto më të mirë,  pse të mos ketë një burim ndryshe nga ato të zakonshmit… Mos harroni t’i rikujtoni gazetarët, por edhe veten tuaj: rutina e shkatërron profesionin.

 

Shprehni emocionet tuaja

 

Kolegët le ta shohin kur jeni të emocionuar, kur ju ka mahnitur ndonjë propozim për tekst, teksti i shkruar, dizajni i mirë, fotografia me një mijë fjalë… Pyetni ato se si do i zgjidhin detyrat ditore – shprehni miratimin tuaj. Pyetni nëse kanë nevojë për diçka më tepër – gjeni mënyrë për tua mundësuar atë. Mos e fshihni gëzimin që jua krijon çdo fitore e vogël gjatë ditës. Fitoret e vogla bashkë bëjnë fitoren e madhe të medies, gazetarëve, bashkësisë.

 

Tregoni se jeni njeri

 

Tregoje energjinë dhe entuziazmin edhe fizikisht, ta shohin edhe të tjerët. Nuk ka nevojë të bësh ndonjë gjë të veçantë, le të jetë një reagim në përputhje me karakterin tënd. Nëse në shtëpi ose me shokë kërcen nga gëzimi sa herë që Pandevi shënon gol, bëje këtë edhe në redaksi – kuptohet sipas vendit dhe rastit: Ju lumtë, Jemi shumë të fortë, duartrokitje… Vetëm mos rri i ngrysur dhe i ftohtë në përshëndetje. Një buzëqeshje dhe një „Mirëdita“.

 

Respektoni autorësinë e gazetarëve

 

Nëse jeni redaktor, ju tashmë dini të shkruani mirë, të përgatitni një storie të mirë gazetareske. Kjo do të që dini të rregulloni, e jo të „shkatërroni” një tekst të kolegut Tuaj. Çdo herë kini në mend se tekstet gazetareske kanë autorët e tyre me nënshkrimin e tyre në fund të fletës. Gjatë redaktimit kini respekt për këtë fakt. Mos diktoni. Kjo është poshtëruese. Çdo korrigjim duhet të ketë një shkak të arsyeshëm dhe racional dhe duhet të jeni të sigurt që çdo intervenim do e bëjë tekstin më të mirë. Ruajeni maksimalisht stilin e gazetarit. Nëse një gazetar këmbëngul që diçka të mbetet ashtu si e ka shkruar, mundohuni t’i kuptoni argumentet e tij. Qëndroni mendjehapur.

 

Komunikoni sy më sy

 

Sot, në erën e teknologjisë dixhitale komunikimi duket shumë i lehtë dhe i realizueshëm. Por, jo çdo mënyrë e komunikimit mund të bëhet përmes telefonit, postës elektronike apo nëpër rrjetet sociale. Vendimet më të rëndësishme, lëvdatat dhe kritikat duket komunikuar në sy. Nëse duhet të lëvdoni, bëjeni këtë me një buzëqeshje në fytyrë, dhe jo me një „smajll“. Nëse duhet të kritikoni, bëjeni këtë duke e parë tjetrin në sy. Mos shkruani mail kur jeni të nevrikosur. Letrat plot zemërim mbesin gjatë në memorien e kompjuterit, ndërsa një diskutim i mirë dhe produktiv sy më sy ka shumë mundësi të shndërrohet shumë shpejt në një sfidë të re. Dhe ajo, sfida e re, mund të komunikohet përmes postës elektronike. E shkruar në mënyrë sistematike, konstruktive, të detajuar.

 

Mbajeni gjithmonë aktiv sensin për humor

 

Disa redaktorë dinë të jenë shumë serioz. Ndonjëherë duhet të jesh serioz, por jo gjithl kohën. Kjo është e lodhshme. Dhe është një ndjenjë që përcillet edhe tek të tjerët. Ashtu siç përcillet edhe hareja, qasja zbavitëse ndaj punës, humori. Tani, zgjidhja ju mbetet Juve: do jeni serioz, apo me humor dhe zbavitës.

 

Evitoni sarkazmin

 

Sarkazmi dhe sensi për humor nuk janë e njëjta gjë. Shumë gazetarë dinë të jenë sarkastik, duke menduar kështu se kanë sens për humor. Mos e miratoni sarkazmin.

 

Kërkoni falje

 

Redaktorët gabojnë. Sarkazmi nuk i përmirëson gabimet, arroganca aq më pak. Mund ta humbisni durimin. Mund të keni qëllim të mirë, por ta përcillni atë në mënyrë të gabuar. Kërkoni falje. Qartë dhe zëshëm.

 

Respektoni jetën private të kolegëve

 

Gazetarët kanë jetën e tyre personale dhe private që zhvillohet jashtë redaksisë. Nëse për shkak të detyrave si gazetar ato neglizhojnë këtë pjesë të jetës së tyre, tregoni respekt. Kërkoni falje nëse i kërkoni në ditë kur ata nuk janë në punë, ose jashtë orarit të punës kur ata janë në shtëpi. Falënderoni kur të vijnë në punë në ditët që në fakt i kanë pushim.

 

Respektoni jetën Tuaj private

 

Bëni një punë që kërkon shumë angazhim. Do e bëni shumë më mirë dhe për një kohë më të gjatë nëse e respektoni shëndetin tuaj dhe pjesën private të jetës Tuaj. Kur detyrat e punës fillojnë tu marrin kohë nga jeta juaj private, kujdesuni që atë kohë që ju ka mbetur ta kaloni në mënyrë sa më cilësore. Mos lejoni që detyrimet e punës ta pushtojnë plotësisht jetën tuaj private. Në atë rast diçka nuk shkon me organizimin e punës. Gjeni shkakun  sa më shpejt të jetë e mundur.

 

Përgjigje për kohërat e këqija

 

Në kohën tonë, puna në medie po kalon nëpër vështirësi serioze. Ato mund të jenë si këto me të cilat po përballemi ne edhe këtu, por mund të jenë edhe ndryshe, si ato me të cilat përballen të gjithë dhe gjithnjë. Për punën në medie nuk mund të presim kohëra ideale. Në fakt, kohërat e këqija janë gjendja natyrale e medieve. Redaktori duhet të ballafaqohet me këtë dhe gjithashtu t’i ballafaqojë me këtë edhe kolegët e tij gazetarë. Në kohë të vështira duhen kapërdirë shumë kafshata të hidhura dhe të evitohen kritikat nëse ato nuk janë të domosdoshme për të ruajtur standardet gazetareske.

 

Mbështesni punën në ekip

 

Puna në medie (duhet të jetë) është produktive dhe kompetitive në aspektin kreativ. Kështu edhe duhet të jetë. Por jo duke u konfrontuar dhe duke e penguar njëri tjetrin. Redaktori duhet t’i dekurajojë sjelljet e këtilla. Në vend të konkurrencës joproduktive ai duhet të bëjë lidhje të aftësive dhe kapaciteteve të secilit prej tyre në punën në ekip. Gjejeni çelësin për një punë të suksesshme në ekip dhe do fitoni miqësi  si edhe një stimul më shumë për punë të suksesshme në gazetari. Mos i ndani kolegët. Shtojeni numrin e tyre!!!

 

Mendoni për njerëzit, jo vetëm për produksionin

 

Redaktorët janë përgjegjës që media të prodhojë storie të mira gazetareske, t’i respektojë afatet e caktuara, të arrijë shikueshmëri, lejueshmëri, të jetë atraktive për publikun.  Kjo është një gjë e vështirë, por ju prandaj e keni pranuar ta bëni këtë punë – sepse dikush ka menduar që ju mund ta bëni, e ju e kemi pranuar sfidën. Nuk ka kthim prapa. Por, produksioni është i pamundur pa njerëzit, kolegët, miqtë me të cilët deri dje punonit bashkë. Mos harroni se ato janë njerëzit me të cilët bashkërisht i keni arritur rezultatet.

 

Kremtoni sukseset bashkë me kolegët

 

Edhe një nga detyrat themelore të redaktorit. Ato duhet të dinë ta dallojnë potencialin që kanë kolegët dhe ti vendosin ato në pozitat e duhura, me qëllim që të fitohet një rezultat i mirë mediatik. Nëse redaktori arrin ta bëjë këtë gjë, ai suksesin duhet ta ndajë me to dhe tu shprehë mirënjohje. Luftoni edhe për shpërblim financiar për kolegët. Kur festoni me kolegët, shfrytëzoni rastin edhe të bisedoni për atë se çfarë mund të arrini nesër, në fazën e ardhshme. Kur bëni plane të hipur mbi krahët e suksesit, mund të jetë burim i shumë ideve të reja.

 

Në përpilimin e këtij teksti janë përdorur më shumë materiale nga faqja e internetit  Instituti Pointer, si dhe një përzgjedhje nga përvojat dhe arkivi i autorit të tekstit.


Ky leksion gazetaresk është përgatitur nga kuadër të Projektit të USAID-it për përforcimin e mediumeve në Maqedoni – Komponenta Shërbimi për verifikimin e fakteve nga mediumet, që implementohet nga fondacioni Metamorfozis.. Ky leksion gazetaresk është mundësuar me përkrahjen e Agjencisë amerikane për zhvillim ndërkombëtar (USAID). Përmbajtja e analizës është përgjegjësi e autorit dhe nuk i paraqet qëndrimet e fondacionit Metamorfozis, USAID-it ose të qeverisë së SHBA-ve. Për më tepër informata për punën e USAID-it në Maqedoni, ju lutemi vizitoni ueb-faqen e USAID-it: (http://macedonia.usaid.gov) dhe faqen e USAID-it në Facebook: (www.facebook.com/USAIDMacedonia).

Abonohuni për lajmet më të reja