Luftë paranoike kundër jashtëtokësorëve nga planeti “SOROS”
Published in Analiza
on 30 - 01 - 2017 Author: Борис КамчевDepërtimi i lehtë i termeve “agjent i huaj” (në Rusi) ose “SOROS” (në Maqedoni) në shumë medie proqeveritare është strategji e paramenduar e qendrave të fuqisë të kontrolluara nga pushteti. Zakonisht, këto terme gjithmonë janë të shoqëruara me ofendime dhe shpifje të drejtpërdrejta, si “kolonë e pestë”, “sorosoidë”, tradhtarë”, “spiunë”, “shkatërrim i Maqedonisë” e të ngjashme, pa informim objektiv dhe në mungesë të deklaratës ose të komentit nga pala tjetër, gjegjësisht nga vetë organizata ose fondacioni, që është cak i sulmit.
Shkruan: Boris Kamçev nga Sankt Petersburgu
Katër vjet pas miratimit të ligjit për “agjentë të huaj”, mediet e pakta të pavarura në Rusi transmetojnë për sektorin e venitur qytetar dhe për problemet kafkiane me të cilat ballafaqohen organizatat joqeveritare në vend.
Ministria ruse e Drejtësisë deri tani riregjistroi 145 оrganizata. Ligji në mënyrë drakonike thotë se “organizatat qytetare që merren me veprimtari publike duhet të konsiderohen agjentë të huaj”. Me kontrollime të ndryshme dhe me inspektime të rregullta, është pamundësuar ose është penguar puna e çdo OJQ-je që merr qoftë edhe ndonjë shumë simbolike nga jashtë. Publikisht ose nëpërmjet internetit, të gjitha këto organizata ose institucione duhet të emërtohen me emrin ofendues “agjentë të huaj”. Për shkak të kësaj, shumë prej tyre i ndërprenë veprimtaritë e tyre bamirëse, e kishte edhe të tilla, sikurse “Dinastia” e filantropit Dmitrij Zimin, të cilat ishin fondacione të pastra.
A dëshiron pushteti maqedonas në largim me deklaratën e dhjetorit të ish-kryeministrit Nikolla Gruevski për “desorosoizim” dhe me instruksionet e dhëna në mënyrë të qartë në intervistën e tij për javoren “Republika” të bëjë një entitet të tillë antiutopik siç ëshë Rusia? Ia qëlluat, përgjigja është pozitive, për shkak se, deklarata e Gruevskit është reagim ndaj aktivizmit të zgjuar qytetar në vend, pasi zgjedhjet e fundit rezultuan me humbje të pushtetit absolut të VMRO-DPMNE-së. Në Rusi, ligji represiv kundër organizatave joqeveritare ishte përshtatje e regjimit të Vlladimir Putinit ndaj lëvizjes së ringjallur protestuese në vend nga fundi i vitit 2011 dhe në vitin 2012. Zeniti i represioneve arrit në qershor të vitit të kaluar, kur u soll ligji për antiterrorizëm, me të cilin operatorët rusë të telefonisë janë të obliguar t’i inçizojnë dhe t’i ruajnë të gjitha bisedimet në afat prej gjashtë muajsh.
STRATEGJI E PARAMENDUAR PËR MARRËDHËNIE ME PUBLIKUN
Depërtimi i lehtë i termeve “agjent i huaj” (në Rusi) ose “SOROS” (në Maqedoni) në shumë medie proqeveritare është strategji e paramenduar e qendrave të fuqisë të kontrolluara nga pushteti. Zakonisht, këto terme gjithmonë janë të shoqëruara me ofendime dhe shpifje të drejtpërdrejta, si “kolonë e pestë”, “sorosoidë”, tradhtarë”, “spiunë”, “shkatërrim i Maqedonisë” e të ngjashme, pa informim objektiv dhe në mungesë të deklaratës ose të komentit nga pala tjetër, gjegjësisht nga vetë organizata ose fondacioni, që është cak i sulmit.
Shembuj të tillë në mediet e Maqedonisë, ja disa:
- VMRO-DPMNE: Fillon procesi i desorosoizimit
- Dimovski: Desorosoizimi është kthim i demokracisë te qytetarët
- Nenad Jovanoviq: Desorosoizimi VS. Degruevizimi
Sipas kësaj strategjie, fjalët kyçe si “agjent i huaj” ose “SOROS” duhet, në fakt të jenë eufemizma për diçka shumë më të tmerrshme. Ato, zakonisht, transmetohen edhe nga mediet e pavarura ose opozitare dhe në këtë mënyrë rrethi mbyllet. Duke pasur parasysh faktin se në vendet autoritare siç është Maqedonia dhe Rusia, për shkak të medieve të robëruara, populli në përgjithësi informohet nga kanalet televizive dhe portalet shtetërore ose proqeveritare, shumica është e bindur se “agjent i huaj” ose “SOROS” janë, në fakt, sinonime për “spiunë amerikanë”, “kolonë e pestë”, “liberalë homoseksualë”, “lehtësues”, “jobesimtarë” e të ngjashme. Për pasojë, çdo OJQ ose fondacion që pranon donacione të huaja është instrument i ndonjë force perëndimore për shkatërrimin e shtetit, gjegjësisht dorë e zgjatur e konspiracionit botëror kundër Maqedonisë.
Redaksitë, redaktorët dhe gazetarët duhet të jenë të vetëdijshëm për strategjinë për marrëdhënie me publikun që ka për qëllim njollosjen e sektorit joqeveritar dhe në të ardhmen duhet të jenë më të kujdesshëm gjatë përdorimit të këtyre termeve në publikimet e tyre. Termet ad-hoc si “desorosoizim” ose “sorosoidë” duhet të hiqen nga përdorimi në tekstet gazetareske, për shkak se ato përdoren vetëm në gjuhën tonë, në një farë mënyre bëhen zhargon, edhe pse nuk kanë asnjë rëndësi lokale, as sociale-kulturore rajonale, e aq më pak historike.
Gjegjësisht, ato nuk janë neologjizma, të llojit “putinizim”, “putinizëm” ose “leninizëm”, që janë terme të pranuara gjerësisht, paraqitja e të cilave është në kontekst të disa proceseve të ndërlikuara sociale, politike ose historike në nivel rajonal ose botëror, që janë përdorur në fjalorin e hulumtuesve dhe shkrimtarëve të ndryshëm në analizat, librat dhe veprat e tyre shkencore për këto procese. Thjesht, shkruani “putinization” dhe kërkuese “Google” ju jep definicione të sakta për këtë term, duke filluar nga “Wikipedia“. Kundrejt fjalës “de-sorosoization“, ku “Google” ju ofron ta korrigjoni fjalën e shkruar gabimisht, me rezultate të pakta vetëm në versionet në gjuhën angleze të portaleve maqedonase.
Kjo tregon se Maqedonia është shoqëria plotësisht e izoluar që ka krijuar fluskën e saj të njëfarë lufte paranoike kundër jashtëtokësorëve nga planeti “SOROS”.
RUSIA SOT, MAQEDONIA NESËR
Sot në Rusi aktivizmi qytetar është minimizuar në zero dhe në shkencë, kulturë ose në fushën sociale nuk ka donacione të pavarura. Gjithçka që bëhet në këtë fushë është e mbështetur ose nga shteti ose nga strukturat afariste të afërta me pushtetin. Aktivizëm i venitur dhe i pavarur qytetar do të thotë mosinteresim dhe mospjesëmarrje në politik, apati ndaj përpjekjeve opozitare për të ndryshuar diçka në vend. Poashtu, kjo do të thotë apolitizim i përgjithshëm i qytetarëve për zgjidhjen madje edhe të problemeve të tilla lokale siç është ambienti i pastër ose reklamat vulgare për prostitucion, të cilat masovikisht përhapen me shkarravitje ose ngjitje në megalagjet me ndërtesa banimi në qytetet e mëdha ruse.
Mirëpo, pse është kjo kështu? Pse në shoqërinë ruse ka interes të vogël ose fare nuk ka interes për aktivizëm qytetar? Një hulumtim i Qendrës për hulumtim të mendimit publik “Levada” (organizatë e cila është shpallur si “agjent huaj”, dhe e cila, sikurse shumë të tjerë, e konteston këtë në gjykatë), zbuloi se vetëm 20 për qind e të anketuarve kanë dëgjuar për këtë ligj, e madje 70 për qind thjesht nuk dijnë për të. Ndërsa vetëm 2-3 për qind e popullatës është më e informuar dhe e di saktë se për çka bëhet fjalë.
Megjithatë, kur para të anketuarve paraqitet termi “agjent i huaj”, “Levada” tregon se për 45 për qind të tyre këto fjalë asocojnë në “spiun të shërbimit të huaj të zbulimit”, “punëtor operativ i CIA-s, “kozak mercenar”, “rekrutues“ etj. Ndërsa 7 për qind të të anketuarve u vijnë edhe asociacione të tjera, si “armik i popullit”, “djall i Rusisë” ose “renegat”.
Hulumtimi përfundon se në shoqërinë ruse ka konsensus, gjegjësisht 66 për qind e të anketuarve konsiderojnë se organizatat joqeveritare dhe fondacionet nuk mund të jenë të pavarura nga sponsorët e tyre të huaj, se sponsorët e huaj realizojnë njëfarë agjende të fshehtë në Rusi për minimin e shtetit, paqes dhe stabilitetit. Dyshime ka edhe për motivet e pranueseve të granteve, si dhe për mundësinë për realizim të pavarur të qëllimeve që i deklarojnë ato organizata.
Prandaj, detyra kryesore e qendrave të fuqisë në vendet autoritare siç është Rusia, para së gjithash, e qendrave të saj mediatike, të cilat janë nën kontroll të drejtpërdrejtë të regjimit, është plotësuar. Shumica e popullatës ka ndjenja refuzuese dhe të mosdurimit ndaj sektorit qytetar. Regjimi është i kënaqur për shkak se qytetarët jetojnë në një trans të vazhdueshëm apolitik, sikurse në filmin “Matriks”, pa e vënë në dyshim autoritetin dhe politikat e pushtetit.
Me gjahun e filluar të shtrigave në Maqedoni, qëllim i ngjashëm ekziston edhe në vizionet e kreut të VMRO-DPMNE-së, gjegjësisht nga shteti të krijojnë një vend antiutopik dhe totalitar siç është Rusia.