verifikimiifakteve.mksitemap
verifikimiifakteve.mksitemap

Nën hijen e manave

on 19 - 05 - 2014       
Овој напис го има и на: Maqedonisht
Just a sign of picking mulberry

Duar të përlyera mbi tastierë – nga mbledhja e manave. Fоtografia: Sina S, 2010

 

Kush ka ngrënë mana e di: përveç që duart, goja dhe dhëmbët do të marrin ngjyrë vjollce të errët, njollat nga manat thjesht nuk fshihen.

 

Në fillim të shekullit të kaluar në Split dhe në disa qytete të tjera të Dalmacisë, shëtitorja pranë bregut të detit, “riva”, siç e quajnë, ishte me radhë manash. Derisa banorëve lokalë nuk u erdhi deri në majë të hundës nga frutat e pjekura të drurit që binin në tokë, ngjiteshin për këpucët e kalimtarëve dhe shpërndaheshin gjithkund. Kusha ka ngrënë mana e di: përveç që duart, goja dhe dhëmbët do të marrin ngjyrë vjollce të errët, njollat nga manat thjesht nuk fshihen.

Njolla që një man interneti e bëri mbi fjalën publike në Maqedoni, poashtu, vështirë se mund të pastrohet. Lista e tradhëtarëve që u krahasuan me “ulcera” që duhet të pastrohen në mënyrë kirurgjike nga indi i shëndoshë patriotik i Maqedonisë, edhe pse përfundoi në prokurori “për shqyrtim”, nuk shkaktoi ndonjë revolt të konsiderueshëm në komunitetin e gazetarëve. U mësuam të durojmë? Apo nuk kemi ide se si të kundërvihemi?

Në disa kohë normale, do të mundeshim t’i referohemi vetërregullimit si instrument për mbrojtjen e gazetarisë si profesion që nuk meriton të bëhet sinonim i sulmit të vazhdueshëm të njerëzisë dhe dinjitetit. Por, kjo ishte kështi në disa kohë normale. Sot kjo nuk është e mundur. Jo se dy organet vetërregullative, Këshillin e nderit të SHGM-së dhe Këshillin për etikë, i kemi “në aparate”. I pari që moti është jofunksional, kurse i dyti është në inkubator dhe pret të zhvillohet pak që të ketë gjasa minimale të mbijetojë në një mjedis tepër të kontaminuar me zënka të vazhdueshme, dhunë verbale dhe shkatërrim total të standardeve profesionale.

 

Gazetaria duhet të ballafaqohet me karrieristët dhe poltronët vullgarë

 

Edhe sikur të ishin vitale dhe të fuqishme këto dy organe vetërregullatore, thjesht nuk do të kishin gjasa. Prandaj, të mos jemi tepër të ashpër në vlerësimet që bazohen në pritje joreale. Vetërregullimi në gazetarinë e Maqedonisë, nuk do të jetë i mundur derisa vetë ajo nuk ballafaqohet me karrieristë dhe poltronët vullgarë që përpiqen të përfitojnë ose bëjnë gjithçka që të mos e humbin profitin.

Rënia dramatike e profesionalizmit, madje edhe e njerëzisë elementare në hapësirën mediatike, nëse asgjë tjetër, së paku na ballafaqojnë me fundin në të cilin kemi rënë, me nevojën që të ndryshohet diçka. Por, vetëm me nevojën. Që punët të lëvizin prej konstatimit deri te realizimi, nuk mjaftojnë vetëm leksionet gazetareske dhe apelet e zbrazëta. Kjo është kështu, për shkak se kur thirrja për linç vjen nga një njeri, që nuk është vetëm figurë e vetëshpallur mediatike, por figurë kryesore mediatike, një nga të rrallët që ka privilegj ta intervistojë kryeministrin dhe të gjithë ministrat e qeverisë, i cili na drejtohet nëpërmjet radios, gazetës, televizionit dhe internetit, çdo apel për mençuri, për profesionalizëm, duket i zbehtë dhe nuk e arrin qëllimin. Nëse qëllimi është të zgjohet arsyeja.

Janë shkruar faqe e faqe me tekste për rreziqet nga gjuha e urrejtjes, një seri e tërë projektesh të fokusuara mu në këtë problem që janë financuar me anë të donacioneve të huaja, por, si duket akoma nuk shihet efekti, e bile është edhe i kundërt. Për shkak se merren me pasojat, e jo me shkaqet.

Do të ishte jashtëzakonisht naive e bile edhe e papërgjegjshme të mendohet se urrejtja lind rastësisht, në mënyrë stihike, vetëvetiu ose se është përgjigje emotive, spontane ndaj ndonjë gjendjeje ose ngjarjeje. Mu e kundërta, ajo është një projekt e menduar mirë që është rezultat i një angazhimi serioz politik.

 

Burimi i gjuhës së urrejtjes vjen nga bartësit e pushtetit

 

Prandaj, burimi i gjuhës së urrejtjes që tani dominon në diskursin publik, nuk është pasojë e nivelit të ulët të moralit ose njerëzisë te disa figura mediatike, nuk është as te publiku i pasensibilizuar në aspekt etik, por në urrejtjen që buron nga bartësit e pushtetit. Ajo gjendet në deklaratat e tyre ku nuk ka vend për ata që janë ndryshe, gjendet në aksionet me të cilat i qëron hesapet me ata që janë targetuar se armiq, në veprimet, në pikëpamjet, në të kuptuarit e demokracisë si terror i shumicës ndaj atyre që mendojnë ndryshe.

Derisa urrejtja dominon në diskursin politik në pushtet, asnjë përpjekje për vetërregullim në gazetari, as përgjigja qytetare ndaj dhunës verbale nuk do të ketë sukses. Propaganda permanente dhe nxitja e ndarjeve e çon publikun në gjendje të paarsyes, e në gjendje të këtillë është iluzore të kërkoni arsye. Normativat shoqërore jo vetëm që nuk funksionojnë, por edhe shndërrohen në të kundërtën e tyre.

Urrejtja e bren indin shoqëror. Shpërndahet me ndarje të thjeshtë. Ushqehet nga mikroborgjezia në simpatitë e fshehta të të cilës mund të llogarisë. Si të sqarohet reagimi i të gjuhës klasike të urrejtjes si një formë “pak më e fuqishme” dhe “pak më emotive” e patriotizmit. Mirëpo, problemi me gjuhën e urrejtjes qëndron në atë se në vete përmban ftesë për aksion dhe nuk mbetet vetëm në aktivitet verbal.

Cila është zgjidhja atëherë? Të përlyhemi me manat e shpërndara në shëtitoren kryesore dhe t’i pranojmë njollat ngjyrë vjollce si normale?

Ose t’i zëvendësojmë manat me palma siç bënë banorët e Splitit në vitin 1921? Por, ato nuk i hoqën qytetarët, por pushteti komunal si përgjigje ndaj kërkesave të popullatës lokale, të cilët u lodhën nga papastërtia dhe njollat që nuk lahen. Problemi qëndron në atë se pushtetit tonë, manat jo vetëm që nuk u pengojnë, por edhe i mbjellin kudo që të arrijnë.


Ky leksion gazetaresk është përgatitur nga kuadër të Projektit të USAID-it për përforcimin e mediumeve në Maqedoni – Komponenta Shërbimi për verifikimin e fakteve nga mediumet, që implementohet nga fondacioni Metamorfozis.. Ky leksion gazetaresk është mundësuar me përkrahjen e Agjencisë amerikane për zhvillim ndërkombëtar (USAID). Përmbajtja e analizës është përgjegjësi e autorit dhe nuk i paraqet qëndrimet e fondacionit Metamorfozis, USAID-it ose të qeverisë së SHBA-ve. Për më tepër informata për punën e USAID-it në Maqedoni, ju lutemi vizitoni ueb-faqen e USAID-it: (http://macedonia.usaid.gov) dhe faqen e USAID-it në Facebook: (www.facebook.com/USAIDMacedonia).

Abonohuni për lajmet më të reja