verifikimiifakteve.mksitemap
verifikimiifakteve.mksitemap

Mediat në 2015 – një tjetër vit për peripecie

on 28 - 12 - 2015       
Овој напис го има и на: Maqedonisht

Freemedia160-400x250Viti 2015 rezultoi të jetë një tjetër vit jo i lehtë për mediat në vend. Në përgjithësi, fjala e shkruar u ballafaqua me problemet e zakonshme të viteve të fundit, vështirësi të natyrave të ndryshme: ekonomike, politike e profesionale. Sidoqoftë, përkundër vështirësive, për mediat në gjuhën shqipe do të jetë vit për tu mbajtur mend. Në Maqedoni filluan me punë edhe 2 televizione të reja, TV 21 dhe TV Shenja, ndërsa televizioni rajonal Art nga Tetova mori licencë nacionale kabllovike.  Për tu përmendur edhe shtrirja e brendit kosovar Telegrafi në Maqedoni, që pasuroi tregun e gazetarisë online, përkrah disa portaleve të reja të hapura në vend.

Në rrafshin e përgjithshëm shtetëror, viti filloi në shenjë të arrestimit të sërishëm të gazetarit Tomisllav Kezharovski, i cili u prangos pas vendimit të Gjykatës së Apelit në janar të 2015-tës. Pas protestës masive të gazetarëve dhe mbështetësve të fjalës së lirë, Kezharovski u lirua.

Sikurse çdo sferë tjetër, edhe në sferën e mediave vitin e shënuan materialet e përgjuara të cilat i publikoi opozita. Të ashtuquajturat “bomba” konfirmuan të gjitha dyshimet dhe indikacionet për lidhjet e forta mes pushtetit dhe disa mediave. U publikuan dëshmi për përzierje direkte të funksionarëve në politikat redaktuese dhe porositje e artikujve në media. Madje, disa nga telefonatat e përgjuara zbulonin se VMRO DPMNE-ja ka caktuar edhe korrespodentët e RTVM-së në Uashington, Bruksel e Athinë.

Bombat e opozitës ngritën dyshime serioze edhe për rrethanat e vdekjes së gazetarit Nikolla Mlladenov. Përgjimet përmbanin indikacione se në aksidentin tragjik mund të ketë qenë e përfshirë edhe një veturë tjetër, që i jep dimension krejt tjetër vdekjes së Mlladenovit, duke u dhënë krahë teorive konspirative për atentat të mundshëm.

Në kuadër të skandalit të përgjimeve, opozita zbuloi se qindra gazetarë janë përgjuar dhe ndjekur ilegalisht nga pushteti për qëllime politike.

Menjëherë pas fillimit të publikimit të bombave, Prokuroria përmes një komunikate apeloi deri te mediat që të mos i publikojnë materialet e përgjuara, duke u kërcënuar me gjoba. Vetëm 3 televizione me koncesion nacional, Alsat M, Tellma dhe 24 Vesti publikuan përgjimet, duke shpërfillur rekomandimin e Prokurorisë pas reagimit të ambasadave relevante në Shkup.

Presionet ndaj gazetarëve vazhduan në forma të ndryshme. Tronditës ishte rasti i gazetarit Borjan Jovanovski, familja e të cilit gjeti para shtëpisë një kurorë funerali, që u cilësua si kërcënim me vdekje ndaj tij. Gjithashtu, Komisioni për Verifikimin e Fakteve lustroi disa gazetarë, mes tyre edhe gazetarë aktiv, duke i shpallur ata bashkëpunëtorë të shërbimeve sekrete. Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë e cilësoi këtë akt si formë presioni dhe revanshizmi ndaj gazerëve.

Në mesin e shtatorit, televizioni i parë dygjuhësh në Maqedoni, Alsat M, shënoi 10 vjetorin e fillimit të ndriçimit të sinjalit. Në një event të organizuar më 14 shtator në Kurshumli An në Shkup, mysafirë nga rrafshe të ndryshme vlerësuan këtë televizion privat për kontributin e dhënë për shoqërinë gjatë një dekade.

Më 21 shtator tregut mediatik iu shtua edhe televizioni 21, brend i mirënjohur që funksionon me sukses për disa vite me radhë në Kosovë. Televizioni 21 filloi transmetim në 2 gjuhë, maqedonisht dhe shqip, me programe të ndryshme informative e kulturore.

Më 16 nëntor u hap edhe televizioni Shenja, ngjarje që u përcoll edhe me transferimin e disa gazetarëve shqiptarë në median e re. Edhe Tv Shenja doli në treg me program të pasur informativ e kulturor, me transmetim në dy gjuhë. Tani janë tre televizione shqiptare me program edhe në gjuhën maqedonase, derisa asnjë televizion privat maqedonas ende nuk transmeton program në gjuhën shqipe.

Në raportim e Reporterëve Pa Kufij për lirinë  e medias në vitin 2015, Maqedonia u radhit e 117-ta, në shoqëri të shteteve si Taxhikistani, Afganistani, Mali dhe Algjeria. Ky klasifikim radhit Maqedoninë të fundit në rajon, shumë pas Shqipërisë (82) dhe Kosovës (87). Para nesh në klasifikim janë shtete si Zimbabue, Gabon, Libani dhe Kenia.

 


Kjo kolumnë është përgatitur nga kuadër të Projektit të USAID-it për përforcimin e mediumeve në Maqedoni – Komponenta Shërbimi për verifikimin e fakteve nga mediumet, që implementohet nga fondacioni Metamorfozis.. Kjo kolumnë është mundësuar me përkrahjen e Agjencisë amerikane për zhvillim ndërkombëtar (USAID). Përmbajtja e kolumnës është përgjegjësi e autorit dhe nuk i paraqet qëndrimet e fondacionit Metamorfozis, USAID-it ose të qeverisë së SHBA-ve. Për më tepër informata për punën e USAID-it në Maqedoni, ju lutemi vizitoni ueb-faqen e USAID-it: (http://macedonia.usaid.gov) dhe faqen e USAID-it në Facebook: (www.facebook.com/USAIDMacedonia).

Abonohuni për lajmet më të reja

Sorry. No data so far.