verifikimiifakteve.mksitemap
verifikimiifakteve.mksitemap

Mediat tetovare – raportim solid, por edhe steril në kushte të rënda

on 24 - 12 - 2014       
Овој напис го има и на: Maqedonisht
Покрај Пена. Тетово. Фото: Adam Jones, 2013
Pranë Shkumbinit. Tetovë. Foto: Adam Jones, 2013

 

Si në të gjithë vendin, burimi kryesor i informatave për qytetarët  janë televizionet.  Mediat e shtypura lokale nuk ekzistojnë, ndërsa radio stacionet pothuajse tërësisht janë të orientuar kah programi zbavitës, me përmbajtje të rralla informative dhe pothuajse të parëndësishme. Kur flasim për ueb-faqet informative lokale të lajmeve, megjithatë, është interesante se pavarësisht përhapjes së këtij lloji të faqeve në nivel të shtetit, në Tetovë ato janë të pakta në numër, me ndikimin relativisht të kufizuar dhe me lexueshëmri të ulët.  

 

Shkruan: Zharko Nastoski

 

Tetova është njëra nga qendrat më të rëndësishme politike dhe ekonomike të Maqedonisë, seli e dy universiteteve, qyteti më i madh në Maqedoninë Veriperëndimore, ku, sipas të dhënave zyrtare, zhvillohet aktiviteti më i rëndësishëm ekonomik në vend, jashtë Shkupit. Njëkohësisht, ky qytet është qendra më e rëndësishme e komuniteti shqiptar në Maqedoni dhe seli e dy partive më të mëdha politike të shqiptarëve në vend. E gjithë kjo mediave tetovare u ofron shumë mundësi, por edhe i obligon me përgjegjësi për raportim të detajuar dhe objektiv për mbi 350.000 banorët e rajonit.

Në qytet punojnë pesë stacione televizive (dy në maqedonisht: “Kiss” dhe “Мenada” dhe tre në gjuhën shqipe: “Koha”“Art” dhe “Super skaj”), të cilat konsiderohen si rajonale për shkak të konfiguracionit të luginës së Pollogut, dhe emitojnë sinjal në Tetovë dhe në Gostivar. Shumica e këtyre televizioneve janë hapur në mes të viteve 90-ta të shekullit të kaluar, që do të thotë se  punojnë mbi njëzet vjet, si brende të caktuara mes audiencës së tyre. Nga këto, katër televizione kanë redaksi gazetareske dhe përmbajtje të rregullta informative, kurse kohë pas kohe emitojnë edhe emisione informative politike me mysafirë, kryesisht të politikanë lokalë (edhe pse në periudhën parazgjedhore ndodhë që të paraqitet ndonjë politikan “i madh”). Dy nga televizionet “Kiss”  dhe “Кoha”, kanë ueb-portale, ndërsa “Menada” dhe “Art”-i nuk kanë ueb-faqe, kurse kronikat e tyre dhe përmbajtjet tjera informative i vendosin në kanalet e tyre në “Youtube”.

Si mund ta përshkruajmë cilësinë e raportimit në mediumet lokale? Para se të tentoj të jap përgjigje në këtë pyetje, si autor i këtij teksti, por edhe si person që ka pesë vjet përvojë në dy televizione të tetovare, ndjej nevojën që të jap një “background” të shkurtër për kushtet në të cilat punojnë gazetarët dhe mediat tetovare.

Tetova dhe rajoni i saj ishin qendra e konflikit të armatosur të vitit 2001, por edhe para kësaj, prej pavarësisë së Maqedonisë, Tetova ishte qendër e turbulencave politike dhe etnike, të cilat e kanë diktuar nevojën për burime të forta dhe stabile mediatike dhe gazetareske. Gjegjësisht, në mediat nacionale – në televizione dhe në shtyp, gjithnjë prioritet ka qenë që të ketë korrespondentë nga Tetova, pikërisht për arsye që këto ngjarje të ndiqen nga afër.

Патоказ во темница. Фото: СПФМ, 2014

Tabelë rrugore në errësirë e shënuar me mbishkrime partiake. Foto: SHVFM

 

Në bazë të kësaj mund të thuhet se redaksitë gazetareske të të katër televizioneve me orientim informativ kaluan nëpër një “kalitje” profesionale në dy dekadat e kaluara dhe në to punojnë punëtorë me përvojë gazetareske dhe që “e njohin punën”. Pas konfliktit të vitit 2001, rajoni kishte përkrahje të rëndësishme të huaj, që kishte për qëllim promovimin e informimit objektiv dhe profesional të qytetarëve, në drejtim të tejkalimit të dallimeve ndëretnike. Shumë nga gazetarët, redaktorët, kameramanët dhe të punësuarit e tjerë në këto televizione, gjatë kësaj periudhe kanë kaluar nëpër trajnime cilësore.

 

INFORMIM OBJEKTIV, POR STERIL

Në përgjithësi, redaksionet e televizioneve në Tetovë bëjnë lajme relativisht objektive – me një dozë të distancës informojnë për problemet në qytet, për aktivitetet e të gjitha partive politike, për ngjarjet kulturore dhe për iniciativat qytetare. Por, në raportimin e tyre shihet sterilitet i caktuar dhe ngjarjet shpesh shihen në mënyrë të njëanshme dhe gjysmake. Edhe pse Tetova ka dy universitete dhe në qytet jetojnë dhe punojnë ekspertë nga shumë fusha, mendimi i tyre nuk është i përfshirë gjithmonë në mbulimin e lajmeve, madje edhe në çështjet ku është e nevojshme. Mbulimi televiziv kryesisht ka të bëjnë me raportimin nga ngjarjet me vlerë minimale informative. Ka mungesë të qëndrimit kritik ndaj organeve kompetente, veçanërisht në qoftë se përgjegjësia bie mbi qeverisjen lokale. Kritika e hapur për komunën ose për kryetarët e komunave pothuajse është e panjohur për mediat tetovare.
Kjo fotografi ndryshon kur tema kalon përtej kufijve lokalë dhe arrin në mediat kombëtare. Duke pasur parasysh se korrespodentët e mediave kombëtare nga Tetova në të njëjtën kohë punojnë edhe si gazetarë në televizionet lokale, ata raportojnë për tema të caktuara ,gjithnjë në përputhje me politikën redaktuese të mediave nacionale për të cilat punojnë si korrespodentë. Për shembull, nëse media në nivel shtetëror ka qëndrim kritik ndaj qeverisë, i tillë do të jetë edhe raporti i korrespondentit për median nacionale, mirëpo në televizionin lokal, ku ai punon njëkohësisht, ai/ajo duhet të përmbahet nga qasja kritike.

Në lajmet në televizionet lokale në Tetovë në përgjithësi nuk ka anshmëri politike që mund të vërehet lehtë, siç është ajo që mund ta shohim në disa media kombëtare, mirëpo qasja në përpunimin e temave (duke iu shmangur përcaktimit të përgjegjësisë së autoriteteve për situatat konkrete), çon në përfundimin se kjo anshmëri është e pranishme në mediat tetovare.

 

ZGJEDHJET SJELLIN MË SHUMË PARA SE SA FIRMAT GJATË TËRË VITIT

Televizionet për të cilat flasim, kryesisht punojnë në kushte të vështira, në të cilat mbijetesa në ekonominë e tregut gati se është e pamundur  – edhe përkundër numrit të madh të subjekteve afariste në rajon, të cilat janë publikues potencialë, çmimet për reklamim në mediat lokale janë shumë të ulëta, kurse tregu kryesisht është i kufizuar në firmat dhe tregtarët lokalë (të mëdhenjtë kryesit zgjedhin të reklamojnë në mediat nacionale). Prandaj, të gjitha këto televizione kanë vështirësi të funksionojnë, pa mos pasur investime për zhvillim. Kjo në anën tjetër, do të thotë se vitet kur ka zgjedhje janë të mirëseardhura për televizionet tetovare, kur në fushatat parazgjedhore, partitë u lënë atyre më shumë para se sa që firmat lokale lënë për një vit. Duke pasur parasysh se partitë në pushtet kanë shumë më tepër para për reklamim, kjo, së bashku me reklamat e rregullta të qeverisë, disa prej të cilave reklamohen në këto televizione, është një tjetër presion mbi objektivitetin dhe pavarësinë e mediave.

Ndarja e qytetarëve të Tetovës mbi baza etnike qartë pasqyrohet edhe në mbulimin mediatik. Pavarësisht nga përpjekjet e redaksive për ta ruajtur distancën profesionale dhe për të raportuar në frymë civile, në shumë raste, zgjedhja e temave dhe mënyra që e  zgjedhin për t’i trajtuar dhe transmetuar temat e caktuara, le përshtypje se televizionet janë duke folur vetëm për anëtarët e përkatësisë së tyre etnike. Megjithatë, kohë pas kohe mund të shihen trende të kundërta inkurajuese, të cilat, megjithatë, janë përjashtime të rralla në këtë praktikë të përgjithshme. Një shembull është vizita e deputetes së Parlamentit, Svetllana Karapetrova në Televizionin  “Koha”.  Intervista, e cila është realizuar në gjuhën maqedonase dhe pa përkthim, megjithatë nuk është vendosur në kanalin e televizionit  “Koha” në “YouTube”, ku janë të vendosura të gjitha emisionet e tjera të “Mejdanit”.

Specifika e mediave lokale, të cilat raportojnë për çështjet e “vogla”, të cilat, megjithatë, janë të rëndësishme për qytetarët, është ndoshta e vetmja për shkak të së cilës këto televizione ende kanë relevancë dhe arrijnë të mbijetojnë në epokën e televizionit kabllovik dhe të internetit. Nëse funksionin e tyre e shohim vetëm përmes kësaj prizme të ngushtë, atëherë mund të konkludohet se televizionet tetovare janë duke bërë punë relativisht të mirë, duke pasur parasysh kushtet e vështira në të cilat ato janë të detyruara të punojnë.

 


Ky leksion gazetaresk është përgatitur nga kuadër të Projektit të USAID-it për përforcimin e mediumeve në Maqedoni – Komponenta Shërbimi për verifikimin e fakteve nga mediumet, që implementohet nga fondacioni Metamorfozis.. Ky leksion gazetaresk është mundësuar me përkrahjen e Agjencisë amerikane për zhvillim ndërkombëtar (USAID). Përmbajtja e analizës është përgjegjësi e autorit dhe nuk i paraqet qëndrimet e fondacionit Metamorfozis, USAID-it ose të qeverisë së SHBA-ve. Për më tepër informata për punën e USAID-it në Maqedoni, ju lutemi vizitoni ueb-faqen e USAID-it: (http://macedonia.usaid.gov) dhe faqen e USAID-it në Facebook: (www.facebook.com/USAIDMacedonia).

Abonohuni për lajmet më të reja