verifikimiifakteve.mksitemap
verifikimiifakteve.mksitemap

Si raportuan mediumet për raportin e “Raportuesve pa kufinj”? (1)

on 15 - 02 - 2013       
Овој напис го има и на: Maqedonisht

„I’ve been cheated by you since I don’t know when…“ („Mamma Mia“, Abba)

Si raportuan mediumet për rangimin e fundit të “Raportuesve pa kufinj”? Para se ta parashtrojmë pyetjen se a ka pasur raportim joetik, të shohim se çka na sugjeron analiza komparative e titujve të mediumeve për rangimin e “Raportuesve pa kufinj” të vitit 2009 dhe 2013.

Relevanca e raportit të “Raportuesve pa kufinj” në vitin 2009
Në vitin 2009, një numër i madh mediumesh njoftuan për rangimin e “Raportuesve pa kufinj”, pa mos e kontestuar kredibilitetin e kësaj organizate: “Gazetarët maqedonas me liri më të madhe në Ballkan” (Sitel), “Raportuesit pa kufinj” na vendosën në vendin e 34” (Dnevnik),”Arritëm në vendin e 34 për nga liria e mediumeve “ (Utrinski vesnik), “Maqedonia në vendin e 34 për nga liria e shtypit “ (“Veçer”), “Maqedonia në vitin 2009 më e mira në Ballkan sa i përket lirisë së mediumeve” (Makfaks)… Madje edhe komenti i Qeverisë për raportin e “Raportuesve pa kufinj” kishte titullin: “Qeveria i uron mediumet për kontributin e tyre”.

Domethënë, në vitin 2009 qeveria e ka konsideruar raportin e “Raportuesve pa kufinj” si relevant, ndërsa rangimin e ka vlerësuar publikisht si “tregues i veçantë për zhvillimin e nivelit të demokracisë dhe respektimin e lirive dhe të drejtave në vendin tonë” (Qeveria e përshëndeti raportin e “Raportuesve pa kufinj”për lirinë e mediumeve). Dhe jo vetëm ajo. Me rastin e rangimit të lartë në raport, qeveria u ka dërguar “urim të sinqertë përfaqësuesve të mediumeve, dhe të gjithë personave që e kryejnë profesionin e gazetarisë, për kontributin e tyre në etablimin e Republikës së Maqedonisë si një vend në të cilin më së shumti respektohet liria e mediumeve në rajonin e Evropës Juglindore”. Me këtë rast, e inkurajuar nga raporti i “Raportuesve pa kufinj”, Qeveria ka premtuar se ”edhe në të ardhmen, nëpërmjet dialogut dhe bashkëpunimit konstruktiv me përfaqësuesit e mediumeve, do të vazhdojë të punojë në avancimin e nivelit të lirisë së mediumeve, dhe zhvillimin e vlerave dhe proceseve demokratike në Republikën e Maqedonisë”.

Prandaj, në vitin 2009, as mediumet e as qeveria nuk e ka vënë në dyshim rangimin e “Raportuesve pa kufinj”. Raportin e “Raportuesve pa kufinj” e kanë pranuar si tregues për lirinë e mediumeve dhe si “tregues i nivelit të demokracisë dhe respektimit të lirive dhe të drejtave”.

Rangimi i “Raportuesve pa kufinj” në vitin 2013

Në vitin 2013, rangimi i “Raportuesve pa kufinj” ishte një temë shumë më aktuale dhe më kontroverze në mediume. Një pjesë e titujve të mediumeve përcollën porosi për keqësimin e gjendjes me mediumet dhe vlerësimit që i është bërë Maqedonisë:  “Raportuesit pa kufinj: keqësohet gjendja me mediumet në Maqedoni” (Telma), „Bie indeksi i lirisë së mediumeve” (Dnevnik), “Gazetaria në Maqedoni me vlerësime më të këqija” (Nova Makedonija). Disa tituj, këtë rënie e përshkruan si “të rrëmbyeshme”, “dramatike”, “katastrofale”: “Gazetaria maqedonase vazhdon të bjerë rrëmbyeshëm, Maqedonia e fundit në rajon për nga liria e shtypit” (MKD), “Rënie dramatike e lirisë së gazetarisë në Maqedoni”(Vest), “Rënie katastrofale e Maqedonisë te Raportuesit pa kufinj – e 116-ta” (24 Vesti). Disa tituj të tjerë theksuan se liria jonë mediale është më e rrezikuara dhe se përgatitet legalizim i censurës: “Raportuesit pa kufinj: Maqedonia ka liri më të rrezikuar mediale në rajon!” (Kapital), ”Raportuesit pa kufinj”: Maqedonia ra për 22 vende dhe përgatitet ta legalizojë censurën” (PlusInfo).

Por, për dallim nga shumica dërrmuese e titujve, disa tituj identikë dhanë një porosi krejtësisht tjetër në publik: “Raportuesit pa kufinj”: Gjendja me lirinë e mediumeve kthehet në suazat e zakonshme (MIA) „“Raportuesit pa kufinj”: Gjendja me lirinë e mediumeve kthehet në suazat e zakonshme“ (Sitel – 30.01.2013), „Gjendja me lirinë e mediumeve në vitin 2013 kthehet në suazat e zakonshme“ (Press24). Përkundër shumicës së titujve që e potencuan vlerësimin për gjendjen me lirinë e mediumeve në Maqedoni,  titulli i agjencisë MIA (i cili pastaj u përcoll nga mediumet e tjera) e potencon vlerësimin e “Raportuesve pa kufinj” për “gjendjen me lirinë e mediumeve”, pa mos e theksuar fare se vlerësimi i këtillë nuk ka të bëjë me Maqedoninë.

Mama MIA!
Si mund  të interpretohet porosia optimiste të cilën e përcollën agjencia MIA, Siteli dhe disa mediume tjera – si përpjekje për tejkalimin e perspektivës maqedonocentriste të cilën e paraqitën shumica e mediumeve (në frymën e sintagmës “Raportuesit pa kufinj”), ose si përpjekje për manipulim medial, duke përcjellë me qëllim informata të padefinuara dhe tendencioze?

Nëse supozojmë se porosia pozitive që e përcjell MIA ka të bëjë me gjendjen me lirinë e mediumeve në botë në vitin 2013, porosia e këtillë aspak nuk përputhet me titullin e raportit të “Raportuesve pa kufinj”: “Indeksi botëror për lirinë e shtypit 2013: Shpresa të shkatërruara pas pranverës” (Reporters Without Borders: 2013 World Press Freedom Index: Dashed Hopes After Spring.) Nëse supozojmë se porosia e dërguar për “kthimin në suaza të zakonshme” ka të bëjë me rajonin më të gjerë në të cilin gjendet Maqedonia, atëherë assesi nuk përputhet me vlerësimin e përgjithshëm të “Raportuesve pa kufinj”:

“Jashtë Bashkimit Evropian, liria e informatave është në gjendje të kolapsit”. Madje edhe sikur të supozojmë se ka të bëjë me gjendjen në Ballkan, porosia e përcjellë është krejtësisht joadekuate me vlerësimin përshkrues që është dhënë në raport: “Ballkani mbeti i ngulitur në praktikat represive të së kaluarës”.

Prandaj, porosia që e përcjell titulli i MIA-s, thënë më butë, është rezultat i përcjelljes selektive dhе interpretimit të njëanshëm të raportit të “Raportuesve pa kufinj” nëpërmjet kornizimit “optimist”.

Në lajmin e MIA-s ka vend edhe për vlerësimin që i është bërë Maqedonisë, por kjo është bërë në paragrafin e shtatë:

“Maqedonia është në vendin e 116-të (shënon rënie prej 22 vendesh) dhe është futur në grupin e tretë të vendeve (me ngjyrë portokalli) me “probleme të konsidеrueshme”, ku bëjnë pjesë edhe vendet e tjera të rajonit, si dhe Koreja Jugore, Japonia, Italia dhe Hungaria.”

Paragrafi i shtatë i MIA-s na përcjell një lajm të keq dhe një lajm “të mirë”. Lajmi i keq është se “Maqedonia është në vendin e 116-të (shënon rënie prej 22 vendesh)”. Lajmi “i mirë” është se Maqedonia  është futur në grupin e njëjtë “ku bëjnë pjesë edhe vendet e tjera të rajonit, si dhe Koreja Jugore, Japonia, Italia dhe Hungaria.” Në lajmin e keq, i cili është futur diku nga fundi i artikullit, nuk ka asgjë që faktikisht është problematike. Mirëpo, informata se Maqedonia bën pjesë në rajonin e njëjtë me Korenë e Jugut dhe Japoninë, është jo e saktë në aspekt gjeografik, dhe vetëvetiu është skandaloze për një agjenci gazetareske.

Poashtu, përpjekja e MIA-s që Maqedoninë ta fusë në grupin e njëjtë me këto katër vende, aspak nuk bazohet në të dhënat që janë publikuar në raportin e “Raportuesve pa kufinj”. Koreja Jugore është e ranguar në vendin e 50-të (vitin e kaluar në vendin e 44), Japonia është në vendin e 53-të (vitin e kaluar në vendin e 22-të), Hungaria është në vendin e 56-të (vitin e kaluar në vendin e 40-të), ndërsa Greqia në vendin e 84 (vitin e kaluar në vendin e 70-të). Ngjyra e hartës së “Raportuesve pa kufinj” me të cilën është shënuar Maqedonia nuk është e portokalltë, por oker, ndërsa ngjyra me të cilën janë shënuar Koreja Jugore dhe Japonia është e verdhë. Domethënë, lajmi “i mirë” i cili përcillet menjëherë pas lajmit të keq, aspak nuk është i bazuar në aspekt statistikor në të dhënat që janë publikuar në hartë, por është konstruktuar me falsifikim të të dhënave gjeografike, lexim të gabuar të hartës, dhe me manipulim me të dhënat statistikore.

Është interesante se në lajmin e MIA-s trajtohet edhe çështja se cilat vende kanë shënuar rënie më mëdha: “Rënie më të madhe shënojnë Mali, për 74 vende dhe tani gjendet në vendin e 99-të, Tanzania për 36 vende dhe tani gjendet në vendin e 70-të, dhe Japonia për 31 vende dhe tani gjendet në vendin e 53-të.“ Por, pse lista e vendeve me rënie më të madhe është shkurtuar në vetëm tre vende, kur edhe Maqedonia (-22) në mënyrë eksplicite është futur në nënkapitullin “rënie të mëdha”, së bashku me Sulltanatin e Omanit (-24), Izraelin (-20), Malezinë (-23), dhe Kamboxhën (-26). Raportimi i këtillë paraqet shembull klasik të raportimit selektiv dhe fshehjes së të dhënave thelbësore.

Pak më lartë, kur bëhet fjalë për rangimin e vendeve anëtare të BE-së, МIA e shfrytëzon sintagmën “rënie më dramatike “: „Rënie më dramatike është shënuar vetëm te Hungaria (vendi i 56-të) dhe Greqia (vendi i 84)“. Nëse përshkrimi “rënie më dramatike” përdoret për Hungarinë (rënie prej 16 vendesh) dhe Greqinë (rënie prej 14 vendesh), pse MIA nuk fletë për “rënie dramatike” edhe në rastin e Maqedonisë (rënie prej 22 vendesh)?

Thënë shkurt, lajmi i MIA-s është shembull për raportim joetik dhe manipulim mediatik, nëpërmjet përcjelljes selektive dhe interpretimit të njëanshëm të të dhënave, nëpërmjet përcjelljes së qëllimshme të informatave të padefinuara, nëpërmjet leximit të gabueshëm të hartave, nëpërmjet falsifikimit të të dhënave statistikore gjeografike dhe manipulimit të tyre, si dhe nëpërmjet fshehjes së të dhënave thelbësore për Maqedoninë.

Raportimi joetik i MIA-s është veçanërisht simptomatik, nëse merret parasysh se kryeredaktori përgjegjës i shoqatës aksoniare MIA dhe anëtarët e këshillit drejtues i zgjedh këshilli mbikëqyrës, anëtarët e të cilit janë emëruar nga ana e Qeverisë së Rapublikës së Maqedonisë.

(vazhdon, me pjesën e dytë)

 
********************************************************************************************************************************

Kjo analizë është përgatitur nga ekipi i Projektit të USAID-it për përforcimin e mediumeve në Maqedoni – Komponenta Shërbimi për verifikimin e fakteve nga mediumet, që implementohet nga fondacioni Metamorfozis. Analiza është mundësuar me përkrahjen e Agjencisë amerikane për zhvillim ndërkombëtar (USAID). Përmbajtja e analizës është përgjegjësi e autorit dhe nuk i paraqet qëndrimet e fondacionit Metamorfozis, USAID-it ose të qeverisë së SHBA-ve. Për më tepër informata për punën e USAID-it në Maqedoni, ju lutemi vizitoni ueb-faqen e USAID-it: http://macedonia.usaid.gov dhe faqen e USAID-it në Facebook: http://www.facebook.com/USAIDMacedonia

Abonohuni për lajmet më të reja