verifikimiifakteve.mksitemap
verifikimiifakteve.mksitemap

‘Perandoria’ propaganduese

on 15 - 03 - 2013       
Овој напис го има и на: Maqedonisht

“…fuqia e mediumeve, poashtu mund të përdoret gabimisht deri në atë masë sa që rrezikohet funksionimi i demokracisë. Disa kanale mediale shndërrohen në megafonë propagandues të atyre që janë në pushtet.” (Gazetaria etike dhe të drejtat e njeriut)

Gazetaria etike është e papajtueshme me propagandën partiake. Shndërrimi i mediumeve në megafonë propagandues të partisë në pushtet është e papajtueshme me demokracinë dhe lirinë e shtypit. Njësimi i gazetarisë me propagandën është karakteristikë e regjimeve totalitare, e jo e atyre demokratike.

Për fat të keq, historia e gazetarisë maqedonase nuk mund të lavdërohet me ndarje të qartë ndërmjet gazetarisë etike dhe propagandës partiake. Sintagma “penda e parë e gazetarisë maqedonase” i përshkruhet Мito Haxhivasilev Jasmin-it, i cili ka qenë “kryeshef për agjitim dhe propagandë në Këshillin qendror të Frontit Popullor të Maqedonisë”, e pastaj me vite kryeredaktor i “Nova Makedonija” –“Оrgan i frontit nacional-çlirimtar të Maqedonisë”. Përveç kësaj, nëse merret parasysh edhe karriera e suksesshme e tij politike, është shumë e logjikshme që të parashtrohet pyetja: Për çka ndahet shpërblimi shtetëror ”Mito Haxhivasilev – Jasmin” – a jepet për kontributin në gazetari dhe publicistikë, për “Penda e gazetarit – ngjyra e qeverisë!”, ose për gazetar-politikan të suksesshëm”?  Të përkujotjmë se një pjesë e gazetarisë në Maqedoninë e pavarur filloi të lirohet nga presionet politike mu me shkatërrimin e perandorisë propaganduese të “të gazetarisë njëpartiake” (NGB “Nova Makedonija” dhe RTVM-ja).

Propaganda dhe “Perandoria”

“Propaganda për ndonjë parti ose opcion të caktuar politik është e papajtueshme me profesionin e gazetarisë.” (Doracaku për etikë në gazetari)

Edhe pse në një shoqëri demokratike, gazetarët nuk duhet të luajnë rol të megafonëve në “organet” partiake-propaganduese, jemi dëshmitarë të shembujve të shumtë të përmbajtjeve partiake-propaganduese të cilat mundohen të maskohen si gazetari.

Propagandës nuk mundi t’i ikë as zgjedhja e këngës së “Eurovizionit”. Të shohim se si u prezantua kënga “Perandoria”, menjëherë pas interpretimit të parë zyrtar:

“Ritëm maqedonas dhe dy zëra të fuqishëm, ndërsa në prapavijë, me krenari qëndrojnë përmendoret historike… kështu mbretëresha e muzikës rome, Esma dhe këngëtari i ri Vllatko Llozanoski do ta prezantojnë Maqedoninë në Eurovizion, në Malme.” (VIDEO: Dëgjoni Perandorinë e Eurovizionit 27.02.2013)

Pasi kënga politike (e interpretuar nga një politikane proqeveritare) dhe videoja propaganduese shkaktuan reagime të ashpra në opinion dhe në rrjetet sociale, videoja u tërhoq nga Youtube-i. Së shpejti, në rrjetet sociale për herë të parë u paraqit informata se do të tërhiqet edhe kënga „Perandoria“. Edhe pse kjo informatë më vonë u dëshmua si e saktë, disa mediume shpejtuan ta shpallin si “thashetheme”:

“Nëpër rrjetet sociale filluan të përhapen thashetheme për tërheqjen e këngës ‘Perandoria’…

Nga burime tona kuptojmë se megjithatë, nuk bëhet fjalë për tërheqje të këngës ‘Perandoria’, me të cilën Esma dhe Lozano do ta përfaqësojnë Maqedoninë në Eurosong në Suedi, por për gabim teknik në video-inçizim, dhe se së shpejti do të mundemi përsëri ta dëgjojmë dhe ta shohim atë në You-tube.” (THASHETHEME JO TË SAKTA NË RRJETET SOCIALE: Kënga e Eurovizionit nuk është tërhequr! 28 shkurt 2013 – 17:04)

Vetëm disa orë më vonë u publikua edhe reagimi i TVM-së – “TVM: Spoti nuk i plotëson kriteret për përfaqësim të denjë të Maqedonisë”, kurse të nesërmen u përcoll edhe informata se kënga “Perandoria” do të ndryshohet.

Atëherë filloi të punojë me fuqi të plotë makineria propaganduese. Artikulli Kujt i pengon „Perandoria“? u përpoq t’i njësojë komentet negative në Maqedoni dhe në Greqi:

“një sërë komentesh negative, si në Maqedoni, ashtu edhe në Greqi. E vetmja gjë që dallon është tema që kritikohet.”

Kritika se “Perandoria” është këngë e politizuar me video të politizuar hidhet poshtë me sulmin mbi „disa mediume të caktuara mediale”:

“disa mediume të caktuara mediale e politizuan krejtësisht video-inçizimin për këngën e Esmës dhe Lozanos.”

Çdo kritikë që i është bërë këngës është paraqitur si goditje që i bën dëm Maqedonisë:

“Pas një sërë goditjesh nga jashtë dhe nga brenda, spoti u tërhoq nga Youtube-i. Mbetet e hapur vetëm pyetja se goditjet e kujt ndaj këtyre artistëve të estradës, me aftësi të fuqishme vokale, i bëjnë më shumë dëm Maqedonisë.”

Edhe ditën e ardhshme, mediumi i njëjtë vazhdoi me përpjekjet për delegjitimimin e kritikës së brendshme:

“Për vetëm 24 orë, sa qëndroi video-inçizimi në Youtube, morëm më tepër komente pozitive nga të huajt se sa nga maqedonasit… Profesionistët do ta ripërpunojnë ‘Perandorinë’, por mbetet e hapur pyetja se çka do ta shtyjë popullin maqedonas ta përkrahë dhe ta respektojë atë që është e vetja?” („Perandoria“ do të ripërpunohet, kritika jo!, e shtunë, 02 mars 2013 11:14)

Propaganda për t’i nxirë kritikuesit e “Perandorisë“, zenitin e saj e arriti në artikullin: „RTM-JA E TËRHOQI ‘PERANDORINË’: Branes edhe Madona sikur t’i këndojë, dielli nuk do ta ngrohë!” Për dallim nga “Kurir”-i, i cili fajin për debaklin e “Perandorisë” ia hedh “popullit maqedonas” i cili nuk “e përkrah dhe respekton atë që është e vetja”, “Veçer”-i fajin ia hedh drejtpërdrejt opozitës dhe liderit të saj:

“…reagimet negative filluan nga Facebook-u, ku grupet e formuara nga anëtarët e opozitës e dhanë maksimumin e tyre në nxirrjen dhe pështyrjen e këngës së Eurovizionit ‘Perandoria’ të Esmës dhe të Vllatkos. Si rezultat i kësaj, RTM-ja e tërhoqi atë me paralajmërimin se do ta ripërpunojë edhe këngën edhe spotin.”

Për dallim nga TVM-ja, e cila u distancua nga prezantimi i padenjë në spot, artikulli me titull antologjik “Branes edhe Madona sikur t’i këndojë, dielli nuk do ta ngrohë!”, e glorifikon mu prezantimin e objekteve të “Shkupit 2014” në spot:

“Më në fund doli spoti i këngës së Eurovizionit të Maqedonisë ku nuk ka male dhe dele, por objekte të mirëfillta kulturore dhe reprezentative që janë pjesë e të gjitha paraqitjeve në Eurovizion.”

Politika partiake dhe redaktuese

Gazetari duhet të sigurojë distancë profesionale nga subjektet politike.” (Kodeksi i SHGM-së)

Publikimi i “fakteve” pa mos i theksuar burimet e tyre ose instrumentet për verifikim, është edhe një simptom i propagandës që dëshiron të maskohet si gazetari. Për dallim nga gazetaria etike, që ofron informata të verifikuara, megafonët partiakë ofrojnë “fakte” të paverifikuara ose të paverifikueshme. Shpesh herë, faktet e tilla kanë të bëjnë me numrin e madh ose të vogël të pjesëmarrësve në tubimet partiake.

Për shembull, disa mediume publikuan fotografi nga një tubim partiak, duke thënë se në tubim kanë marrë pjesë mbi 90.000 qytetarë (FOTO: Mbi 90.000 qytetarë në sheshin “Maqedonia”). Asnjë medium nuk e arsyetoi se në bazë të cilës metodologji ose hulumtimi ka ardhur deri te një thënie e tillë faktike. Fituesi në kategorinë “ueb-faqja më e mirë informative për vitin 2012“ doli me prognozën se “Ky do të jetë tubimi më masovik në historinë e Republikës së Maqedonisë”. Politikanët mund t’i lejojnë vetes deklarata të tipit “do të bëhet”, por deklaratat e tilla janë të papërshtatshme për gazetarët që raportojnë për proceset aktuale politike.

Ajo që e bën propagandën më të dallueshme është mungesa e distancës profesionale nga subjekti politik për të cilin informon. Publikimi i deklaratave partiake si tituj (me ose pa thonjëza), pa mos e theksuar burimin partiak, me arsye mund të interpretohet si përputhje e politikës redaktuese dhe asaj partiake. Poashtu, kur lajmi fillon me koment, dhe kur komenti përputhet me njoftimin partiak, është më se e qartë se mediumi ka filluar t’i shërbejë interesit partiak në vend të atij publik.

Për shembull, foto storja FOТО: Mbi 90.000 qytetarë në sheshin “Maqedonia”, fillon me komentin ”VMRO-DPMNE-ja tregon se ç’është populli”. Formulimi “Fjalët e liderit të partisë… të thëna para do kohësh u dëshmuan në vepër” është shembull klasik i raportimit pa distancë profesionale nga subjekti politik për të cilin raportohet.

“Deri sa ta arrijmë Gjermaninë”

“Në kohën kur jam duke i shkruar këto paragrafe, faqja e parë e Nju Jork Tajmsit përmban 8 lajmërime-tregime të rëndësishme. Katër prej tyre, ose gjysma, janë propagandë.” (Bernajs, “Propaganda”, 1928)

“Margaritar” i vërtetë propagandues javën e kaluar ishte artikulli “PUSHTETI ME INVESTIME DHE VENDE TË REJA PUNE: Maqedonia me nivel më të ulët të papunësisë, ndërsa kjo është nga tranzicioni i Brankos”. Në artikull thuhet se “Që nga tranzicioni e këndej, Мaqedonia ka përqindje më të ulët të papunësisë”.

Formulimet “Që nga tranzicioni e këndej” dhe “tranzicioni i Brankos” janë tregues i qartë se edhe pse gazetari ka zgjedhur tema që padyshim paraqesin interes publik (investimet, vendet e punës, papunësia), mënyra se si trajtohen temat nuk ka asnjë pikë të përbashkët me gazetarinë etike. Përpjekja që “tranzicioni” t’i përshkruhet vetëm një politikani është manipulim klasik propagandues (së bashku me të gjitha efektet e tij negative) dhe njëkohësisht kjo të shpallet si kohë e kaluar e përmbyllur.

Megjithatë, kulmi i raportimit manipulativ është kjo deklaratë: “Në nivel evropian, derisa nuk e arrijmë Gjermaninë, tani për tani, Maqedonia është nivel të njëjtë me Spanjën”. Si e para, papunësia në Маqedoni (30.6%) nuk është në nivel të njëjtë me Spanjën (26.2%), por është 4,4% më e lartë dhe akoma është më e lartë në krahasim me të gjitha vendet e BE-së.
(Në analizë aspak nuk përmendet përqindja zyrtare e papunësisë, por operohet me përqindje jozyrtare “më së shumti deri në 22 përqind“). Si e dyta, çfarë kuptimi ka shprehja ”derisa nuk e arrijmë Gjermaninë”, kur të merret parasysh se papunësia në Gjermani është vetëm 5.3%? Si e treta, në tekst nxirren përfundime optimiste pa mos e marrë fare parasysh përqindjen e papunësisë (39.1 % në kuartalin e tretë të vitit 2012), që është më e larta nëkrahasim me të gjitha vendet e tjera të BE-së. Poashtu, analiza aspak nuk i merr parasysh treguesit zyrtarë statistikorë, sipas të cilëve indeksi i numrit të punëtorëve në industri vazhdimisht është duke rënë.

Por, ç’është ajo që është me rëndësi që akoma jemi në fund të BE-së, kur bëhet fjalë për indeksin e papunësisë dhe të punësimit? Çka nëse numri i punëtorëve në industri vazhdimisht bie? Për politikanët jodemokratikë është shumë më me rëndësi që indeksi i punëtorëve propagandues të rritet, ndërsa indeksi i gazetarëve etikë të zvogëlohet. Kështu, më lehtë do të na bindin me lajmet e gëzuara se “Мaqedonia ka përqindje më të ulët të papunësisë…” dhe se edhe pak dhe do ta arrijmë Gjermaninë.

 

********************************************************************************************************************************

Kjo analizë është përgatitur nga ekipi i Projektit të USAID-it për përforcimin e mediumeve në Maqedoni – Komponenta Shërbimi për verifikimin e fakteve nga mediumet, që implementohet nga fondacioni Metamorfozis. Analiza është mundësuar me përkrahjen e Agjencisë amerikane për zhvillim ndërkombëtar (USAID). Përmbajtja e analizës është përgjegjësi e autorit dhe nuk i paraqet qëndrimet e fondacionit Metamorfozis, USAID-it ose të qeverisë së SHBA-ve. Për më tepër informata për punën e USAID-it në Maqedoni, ju lutemi vizitoni ueb-faqen e USAID-it: http://macedonia.usaid.gov dhe faqen e USAID-it në Facebook: http://www.facebook.com/USAIDMacedonia

Abonohuni për lajmet më të reja