verifikimiifakteve.mksitemap
verifikimiifakteve.mksitemap

Pseudongjarjet: Shfaqje luksoze e mjerimit

on 15 - 03 - 2017       
Овој напис го има и на: Maqedonisht

Njeriu u gjend në një lapidarium prej të cilit nuk ka dalje, si njerëzit kur janë në një situatë pengmarrjeje dhe asgjë nuk mund tu ndihmojë përveç dijes. Kjo në veçanti u referohet gazetarëve, aftësive dhe njohurive të tyre që t’i identifikojnë dhe t’i tregojnë pseudongjarjet, të cilat me ndihmën e medieve shndërrohen në një realitet mediatik, dhe me këtë ta fitojnë rolin e dekonstruktorëve „diversantëve” që t’i nxjerrin njerëzit nga pozita e pengut. Kuptohet, në rrugën drejt lirisë…

 

6239600068_2730271fe3_b

Ilustrimi: Ian Muttoo

 

Shkruan: Zoran Bojarovski

 

Konstruksionet mediatike synojnë të jenë pjesë e realitetit ose të krijojnë një pseudorealitet. Këto fenomene e uzurpojnë hapësirën publike dhe në ndeshje me realitetin objektiv krijojnë një konfuzion dhe imitacion ku bëhet e paqartë se çka është reale dhe çka pseudoreale. Ky fenomen i komunikimit mediatik nuk është i panjohur dhe për këtë ekzistojnë studime të shumta. Në studimin e shkurtër me titull  „Prodhimi i pseudongjarjeve dhe simulimi i demokracisë” („Proizvodnja pseudodogađaja i simulacija demokracije“) të politikologut kroat d-r Angelko Milardoviq, të publikuar në revistën mujore për punime shkencore të Qendrës për hulumtime politikologjie në Zagreb, theksohet:

„Në sferën e politikës mediet marrin pjesë me simulim të demokracisë. Gjegjësisht, e simulojnë atë që nuk është. Ky simulim i demokracisë, vetëvetiu është një pseudongjarje. Fillon me momentin e konstruktimit të modeleve të ndryshme të demokracisë si tërësi të mbyllura simbolike që nuk e pasqyrojnë realitetin, dhe po ashtu ajo nuk mund të ndërtohet mbi to… Pseudongjarjet nuk janë të mundura pa mediet. Ato, mediet, krijojnë një hiperrealitet artificial, paralel.”

Për shkak të kësaj ambivalence të tyre ose iluzionit të realitetit, për gazetarët është më me rëndësi të mësojnë t’i dallojnë format e tyre dhe kushtet në të cilat krijohen. Kur gazetarët do të mësojnë t’i dallojnë, për përllogaritjen finale të pseudongjarjeve dhe të konstruksioneve mediatike u mbeten rregullat e zakonshme profesionale dhe standardet etike: rregulli i barazisë së dy palëve, konfirmimi prej më së paku dy burimeve prej të cilëve njëri i pavarur dhe rregulli më i rëndësishëm nga të gjithë – gazetari do të kërkojë të vërtetën dhe vetëm të vërtetën.

Në librin e tij „Gjendja postmoderne” (La condition posmoderne: Rapport sur le savoir) të vitit 1979, Zhan Fransoa Liotar analizon se mbi ndryshimet e njohurive në masë të madhe kanë ndikuar shoqëria informatike, teknologjitë e reja informatike-komunikative, mediet e reja (Rapport sur le savoir). Prej atëherë e këtej mediet e vjetra janë gjithnjë e më shumë të integruara nëpër mediet e reja të shoqërisë informatike.

Në përgjithësi, mediet e reja dhe të vjetra, bashkërisht dhe në veçanti të integruara në shekullin e XXI, paraqiten në masë të madhe si kontrollues të realitetit shoqëror, si ndërmjetës në sjelljen e njerëzve, në betonimin e pozitave status quo edhe atë nëpërmjet të shfaqjeve shoqërore dhe argëtimit të cilat nëpërmjet të medieve bëhen konstruksione mediatike.

 

Kontrollues të realitetit shoqëror

 

Në konceptimin postmodern të medieve është shumë me rëndësi që vazhdimisht ta ndjekim lidhjen midis shoqërisë dhe medieve, veçanërisht sot kur mediet janë nën okupimin e kapitalit dhe politikës. Kur e kemi këtë parasysh mund të flasim për dy aspekte të „situatës postmoderne” nëpër medie: i pari është heqja e lirisë së banalizimit mediatik të shoqërisë dhe, i dyti, totalitarizmi i medieve.

 

Some-rights-reserved-by-Tru

Ilustrimi: Truthout.org

 

Të parin e krijoi diktatura e tregut e cila mediet dhe informatat i trajton si një mall të zakonshëm. Për shkak të diktaturës së tregut, mediet po fundosen në një banalitet mediatik, e bëjnë publikun budalla, dhe të gjitha këto tipare së bashku përfundojnë në diktaturën populiste të banalitetit me të cilën vendoset kontroll mbi sjelljen e njerëzve.

Njerëzve u është dhënë e drejta e votës dhe u ofrohen zgjedhje parlamentare dhe të tjera, por, njëkohësisht, populli hutohet me një patetikë sportive dhe patriotike, me festa birrash dhe vende birrash, me pastërmajliada dhe piftiada, me starleta që kanë fituar role filmash së bashku me James Deen, Marlon Brandon dhe Merilyn Monroe, me seks mbi sobë elektrike… .

Një disiplinë e veçantë e krijimit të pseudongjarjeve dhe pseudorealitetit tek ne është blerja e emrave për shtetin tonë  për përdorim të përgjithshëm, për ndërrim të referencës apo për përdorim bilateral….

 

Shoqëri pseudongjarjesh për spektakle mediatike

 

Ky „realitet” dhe „realiteti mediatik” i joni nuk është asgjë autentike maqedonase. Kanë një prapavijë, kujtesë dhe njohuri historike. Filozofi gjerman Peter Sloterdijk në librin e tij „Kritika e mendjes cinike” thotë:

„Cirku i Romës ka qenë një vend për transformimin e duelit ushtarak, betejës së luftëtarëve, në një shfaqje fashistogjene… Sot spektaklet e orkestruara gjithnjë e më shumë dominojnë në hapësirën publike e cila hapur po shndërrohet në një cirk. Shoqëria e argëtimit e krijuar në kohën e Romës, tani po kthehet si një shoqëri spektaklesh. ”

Bota dhe shoqëria në të cilën jetojmë në masë të madhe është e ndërmjetësuar nga mediet. Prandaj, është e logjikshme pyetja se a është çdo gjë që ndodh rreth nesh rezultat i ngjarjeve autentike, apo është përmbledhje e një realiteti të konstruktuar mediatik? Realiteti i konstruktuar mediatik i fsheh ngjarjet e vërteta në jetën e përditshme, i mbulon marrëdhëniet reale të fuqisë, e kthen vëmendjen kah përmbajtjet e parëndësishme dhe krijon një hiperrealitet të ndërmjetësuar nga mediet, gjegjësisht nga teknologjitë mediatike.

Njeriu të cilit i atribuohet termi „pseudongjarje” është Daniel Burstin, një historian amerikan dhe analist politik. Ai në librin e tij „The Image: A Guide to Pseudo-Events in America “ të vitit 1961 i ka parashikuar tendencat e reja të krijimit të përbashkët të realitetit nga mediet dhe qendrat ekonomike e politike të fuqisë, të cilat dhjetëra vite më pas në një pjesë e zhvilluan më shumë në sistemin e konceptimit postmodern te medieve Zhak Derida, Zhak Lakan, Zhan Bodrijar, Mishel Fuko, Umberto Eko, Kurt Vonegat, Tomas Pinçon…

Ja pse, sipas Burstinit, janë atraktive pseudongjarjet:

  • Janë të shkruara (përgatitura) paraprakisht dhe janë dramatike.
  • Përfshijnë personazhe interesante.
  • Prodhojnë fotografi me dimensione ikonografike: turmë të paduruar, drama familjare tronditëse, tullumbace të paradimenzionuara patriotike.
  • Janë të dizajnuara që të jenë qetësuese, gjegjësisht të shqetësojnë aq sa te duket se ato që i krijojnë e „kanë situatën nën kontroll”.
  • Krijojnë iluzion të informimit tek ato drejt të cilëve janë të destinuara pseudongjarjet.
  • Një pseudongjarje hap rrugë për më shumë pseudongjarje.

Në bazë të këtyre karakteristikave dhe në bazë të realitetit mediatik, Burstin pa shpresë konstaton se pseudongjarjet ua ndërrojnë drejtimin temave dhe ngjarjeve reale.

Por, a duhet doemos të jetë ashtu? Në institutin Pointer besojnë se disa doza të Daniel Burstinit janë të nevojshme që të krijohet një rezistencë kolektive e gazetarëve kundër këtij sharmi infektues të pseudongjarjeve. Përse para se të nisen të informojnë për diçka që sipas të gjitha indiceve është pseudongjarje, gazetarët nuk ja parashtrojnë vetes këto pyetje:

  • Pse të mos t’i heq këpucët e mija të lëkurës dhe pse mos i mbath atletet e mija e të shkoj në një udhëtim të gjatë prej dere në derë që të parashtroj pyetje?
  • Si, çfarë, ku dhe kur janë shumë të parashikueshme, pse të mos merrem me pyetjet më të rëndësishme në rastet e pseudongjarjeve siç janë: kush, si, dhe pse?
  • Pse të mos i ballafaqojmë faktet e pseudongjarjeve me faktet e jetës reale dhe me mendimet e më të prekurve?
  • Kur informojmë për pseudongjarje që duken si një shfaqje teatrale me tre akte me efekte ndriçuese dhe duartrokitje të porositura, pse të mos i përdorim mjetet dhe strategjitë gazetareske të kritikëve të teatrit?
  • Nëse informojmë për pseudongjarje që duken si gara kuajsh, pse të mos shtojmë pak atmosferë nga ngjarjet sportive?

Koncepti i pseudongjarjeve nënkupton ngjarje të planifikuara, informim të riprodhuar dhe një raport të dykuptimtë me realitetin dhe maskimin e tij. Ashtu siç u paraqitën forma gjithnjë e më të elaboruara të simulimit, ashtu edhe gjithnjë e më shumë analistë parashtruan pyetje në kërkim të përgjigjeve për atë se çka po ndodh. Shumë prej tyre kishin një mesazh të përbashkët: shoqëria është në rrezik prej rolit gjithnjë e më të madh të iluzioneve në rrethimin tonë material dhe kulturor.

Spektri i pseudongjarjeve është i gjerë: inskenime politike, manipulime, simulim të realitetit, konstruksion të hiperrealitetit, „komunikim strategjik”, marketing politik, spin, konferenca për shtyp, shpallje për publikun, fushata mediatike… Pikërisht ashtu siç shkruan Bodrijari – shpikje dhe shkaktim të ngjarjeve.

Një nga pseudongjarjet më të rëndësishme na u luajt këtyre ditëve para syve tona në dimensione masovike:  Hulumtimi i shkencëtarëve amerikanë për popujt më budallenj të botës. Pothuajse të gjitha mediet e gëlltitën grepin dhe këtë mirazh ua shërbyen qytetarëve si të vërtetë.

Ka edhe një dimension „të ngjitur” pas konceptit të krijimit të pseudongjarjeve – PR-i. Një dimension shumë i rëndësishëm.

Manjati i madh i propagandës dhe PR-it, Eduard Bernajs, definon tre funksione të rëndësishme të propagandës: të informojë, të bindë dhe të integrojë. Kjo në masë të madhe përputhet me konceptin e pseudongjarjeve.

Përfundojmë edhe me një studiues relevant të shoqërisë postmoderne komunikative, Zhan Bodrijar, si një person më shumë i cili u ndihmon gazetarëve t’i dallojnë pseudongjarjet. Në analizën e tij „Mbi të vërtetën dhe jo të vërtetën” (Europski glasnik 10/2005., fq. 194.), filozofi francez konstaton:

„Përgjatë të gjithë gjerësisë së jetës së përditshme po aplikohet një proces i simulimit i ndihmuar nga teknologjia e komunikimit dhe informatike… Në komunikimet masovike ky veprim merr forcën e realitetit: realiteti është ndërprerë, i dekompozuar në favor të jorealitetit i cili po materializohet me ndihmën e medieve.”

 

Vetëm dija mund të na ndihmojë

 

Në këtë mënyrë njeriu u gjend në një lapidarium nga i cili nuk ka dalje, ashtu si njerëzit kur janë në një situatë pengmarrjeje dhe asgjë nuk mund ti ndihmojë përveç dijes.

Kjo në veçanti u referohet gazetarëve dhe aftësive dhe njohurive të tyre që ti dallojnë dhe ti zbulojnë pseudongjarjet, të cilat me ndihmën e medieve shndërrohen në një realitet mediatik dhe e marrin rolin e dekonstruktorëve dhe „diversantëve” që ti nxjerrin njerëzit nga pozita e pengut.

Kuptohet, në rrugën drejt lirisë….

 

3747064314_0b61921dae_z

Ilustrimi: Federico Morando


Ky leksion gazetaresk është përgatitur nga kuadër të Projektit të USAID-it për përforcimin e mediumeve në Maqedoni – Komponenta Shërbimi për verifikimin e fakteve nga mediumet, që implementohet nga fondacioni Metamorfozis.. Ky leksion gazetaresk është mundësuar me përkrahjen e Agjencisë amerikane për zhvillim ndërkombëtar (USAID). Përmbajtja e analizës është përgjegjësi e autorit dhe nuk i paraqet qëndrimet e fondacionit Metamorfozis, USAID-it ose të qeverisë së SHBA-ve. Për më tepër informata për punën e USAID-it në Maqedoni, ju lutemi vizitoni ueb-faqen e USAID-it: (http://macedonia.usaid.gov) dhe faqen e USAID-it në Facebook: (www.facebook.com/USAIDMacedonia).

Abonohuni për lajmet më të reja