verifikimiifakteve.mksitemap
verifikimiifakteve.mksitemap

Mediumet dhe policia (1)

on 7 - 03 - 2013       
Këtë postim mund ta lexoni edhe në: Maqedonisht

Shkruan: prof. dr. Мirjana Najçevska, еksperte për të drejtat e njeriut

Медиумите за полицијата (1)

Artikujt dhe raportimet që kanë të bëjnë me aktivitetet e policisë zakonisht shkaktojnë vëmendje të veçantë (posaçërisht kur bëhet fjalë për aksione më të mëdha policore, aksione ku sulmohet krimi i organizuar ose kur bëhet fjalë për përdorim të tepruar të forcës nga ana e policisë).

Ky lloj i storjeve kanë rol jashtëzakonisht të madh në pasqyrimin e gjendjes së sigurisë në vend, në analizën e veprimit të policisë dhe të kontrollit mbi strukturat shtetërore që janë të autorizuara për të përdorur dhunë.

Cilat janë problemet më të shpeshta me të cilat ballafaqohemi gjatë raportimit për aksionet policore ose për ndodhitë që ndërlidhen me policinë?

1. Shumë shpesh në vend të analizës së ndonjë rasti përcillet deklarata e ndonjë funksionari të Ministrisë për punë të brendshme (MPB).

Analiza mediale ose së paku lajmi medial zëvendësohet me përcjellje të buletinit policor (bile edhe atëherë kur është absolutisht i pakuptimtë) ndërsa gazetarët bëhen distributorë të buletinit policor. Për shembull në artikullin ”Bastisje nga ana e policisë së Ohrit në Shtëpi gjuetarësh” thuhet:

Pas urdhërit të marë paraprakisht nga gjykatësi hetues pranë Gjyqit themelor të Ohrit, dje policia ka bërë bastisje në Shtëpinë malore dhe në hapësira të tjera që gjenden në atarin e fshatit Kuraticë, në vendin e quajtur “Tina”, ku sipas njohurive të policisë ka qëndruar një person 29 vjeçar nga Ohri. Siç njoftoi MPB-ja, qëllim i bastisjes ka qenë edhe një veturë xhip e tipit “Çiroki”. 

Gjatë bastisjes së objektit është gjetur një paketim prej najloni me një materie të panjohur bimore me ngjyrë të gjelbër, një sharrë me motor e llojit të panjohur, dy pako me rizla dhe një orë dore. Gjatë bastisjes së veturës është gjetur një pistoletë me kalibër 7,65 me karikator të zbrazë dhe një sharrë me motor. Këto sende janë marrë me vërtetim për sende të mara përkohësisht, për t’u shqyrtuar në procedurë të mëtutjeshme, njoftoi MPB-ja”.

Parashtrohet pyetja se pse gazetari na i ka dhënë këto informata dhe pse gazetari nuk ka menduar fare se opinionin duhet ta informojë se për çfarë vepre penale bëhet fjalë dhe pse ndiqet ai person 29-vjeçar, i cili, paramendoni, posedon një orë dore dhe sharrë me motor, e bile edhe dy pako me “rizla”.

Në rastet kur është e involvuar policia, më shpesh si burim i vetëm i “informatës” përmendet ndonjë person ose strukturë e MPB-së dhe e tërë informata merret nga njoftimi zyrtar i MPB-së:

Sipas informatave të Sektorit për kontroll të brendshëm dhe standarde profesionale (SKBSP)
Nga policia paralajmërojnë se më tepër informata për aksionin do të ketë më vonë.
Thonë nga MPB-ja

Në këtë mënyrë qytetarët nuk marrin informatë të plotë, por vetëm atë që dëshiron ta dërgojë si porosi MPB-ja, ndërsa mediumet jo vetëm që nuk e kryejnë rolin e tyre të kontrolluesve të policisë, por me plotkuptimin e fjalës, funksionojnë si zëdhënës të policisë.

2. Zbatimi i ligjit

Në informacionet që ndërlidhen me veprimin e policisë, gazetarët nuk e kanë zakon t’i konsultojnë ligjet (Ligjin për polici, për punë të brendshme, për procedurë penale ose Kodin penal), t’i vënë ato në kontekst të rastit konkret dhe t’i shfrytëzojnë ato për të parashtruar pyetje, gjegjësisht, për të nxjerrë përfundime.

Për shembull, në portalin “Zhurnal”, në artikullin me titull ”Polici nga Velesi gjuan pas vjedhësve” është dhënë deklarata e zëdhënëses së policisë së Velesit, sipas të cilës:

Polici është në detyrë 24 orë. Akti i gjuajtjes së tij është plotësisht i drejtë, kur dihet se për veprën, vjedhje e rëndë, është paraparë dënim me burg më shumë se katër vjet.

Gazetarët e kanë marrë këtë deklaratë si të saktë vetvetiu dhe nuk janë munduar që t’i shqyrtojnë dy ligjet ku mund të ketë të dhëna për këtë: Ligji për policinë dhe Kodi penal.

Sipas Ligjit për policinë (neni. 89):

“Nëpunësi policor është i autorizuar të përdorë armë zjarri, kur në mënyrë të tjetër dhe me përdorimin e mjeteve të tjera të forcës, nuk mund, në mes tjerash: 
… ta pengojë kryerjen e veprës penale për të cilën mund të shqiptohet dënim me burg me kohëzgjatje prej së paku katër vitesh.”

Sipas Kodit penal (neni. 236):

… për vjedhje të rëndë “autori do të dënohet me burg prej një deri në pesë vjet”.
Kjo do të thotë se nuk bëhet fjalë për vepër për të cilën dënimi më i vogël i paraparë është katër vjet. Kjo do të thotë se polici nuk e ka përdorur armën në përputhje me ligjin. Dhe poashtu do të thotë se gazetarët duhet t’i parashtrojnë pyetje zëdhënëses se pse polici nuk e ka respektuar ligjin dhe pse nuk është ngritur procedurë për ndëshkimin e tij.

Në këtë rast dhe në shumë raste të tjera, gazetarët nuk janë interesuar as për nenin 90 të Ligjit për polici, sipas të cilit:

Nuk lejohet përdorimi i armës së zjarrit nëse vihet në rrezik jeta e ndonjë personi tjetër, përveç nëse përdorimi i armës së zjarrit është mjeti i vetëm për t’u mbrojtur nga sulmi i drejtpërdrejtë, ose nëse ka rrezik të sulmohen jetët e njerëzve të tjerë.

Në rastin e përmendur është gjuajtur nga një ndërtesë edhe atë në drejtim të rrugës, me probabilitet të madh të rrezikohet jeta e ndonjë kalimtari të rastit.

Në numrin më të madh të rasteve, në të cilat jashtë orarit të punës polici përdor armë zjarri, ose thjesht sillet me pakujdesi ndaj saj, si në rastin ”Policit ia vjedhin pistoletën dhe shenjën” gazetarët nuk janë interesuar për dispozitat e Rregullores për mënyrën e kryerjes së punëve policore sipas të cilës (neni 223) arma merret para kryerjes së detyrës dhe kthehet pas përfundimit të saj. Mu për këtë arsye edhe MPB-ja ka përgjegjësi për atë që ndodh mе përdorimin e armëve që u janë dhënë të punësuarve të MPB-së.

Problem i veçantë i veprimit policor që mbetet jashtë interesit të mediumeve është përdorimi ligjor i mjeteve të forcës. Sipas nenit 35 të Ligjit për polici:

Zbatimi i autorizimeve policore patjetër duhet të jetë në proporcion me nevojën për të cilën ndërmerren ato.

Nga autorizimet policore zbatohen vetëm ato me të cilat pasojat janë më të vogla dhe me të cilat do të arrihet qëllimi në afat sa më të shkurtër kohor.

Sipas nenit 80 të Ligjit për polici prangat janë mjet force për përdorimin e të cilave duhet të plotësohen edhe disa kushte të caktuara.

Sipas nenit 85 të Ligjit për polici:

Mjetet për lidhje të personave përdoren që: 
1) të pengohet rezistenca e personave ose të zmbrapset sulmi i orientuar drejt nëpunësit policor; 
2) të pengohet ikja e personave dhe 
3) të pamundësohet vetëlëndimi ose lëndimi i personave të tjerë.

Nëpunësi policor zakonisht personit ia lidh duart prapa shpinës së tij.

Përkundër kësaj, në mediume vazhdimisht paraqiten fotografi të njerëzve që janë të lidhur me pranga, ndërsa nuk ka asnjë shenjë se këta njerëz kanë bërë rezistencë, se kanë qenë të rrezikshëm për jetën e tyre ose të të tjerëve, apo se janë përgatitur të ikin. Dhe më shpesh, nëpër fotografi mund të shihet se duart e njerëzve të cilëve u janë vënë prangat, janë përpara e jo prapa.

Shembuj të këtillë janë raportimet për rastet Përçarësi ose nëpunësja e dyshuar për marrje të mitos osezëvendësprokurori publik i dyshuar për fshehjen e veprave penale.

Asnjë gazetar nuk e parashtron pyetjen se a janë plotësuar këto kushte kur ai i vendos fotografitë e njerëzve që shoqërohen me pranga në dorë. A është e vërtetë se murgesha përgatitet t’i sulmojë policët, ose nëpunësja përgatitet të vetëlëndohet ose zëvendësprokurori publik është munduar të ikë. Asnjë gazetar nuk tregon interes se në këto raste a bëhet fjalë për mosdije të policëve ose për dhunë dhe qëndrim poshtërues ndaj të dyshuarve ose për urdhër që është dhënë nga ana e udhëheqësisë ose nga ana e ministreshës. Ose, thënë ndryshe, ndoshta gazetari e ka mbushur normën e caktuar që të marrë rrogë, por sigurisht nuk i ka dhënë “informatë” opinionit.

(Vazhdon…)

 

 


Kjo analizë është përgatitur nga kuadër të Projektit të USAID-it për përforcimin e mediumeve në Maqedoni – Komponenta Shërbimi për verifikimin e fakteve nga mediumet, që implementohet nga fondacioni Metamorfozis.. Analiza është mundësuar me përkrahjen e Agjencisë amerikane për zhvillim ndërkombëtar (USAID). Përmbajtja e analizës është përgjegjësi e autorit dhe nuk i paraqet qëndrimet e fondacionit Metamorfozis, USAID-it ose të qeverisë së SHBA-ve. Për më tepër informata për punën e USAID-it në Maqedoni, ju lutemi vizitoni ueb-faqen e USAID-it: (http://macedonia.usaid.gov) dhe faqen e USAID-it në Facebook: (www.facebook.com/USAIDMacedonia).

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.