verifikimiifakteve.mksitemap
verifikimiifakteve.mksitemap

Mediat e robëruara: edhe gazetat vdesin nga varfëria

on 3 - 09 - 2014       
Овој напис го има и на: Maqedonisht
В ќош. Фото: Dr. Meier, Newspaper Nikki, 2005

Në qosh. Foto: Dr. Meier, Newspaper Nikki, 2005

A e di dikush në vend se sa media, gazeta, televizione, radiostacione u zhdukën së bashku me gazetarët gjatë 10-15 viteve të fundit

 

Shkruan: Еroll Rizaov

 

Presioni ekonomik mbi mediat është lufta më suptile, po aq e flliqur, nëse jo edhe më shumë se përleshjet tjera, për ta vënë gazetarinë nën kontrollin e politikës. Shkatërrimi dhe bllokada financiare është më pak e dukshme se sa dhuna politike-policore, por është po aq e rrezikshme, e shpeshherë edhe më e tmerrshme. Varësia ekonomike është doktrinë e veçantë e të fuqishmëve. Kur do shtrijnë mediat në shtratin e të sëmurëve, qëllimi është arritur në atë moment kur pacientit i nevojiten tre “doza” në dit, e dileri, lexo pushteti, paraqitet në rolin e shpëtuesit dhe të mjekut.

Do të ishte shumë e dobishme që me hulumtime profesionale në Maqedoni të zbulohet para atyre me mbamendje të shkurtër, se sa media në 10-15 vitet e fundit humbën, thjesht u zhdukën. Ku janë themeluesit, redaktorët, gazetarët dhe çka punojnë ata sot? Edhe më interesante është të hulumtohet se prej çka jetojnë sot gazetat, televizionet, radio-stacionet dhe portalet e internetit në Maqedoni? Kush u ndihmon që të mbijetojnë, e kush i shantazhon, censuron, mbyll dhe përndjek? Sa prej tyre mund të thonë se janë të pavarura ekonomikisht dhe politikisht? Pse në Maqedoni nuk ka investime të drejtpërdrejta të huaja në media dhe pse ata investitorë që ishin u larguan? Pse donatorët, investuesit dhe themeluesit e mëdhenj mediatikë të vendit u tërhoqën nga ky biznes? Për çka kanë frikë pronarët aktualë të mediave? Cilat janë rregullat në vendet që kanë traditë demokratike, komunikim dhe kulturë mediatike?

 

FRAPANT ËSHTË NUMRI I MEDIAVE TË SHUARA

Mendoj se tema se kush është kush në mediat relevante dhe me ndikim do ta japë pasqyrën e vërtetë të arritjeve të shoqërisë së Maqedonisë, shikuar nga të gjitha aspektet. Frapant është numri i televizioneve, radiostacioneve, gazetave, javoreve dhe revistave të shuara së bashku me gazetarët dhe pronarët. Numrat e mia, të cilat nuk janë të plota dhe duhet të merren me rezervë, e gjithsesi numri përfundimtar sigurisht nuk është më i vogël, tregon se kanë bankrotuar dhe janë zhdukur mbi 60 televizione dhe radiostacione nacionale dhe lokale, dhe mbi 20 gazeta ditore dhe revista javore në një periudhë prej më pak se 15 vitesh. Me këtë rast, mbi 500 gazetarë, redaktorë, fotoreporterë, redaktorë teknikë, punëtorë të shtypit dhe distributorë mbetën pa ekzistencë. Një numër i vogël arritën të kalojnë në media të tjera ku luftojnë të mbijetojnë për çdo ditë si punëtorë me honorar. Ata më me fat e lanë gazetarinë. Shumica mbetën pa punë.

Argimenti të cilin shpeshherë e përdorin qeveritë që t’i demantojnë këto fakte është numri akoma i madh i mediave ekzistuese. Për ta kjo është dëshmi kryesore se te ne ka pluralizëm dhe demokraci. Thon shihni se sa televizione dhe gazeta kemi për dy milionë banorë. Mirëpo, nëse shihni pak më me kujdes se çka është ajo që ka mbetur, do të shihet e gjithë groteska e demokracisë maqedonase, se në fakt, ato janë, fabrikat mediatike për propagandë dhe lartësim të pushtetit. Vështirë se mund të shihet, dëgjohet ose lexohet diçka tjetër ose më ndryshe. Kritikat e rrala për keqpërdorimet e pushtetit dhe të qendrave të fuqisë mund të lexohen dhe të dëgjohen vetëm te një numër i voëgl i mediave profesionale, financiarisht të shterrura deri në fund, të cilat mezi se mbijetojnë si relikte të ralla vetëm për të shërbyer si dëshmi se nuk është gjithçka aq keq dhe se kemi akoma ndonjë qen që mund të lehë lirisht.

 

NUK KA PARA PËR ATA QË E KRITIKOJNË PUSHTETIN

Deri para 10 vitesh, mediat maqedonase arritën një pavarësi të konsiderueshme në politikën redaktuese, shumë më të madhe se sa tani. Vlerësimet edhe të ekspertëve vendorë edhe të atyre të huaj ishin se është duke u përmbyllur me sukses procesi i pluralizimit mediatik në vend. Kuptohet, edhe atëherë kishte presionit politike dhe ekonomike dhe të pronarëve, mbi redaktorët dhe gazetarët, por kjo aspak nuk mund të krahasohet me direktivat dhe kërcënimet aktuale, jo vetëm mbi gazetarët dhe redaktorët, por edhe mbi pronarët e mediave, numri më i madh i të cilëve i shitën ato dhe u tërhoqën nga ky biznes, i cili, në këtë moment, ndoshta është më i rrezikshmi në vend. Shtëpitë e huaja profesionale gazetareske, të cilat u futën në Maqedoni, kur e lanë këtë biznes, me kujdes thanë se nuk ka hapësirë për garë të barabartë konkurrente në tregun e Maqedonisë dhe në gjithë rajonin. Këta njerëz thanë shumë. Sot, disa vite pas largimit të tyre, gjendja është edhe më e keqe.

Pas me shumë lehtësi dhe pa e menduar mirë, diku para 10 vitesh u hoqën subvencionet për mediat, në mënyrë automatike u hapën dyert për keqpërdorime shumë më të mëdha dhe për presione ekonomike mbi gazetarët dhe redaksitë. Është e saktë se askush nuk ishte i kënaqur me mënyrën se si ndaheshin subvencionet nga qeveritë, për shkak se kriteret nuk ishin të qëndrueshme, kështu që pushteti, edhe ai i majtë edhe ai i djathtë, me ndarje protekcioniste të parave, siguronte një ndikim të caktuar mbi politikat redaktuese. Mirëpo, asnjëherë marrja e mediave nën kontroll nuk ka qenë aq agresive dhe e ashpër si gjatë viteve të fundit. Heqja e subvencioneve të cilat publikoheshin në media dhe rregullisht shkaktonin zënka dhe debate, mundësoi bisedime dhe negociata të fshehta ndërmjet qeverive dhe mediave me ndikim. Nuk ka subvencione, por ka fushata të qeverisë, ka porosi, klipe propaganduese, zgjedhje me përkrahje të plotë mediatike. Në atë marketing politik që është rezultat i partneritetit ndërmjet pushtetit dhe mediave filluan të rrotullohen shumë miliona. Ajo marrëveshje e ndytë politike: ti mua përkrahje për ta ruajtur pushtetin, e unë ty reklama dhe para, u bë një biznes i madh. Nga qendrat partiake të komunikimit të pushtetit filloi të bëhet presion i drejtpërdrejtë edhe mbi agjencitë dhe kompanitë private për reklamim të kenë kujdes se ku publikojnë. Qeveria e Nikolla Gruevskit u nis nga logjika e thjeshtë eliminuese: nuk ka para për ata që e kritikojnë pushtetin. Bile edhe haptazi thuhet se ku keni parë që ne t’ju japim para, e ju të na kritikoni. Kush nuk e pranon këtë lojë, nëse mbështetet vetëm te tregu, është i vdekur, mund të shpallë bankrot menjëherë. Edhe mediat vdesin nga varfëria.

Kjo është ajo arroganca e pushtetit kur largohet nga realiteti, dhe assesi nuk mund ta kuptojë se paratë e buxhetit nuk janë trashëgimi familjare e liderëve të mençur, por ato janë para të qytetarëve që duan ta shohin Maqedoninë si vend demokratik.


Ky leksion gazetaresk është përgatitur nga kuadër të Projektit të USAID-it për përforcimin e mediumeve në Maqedoni – Komponenta Shërbimi për verifikimin e fakteve nga mediumet, që implementohet nga fondacioni Metamorfozis.. Ky leksion gazetaresk është mundësuar me përkrahjen e Agjencisë amerikane për zhvillim ndërkombëtar (USAID). Përmbajtja e analizës është përgjegjësi e autorit dhe nuk i paraqet qëndrimet e fondacionit Metamorfozis, USAID-it ose të qeverisë së SHBA-ve. Për më tepër informata për punën e USAID-it në Maqedoni, ju lutemi vizitoni ueb-faqen e USAID-it: (http://macedonia.usaid.gov) dhe faqen e USAID-it në Facebook: (www.facebook.com/USAIDMacedonia).

Abonohuni për lajmet më të reja