Mediumet për aktgjykimet e Gjykatës evropiane për të drejtat e njeriut
Published in Analiza
on 13 - 02 - 2013 Author: Мирјана НајчевскаNjëri nga rolet e mediumeve në shtetet e zhvilluara demokratike është të jenë kontrollues të pushtetit në aspekt të respektimit dhe të mbrojtjes së të drejtave të njeriut. Një aspekt i rëndësishëm i këtij kontrolli paraqet raportimi për aktgjykimet të Gjykatës evropiane për të drejtat e njeriut (GJЕDNJ) në përgjithësi, dhe në veçanti për ato që kanë të bëjnë me Republikën e Maqedonisë.
Kur GJEDNJ-ja sjell ndonjë aktgjykim, ai është aktgjykim kundër shtetit që nuk ka arritur t’i mbrojë të drejtat dhe liritë e njeriut që janë të garantuara me Konventën evropiane për të drejtat e njeriut.
Zbatimi i këtyre aktgjykimeve nuk përbëhet vetëm nga pagesa e dëmshpërblimit të caktuar për ankuesin, por nënkupton edhe zgjidhje të rastit konkret (i cili duhet të sillet në gjendjen deri në momentin para se të ndodhë shkelja) dhe zbatim të ndryshimeve të atilla që do të parandalojnë raste të njëjta ose të ngjashme në të ardhmen. Zakonisht, shtetet dëshirojnë ta ngadalësojnë zbatimin e aktgjykimeve që janë politikisht jopopullore, kontraverze ose të ndërlikuara.
Në procesin e zbatimit të aktgjykimeve të GJEDNJ-së, mediumet luajnë rol shumë të rëndësishëm. Ato duhet:
– T’i promovojnë aktgjykimet e GJEDNJ-së
– Të ofrojnë mendime dhe interpretime të ekspertëve relevantë dhe kualitativë,veçanërisht për rëndësinë e aktgjykimit dhe porositë e saj në lidhje me dobësitë e përmendura në sistemin juridik ose gjyqësor
– T’i analizojnë ato nga aspekti i obligimeve që i krijojnë për shtetin
– Të parashtrojnë pyetje për ndryshimet e bëra dhe ta kontrollojnë zbatimin e ndryshimeve
– T’i ndërlidhin rastet e reja me raste e ngjashme ose të njëjta nga aktgjykimet që i ka sjellë më parë GJEDNJ-ja.
– Të interesohen për fatin e gjykatësve të cilët në Gjykatën themelore, atë të Apelit, Gjykatën Supreme dhe/ose Gjykatën Kushtetuese kanë marrë pjesë në shkeljen e Konventës evropiane për të drejtat e njeriut
Çka ndodh në mediumet tona?
1. Nuk ka raportim të vazhdueshëm për aktgjykimet e GJEDNJ-së
Mediumet, zakonisht i përmendin aktgjykimet e GJEDNJ-së në lidhje me ndonjë rast të njohur që ka shkaktuar edhe interesim ndërkombëtar (siç është për shembull rasti i El-Masrit) ose bëjnë prezantime të shkurta të rasteve konkrete që u kanë ra në dorë në ndonjë moment të caktuar (siç është për shembull rasti i Drage Nikollovskit). Zakonisht, rastet përmenden një herë, në fazën e marrjes së vendimit nga GJEDNJ-ja dhe nuk ka analizë të zbatimit të aktgjykimeve pasi ato të bëhen të plotfuqishme. Në disa mediume paraqiten analiza të shkurta, që bëhen vetëm një herë, në lidhje me aktgjykimet e GJEDNJ-së që kanë të bëjnë me disa ndryshime që ndodhin në Maqedoni, e të cilat kanë të bëjnë me raportet me GJEDNJ-në (për shembull artikulli në “Utrinski Vesnik” me rastin e debatit të kuvend për sjelljen e Ligjit për zbatimin e aktgjykimeve të GJEDNJ-së, i cili në artikull është paraqitur në mënyrë të gabuar si Ligj për përfaqësimin e Republikës së Maqedonisë para Gjyqit Evropian).
Mungon prezantimi i vazhdueshëm i të gjitha aktgjykimeve të GJEDNJ-së që kanë të bëjnë me Republiklën e Maqedonisë, që në masë të madhe do të ndihmonte që publiku të njihet me to, e poashtu edhe të alarmohet pushteti, si dhe do të pengonte që pushteti t’i fusë porositë “nën qilim”.
2. Mediumet nuk i analizojnë aktgjykimet e GJEDNJ-së nga aspekti i detyrimeve që ato i përcaktojnë për pushtetin.
Zakonisht, mediumet nuk bëjnë analiza më të thella të materies që ka të bëjë me aktgjykimet e GJEDNJ-së (në përgjithësi, dhe në veçanti ato që kanë të bëjnë me Republikën e Maqedonisë). Përjashtim paraqet аnaliza që është bërë në të përditshmen “Dnevnik” në periudhën janar-shkurt 2011. Edhe kjo analizë nuk është pjesë e punës së përditshme të gazetës, por është aktivitet në kuadër të projektit hulumtues “Maqedonia para Gjyqit evropian” i përkrahur nga Asociacioni danez për gazetari hulumtuese dhe projekti SCOOP. Kjo nuk e zvogëlon vlerën e këtyre analizave, mirëpo flet për mungesën e interesit të vetë mediumeve për të bërë analiza të këtij lloji dhe veçanërisht për mungesën e një praktike më të gjerë të gazetarisë hulumtuese, e cila mund të japër rezultat vetëm kur bëhet fjalë për çështje të kësaj natyre.
Bile edhe atëherë kur duket se mediumet në shikim të parë bëjnë analizë të veprimeve dhe të ngjarjeve që ndërlidhen me GJEDNJ-në, ato në fakt kufizohen vetëm në informatat që i marrin nga perosnat e autorizuar, dhe nuk përpiqen të bëjnë hulumtim të mirëfilltë dhe në bazë të hetimit të tillë të përgatisin një storje. Vetëm si shembull, në аrtikullin me titull “Maqedonia humb nga 40 raste në vit në Strazbur” që është publikuar në “Utrinski vesnik” theksohet deklarata e një funksionari të Ministrisë për drejtësi, i cili thotë:
“Për momentin nuk kemi ndonjë proces kundër Maqedonisë në bazë të gjykimit në afat të arsyeshëm, ose më saktë për procese gjyqësore që në vendin tonë kanë filluar pas vitit 2007”.
Gazetari as që mundohet të hulumtojë, bile as edhe faktin se a është e vërtetë kjo deklaratë ose jo, e jo më të thellohet në temë duke e hetuar veprimin e Gjykatës Supreme për mjetin e ri juridik që është në dispozicion të qytetarëve. Sidoqoftë, deklarata nuk është e vërtetë për shkak se ka shumë raste që shqyrtohen nga GJEDNJ-ja edhe pas vitit 2007, për shkak se Gjykata konsideron se mjeti i ri juridik akoma nuk është efikas sa duhet për mbrojtjen e qytetarëve nga procedurat e gjata (për shembull rasti Dunimagllovski kundër Republikës së Maqedonisë, i parashtruar në vitin 2008, dhe i cili përfundon me marrëveshje të ndërsjellë).
3. Mediumet aspak nuk e parashtrojnë pyetjen për ndryshimet që duhet të bëhen në bazë të aktgjykimeve të GJEDNJ-së, me çka rastet do të mbylleshin përfundimisht nga aspekti i detyrimeve të Republikës së Maqedonisë
Madje edhe në ato pak raste kur mediumet raportojnë për aktgjykime konkrete të GJEDNJ-së, si për shembullnë dy aktgjykimet e vitit 2010 që janë përmendur në gazetën “Nova Makedonija”, gazetari nuk i analizon detyrimet që duhet t’i përmbushë shteti që të mund të mbyllen këto raste dhe të hiqen nga lista e rasteve që janë nën mbikëqyrje të Komitetit të Ministrave të Këshillit të Evropës. Rastet e përmendura në artikullin e lartëpërmendur (Nasteska kundë Republikës së Maqedonisë dhe Sandell kundër Republikës së Maqedonisë) akoma gjenden në listën e rasteve ku shteti nuk i ka përmbushur detyrimet e tij).
4. Në mungesë të analizës, në mediume nuk ka bile as përpjekje për ndërlidhje të proceseve aktuale që janë duke u shqyrtuar nga gjyqet me aktgjykimet ekzistuese të Gjykatës evropiane për të drejtat e njeriut
Mediumet nuk i ndërlidhin rastet e ndryshme të cilat në këtë moment janë duke u shqyrtuar nga gjykatat e vendit ose janë duke u procesuar nga organet e tjera shtetërore me raste të ngjashme me to, për të cilat tashmë ekziston i GJEDNJ-së. Vendosja e një lidhjeje të këtillë mund të ndihmojë që të parashtrohen pyetjet adekuate që ndërlidhen me ndonjë rast konkret, gjatë analizës së informatave dhe njoftimeve që i jep pushteti dhe gjatë identifikimit të detyrimeve të papërmbushura nga shteti në bazë të aktgjykimeve të miratuara më parë nga GJEDNJ-ja. Për shembull, në rastin e Georgievskit kundër Republikës së Maqedonisë i vitit 2009, GJEDNJ-ja jep udhëzime shumë të qarta për kufinjtë e përdorimit të agjentit të fshehtë (аgjentit provokator) në përgatitjen e aktakuzës, që është në kundërshtim me procedurën që udhëhiqet kundër Ljube Boshkovskit, ku ka indikacione të fuqishme se aktgjykimi bazohet mu mbi procedurat dhe deklaratat e një agjenti të këtillë. Edhe më drastike është situata me paraburgimin. Në fakt, edhe përkundër faktit se ekzistojnë aktgjykime të GJEDNJ-së që e trajtojnë paraburgimin si mënyrë për shkeljen e Konventës nga ana e organeve gjyqësore në Republikën e Maqedonisë (për shembull Vasillkovski dhe të tjerët kundër Republikës së Maqedonisë në vitin 2010), në asnjërin nga rastet ku është vazhduar paraburgimi (si për shembull: Јovan Vranishkovski, Velija Ramkovski, të arrestuarit në rastin Metastaza e të ngjashme), gazetarët nuk i gërshetojnë këto të dhëna dhe nuk e parashtrojnë pyetjen për përshtatshmërinë e masës së përdorur.
5. Nuk ka gazetari hulumtuese që ka të bëjë me aktgjykimet e GJEDNJ-së
Gazetarët nuk futen në hulumtim më serioz as të pasojave që i vuajnë gjykatësit që qëndrojnë prapa aktgjykimeve ku është konstatuar shkelje e të drejtave nga ana e GJEDNJ-ja. Në fakt, nuk ka analiza për atë se gjykatës kanë përparuar në karrierë (ose janë shpërblyer në ndonjë mënyrë tjetër) pas përfundimit të rasteve të ccilat pastaj janë ankimuar para GJEDNJ-së dhe për të cilat janë sjellë këto aktgjykime. Nuk ka analiza as për atë se a përsëriten në mënyrë të vazhdueshme nga një numër gjykatësish shkeljet e njëjta të të drejtave edhe pas sjelljes së aktgjykimeve nga ana e GJEDNJ-së.
Në këtë mënyrë mediumet e humbin mundësinë që të mbledhin të dhëna, gjegjësisht t’i përdorin të dhënat që i kanë në dispozicion, për kritikë serioze dhe të qëndrueshme dhe kontroll edhe të pushtetit legjislativ, edhe të atij ekzekutiv edhe të atij gjyqësor.
Linke që kanë të bëjnë me GJEDNJ-në dhe Maqedoninë
• Ueb-faqja zyrtare e Gjyqit evropian për të drejtat e njeriut në anglisht: European Court of Human Rights.
• Konventa evropiane për mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe lirive themelore (pdf)
• Aktgjykime dhe vendime në lidhje me shprehjet e urrejtjes nga praktika gjyqësore e Gjykatës evropian për të drejtat e njeriut (2012) publikuar nga OSBE-ja.
• Aktgjykime të Gjykatës evropiane për të drejtat e njeriut të publikuara nga Ministria për drejtësi e RM-së
• Kërkimi i rasteve aktuale që janë ngritur kundër Republikës së Maqedonisë para GJEDNJ-së, në anglisht:Pending Cases – Current State of Execution.
• Publikime të Këshillit të Evropës për GJEDNJ-në, në anglisht: Council of Europe, Publications.
********************************************************************************************************************************
Kjo analizë është përgatitur nga ekipi i Projektit të USAID-it për përforcimin e mediumeve në Maqedoni – Komponenta Shërbimi për verifikimin e fakteve nga mediumet, që implementohet nga fondacioni Metamorfozis. Analiza është mundësuar me përkrahjen e Agjencisë amerikane për zhvillim ndërkombëtar (USAID). Përmbajtja e analizës është përgjegjësi e autorit dhe nuk i paraqet qëndrimet e fondacionit Metamorfozis, USAID-it ose të qeverisë së SHBA-ve. Për më tepër informata për punën e USAID-it në Maqedoni, ju lutemi vizitoni ueb-faqen e USAID-it: http://macedonia.usaid.gov dhe faqen e USAID-it në Facebook: http://www.facebook.com/USAIDMacedonia.