verifikimiifakteve.mksitemap
verifikimiifakteve.mksitemap

Ligji për media: privatësia dhe e drejta e gazetarëve për informim

on 28 - 04 - 2015       
Овој напис го има и на: Maqedonisht
„Контролата врз информациите ја намалува Вашата приватност“ - Revaler Straße во Berlin. Фото: Tony Webster, 2014
“Kontrolli mbi informatat e zvogëlon privatësinë Tuaj” – Revaler Straße në Berlin. Foto: Tony Webster, 2014

 

Gazetarët dhe shoqatat e tyre reaguan se Ligji i ri për media do të jetë censurues, ndërsa në analizën e radio FAR-it u theksua se roli i censorit do ta ketë Këshilli për radiodifuzion, i cili u shndërruar në Agjenci për media, e cila, përveç për televizionet dhe për radiot, do të jetë kompetente edhe për gazetat dhe portalet në internet, të cilat deri tani nuk ishin të rregulluara me ligj.

 

Shkruan: Vllado Gjorçev

 

Me analizën e Ligjit për media të publikuar në Privatnost.mk, është konstatuar se materia që e rregullon ky ligj është specifike. Nga aspekti i zbatimit të parimeve për mbrojtjen e të dhënave personale, nuk ka mundësi të bëhet definimi preciz i të gjitha të dhënavе për personat për të cilët raportohet ose për personat që kanë lidhje me ta. Sipas analizës, megjithatë, duhet të definohen udhëzime të sakta për publikimin e të dhënave personale të personave për të cilët raportohet. Me këtë, njëkohësisht, do të vendoseshin edhe standarde për përpunim të drejtë të të dhënave personale, të cilat do të nënkuptonin edhe vendosjen e masave teknike dhe organizative për mbrojtjen e të dhënave personale nga media. Pëlqimi i subjektit, poashtu, duhet të parashihet me këtë ligj.

 

TË DHËNAT PERSONALE

Sipas praktikës botërore (e cila është përcjellë edhe në legjislacionin e Maqedonisë), gazetarët kanë të drejtë të publikojnë të dhëna personale (pa pëlqim), në qoftë se me këtë mbrohet interesi publik.

Të gjitha dispozitat e Ligjit për mbrojtjen e të dhënave personale nuk do të zbatohen mbi gazetarinë profesionale në qoftë se bëhet fjalë për interes publik, gjegjësisht person që kryen funksion publik ose diçka që është me interes publik. Mirëpo, kjo nuk do të thotë se gazetarët mund t’i keqpërdorin dispozitat ligjore dhe të publikojnë ndonjë emër dhe mbiemër pa pëlqimin e bartësit të funksionit publik në qoftë se nuk bëhet fjalë për interes publik.

Sipas Drejtorisë për mbrojtjen e të dhënave personale, gazetarët duhet të jenë të kujdesshëm gjatë vlerësimit të rëndësisë së informatës në raport me vëllimin e publikimit të të dhënave personale dhe duhet ta dijnë të vendosin balanc ndërmjet lirisë së informimit dhe të drejtës për privatësi dhe mbrojtjes së të dhënave personale të qytetarëvе.

Siç thotë për “Zhurnal.mk” Elena Stojanovksa , këshilltare për marrëdhënie me publikun në Drejtorinë për mbrojtjen e të dhënave personale, duhet që të dhënate publikuara personale të jenë adekuate, relevante dhe jo tepër voluminoze në raport me qëllimin për të cilin publikohen; të publikohen iniciale në vend të emrit dhe mbiemrit të personave ndaj të cilëve zhvillohet procedurë gjyqësore ose administrative.

Mediat duhet t’i anonimizojnë njerëzit, të mjegullojnë fytyrat, targat e automjeteve dhe të dhënat e tjera personale të qytetarëve.

Është e detyrueshme që të anonimizohen të dhënat personale të personave të mitur, të mjegullohen fytyrat e tyre, të ndryshohet zëri, të publikohen iniciale në vend të emrit dhe të mbiemrit dhe të zbatohen të gjitha masat e nevojshme që të pamundësohet identifikimi i tyre.

 

LIGJI PËR MEDIAT

Kur u miratuar Ligji për media, ai shkaktoi reagime të mëdha. Si në mesin e gazetarëve, të cilëve u dedikohet, ashtu edhe në mesin e ekspertëve.

Megjithatë, para se të miratohet Ligji në shtator të vitit 2013, në publik u paraqit një anketë, të cilën e publikoi portali “Kurir” në gusht të vitit 2013, sipas të cilës, 55 për qind e të anketuarve konsiderojnë se mediat në Maqedoni nuk raportojnë në mënyrë objektive. Madje 60 për qind e të anketuarve kanë thënë se korrupsioni te mediat është i përhapur shumë ose mesatarisht, ndërsa vetëm 13 përqind konsiderojnë se nuk ka korrupsion. Mediat janë dorë e zgjatur e partive për 83 për qind të të anketuarve, ndërsa 81 për qind konsiderojnë se ka lidhje ndërmjet biznesit, politikës dhe mediave.

Anketa ishte realizuar mbi një mostër reprezentative sipas gjinisë, moshës, përkatësisë etnike, vendbanimit dhe arsimit prej 1.080 të anketuarish në të gjitha 84 komunat.

Gazetarët dhe shoqatat e tyre reaguan se Ligji i ri për media do të jetë censurues, ndëra në аnalizën e radio FAR-it, u theksua se roli i censorit do ta ketë Këshilli për radiodifuzion, i cili u shndërruar në Agjenci për media, e cila, përveç për televizionet dhe për radiot, do të jetë kompetente edhe për gazetat dhe portalet në internet, të cilat deri tani nuk ishin të rregulluara me ligj.

Kryetari i SHGM-së, Naser Selmani, theksoi se sipas nenit 4 të Ligjit, liria e mediave do të mund të kufizohet kur Agjencia do ta vlerësojë se kjo është e nevojshme, në mes tjerash edhe për shkak të mbrojtjes së shëndetit ose moralit, mbrojtjes së autoritetit ose të drejtave të të tjerëve, pengimit të zbulimit të informatave të besueshme ose me qëllim të ruajtjes së autoritetit dhe të pavarësisë së pushtetit gjyqësor.

Me ligjin, është i ndaluar edhe publikimi i përmbajtjeve mediatike në mediat në të cilat rrezikohet siguria nacionale.

Këto formulime, që mund të interpretohen shumë gjerë, më së shumti i brengosin gazetarët, e këtë ata e prezantuan në debatet që u zhvilluan para miratimit të Ligjit.

Në publiku parashtrua dilema:

  1. Kush dhe si do të vlerësojë se ç’është rrezikimi i sigurisë nacionale?
  2. Cilat janë informata të besueshme?
  3. Si do të vlerësohet se cila informatë mund t’i shkaktojë dëm autoritetit dhe pavarësisë së pushtetit gjyqësore dhe pse ajo nuk guxon të komentohet ose të kritikohet sikurse ajo e dy pushteteve të tjera – atij ligjdhënës dhe ekzekutiv?
  4. Kush do të vlerësojë se çka është morale, e çka jo?
  5. Pse të kufizohet informata e cila mund ta dëmtojë autoritetin e dikujt kur ka ligj për shpifje dhe ofendim?

Të gjitha këto pyetje e hapën dilemën për mbrojtjen e të dhënave personale dhe për mundësinë të censurohen mediat që nuk do t’u pëlqejnë anëtarëve të Agjencisë.

 

ZGJIDHJET

Që të gjendet zgjidhje adekuate e cila do t’u shërbejë edhe mediave, e poashtu do t’i mbrojë edhe qytetarët, duhet ditur se e dhënë personale është çdo informatë e cila e dallon një person fizik nga tjeri në bazë të gjinisë, prejardhjes etnike, bindjes politike, fetare, filozofike, anëtarësisë në ndonjë organizatë sindikale, të dhënat shëndetësore, gjenetike dhe biometrike. Ligji për mbrojtjen e të dhënave personale i mbron vetëm të drejtat e personave fizikë – të individit, që do të thotë se personat juridikë nuk kanë të drejtë për privatësi. Përveç emrit dhe mbiemrit, numrit amë të qytetarit dhe adreës së banimit, e dhënë personale është edhe gjinia, gjendja familjare, numri i telefonit, lloji dhe shkalla e arsimit, profesioni, pseduonimi, të dhënat biometrike dhe gjenetike dhe të gjitha të dhënat e tjera, të cilat po të vendosen në korelacion të ndërsjellë mund të bëjnë identifikim të drejtpërdrejtë ose indirekt të ndonjë personi konkret.

Prandaj gazetarët duhet t’u përmbahen këtyre parimeve:

  • Gazetarët duhet të përmbahen që të bazohen në spekulime ose burime të çarshisë
  • Gazetarët duhet të përmbahen nga përshkrimet e detajuara të njerëzve të përmendur;
  • Redaktorët duhet të jenë shumë të kujdesshëm gjatë përzgjedhjes së fotografive.

E drejta e mbrojtjes së të dhënave personale gjithsesi është njëra nga të drejtat kryesore të njeriut, për të cilat janë vendosur dhe zbatohen standarde përkatëse nacionale dhe ndërkombëtare. Këtë të drejtë e jep edhe neni 18 i Kushtetutës së Republikës së Maqedonisë, i cili qytetarëve u garanton:

  1. siguri dhe fshehtësi të të dhënave personale
  2. mbrojtje nga shkelja e integritetit të tyre personal që del nga regjistrimi i informatave për qytetarët nëpërmjet përpunimit të të dhënave.

Prandaj, këtë të drejtë duhet ta shfrytëzojnë të gjithë, në mesin e tyre edhe gazetarët. Megjithatë, Ligji për media nëpërmjet kësaj të drejte në mënyrë subtile fut censurë, duke i mbrotjur, para së gjithash, funksionet publike. Prandaj, me të drejtë edhe SHGM-ja kërkonte që ky ligj, i cili në të ardhmen do të duhej të pësojë ndryshime, ta balancojë interesin publik, mbrojtjen e të dhënave personale dhe të drejtën e gazetarit të raportojë.

Burimet e shfrytëzuara:


Ky leksion gazetaresk është përgatitur nga kuadër të Projektit të USAID-it për përforcimin e mediumeve në Maqedoni – Komponenta Shërbimi për verifikimin e fakteve nga mediumet, që implementohet nga fondacioni Metamorfozis.. Ky leksion gazetaresk është mundësuar me përkrahjen e Agjencisë amerikane për zhvillim ndërkombëtar (USAID). Përmbajtja e analizës është përgjegjësi e autorit dhe nuk i paraqet qëndrimet e fondacionit Metamorfozis, USAID-it ose të qeverisë së SHBA-ve. Për më tepër informata për punën e USAID-it në Maqedoni, ju lutemi vizitoni ueb-faqen e USAID-it: (http://macedonia.usaid.gov) dhe faqen e USAID-it në Facebook: (www.facebook.com/USAIDMacedonia).

Abonohuni për lajmet më të reja

Sorry. No data so far.