verifikimiifakteve.mksitemap
verifikimiifakteve.mksitemap

Mbështetemi te ‘babagjyshi’ për zgjidhjen më të mirë

on 25 - 12 - 2015       
Овој напис го има и на: Maqedonisht

“Fshehtësia – streha më e mirë e të paaftëve – duhet të jetë në nivelin më të ulët në një shoqëri demokratike, për arsye se një publik i informuar për gjithçka përbën bazën e vetë-qeverisjes. Ata që janë zgjedhur ose janë përcaktuar në poste të larta qeveritare, duhet të pranojnë se qeveria, në një vend demokratik, nuk mund të jetë më e mençur se populli.”

Komiteti i Brendshëm për Aktivitetin e Qeverisë (SHBA)

Raporti i vitit 1960

mikrofonePër vendet e politizuara skajshmërisht vlen një e vërtetë e hidhur; kur politika futet në krizë, kriza pushton të gjithë sferat tjera të jetës, kjo do të thotë edhe përditshmërinë e njerëzve. Këtë herë në Maqedoni, pasojat e rënda, në mënyrë direkte, bien edhe mbi mediat.

Më në fund, politika u detyrua ta pranojë se sfera e mediave është në gjendje të mjerueshme dhe ka nevojë për reforma. Ajo që nuk arrin ende të pranojë, është masa e reformave të nevojshme; a do të jenë ato thelbësore duke filluar nga rrënja e gjithë sistemit mediatik, ose do të jenë reforma “estetike”, sa për t’u dukur “të bukura” në shikim të parë, por të mos ndryshojnë shumë në përmbajtje nga çfarë janë aktualisht.

Fati i mediave është vënë mbi tryezë dhe (nga ata pak informacione që i jepen publikut) debati duket të jetë mbi atë se ‘kush’ do të marrë copën më të madhe. Kjo, në fakt, është përshtypja që krijohet te masa nga copëzat e informacioneve që marrin, ngase asgjë zyrtare për atë se ç’diskutohet brenda nuk del jashtë katër mureve të objektit ku thuret fati i tyre.

Sapo ju zgjatet një mikrofon përpara, të gjithë aktivizojnë rolin e tyre skenik për të aktruar gjoja se janë për zgjidhje dhe pavarësi të medies. Logjikisht veprimet e tyre thonë të kundërtën. Fakti që hapur po anashkalohen propozimet e arsyeshme të ndërmjetësit ndërkombëtar Piter Vajhojte, ngjallë dyshime se asgjë e mirë nuk pritet nga debati për mediat. Refuzimi i propozimit të tij nga partitë politike vetvetiu të krijon dyshime se ai është aq propozim i mirë-menduar nga ndërkombëtarët sa partitë tona, brenda atij propozimi, nuk gjejnë dot ide për një metodologji të re të ushtrimit të ndikimit të tyre te mediat. Derisa të gjenden metodat, debati do të vazhdojë.

Zhgënjimi i publikut nga përfaqësuesit e tyre shtetëror është i madh (u dëshmua me rezultatet e disa anketave) sidomos pasi gjendja politike e vendit ka fituar edhe vëmendje ndërkombëtare dhe po qortohemi rëndë prej tyre. Në një situatë të këtillë është normale që propozimet e “të huajve” të shihen si “shpëtim”. Meqë përfaqësuesit e mediave dhe gazetarët nuk kyçen aspak në bisedime, aty brenda, Vanhojte është personi me më pak interes për të marr pjesë në “ndarjen e kulaçit të mediave”, prandaj, logjikisht, propozimi i tij (pa u futur në përmbajtje) patjetër të jetë më i përshtatshmi.

Nga zgjatja e debatit përfitojnë që të gjitha partitë sepse vazhdojnë të ushtrojnë ndikimin e tyre mbi programet mediatike në këtë periudhë parazgjedhore ku çdo sekondë transmetim e kanë të rëndësishëm. Këto njerëz e njohin shumë mirë fuqinë e medias prandaj edhe duan “ta pushtojnë”. Format e ushtrimit të propagandës politike në media po bëhet gjithmonë e më evidente kurse publiku po bëhet gjithmonë e më i mprehtë për ta kuptuar. Ai po e humb durimin.

Pronarët, financuesit, të punësuarit, politika redaktuese, janë të gjitha gjëra që në një medie mund të ndryshojnë. Çfarë nuk ndryshon është targeti, d.m.th. publiku. Mediat veprojnë dhe mbijetojnë fal publikut dhe një publik i mirëinformuar është baza e demokracisë.

2015-tën po e mbyllim me çështje të pazgjidhura dhe dilema mbi të ardhmen e mediave por “dhurata e babagjyshit” për 2016-tën presim të jetë një zgjidhje e drejtë. Para së gjithash e drejtë për publikun sepse atij i detyrohen aq shumë, pastaj edhe për mediat e prekura nga ndryshimet e mundshme.


Kjo kolumnë është përgatitur nga kuadër të Projektit të USAID-it për përforcimin e mediumeve në Maqedoni – Komponenta Shërbimi për verifikimin e fakteve nga mediumet, që implementohet nga fondacioni Metamorfozis.. Kjo kolumnë është mundësuar me përkrahjen e Agjencisë amerikane për zhvillim ndërkombëtar (USAID). Përmbajtja e kolumnës është përgjegjësi e autorit dhe nuk i paraqet qëndrimet e fondacionit Metamorfozis, USAID-it ose të qeverisë së SHBA-ve. Për më tepër informata për punën e USAID-it në Maqedoni, ju lutemi vizitoni ueb-faqen e USAID-it: (http://macedonia.usaid.gov) dhe faqen e USAID-it në Facebook: (www.facebook.com/USAIDMacedonia).

Abonohuni për lajmet më të reja