verifikimiifakteve.mksitemap
verifikimiifakteve.mksitemap

Si raportuan mediumet për raportin e “Raportuesve pa kufinj”? (2)

on 22 - 02 - 2013       
Овој напис го има и на: Maqedonisht

Manipulimi i ka burimet e shkurta: A ishte Gruevski viktimë e mashtrimit në vitin 2009?

Përpjekja e agjencisë qeveritare “MIA” që ta anashkalojë rënien e lirisë së shtypit në Maqedoni përfundoi pa sukses (shih “Мama MIA: kornizim pa turpërim”). Qasja joetike shkaktoi reagime të hidhura që kontribuan për aktualizimin e temës për gazetari joetike dhe propagandë qeveritare.

Shtrati i Prokrustit i RTVM-së: Censurim nëpërmjet selektimit dhe parafrazimit

Rangimi në vendin e 116-të nga ana e “Raportuesve pa kufinj” ishte shkaku që “Shoqata e gazetarëve të Maqedonisë” (SHGM) po atë ditë të dërgojë “Reagim për vlerësimin e Raportuesve pa kufinj për lirinë e mediumeve”, i cila u injorua nga shumica e mediumeve proqeveritare, ndërsa pjesërisht u publikua në TVM. Edhe pse TVM-ja në dhjetor të vitit 2012 publikoi një lajm të veçantë ”Raportuesit pa kufinj”: Turqia është burgu më i madh për gazetarë në botë, në janar të vitit 2013 mund të gjendet vetëm reagimi i SHGM-së (SHGM: Vlerësimi i Raportuesve pa kufinj është real).

Është interesante të shihet se cilat pjesë të raportit të SHGM-së nuk janë përmendur fare. Në lajmin e TVM-së aspak nuk është përmendur i tërë paragrafi që fillon me vlerësimin “Është brengosës fakti se sipas indeksit për lirinë e mediumeve, Maqedonia është e ranguar më poshtë se sa të gjitha vendet e Ballkanit”. Mungon arsyetimi se pse ka rënie prej 22 vendesh: “Në raport, Maqedonia veçanërisht përmendet në kontekst negativ, si vend që ka shënuar rënie prej 22 vendesh për shkak të marrjes arbitrare të lejeve të punës së mediave dhe për shkak të përkeqësimit të kushteve të punës së gazetarëve”. Nga ”shtrati i Prokrustit“ në TVM është hequr edhe përkujtimi se “Vetëm para katër viteve, Maqedonia ishte në vendin e lartë të 34 në listën e Raportuesve pa kufinj”.

Jo më pak interesante është edhe teknika e shfrytëzuar për censurimin e kritikës së SHGM-së, e cila nuk arrin të kalojë nëpër “sitën e parafarazës”. Ja si parafrazon TVM-ja:

“Sipas shoqatës, imixhi i keq në botë për lirinë e mediumeve në Maqedoni nuk do të ndryshojë, deri sa mediumet të trajtohen si mjet për manipulim të publikut dhe si mjet për qërim politik të hesapeve me kundërshtarët.”

Por, në poentën e SHGM-së, në mënyrë të drejtpërdrejtë adresohen “qeveria dhe partitë politike” si përgjegjëse për “imixhin e keq në botë për lirinë e mediumeve në Maqedoni”:

“Imixhi i keq në botë për lirinë e mediumeve në Maqedoni  nuk do të ndryshojë deri sa qeveria dhe partitë politike t’i trajtojnë mediumet si mjet për manipulim të publikut dhe si mjet për qërim politik të hesapeve me kundërshtarët.“

Me parafrazimin e “…deri sa qeveria dhe partitë politike i trajtojnë mediumet…” në “…deri sa mediumet të trajtohen…” shmangen informatat për agjentët kyç të fuqisë dhe aspak nuk specifikohet se kush i trajton ato si mjet për manipulim të publikut dhe si mjet për qërim politik të hesapeve me kundërshtarët. Bëhet fjalë për anashkalim të informatave thelbësore, që vështirë se mund të arsyetohet si e paqëllimshme, kur do të merret parasysh se ky anashkalim është bërë në një medium që është nën ndikim të drejtpërdrejtë të agjentit të fuqisë i cili nuk është përmendur gjatë parafrazimit.

Anashkalimi i qëllimshëm i kritikës ndaj “qeverisë dhe partive politike” në parafrazën tendencioze të TVM-së, si dhe selektimi “prokrustrian” i informatave të rëndësishme nga njoftimi i SHGM-së, janë tregues i padyshimtë për raportimin manipulativ nga ana e shërbimit publik televiziv. Është paradoksale se TVM-ja e manipulon publikun madje edhe atëherë kur raporton se “mediumet trajtohen si mjet për manipulim të publikut”.

Mediumet nuk shfaqën ndonjë interes të veçantë për qëndrimin e qeverisë

Edhe më parë, por veçanërisht pas reagimit me kohë në Twitter të Shtefan Fyles, se “Mediumet duhet patjetër të respektohen”, ishte shumë e logjikshme që gazetarët të përpiqen të marrin përgjigje për atë se cili është qëndrimi i qeverisë për vlerësimet e dhëna në raport. Ky ishte edhe obligim i tyre profesional, jo vetëm për shkak se qeveria është palë e përmendur në raport, por edhe për shkak se raporti i “Raportuesve pa kufinj” i vitit 2009 u përshëndet nga qeveria, e cila atëherë  premtoi se “do të vazhdojë të punojë për avancimin e shkallës së lirisë së mediumeve”.

Por, në vend të përgjigjes nga kryeministri ose ministrat e tij, një pjesë e gazetarëve mbetën të kënaqur menjoftimin për pyetjen e një deputeti që u parashtrua në mbledhje të Kuvendit.

As ministresha për eurointegrime nuk u bombardua me pyetje në lidhje me raportin e “Raportuesve pa kufinj”, edhe pse liria e mediumeve është në kulm të agjendës së saj. Në vend të problemeve që adresohen në raport, një pjesë e gazetarëve ishin të preokupuar me tema senzacionaliste dhe qërim të ndërsjellë hesapesh. Sikur harruan se është obligim etik i tyre që me vëmendje t’i ndjekin dhe me guxim t’i thirrin në përgjegjësi personat që janë në pushtet.

Vendi i 113-të nuk paska qenë aq rezultat i keq?
Në vend që t’i thirrin në përgjegjësi personat që janë në pushtet për rënien e lirisë së mediumeve, një pjesë e mediumeve proqeveritare u përpoqën që përgjegjësinë ta hudhin në vend tjetër, duke përdorur teknika propaganduese për stigmatizimin, etiketimin dhe hudhjen e fajit. Shembull klasik për hudhjen e fajit duke përmendur gazetarë “dele për kurban” është artikulli “Paratë e Sorosit në mënyrë konstatnte e kontaminojnë hapësirnë mediale”, ku thuhet se “vendi i 113-të në listën e Raportuesve pa kufinj nuk është edhe aq rezultat i keq, nëse merret parasysh gjithçka që ndodhi në gazetarinë maqedonase”. Me këtë rast, si fajtorë kryesorë për “vendin e 113-të” përmenden “paratë e Sorosit” dhe “mediumet e financuara nga SOROS-i”, pa mos dhënë ndonjë sqarim se cili ka qenë roli i tyre për këtë rënie, “për shkak të marrjes arbitrare të lejeve të punës së mediave dhe për shkak të përkeqësimit të kushteve të punës së gazetarëve”. (Raportuesit pa kufinj).

Mirëpo, madje edhe përpjekja joprofesionale që të arsyetohet “vendi i 113-të në listën e Raportuesve pa kufinj” si “rezultat jo aq i keq” nuk e kalon verifikimin elementar të fakteve. Këtë vit, Maqedonia nuk është e ranguar në vendin e “113-të në listën e Raportuesve pa kufinj”, por në vendin e 116-të.

Manipulimi i ka burimet e shkurta
Megjithatë, gazetaria joetike e arriti kulmin  e saj në artikullin ”Raportuesit pa kufinj është mashtrim”, ku titulli në formë të përfundimit kategorik sqarohet në këtë mënyrë: “Ky ishte titulli i shumë mediumeve botërore që filluan të shkruajnë për mënyrën e financimit dhe të punës së kësaj organizate pas zbardhjes së shumë aferave financiare dhe keqpërdorimeve që dolën para syve të publikut botëror.”

Padyshim, çdo lexues është kurioz të shohë se kush janë ato “shumë mediume botërore” që e kanë publikuar titullin “Raportuesit pa kufinj është mashtrim”. Mirëpo, në artikull është publikuar një pamje ekrani nga një artikull tjetër që është publikuar në një medium nga Venecuela, edhe atë në vitin e largët 2005!? Poashtu, artikulli ”Raportuesit pa kufinj është mashtrim” i referohet edhe artikujve të tjerë të publikuar në vitin 2008. Padyshim, gazetarët kanë të drejtë legjitime t’i marrin me dyshim ata që përpiqen të raportojnë për liritë mediale dhe të bëjnë rangim në bazë të kritereve të caktuara. Mirëpo, në çfarë mënyre e ka bërë këtë mediumi duke e ripublikuar titullin bajat ”Raportuesit pa kufinj është mashtrim”? A është kontestuar edhe më parë kredibiliteti i tyre në këtë medium?

Më parë, në mediumin e njëjtë janë publikuar artikuj për “Raportuesit pa kufinj”, mirëpo gjatë kësaj aspak nuk është kontestuar kredibiliteti i tyre. Në artikullin ”Në ueb-faqe do të publikohen materiale të censuruara”, të publikuar në nëntor të vitit 2012, raportohet se “Organizata ndërkombëtare “Raportuesit pa kufinj” më 27 nëntor do ta vë në funksion një ueb-faqe ku do të publikohen materiale që i janë nënshtruar censurës”, duke iu referuar “Deutsche Welle”-s. Në ueb-faqen që reklamohet se “Nuk ka asnjë paralajmërim se ”Raportuesit pa kufinj është mashtrim” e as se “Deutsche Welle” ka qenë viktimë e mashtrimit. Në artikullin ”Howitt propozon në PE një rezolutë të favorshme për përparimin e Maqedonisë” (15 janar 2013) raportohet se Howitt-i “shpreh brengosje se vendi ka rënë për 26 vende në indeksin për liri të “Raportuesve pa kufinj” dhe fton në përpjekje të mëtutjeshme për përforcimin e standardeve profesionale në gazetari, promovimin e pluralizmit të mediumeve, pavarësisë së shërbimit radio dhe televiziv publik dhe transparencën e pronësisë së mediumeve”. Nuk ka asnjë paralajmërim se ”Raportuesit pa kufinj është mashtrim” e as se deputeti britanik, që është raportues për Maqedoninë, është viktimë e mashtrimit.

Domethënë, mund të konstatojmë se mediumi proqeveritar ka filluar ta kontestojë kredibilitetin e “Raportuesve pa kufinj” pas raportit kur Maqedonia ra në vendin e 116-të. Por, të shohim shkurtimisht se me çfarë faktesh, argumentesh dhe strategjish e bënë këtë?

Gazetari i panënshkruar u referohet disa “mediumeve botërore”, duke thënë se “shumica e financuesve të mëdhenj të Raportuesve pa kufinj, në fakt janë organizata qeveritare ose politike”, pa mos i krahasuar të dhënat për të cilat shkruan, me informatat që janë në dispozicion publik në ueb faqen e tyre, ku janë publikuar llogaritë vjetore për vitin 2011.

Poashtu, gazetari i panënshkruar thotë se “në raportin e fundit të Raportuesve pa kufinj për vendin tonë, nuk janë përmendur kriteret e as që janë dhënë arsyetime të detajuara se si ka ardhur deri te një vlerësim i tillë për lirinë e mediumeve që është jashtëzakonisht i keq për shtetin.” Është e qartë se, ose gazetari i panënshkruar nuk e ka lexuar raportin e fundit të Raportuesve pa kufinj, ku janë theksuar edhe kriteret edhe arsyetimet se pse Maqedonia është e ranguar në vendin e 116-të, ose me qëllim raporton informata jo të sakta. Në fakt, disa mediume të tjera raportuan edhe për shkaqet edhe për kriteret:

“’Raportuesit pa kufinj’ e bënë këtë klasifikim në bazë të gjashtë kritereve: pluralizmi, pavarësia e mediumeve, kushtet e punës dhe autocensura, kornizat ligjore, transparenca dhe infrastruktura informatike.”

Edhe në këtë tekst të panënshkruar disa herë përmendet financuesi “Soros”, si ilustrim i tezës se “organizata i përgatit raportet edhe në bazë të qëllimeve të biznesit”. Për fat të keq, teksti nuk ka asnjë arsyetim se në bazë të cilit qëllim të biznesit, Maqedonia në vitin 2009 ka qenë e ranguar në vendin e 34, si më e mira në Ballkan sipas lirive të mediumeve. E as që parashtrohet pyetja logjike: A ka qenë edhe Nikolla Gruevski viktimë e mashtrimit të “Raportuesve pa kufinj” në vitin 2009 (në bazë të qëllimeve politike dhe të biznesit), kur qeveria u dërgoi “urim të sinqertë” gazetarëve?

Vit pa urime, por me formularë për kërkim të faljes
Këtë vit, qeveria nuk u dërgoi urim gazetarëve për vendin e 116-të. Sindikati i gazetarëve organizoi аksion për kërkim të faljes deri te kuvendi dhe qeveria. Në formularin për kërkim të faljes nga Kryetari i kuvendit qëndron kjo:

“Për shkak se nuk e dëgjuam sigurimin e Kuvendit kur na u lut me të mirë që ta lëshojmë lozhën”.

Në formularin për kërkim të faljes nga kryetari i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë dhe nga ministrat e Qeverisë së Maqedonisë thuhet:

“Për shkak se Maqedonia ra në shkallën më të ulët për nga liria e mediumeve edhe personalisht do të angazhohem që Maqedonia të hiqet nga të gjitha listat për matjen e lirisë së shtypit; Dhe nga të gjitha anketat e tjera për të cilat ka raportuar ose pa qëllim do të mund të raportoj, e në të cilat Maqedonia nuk është futur në kontekst pozitiv”.

 

********************************************************************************************************************************

Kjo analizë është përgatitur nga ekipi i Projektit të USAID-it për përforcimin e mediumeve në Maqedoni – Komponenta Shërbimi për verifikimin e fakteve nga mediumet, që implementohet nga fondacioni Metamorfozis. Analiza është mundësuar me përkrahjen e Agjencisë amerikane për zhvillim ndërkombëtar (USAID). Përmbajtja e analizës është përgjegjësi e autorit dhe nuk i paraqet qëndrimet e fondacionit Metamorfozis, USAID-it ose të qeverisë së SHBA-ve. Për më tepër informata për punën e USAID-it në Maqedoni, ju lutemi vizitoni ueb-faqen e USAID-it: http://macedonia.usaid.gov dhe faqen e USAID-it në Facebook: http://www.facebook.com/USAIDMacedonia

Abonohuni për lajmet më të reja