Mediet ≠ zëdhënëse partiake (për anketën e re të IRI-t)
Published in Analiza
on 12 - 12 - 2015 Author: Мирјана НајчевскаAsgjë nuk ndryshoi as në mbulimin mediatik të anketës më të re të IRI-t. Mediet jo vetëm që nuk e shfrytëzuan mundësinë e dhënë që të fitojnë të dhëna të përpunuara inicialisht, të cilat pastaj mund t’i analizojnë, t’i gërshetojnë, t’i vendosin në kontekst të njohurive të tjera ose, t’ua ofrojnë ekspertëve për të fituar mendim profesional, por e pranuan rolin e zëdhënësve partiakë.
Shkruan: Prof. dr. Mirjana Najçevska, еksperte për të drejtat e njeriut
Në аnalizën e mbulimit mediatik të rezultateve të fituara në kuadër të hulumtimit të IRI-t, në korrik të vitit 2015, theksova se:
Аnketat mund të jenë vegël e dobishme e gazetarisë hulumtuese. Anketa e përgatitur në mënyrë profesionale mund të ofrojë material të bollshëm të cilin gazetarët pastaj do ta përpunojnë, do të vendosin në kontekst të analizave të tyre ose do ta shfrytëzojnë për hapjen e disa çështjeve të pahapura. Shumë të dobishme janë anketat që përsëriten periodikisht me pyetje të njëjta. Këto të dhëna mund të shfrytëzohen nga mediet që ta tregojnë dinamikën e proceseve/ngjarjeve të caktuara, ta ndjekin zhvillimin e ngjarjeve, mirëpo edhe të përpiqen ta identifikojnë lidhshmërinë shkak-pasojë të ndodhive të caktuara.
Asgjë nuk ndryshoi as në mbulimin mediatik të anketës më të re të IRI-t (të realizuar në tetor të vitit 2015). Mediet jo vetëm që nuk e shfrytëzuan mundësinë e dhënë që të fitojnë të dhëna të përpunuara inicialisht, të cilat pastaj mund t’i analizojnë, t’i gërshetojnë, t’i vendosin në kontekst të njohurive të tjera ose, t’ua ofrojnë ekspertëve për të fituar mendim profesional, por e pranuan rolin e zëdhënësve partiakë.
Nga gjithë hulumtimi, të gjitha pyetjet e parashtruara dhe rezultatet shumë intrigante që janë fituar, mediet i veçuan, para së gjithash, ato që në mënyrë të drejtpërdrejtë lidhen me partitë politike, gjegjësisht me rejtingun e liderëve politikë. Madje edhe atëherë kur në vetë tekstin përmenden edhe një pjesë më e gjerë e rezultateve, titujt, para së gjithash, kanë të bëjnë me rejtingun e partive politike.
- Аnketë e IRI-it: Rritet besimi i qytetarëve në kryeministrin Gruevski,
- Аnketë e IRI-it: Kryeministri Gruevski me besim edhe më të madh te qytetarët,
- Аnketë e IRI-t: Rritet rejtingu i Gruevskit,
- Еkspertët: Аnketa e IRI-it tregon qartë – VMRO-DPMNE do të fitojë në zgjedhje,
- Pse mediet e LSDM-së e fshehin rejtingun e Zaevit,
- Grubi: Аnketa e IRI-it e konfirmoi vullnetin e shumicës së shqiptarëve, …
“Kjo anketë paralajmëron edhe konfirmim të dallimit të bindshëm në rejtinget dhe përkrahjen në mesin e qytetarëve që u mat gjatë anketës së fundit të IRI-t në qershor, kur VMRO-DPMNE-ja ka udhëhequr bindshëm me 23 për qind të besimit në mesin e qytetarëve, kundrejt kundërshtarit politik LSDM-së, të cilës i kanë besuar vetëm 11 për qind e të anketuarve.”
- Аnketa e IRI-t: Gruevski nuk meriton rizgjedhje,
- Аnketa e IRI-ti: Mbi 50 përqind konsiderojnë se Gruevski nuk meriton rigzjedhje,
- IRI: 52% e të anketuarve – Gruevski nuk meriton rizgjedhje, …
Disa medie transmetojnë një përzgjedhje më të gjerë nga hulumtimi edhe përkundër asaj se titujt e teksteve përsëri sugjerojnë interesim vetëm për rejtingun e kryeministrit:
- Më shumë se gjysma e qytetarëve konsiderojnë se Gruevski nuk meriton edhe një shans,
- Gruevski nuk meriton edhe një shans,
- Gruevski nuk duhet të rizgjidhet për kryeministër, thonë 52 për qind e të anketuarve në hulumtimin e IRI-t,
Vetëm në disa raste mediet veçojnë një ose disa pyetje të ndërlidhura dhe përpiqen ta japin këndvështrimin e tyre për një problematikë më të ngushtë (Hulumtimi i IRI-it: Qytetarët besojnë se Katica Janeva do të realizojë hulumtim të pavarur për materialet e përgjuara, Маqedonia edhe më tej shkon në drejtim të gabuar, Bombat dhe mendimi publik). Vetëm një medie i shfrytëzon të dhënat për analizë të veten (Меdiet dhe anketa e IRI-t: Paralajmërohen zhvendosje tektonike në biznesin televiziv!).
Një numër i madh çështjesh që mund të lidhen në mënyrë të drejtpërdrejtë me krizën aktuale politike-institucionale, mirëpo edhe me problemet që vahzdimisht janë të pranishme me sundimin e të drejtës dhe me funksionimin e institucioneve demokratike, mbetën jashtë interesimit më të madh të medievе. Për shembull, pyetja për atë se sa institucionet e caktuara kontribuojnë për zgjidhjen e problemeve në vend? Sipas përgjigjeve në këtë pyetje, një numër shumë i vogël i qytetarëve mendojnë se gjykatat, mediet, partitë politike, organizatat qytetare…, kanë rol pozitiv dhe adekuat në zgjidhjen e problemeve aktuale.
Меdiet nuk panë material interesant për analizë as në përgjigjen shumë interesante për atë se cilat janë dy problemet më serioze me të cilat ballafaqohet sot Maqedonia, sipas të cilës konfliktet dhe marrëdhënie ndëretnike gjenden në fund të interesimit të qytetarëve të Republikës së Maqedonisë. Kjo informatë mund të bëhet shumë interesante në qoftë se gjatë zgjedhjeve të ardhshme, këto marrëdhënie përsëri ngriten në nivel të lartë ose të konsiderueshëm.
Duke i shfrytëzuar të dhënat e fituara nga hulumtimi i IRI-t, mund të parashtrohen pyetje konkrete deri te struktura aktuale në pushtet, mirëpo edhe deri te të gjitha partitë politike në pushtet:
- Pse gjatë gjithë këtyre viteve pushteti nuk ka ndërtuar plan efektiv me të cilin do të trajtohen problemet ekonomike me të cilat ballafaqohet Maqedonia, nëse merret parasysh se ky është problem të cilin qytetarët në në numër shumë të madh e perceptojnë në vazhdimësi, ndërsa në vitin 2015 më shumë se gjysma shprehin një brengë të tillë;
- Pse gjatë të gjitha këtyre viteve, jo vetëm që nuk është bërë asnjë ndryshim pozitiv sa i përket korrupsionit, por, sipas një numri shumë të madh qytetarësh, autoritetet as që kërkojnë zgjidhje për këtë problem;
- Pse që nga viti 2001 e këndej, gjithnjë e më pak njerëz mendojnë se gjykatat janë nën ndikimin e partive politike, gjegjësisht, gjithnjë e më pak njerëz besojnë se gjykatat janë të pavarura.
Fushë shumë interesante e cila mbeti jashtë analizave mediatike është sektori civil dhe veprimi aktiv i qytetarëve.
Sipas të dhënave të fituara nga hulumtimi, qytetarët e Maqedonisë kanë perceptim shumë negativ për sektorin civil, që pastaj rezulton me një nivel jashtëzakonisht të ulët të motivimit për angazhim në veprimtaritë e shoqatave të qytetarëve. Këto të dhëna mund të vendosen në korelacion me qëndrimin negativ të partive politike në pushtet ndaj organizimit joqeveritar e veçanërisht me fushatën agresive të strukturës aktuale në pushtet kundër shoqatave të qytetarëve.
Asnjë nga pyetjet që ndërlidhen me qytetarinë aktive, nuk e tërhoqi vëmendejn e medieve. Bile as informata tepër dëshpëruese se vetëm 11 për qind e qytetarëve angazhohen në aktivitete që kanë të bëjnë me trajtimin e problemeve sociale dhe komunale, nuk i nxiti mediet të bëjnë analizë dhe të parashtrojnë disa pyetje kyçe:
- Si ndodhi që qytetarët të mos jenë të interesuar që të marrin pjesë në mënyrë aktive në ngritjen dhe zgjidhjen e problemeve në mjedisin e tyre;
- Si ka mundësi që të ndërtohet një shoqëri demokratike me qytetarë që janë krejtësisht pasivë;
- Cilat janë shkaqet për pasivitetin shumë të madh të qytetarëve, bile edhe për çështje që qartazi i prekin edhe vetë ata.
Interesi i medieve, para së gjithash, për çështje që kanë të bëjnë me marrëdhëniet ndërmjet partive politike, lobimin e tyre, shpesh herë, shumë të hapur dhe mbështetjen për ndonjë opcion konkret partiak, e kufizojnë hapësirën për analizë mediatike, i determinojnë analizat dhe i shndërrojnë mediet në vegla për propagandë partiake. E gjithë kjo e zvogëlon mundësinë që mediet të profilohen si aktorë aktivë të ndryshimit, si promovuese të të drejtave të njeriut, dhe, para së gjithash, si kontrolluese të pushtetit (pavarësisht nga struktura partiake që është në pushtet).