verifikimiifakteve.mksitemap
verifikimiifakteve.mksitemap

Migena Gorenca: Ata që heshtin janë po aq fajtorë sa ata që veprojnë keq!

on 13 - 10 - 2016       
Овој напис го има и на: Maqedonisht

Reçetën për të mos u kthyer mbrapa në rrugëtimin e gazetarisë, përskaj sfidave të rënda dhe përballjes me padrejtësitë, kësaj here për www.verifikimiifakteve.mk e shpalos Migena Gorenca. Për momentin është kryeredaktore e kanalit të dytë televiziv në gjuhën shqipe në servisin publik TVM. Ekskluzivisht për ne flet për vështirësitë, por edhe për leksionet e nxjerra përgjatë karrierës së saj.

“Kur dëgjoj diçka të gabuar, unë këmbëngul për të vënë drejtësi”, pat thënë magnati mediatik Rupert Murdoch. Se sa në praktikë vlen kjo thënie, dëshmon edhe gazetarja e mirënjohur Gorenca.

 

  1. Për momentin jeni në pozitën e kryeredaktores në kanalin e dytë në gjuhën shqipe të servisit publik. Sa jeni të kënaqur me funksionimin e televizionit, çfarë mendoni se i mungon?

Televizioni i Maqedonisë funksionon në bazë të kritereve të caktuara që synojnë informimin, edukimin dhe argëtimin e shikuesve të servisit publik. Është media publike që synim kryesor ka këto tre elemente, e që e bën servisin publik një media specifike, krahasuar me mediat e tjera komerciale.

Një fakt i tillë do të thotë që herë mbas here të humbasësh nga “atraktiviteti” që po plasohet me forcë si “vlerë mediatike” kohët e fundit, por TVM2 është e vetëdijshme se ka një tjetër mision, të cilin përpiqet ta përmbushë me shumë seriozitet dhe profesionalizëm. Duke pasur parasysh misionin tonë parësor, por edhe mjetet financiare me të cilat disponojmë, ka shumë gjëra për të cilat mund të them se  në kushte të tjera mund të bëhen pak më ndryshe.

Servisi publik është i detyruar të japë emisione që ndoshta në opinion vlerësohen si “më pak atraktive”, por ne mburremi me faktin që jemi ndër mediat e pakta në vend që i përkushtojmë shumë rëndësi muzikës klasike, jemi krenarë që jemi e vetmja media në gjuhën shqipe që emetojmë të gjitha festivalet folklorike, që përkujdesemi për shoqatat dhe organizatat që nuk gjejnë vendin e merituar ndoshta në mediat e tjera. Ne përkujdesemi për ruajtjen e kulturës kombëtare dhe fetare të shqiptarëve në Maqedoni. Për shkak të gazetarëve me emër që drejtojnë programin tonë zbavitës, ne kemi ekskluzivitetin e yjeve të estradës në spektalet dhe emisionet tona zbavitëse. TVM 2 është media e vetme në gjuhën shqipe që xhiron për shikuesit e saj shfaqet teatrore të trupave në Maqedoni.

Ne u kushtojmë shumë rëndësi edhe producentëve vendorë, në bashkëpunim me të cilët kemi një sërë projektesh, duke ndihmuar kështu edhe zhvillimin e  producentëve të rinj. Jemi televizioni që i jep shumë rëndësi emisioneve dokumentare dhe serialeve televizive vendore, zhanre këto që mungojnë në masë të madhe në shumë media të tjera shqiptare.

Ne kemi momentalisht serialet më të mira familjare në treg, që vijnë nga prodhues të njohur kryesisht amerikanë e që kanë një rejting të lartë shikueshmërie në vendet e origjinës pikërisht nga një publik më familjar. Dhe padyshim, misioni ynë më i dashur janë fëmijët, për të cilët ne çdo ditë përgatisim një paletë të gjerë emisionesh duke u munduar të mbushim sadopak mungesën e emisioneve të tilla në eterin televiziv shqiptar në Maqedoni. TVM 2, ashtu si na pëlqen ta quajmë, është “Ekrani i eventeve të mëdha”, pra jemi edituesit e vetëm të eventeve të tilla si Eurovizioni, Koncerti i Vjenës, eventet e mëdha kombëtare siç ishte Shenjtërimi i Nënë Terezës, Kampionateve Botërore e Olimpiadave.

Nëse në vend ndodh diçka e madhe, njerëzit me automatizëm e dinë që ajo do të emetohet në servisin publik, sepse ky është misioni i një mediumi që financohet drejtpërdrejt nga qytetarët. Kjo është përgjegjësi e madhe për të gjithë të punësuarit në TVM 2 por edhe përmbushje me sukses e misionit tonë. Me më shumë mjete financiare, të gjitha këto ndoshta mund të bëheshin në një tjetër formë, por edhe kështu siç bëhen për momentin, ne jemi të kënaqur megjithëse jo maksimalisht.

 

  1. A keni mjete të mjaftueshme për kanal 24 orësh? Është përfolur në opinion një gjë e tillë.

Ka një ligj të miratuar në Kuvend e që doli nga një marrëveshje politike. Me plotësimin e kushteve për ndarje të mjeteve të veçanta financiare për mbarëvajtjen e kanalit 24 orësh në gjuhën shqipe dhe pranimin e kërkesave tona për ekipim me gazetarë dhe staf teknik dhe aparaturës teknike të domosdoshme për realizimin e këtij programi, shpresojmë që shumë shpejt edhe në praktikë të fillojmë të funksionojmë ashtu siç gjithnjë kanë ëndërruar të punësuarit e këtij programi, pra si një kanal që do të emitojë 24 orë program të pandërprerë në gjuhën shqipe.

 

  1. Si do ta bëni këtë ndryshim për transmetimin 24 orësh, ku do të shkojnë etnitetet tjera? A është kjo zgjidhja e duhur për ju? Nëse po, pse dhe nëse jo, pse?

Askush më shumë se të punësuarit në Programin në Gjuhën Shqipe nuk është gëzuar për vendimin politik që ka të bëjë drejtpërdrejt me programin tonë. Ne kemi një histori të gjatë “lufte” brenda RTVM-së për sa më shumë hapësirë transmetimi. Kemi filluar me shumë pak, vetëm me “Kronikën televizive”,  e tani jemi një program pothuajse i plotë.

Teknologjitë moderne japin mundësi të shumta që do të ndihmojnë në këtë rast edhe në ndarjen e programit në gjuhën shqipe, nga programet e 5 etniteteve të tjera jo shumicë.  Por, siç përmenda edhe më lart, për gjithçka duhen mjete financiare. Edhe ne, por edhe redaksitë e tjera që tashmë funksionojnë në kuadër të servisit të dytë programor, mendojmë se ndarja do të shkonte në favor të shikuesve të të gjitha programeve. Edhe programi në gjuhën shqipe do të kishte hapësirën e dëshiruar 24 orëshe në dispozicion, por edhe redaksitë e tjera do të zgjeronin programin e tyre që aktualisht përbëhet prej vetëm 3 orë e gjysmë programacion në ditë. Një vendim në të mirë të të gjithëve, pra. Presim vetëm realizimin në praktikë.

 

  1. Karriera juaj e bujshme gazetareske me siguri numëron shumë sfida, a mund ta ndani një sfidë së bashku me leksionin që keni nxjerrë nga po ajo sfidë?

2001 ishte sfidë për të gjithë, padyshim edhe për mua. Një sfidë që më mësoi se gjërat duhen thënë hapur në këtë vend, ku jo gjithnjë pranohen mendimet e hapura të njerëzve që mendojnë ndryshe. Atë vit mësova se si është të dënohesh në rrogë e të kërcënohesh për deportim nga Maqedonia, por në të njëjtën kohë mësova se njeriu që vepron me bindje për gjërat në të cilat beson, nuk duhet të ketë frikë nga asgjë.

Ky “zakon i keq” siç e quajnë disa njerëz, i të thënit të gjërave hapur, më ka shkaktuar probleme të shumta edhe në vitet pasuese, vazhdon të më shkaktojë edhe sot. Kam mësuar se në Maqedoni njerëzit nuk i duan ata që ta thonë në sy se ku gabon, kam mësuar se në një vend ku të gjithë janë “të gjithëdijshëm” është  vështirë t’ua thuash në sy se sa në të vërtetë nuk dinë. Kam mësuar se më mirë kalojnë ata që heshtin. Por, kam mësuar mësimin më të rëndësishëm në jetë. Nëse hesht gjërat nuk ndryshohen dhe ata që heshtin janë po aq fajtorë sa ata që veprojnë keq. Unë jam nga gazetarët që nuk heshtin pa marrë parasysh nëse mos-heshtja mund të më dëmtojë. Është më mirë një njeri që t’i thotë gjërat në sy, sesa 100 të tjerë që të rrahin krahët e ta ngulin thikën pas shpine.

Pra, mësimi i mësuar nga sfidat në gjithë këto vite profesion, më ka bërë më të drejtpërdrejtë në përballje me njerëzit. Në këtë karrierë goxha të gjatë televizive kam mësuar edhe një gjë tjetër, se më të “mençur” dhe “punëtorë” janë pikërisht jo punëtorët, por që dinë të mburren. Unë kam zgjedhur të punoj dhe të hesht, kam një CV profesionale që flet shumë më zëshëm se unë.

 

  1. A mund të na numëroni tre karakteristika të mediave sot, që po e devijojnë gazetarinë nga parimet e saj?
  • Sot gjithkush i lejon vetes të thirret në emër të gazetarisë. Jo çdo njeri që ka një kompjuter përpara e që i del emri diku, është gazetar, kjo duhet kuptuar qartë. Sot gjithkush kujton se nëse shkruan, qoftë edhe paçavure të pakonfirmuara, është gazetar dhe kjo është thika e parë që demokracia mediatike i nguli në shpinë gazetarisë së vërtetë. Jemi dëshmitarë të nënçmimit të gazetarisë së vërtetë nga mediat online që janë në gjendje të shkruajnë çdo gjë vetëm për pak klikime më shumë, duke denigruar profesionin.
  • Jo të gjitha mediat trajtohen në mënyrë të barabartë nga ligji. Portalet e kanë të lejuar të shkruajnë çdo gjë pa u dënuar nga askush, mediat e tjera duhet të kenë kujdes në plotësimin e të gjitha kritereve dhe etikës gazetareske, pasi ka një trup monitorues që i dënon për çdo shkelje sado të vogël të ligjeve dhe rregullave të paracaktuara. Respekt për portalet që respektojnë etikën gazetareske.
  • Gazetaria e vërtetë bazohet në saktësi, drejtësi, pavarësi dhe përgjegjshmëri, por, si në çdo profesion tjetër, jo çdo njeri që e quan veten gazetar, ka aftësinë t’i posedojë këto karakteristika. Kohët e fundit ka dalë një lloj i ri “gazetarësh” që unë i quaj “gazetarë kafesh”. Për mua, duhet të ketë ligj të veçantë që të ndalojë që “muhabetet e kafeve” të bëhen objekt informacioni. Duhet të izolohen në mënyrën më brutale ata njerëz që në emër të “gazetarisë dhe fjalës së lirë”, shkelin çdo rregull apo standard të pranuar etik të sjelljes, duke dëmtuar totalisht profesionin.

Për fat të mirë ka shumë media profesionale në Maqedoni dhe njerëzit janë aq të vetëdijshëm që të dinë se nga duhen marrë informacionet e vërteta .

 

  1. Sot në Maqedoni, politika po e dikton median apo media politikën?

Fatkeqësisht, politika dikton median, në kuptimin e mirë dhe të keq të fjalës. Politika është preokupim kryesor i qytetarëve, si e tillë determinon mënyrën se si mediat konceptojnë programet e tyre.  Debatet më “interesante” televizive janë ato në të cilat politikanët grinden me njëri – tjetrin, lajmet e para në edicionet informative, në shumicën e rasteve determinohen nga zhvillimet politike të momentit. Nuk ka si të jetë ndryshe, në një kohë kur kriza politike në Maqedoni është kryefjala e ditëve tona. Madje aq shumë kriza është kthyer në përditshmëri, sa edhe shi kur bie, ne diskutojmë fillimisht se cila parti politike e ka fajin, e më pas pyesim se kush është dëmtuar.

Edhe ligjet për media, qoftë edhe ato për pavarësi mediale, sillen nga politika. Komisionet që duhet të monitorojnë pavarësinë mediale, përzgjidhen nga politika, politika financon “mendimin e lirë” përmes reklamimeve qeveritare apo projekteve të “pavarura” të shoqatave që mendojnë ndryshe nga pushteti. Në Maqedoni nuk ka mendim të lirë, ose  je me “ne” ose je me “ata” . Kështu konceptohen gjërat dhe ky konceptim fatkeqësisht ka përfshirë edhe mediat. Nuk ka media të pavarura, ka media të varura nga njëra apo tjetra anë.

 

  1. Cila do të ishte porosia e juaj për ata të rinj që duan t’i rreken gazetarisë?

Gazetaria, në kuptimin e vërtetë të fjalës, nuk është profesion që të bën të pasur (hiq gazetarët që kanë kthyer profesionin në mjet përfitimi projektesh me çdo kusht). Gazetaria e vërtetë të lë pa gjumë, të ndan nga familja të cilës do t’i mungosh ndoshta edhe në momentet më të rëndësishme, të deformon në një mënyrë të tillë sa në çdo bisedë të thjeshtë t’i kërkon të gjesh mesazhin e fshehur apo të dalësh me konkluzione. Të krijon shumë miq, po aq sa edhe armiq, kërkon sakrifica të mëdha.

Por, gazetaria televizive ka edhe anën e bukur të saj. Të bën personazh publik të njohur. Nga kjo e fundit ka njerëz që i rreken gazetarisë për të qenë të famshëm. Gazetaria nuk është famë, fama vjen me punë – ky është mesazhi im për të rinjtë . Nuk është thjesht një rrogë, ka plot vende pune që të mundësojnë një rrogë, madje pa shkuar fare në punë. Gazetaria është pasion, nëse nuk është e tillë, atëherë ai që e bën, do të jetë vetëm një i punësuar në media, por asnjëherë një gazetar i vërtetë. Për mua,  gazetaria është sakrifica më e bukur e jetës sime , për të cilën kurrë nuk jam penduar.


Ky leksion gazetaresk është përgatitur nga kuadër të Projektit të USAID-it për përforcimin e mediumeve në Maqedoni – Komponenta Shërbimi për verifikimin e fakteve nga mediumet, që implementohet nga fondacioni Metamorfozis.. Ky leksion gazetaresk është mundësuar me përkrahjen e Agjencisë amerikane për zhvillim ndërkombëtar (USAID). Përmbajtja e analizës është përgjegjësi e autorit dhe nuk i paraqet qëndrimet e fondacionit Metamorfozis, USAID-it ose të qeverisë së SHBA-ve. Për më tepër informata për punën e USAID-it në Maqedoni, ju lutemi vizitoni ueb-faqen e USAID-it: (http://macedonia.usaid.gov) dhe faqen e USAID-it në Facebook: (www.facebook.com/USAIDMacedonia).

Abonohuni për lajmet më të reja