verifikimiifakteve.mksitemap
verifikimiifakteve.mksitemap

Mungesa e Talk Show-ut dhe ftesa për miqasi me audiencat

on 13 - 01 - 2016       
Овој напис го има и на: Maqedonisht

Talk showNëse bëhet një vëzhgim mbi peisazhin shqipptar mediatik në Maqedoni, mund të thuhet se kemi të bëjmë me një atmosferë relativisht të varfër, si për nga ana e investimeve, ashtu edhe nga ana e realizimeve televizive. Deri para tre-katër muajsh, përjashto këtu mediat lokale, numërimi i televizioneve shqiptare përfundonte me numrin 2, edhe atë Radiotelevizioni i Maqedonisë, programi në gjuhën shqipe dhe Televizioni kombëtar Alsat M. Për fatin tonë të mirë, dikush u kujtua të hapë edhe dy televizione të reja satelitore, TV 21 dhe TV Shenja. Sidoqoftë, maksimumi që mund të ofrojnë të gjitha këto kanale të bëra bashkë, janë produksionet e polit show-ve apo siç njihen nga publiku ynë, emisionet politike apo debatuese. Por çfarë është talk show në thelb? Talk show është një lloj formati i cili parashikon të argëtojë publikun në mënyra të ndryshme. Nuk bëhet fjalë për promovim të sistemit të vlerave e as për ndonjë cilësi informacioni. Kemi të bëjmë me kultivimin e një kulture mediatike e cila prodhon informacione argëtuese për pjesën masive të shikuesve. Talk show mund të shihet si një “terren lufte” pa ndërlidhje praktike për shkak të natyrës së formatit që mban dhe mënyrës se si është konceptuar.[1] Fitimi që vjen në fund të ditës nga talk show, për të kuptuar se a bëhet fjalë për një copë diamanti apo për një kacidhe, është pikërisht investimi ekonomik, pra një dëshmi fizike e vërtetë si një tregues i suksesit të këtij produkti mediatik. Siç e kemi parë, themeli për të bërë lekë është hedhur para se një i ftuar të ketë arritur në studio.[2] Atëherë veç më mund të flitet për vendosjen e kremit mbi tortë. Ky format ndër të tjera përmban edhe praninë e publikut në sallë i cili në një farë mënyre është pjesë aktive e spektaklit. Ata duartrokasin (të dirigjuar nga dikush), qeshin, bërtasin, bëjnë pyetje, komente e kështu me radhë.

Në vitet e fundit, audienca është shfaqur si një fokus primar në studimet e medias. Janë bërë dhjetëra projekte për të eksploruar dhe debatuar mbi pozitën e audiencave. Bëhet fjalë për studime të huaja, ndërsa për ambientin shqiptar apo maqedonas, ky është një luks i tepruar. Fuqia brenda teksteve që ndikojnë tek shikuesit, qofshin ato të jenë të pozicionuar përmes subjektit ideologjik apo si indikatorë mediatik, del në pah ajo që quhet efekti i krijimit të modeleve. Publiku duket se funksionon si një e dhënë për të marrë. Shumë teoricientë kanë pranuar se zhanret e ndryshme mediatike janë përdorur nga audienca si një strukturë për interpretim ose një kontratë për të menaxhuar pritjet si produkte kulturore.

Edhe pse shumë media janë ndërtuar në emër të audiencës, ka pak uniformitet në përcaktimin e termit “audiencë”. Për të shqyrtuar se si mund të studiohen audiencat aktuale dhe përdorimin e zhanreve si kategori, kthehet në një shqyrtim të konjukturës midis talk show-t si zhanër, hierarkive të shijeve dhe çështjeve të identitetit social.

Talk show-t janë veçanërisht të dobishme për t’u studiuar në këtë kontekst për dy arsye kryesore.

Së pari, është një zhanër i përcaktuar gjerësisht, që përfshin një numër të subzhanreve. Kështu, talk show ofron një shembull të fortë të politikës dhe praktikave intragjenerike, ku audiencat dallojnë brenda për brenda.

Së dyti, sipas një hulumtimi që është kryer për herë të parë në vitin 1999, tregon se perceptimi ishte më famëkeq dhe talk show konsiderohej si “zhanër i keq” në televizion, i poshtëruar në mënyrë aktive në të gjithë spektrin, për vlerat e tij të ulëta kulturore dhe ndikimeve të dëmshme shoqërore. Megjithatë pikëpamjet mbi talk show-n ofrojnë një pamje vitale të një zhanri të ndërlikuar me shumë tendenca dhe supozime që mund të përmblidhen me fjalën “I keq”.[3]

Pyetja është, përse në Maqedoni mungon formati talk show? Është ky një problem investimi, mungesë idesh, apo mungesë realizimi? Mbase mund të jenë të gjitha nga pak. Sepse fakti që është format “i keq” bie në ujë. Ka gjëra shumë më të këqija në mediat tona që funksionojnë për merak (ndikimi i politikës në media, problemi i pronësisë së mediave, e kështu me radhë). Për momentin nuk mund të diskutohet për realizimin e një formati të tillë televiziv. As mediave në gjuhën maqedonase nuk mund t’u ndahet ndonjë trofe për ndonjë arritje të këtillë.

Duke u bazuar në teorinë e Jason Mittell dhe në qoftë se do t’a përshtasnim me analizën tonë, vërejmë se segmentimi dhe kategorizimi i audiencave në një emision të caktuar, është krejtësisht normal, sepse mendimi i një të ftuari në emision, mund të ketë konotacione të ndryshme tek publiku. Ata pëlqejnë atë që duan të pëlqejnë dhe lejnë mënjanë atë që më pak u intereson.

Për tu rikthyer tek argumenti i mësipërm, i vjetëruar tashmë, se talk show si zhanër mund të jetë i dëmshëm për shoqërinë, kjo është shumë relative. Dëmi apo dobia e një programi televiziv nuk varet nga forma por nga përmbajtja. Me siguri që problemet financiare dhe ato të realizimit do të minoheshin në maksimum, sikur dy gjëra do të puqeshin me njëra- tjetrën dhe ato janë: konfigurimi i një formati të përshtatshëm për identitetin kulturor të audiencave dhe edukimin e tyre për një pjesëmarrje aktive në këto paketa televizive. Se a mund të arrihet kjo, dhe çfarë nëse arrihet, i përket një analize tjetër më të thelluar.

 

 

[1] Julie Engel Manga, Talking trash : the cultural politics of daytime TV talk shows, boton: New York University Press, 2003, f. 1.

[2] Laura Grindstaff, The money shot : trash, class, and the making of TV talk shows, botn: The University of Chicago Press, 2002, f. 116.

[3] Jason Mittell, Genre and Television – From Cop Shows to Cartoons in American Culture, boton: Taylor & Francis Books, 2004, f. 95 – 96.

 


Kjo analizë është përgatitur nga kuadër të Projektit të USAID-it për përforcimin e mediumeve në Maqedoni – Komponenta Shërbimi për verifikimin e fakteve nga mediumet, që implementohet nga fondacioni Metamorfozis.. Analiza është mundësuar me përkrahjen e Agjencisë amerikane për zhvillim ndërkombëtar (USAID). Përmbajtja e analizës është përgjegjësi e autorit dhe nuk i paraqet qëndrimet e fondacionit Metamorfozis, USAID-it ose të qeverisë së SHBA-ve. Për më tepër informata për punën e USAID-it në Maqedoni, ju lutemi vizitoni ueb-faqen e USAID-it: (http://macedonia.usaid.gov) dhe faqen e USAID-it në Facebook: (www.facebook.com/USAIDMacedonia).

Abonohuni për lajmet më të reja