verifikimiifakteve.mksitemap
verifikimiifakteve.mksitemap

Mediumet dhe policia (2)

on 13 - 03 - 2013       
Овој напис го има и на: Maqedonisht

Shkruan: prof. dr. Мirjana Najçevska, еksperte për të drejtat e njeriut

Pjesa e dytë e analizës në temën problemet më të shpeshta me të cilat ballafaqohemi gjatë raportimit për aksionet policore ose për ndodhitë që ndërlidhen me policinë. Në pjesën e parë u trajtua përcjellja e deklaratave të funksionarëve të Ministrisë për punë të brendshme (MPB) në vend të analizave gazetareske dhe çështjet që kanë të bëjnë me zbatimin e ligjeve.

3. Përgjegjësia e shtetit për kualitetin e kuadrove që kanë të drejtë të përdorin dhunë

Në përgjigjet e dhëna për rastin e vrasjes së Martin Neshkovskit, ministresha për punë të brendshme deklaroi: ”Incidenti ishte i izoluar” dhe “Ngjarje të këtilla të padëshiruara ka pasur dhe për fat të keq do të ketë edhe në të ardhmen”. Raportimet e mediumeve nga ky rast dhe rastet e tjera të ngjashme nuk u ndalën në këtë deklaratë dhe në deklarata të ngjashme, dhe nuk e bëjnë lidhjen me përgjegjësitë që i ka marrë shteti në bazë të kushtetutës, në bazë të dokumenteve të ratifikuara ndërkombëtare dhe ligjeve kombëtare.

Mu në këtë drejtim janë edhe rekomandimet e Gjykatës evropiane për të drejtat e njeriut, sipas të cilës:

…obligim primar i shtetit është të sjellë kornizë ligjore dhe administrative që është e dizajnuar të sigurojë parandalim efektiv. Kjo kornizë duhet të përfshijë rregullativë që është e dedikuar për karakteristikat e veçanta të aktiviteteve të caktuara, veçanërisht duke pasur kujdes për nivelin e rrezikut potencial për jetën e njeriut. Shteti duhet të demonstrojë vëmendje të veçantë dhe t’i definojë rrethanat e kufizuara në të cilat personat zyrtarë për zbatim të ligjit mund të përdorin armë.

Në rastin Sasho Gjorgiev kundër Maqedonisë, GJEDNJ-ja konstaton se në përgjigjen që është marrë nga qeveria në lidhje me procedurat e rekrutimit dhe trajnimit të personave që kanë të drejtë të mbajnë armë nuk ka informata për atë se:

 …a është bërë ndonjë vlerësim nga organet shtetërore sa i përket asaj se a ka qenë R.D. i aftë për t’u rekrutuar dhe për t’u armatosur me armë të atillë që çoi deri te incidenti në fjalë. Në rrethana të atilla, Gjykata konstaton se veprimi i dëmshëm të cilin ai e ka kryer në bar, duhet t’i përshkruhet shtetit përgjegjës.

Një moment interesant në raportimin e mediumeve është individualizimi i rasteve. Në fakt, policët nuk trajtohen si pjesë e Ministrisë për punë të brendshme, si njerëz të cilëve shteti ua ka besuar mbajtjen dhe përdorimin e armës dhe për të cilët shteti ka marrë përgjegjësi t’i mësojë dhe t’i kontrollojë, por si individë që duhet të perceptohen në mënyrë të njëjtë sikurse edhe çdo individ tjetër.

Për shembull, në mediume paraqitet informata se:

Siç shkruan më tej gazeta e Shkupit, dy të dyshuarit për sulmin ndaj Allçevit, kanë dosje pune me masa të shumta disiplinore, ndërsa Zorani në shkurt edhe është përjashtuar nga MPB-ja, për shkak se, së bashku me Jocon, ka marrë pjesë në rrahje në barin e natës “Auditorium”, kur i kanë sulmuar hendbollistët e Metalurgut. Për shkak të incidentit, Kontrolli i brendshëm i MPB-së ka ngritur procedurë disiplinore ndaj Jocos dhe ai është dënuar me para dhe është dërguar në vend tjetër pune.

Në lidhje me këtë, mediumi nuk e parashtron pyetjen, se si mundet që policët, ndaj të cilëve janë shqiptuar me masa të shumta disiplinore, të jenë edhe më tutje policë? Cili është sistemi i mbrojtjes së qytetarëve në situatë kur MBP-ja nuk ka mënyrë për selektimin e atyre që do të mbajnë uniformë. Dhe cila është përgjegjësia e MPB-së që qytetarët të mos i nënshtrohen dhunës nga ana e nëpunësve shtetërorë.

Mungesa e përgatitjes elementare për të shkruar kësi artikujsh (duke e lexuar së paku Ligjin për polici) çon deri te përhapja e keqkuptimeve te qytetarët. Për shembull, titulli:

”MPB-ja: Kërkohen sulmuesit e Allçes. Personat nuk kanë qenë në detyrë zyrtare”

implikon se MPB-ja nuk ka lidhje me sulmuesit. Kjo është abolutisht jo e saktë , nëse merret parasysh neni 13 i Ligjit për polici, sipas të cilit:

Nëpunësi policor është i obliguar që jashtë orarit të punës të ndërmarrë masa të nevojshme, sipas rrethanave të rastit, me qëllim të mbrojtjes së jetës, sigurisë personale dhe pronës së qytetarëve.

Kjo do të thotë se sjellja e policit nuk është e lidhur me orarin e punës, por me shërbimin e tij. Mirëpo, në realitet ndodh mu e kundërta: në vend që ta lënë armën zyrtare në hapësirat e mbrojtura para se të dalin nga puna, policët e lënë detyrën zyrtare në hapësirat e punës, ndërsa me vete e marrin armën zyrtare.

Madje edhe për rastet kur janë të involvuar edhe persona në pozita udhëheqëse në polici, siç është për shembull rasti ”Detonatori”, gazetarët nuk e parashtrojnë pyetjen për një përgjegjësi më të madhe të MPB-së dhe mënyrën se si bëhet përzgjedhja edhe kontrolli i kuadrove të punësuar në polici, avancimi në karrierë dhe kontrolli përkatës mbi punën e tyre.

Pyetja e njëjtë mund të parashtrohet edhe për rastin e përshkruar në gazetën “Veçer,” sipas të cilës:

Një polic nga Demir Hisari ka sulmuar një njeri, e pastaj edhe ka gjuajtur në të për shkak se ka bërë incident në kafiterinë e vëllait të tij, njoftoi MPB-ja. Polici N.N. (32) do të përgjigjet vetëm për shkaktimin e rrezikut të përgjithshëm edhe pse e ka përdorur armën zyrtare kur nuk ka qenë në detyrë.

Ose për rastin e përdorimit të paautorizuar të revoleve zyrtare dhe rrezikimit të sigurisë së qytetarëve tëKumanovës, gjatë një sulmi ndaj një kolegu të tij, gjatë një sulmi ndaj një gjykatësi, gjatë rrahjes së tifozëve.

Parashtrohet pyetja se këta gazetarë a mendojnë me të vërtetë se polici, të cilit ne të gjithë ia kemi besuar armën personale dhe atë të formacionit, por me kushte shumë të rrepta që të na mbrojë para së gjithash dhe mbi të gjithat neve qytetarëve, është “qytetar i zakonshëm”? Ose, së paku një pjesë e gazetarëve, ndoshta me vetëdije përpiqen që ta bëjnë opinionin të qajë për fatin e rëndë të këtyre “qytetarëve të zakonshëm”, me qëllim që opinioni të mos i kushtojë vëmendje jo vetëm largimit të përditshëm dhe gjithnjë e më të madh të policisë nga populli, të cilin mu ajo duhet ta mbrojë, por e kundërta – vendosjen graduale të popullit në rolin e armikut që duhet të rrihet, e madje të rrihet deri në vdekje.

4. Ndjekja e storjeve
Përveç në përjashtime të rralla, gazetarët shumë rrallë e ndjekin zhvillimin e storjeve që ndërlidhen me veprimin e policisë. Në fakt, nuk ka analiza më të thukta, ku do të bëhej ndërlidhja e storjeve të ndryshme, e as që ndiqet përfundimi i proceseve të filluara.
Për shembull, çka ka ndodhur me të privuarit nga liria, a është inicuar procedurë, a janë ndëshkuar në mënyrë adekuate policët që kanë bërë shkelje të ligjit dhe, ajo që është më me rëndësi, a janë ndërmarrë masa sistematike për ndryshime, me të cilat do të zvogëlohej numri i shkeljeve të këtilla.

Mediumet nuk i shfrytëzojnë storjet e shkruara më parë në funksion të analizës. Për shembull, në njoftimin për pranimin e policëve të rinj në MPB („Vrap për punësime në polici”) kjo informatë nuk vendoset në kontekst të problemeve me policët jo të trajnuar ose keqpërdorimit të funksionit policor, përdorimit të paarsyeshëm të forcës, e të ngjashme. Në fakt, nuk analizohen kriteret për punësim, mënyra e përzgjedhjes së kuadrove dhe trajnimi i mëtutjeshëm, të cilin duhet ta kalojnë policët para se të marrin armë në dorë.

Madje edhe në rastet kur në raportimin e mediumeve do të konstatohet problemi, ai nuk analizohet mëtutje:

Ky interes ndoshta është si rezultat i dispozitave të shënuara në shpallje, ku vetëm kriteri për përgatitje fizike është i rreptë. Kandidatët duhe të kenë nën 25 vjet në qoftë se kërkojnë punë për herë të parë, së paku arsim të mesëm katërvjeçar, të mos jenë të dënuar dhe të mos kenë ndalesë nga gjyqi për kryerjen e profesionit të nëpunësit policor.

Në raportim nuk përdoren rastet që më parë kanë shkaktuar interes, si për shembull, gjuajtja në internet-kafe në vitin 2011 ose rasti i policit që është sjellë në mënyrë të dhunshme në Krushevë. Edhe në këtë rast, storja nuk zgjerohet dhe nuk parashtrohen pyetje për përgjegjësinë e shtetit të personifikuar në MPB-në, për zgjedhjen dhe kontrollin e nëpunësve që kanë të drejtë të mbajnë dhe të përdorin armë.

5. Konotacioni politik
Prezantimi i veprimit policor në masë të madhe varet nga ajo se cili medium e bën atë, gjegjësisht, cilit opcion politik i takon mediumi.

Në mediumet proqeveritare, titujt dhe e gjithë mënyra e paraqitjes së ngjarjeve shpesh bëhet në atë mënyrë që pyetjet të cilat do të duheshte t’i drejtohen MPB-së dhe pushtetit, zëvendësohen duke vendosur lidhje negative me partitë opozitare.

Për shembull, titujt: ”Ish-sigurimi i LSDM-së e ka shpërthyer me thikë drejtorin e ‘Komunalec’-it të Ohrit” ose ”Truproja e Sheqerinskës e ka shpërthyer me thikë drejtorin e ‘Komunalec’-it të Ohrit?!”, ”Truproja e Sheqerinskës e ka shpërthyer me thikë Sasho Allçevin?!”, tërësisht e injorojnë faktin se bëhet fjalë për policë aktivë, të punësuar në MPB dhe një pjesë e përgjegjësisë është e MPB-së, gjegjësisht, aspak nuk e përmendin faktin se bëhet fjalë për veprim të policisë (as në cilësi individuale, e jo më si nëpunës shtetërorë për të cilët është përgjegjëse MPB-ja).

Në portalin Komunikacija.mk , kanë shkuar edhe një hap mëtutje, dhe në vend që të vendoset ndonjë fotografi e MPB-së ose e ministreshës për punë të brendshme (duke pasur parasysh se bëhet fjalë për të punësuar në këtë ministri), në tekst është vendosur fotografia e Radmilla Sheqerinskës, që së bashku me titullin ”Truproja e Sheqerinskës e ka shpërthyer me thikë Sasho Allçevin?”, në mënyrë të hapur i dezinformon qytetarët, dhe në vend që përgjegjësinë t’ia lë ministrisë, përgjegjësinë e vendos në kontekst të një anëtari të një partie politike opozitare.

Nga ana tjetër, në mediumet që janë të afërta me opozitën, ka tendencë për akuza të pabaza ndaj policisë për tejkalimin e autorizimeve. Shembull i fundit, është lajmi që është publikuar në disa mediume pro-opozitare me titull: „Brutalitet policor ndaj njerëzve të rezistencës”, ”Brutalitet policor ndaj të rinjve të Rezistencës” dhe ”Policia sot i shtynte rezistuesit”. Në asnjërin nga këto mediume nuk është dhënë dispozita ligjore për brutalitetin policor dhe nuk është bërë analizë për atë se a bëhet fjalë me të vërtetë për një gjë të tillë ose jo? Dhe, në të vërtetë, pse ta bëjnë një gjë të tillë kur ato “vetëm njoftojnë” – njoftojnë për atë që e ka thënë MPB-ja, çka ka thënë ndonjë politikan, çka ka thënë… Si duket gjëja e vetme për të cilat nuk “njoftojnë” janë: informatat e vërteta, objektive dhe të paanshme për opinionin.


Kjo analizë është përgatitur nga kuadër të Projektit të USAID-it për përforcimin e mediumeve në Maqedoni – Komponenta Shërbimi për verifikimin e fakteve nga mediumet, që implementohet nga fondacioni Metamorfozis.. Analiza është mundësuar me përkrahjen e Agjencisë amerikane për zhvillim ndërkombëtar (USAID). Përmbajtja e analizës është përgjegjësi e autorit dhe nuk i paraqet qëndrimet e fondacionit Metamorfozis, USAID-it ose të qeverisë së SHBA-ve. Për më tepër informata për punën e USAID-it në Maqedoni, ju lutemi vizitoni ueb-faqen e USAID-it: (http://macedonia.usaid.gov) dhe faqen e USAID-it në Facebook: (www.facebook.com/USAIDMacedonia).

Abonohuni për lajmet më të reja