verifikimiifakteve.mksitemap
verifikimiifakteve.mksitemap

Maqedonia, vend në kolaps moral

on 3 - 07 - 2015       
Овој напис го има и на: Maqedonisht
15154800308_5deaa4c147_o
Refugjatët sirianë. Foto: EC/ECHO

 

 

Jemi të vërshuar nga mediat për ngjarjet që ndodhin, edhe atë, kryesisht për dy gjëra. E para është afera e përgjimit, dhe e dyta kriza me refugjatët. Mirëpo, në të dyja rastet, mediat nuk përpiqen t’i sqarojnë shkaqet më të thella për sjelljen tonë ndaj këtyre ngjarjeve 

Shkruan: Аleksandar SHOLJAKOVSKI

 

Në të dyja rastet ka diçka të përbashkët dhe padyshim imponohen pyetje dhe dilema serioze morale. Në rastin e parë, pyetja është: si ka mundësi të lejohet që të ndodhin devijime të tilla morale te pushteti? Në të dytin: pse sillemi ndaj refugjatëve në një mënyrë aq të pahijshme?

Në të dyja rastet, së paku nga ajo që vjen te ne si njohuri dhe informatë mediatike, kryesore janë njohuritë monstruoze për çrregullimin dhe shpërbërjen e plotë të vlerave, veçanërisht te politikanët, dhe për mungesën e çfarë do qoftë morali, etike dhe humanizmi te qytetarët, kur bëhet fjalë për refugjatët.

Nga informatat e përditshme në media, një gjë është e qartë – deklasimi moral i shoqërisë sonë e ka arritur klimaksin e tij. Pushteti, i kapur në vepër, me dhjetëra veprime jomorale (për joligjore të mos flasim), e promovon tezën se, punon në “emër të popullit”! Partia në pushtet në mënyrë shumë vullgare barazohet me shtetin dhe vazhdon ta mbrojë këtë qëndrim katastrofal. Erdhëm deri në atë situatë sa madje edhe personaliteti i Nënë Terezës, e cila gjithë jetën dhe veprimtarinë e saj ia kushtoi humanizmit, përkujdesjes së të pafatëve, të varfërve, tani shfrytëzohet për qëllime propaganduese-përfituese, duke paralajmëruar ngritjen e përmendores që do të kushtojë mbi pesë milionë euro! Shkupjanja, e cila u bë simbol planetar i humanizmit dhe i bashkëndjenjës për vuajtjet e njerëzve, si dhe modestia e saj, shfrytëzohen si arsyetim për qëllimet e shtrembëruara jomorale dhe kriminale të udhëheqësisë që është në pushtet.

Në rastin e dytë, me refugjatët, mbetemi të befasuar nga sjellja johumane, e pacivilizuar, monstruoze ndaj të gjithë atyre që vijnë në kontakt me refugjatët, të cilët dëshpërimi, detyrimi i skajshëm, dhuna dhe terrori i kanë detyruar të largohen nga shtëpitë e tyre dhe tani në ngërç kërkojnë shpëtim në ndonjë vend tjetër. Në këtë rrugëtim, ata hasin në maltretimet e njëjta të cilat i kanë përjetuar nga dhunuesit prej të cilëve ikin! Maqedonia rastësisht është gjetur në rrugën e tyre. Ata nuk kanë për qëllim të mbeten këtu, vetëm kalojnë, askë nuk e rrezikojnë dhe gjatë këtij udhëtimi përjetojnë edhe një golgotë. Qytetarët tanë, të Maqedonisë, i plaçkisin, i shantazhojnë, i maltretojnë fizikisht, i dhunojnë, e ata sikur bisha në ikje, vdesin nëpër hekurudha dhe nëpër rrugë. Të gjitha fatkeqësitë e tyre të reja vijnë nga bashkëqytetarët tanë, nga policia jonë, pyshteti ynë, tregtarët tanë… Ajo pak përkujdesje e organizuar bëhet në kushte aspak humane, me rreziqe për sëmundje ngjitëse dhe fatkeqësi të reja.

A është i vetëdijshëm qytetari i Maqedonisë për atë që e bën? Angazhimi, aksioni i një zonje nga Velesi, e cila u ndihmon refugjatëve kalimtarë, nëpër media u prezantua si kuriozitet, përjashtim, në vend që të jetë shembull i sjelljes normale të një njeriu moral që është ballafaquar me fatkeqësinë e dikujt.

 

MAQEDONASIT MË RELIGJIOZË

Para do kohësh, në një anketë evropiane, maqedonasit ishin ranguar si një nga kombet më religjioze në Evropë. Shumë e lartë ishte përqindja e atyre që fenë e kanë potencuar si përcaktim të tyre jetësor dhe moral. E ajo, feja, cila do qoftë, flet dhe udhëzon, para së gjithash, për njerëzi, për ta ndihmuar të afërmin, për solidaritet në fatkeqësi, për bashkëndjesi… Aq për religjiozitetin e njerëzve më religjiozë në Evropë!

Përpjekja e para njëzet viteve e profesorit Kiril Temkov, i cili angazhohej për futjen e lëndës së obligueshme të etikës në shkollat tona, u injorua, e diku madje edhe u përqesh.

Shkatërrimi i moralit në shoqërinë tonë është një proces që zgjat një kohë të gjatë në këto kohë moderne. Pas revolucionit (!?), komunistët, duke u përpjekur që të krijojnë moral të ri, në përputhje me ideologjinë e tyre, i prishën normat e sjelljes që vlenin deri atëherë. Morali qytetar përshkruhej si reaksionar, morali tradicional fshatar, me shpërnguljen masovike të banorëve të mjediseve rurale në qytet, u shndërrua në karikaturë, religjioziteti shihej si diçka shumë e keqe… Komunistët, edhe pse kishin qëllim, nuk arritën ta imponojnë moralin e tyre “socialist”. Më kujtohet diku rreth viteve të pesëdhjeta dhe të gjashtëdhjeta të shekullit të kaluar, në shkolla kishte një lëndë që quhej “morali socialist”. Madje edhe arsimtarët, që ligjëronin, nuk e kishin të qartë se për çka janë të angazhuar. Koha e bëri të veten, dispozitat morale të komunizimit mbetën vetëm kujtim, u harruan, degjeneruan.

Rënia e komunizmit e shënoi edhe rënien e të gjitha sistemeve të deriatëhershme, të tilla siç ishin, morale dhe etike, ndërsa si themelues të normave të reja i paraqitën partitë ose “religjioni i ri” – politika ose ajo që që nënkuptohet me të! Mirëpo, kjo shumë shpejtë u shndërrua në ndëshkim moral.

 

NORMAT E REJA MORALE

Sipas normave të reja, është e lejuar gjithçka që mund të sjellë dobi. Mirëpo, jo dobi të përgjithshme, por individuale, vetëm për një grup të vogël, të mbledhur rreth pushtetit aktual. Me “kodet” e tilla u bë një shpërndarje (vjedhje) e re e pasurive. Ato u shpërndanë në mesin e udhëheqësisë së lartë dhe të ngushtë (partiake) dhe të afërmve të tyre. Kjo gjendje solli në situatën e sotme, kur partia e cila grabiti krejtësisht pushtetin, udhëheq me pjesën më të madhe të pasurive, të fituar dhe të mbështetura me zgjidhje “ligjore” kriminale. Ky është morali i ri ku degjenerohen edhe të gjitha normat etika. Vjedhja, jomorali, vlerat e shtrembëruara, rrena, mashtrimi… ato janë “Dhjetë urdhërat” e tyre të Zotit. Grabitja e tokës për ndërtim është veprim moral, vjedhja e fondeve sociale poashtu, provizioni për punën e dhënë veçanërisht… E gjithë kjo është në rregull, vetëm në qoftë se është në dobi personale ose të partisë. Ndryshimi i identitetit nacional, pse jo, nëse përputhet me idetë e çmendura të udhëheqësit.

Këtë shoqëri, përveç zgjidhjes së devijimeve në pothuajse të gjitha segmentet e jetës sociale, e pret edhe një ripërtrirje morale, në qoftë se dëshiron të dalë nga situata kaotike, për ta dalluar të mirën dhe të keqen. Kjo ripërtrirje morale duhet të përfshijë një listë të gjerë të përgjegjësve për shkatërrimin moral, mirëpo edhe një listë të gjerë të atyre që duhet ta bëjnë këtë ripërtrirje.

Prandaj, nëse mediat duan të merren me thelbin, t’i sqarojnë fenomenet e rënies morale te ne, duhet t’u kushtojnë shumë më tepër vëmendje përgjegjësive për atë ripërtrirje, e jo vetëm ta regjistrojnë kaosin në të cilin gjendemi.


Kjo kolumnë është përgatitur nga kuadër të Projektit të USAID-it për përforcimin e mediumeve në Maqedoni – Komponenta Shërbimi për verifikimin e fakteve nga mediumet, që implementohet nga fondacioni Metamorfozis.. Kjo kolumnë është mundësuar me përkrahjen e Agjencisë amerikane për zhvillim ndërkombëtar (USAID). Përmbajtja e kolumnës është përgjegjësi e autorit dhe nuk i paraqet qëndrimet e fondacionit Metamorfozis, USAID-it ose të qeverisë së SHBA-ve. Për më tepër informata për punën e USAID-it në Maqedoni, ju lutemi vizitoni ueb-faqen e USAID-it: (http://macedonia.usaid.gov) dhe faqen e USAID-it në Facebook: (www.facebook.com/USAIDMacedonia).

Abonohuni për lajmet më të reja