Pse mediat i injorojnë problemet e personave me pengesa? (1)
Published in Analiza
on 24 - 04 - 2013 Author: Жарко Трајаноски“Fjalët janë të rëndësishme! Gazetari duhet ta dijë se me cilin term do ta emërtojë një komunitet. Testi më i mirë për këtë është pyetja se ai komunitet a dëshiron të emërtohet në atë mënyrë? Në qoftë se termi është ofendues, ai nuk guxon të përdoret, pavarësisht nga argumentet të cilat juve mund t’ju duken të vlefshme ose normale”. (Doracak për etikën në gazetari)
Respektimi i dinjitetit njerëzor dhe i të drejtave të njeriut të të gjithë njerëzve, duke i përfshirë edhe pjesëtarët e grupeve të margjinalizuara, është obligim i gazеtarëve. Gazetarët duhet të jenë veçanërisht të kujdesshëm gjatë përdorimit të termeve për emërtimin e komuniteteve dhe të grupeve të diskriminuara, për shkak se njëra nga format më të përhapura të diskriminimit është identifikimi negativ dhe dhe nënçmues gjuhësor. Sfidë e veçantë etike është përdorimi i termeve respektuese për njerëzit me pengesa, për shkak se gjuha jorespektuese mund të shkaktojë ndjenjë të përjashtimit.
Përdorimi i shprehjeve “invalidë”, “invaliditet”,”invalidor”
Në parim, gazetarët nuk duhet ta përdorin termin e vjetëruar “invalid” (me kuptimin tekstual “jo i drejtë”, “i parregullt”). Në praktikë, parashtrohet dilema etike: Si të shmanget përdorimi i termeve “invalidë”, “invaliditet” dhe “invalidor”, kur ato janë pjesë përbërëse e ligjeve, institucioneve dhe shoqatave ekzistuese?
Në fakt, si të shmanget përdorimi i termit “invalidë” kur shkruhet për “Drejtorinë qeveritare për çështje të luftëtarëve dhe të invalidëve të luftës”, në të cilën ka “Njësi për mbrojtje të luftëtarëve dhe të invalidëve”, i cili kujdeset për realizimin e të drejtave të “Kompensimit luftarak invalidor”, “Kompensimit familjar invalidor”, “Shtesës invalidore”…? Si të shmanget përdorimi i termit “invalidor” kur raportohet për “Fondin për sigurim pensional dhe invalidor të Maqedonisë” ose për Ligjin për sigurim pensional dhe invalidor, Ligjin për organizata invalidore, Ligjin për punësim të personave invalidorë…? Më në fund, si të shmanget përdorimi i termit “invalidë”, kur po ai term gjendet në emrat e shumë shoqatave të qytetarëve?
Si të zgjidhen të gjitha këto dilema etike? Padyshim, gazetarët nuk kanë të drejtë t’i ndryshojnë emrat e ligjeve, institucioneve dhe shoqatave ekzistuese. Por, ata kanë obligim etik që me vetëdije të mos krijojnë ose të mos përpunojnë informata që nxisin diskriminim dhe t’i mbrojnë të drejtat e njeriut, dinjitetin dhe lirinë. Përveç kësaj, gazetarët kanë edhe obligim t’i shmnagen gjeneralizimit në bazë të pengesës. Nëse disa shoqata të qytetarëve akoma e shfrytëzojnë termin “invalidë” për ta emëruar veten e tyre, kjo nuk do të thotë se termi i njëjtë duhet të përdoret për ta emërtuar gjithë grupin e diskriminuar. Nëse disa institucione dhe ligje akoma e përdorin termin “invalidë”, kjo do të duhej të shërbejë si shtytje për gazetarët që ta parashtrojnë këtë pyetje: Pse ligjet dhe institucionet që kujdesen për të drejtat e qytetarëve akoma përdorin terme të vjetëruara me të cilat shkilet e drejta e tyre për dinjitet dhe respekt?
Gazetarët duhet t’i shmangen përdorimit të mbiemrit “invalidor”, madje edhe atëherë kur bëhet fjalë për shprehje që janë popullarizuar si “pension invalidor”, “shtëpi invalidore”,”komision invalidor”, “karrocë invalidore”. Në vend të përshkrimit “i/e ngulitur për karrocën invalidore” ose “i/e lidhur për karrocën invalidore” rekomandohet shprehja “njerëz që shfrytëzojnë karrocë” ose “persona që përdorin karrocë”.
Përdorimi i shprehjeve “hendikep”, “persona me nevoja të veçanta”,”njerëz me pengesa”
Një kontribut karakteristik gazetaresk ku haset përdorimi i termave nga më të ndryshmit është “Legjislacion i larmishëm sa u përket personave me invaliditet”. Në nëntitull përdoret një shprehje tjetër “Legjislacion i larmishëm sa u përket personave me pengesa në zhvillim”. Në artikull përmendet rekomandimi i ekspertëve:
“më mirë është që të shmanget termi hendikep dhe në vend të tij të përdoret shprehja persona me pengesë”.
Në fjalinë e ardhshme përsëri iu referohet “organizatave invalidore”, të cilat nga ana tjetër thonë se:
“termi hendikep nuk duhet të shmanget për shkak se ai flet për nevojën për ndërmarrjen e një aksioni më të madh politik, me të cilin këta persona do të ndiheshin më të lirë dhe të barabartë me gjithë të tjerët në vend”.
Nga njëra anë, përdorimi i referencave të ndryshme (në mesin e të cilave edhe “këta persona”), është tregues për hutinë e gazetarit. Nga ana tjetër, përdorimi i shprehjes “persona me invaliditet” te titulli, e le nën hije përpjekjen jo të suksesshme që të ngritet çështja për përdorimin e ndryshëm të termeve te ligjet.
Rekomandimet për interaksion me njerëzit me pengesa sugjerojnë shmangie të termeve të vjetëruara “i hendikepuar”, “i sakatosur” ose “i retarduar”. Mirëpo, në mediat e Maqedonisë akoma hasen tituj që i potencojnë mu këto terme: Тeksasi vrau një të burgosur të retarduar mentalisht, I trajnojnë fëmijët të shtiren si të retarduar,Fishekzjarret e vogla – lodra që i sakatojnë fëmijët, Të sakatosur nga invalidë moralë…
Në qoftë se gazetarët preferojnë të përdorin terme ligjore, më mirë është t’i përdorin termet “persona me pengesa (mentale dhe trupore)”, duke e pasur parasysh se pengesa mentale dhe trupore është e pranuar si bazë për diskriminim në “Ligjin për pengimin dhe mbrojtjen nga diskriminimi”. Në po këtë ligj definohet se çka nënkuptohet me diskriminimin e personave me pengesa mentale dhe trupore, dhe me këtë rast janë përfshirë edhe rastet kur ”nuk do të ndërmerren masa për largimin e kufizimeve, gjegjësisht përshtatjen e infrastrukturës dhe të hapësirës, shfrytëzimin e resurseve që janë në dispozicion publik, ose pjesëmarrjen në jetë publike dhe shoqërore”.
Për fat të keq, problemi i vendvotimeve të paaritshme për njerëzit në karroca nuk u diskutua nga ana e mediave, edhe pse këtë problem e përmendën përfaqësuesit e misionit ndërkombëtar që i mbikëqyri zgjedhjet lokale. Të rralla ishina mediat që gjatë fushatës parazgjedhore e aktualizuan problemin e marrjes së të drejtës për të votuar njerëzve me pengesa. Mediat kryesisht e injoruan tribunën “Edhe vota ime numërohet”, në organizim të “Polio Plus”, e cila vlerëson se:
“votojnë vetëm 1 përqind prej rreth 10 përqind të personave me hendikep nga numri i përgjithshëm i qytetarëve të Maqedonisë” (Personat me hendikep nuk janë të informuar sa duhet për të drejta e tyre zgjedhore).
**************************************************************************
Kjo analizë është përgatitur nga kuadër të Projektit të USAID-it për përforcimin e mediumeve në Maqedoni – Komponenta Shërbimi për verifikimin e fakteve nga mediumet, që implementohet nga fondacioni Metamorfozis. Analiza është mundësuar me përkrahjen e Agjencisë amerikane për zhvillim ndërkombëtar (USAID). Përmbajtja e analizës është përgjegjësi e autorit dhe nuk i paraqet qëndrimet e fondacionit Metamorfozis, USAID-it ose të qeverisë së SHBA-ve. Për më tepër informata për punën e USAID-it në Maqedoni, ju lutemi vizitoni ueb-faqen e USAID-it:http://macedonia.usaid.gov dhe faqen e USAID-it në Facebook:http://www.facebook.com/USAIDMacedonia.