verifikimiifakteve.mksitemap
verifikimiifakteve.mksitemap

Sitell, a ke pyetjen?!

on 29 - 09 - 2015       

Shkruan: Benjamin Arifi

Edhe pse qëndrimin në Shkup e filloi me fjalim për lirinë e mediave në Kuvend, vizita e euro-komisarit Johanes Han sërish rikonfirmoi mungesën e asaj lirie. Dhe nuk kishte shumë faj ai, në fakt, përveç vendimit për të dalë në konferencë shtypi bashkë me kryeministrin maqedonas Nikolla Gruevski. Si gjithmonë, në këto 9 vite në pushtet, kabineti i kryeministrit i vëmendshëm që të mos turpërohet ‘i zoti i shpisë’ përpara mysafirit në dëm të lirisë së shprehjes. Fatkeqësisht, interesi i “shefit” vazhdon  të mbrohet në mënyrën më brutale, duke shkelur interesin shoqërorë dhe duke ngulfatur lirinë e medias.

Kolegët gazetarë nga mediat e pakta që nuk janë shtrënguar në kthetrat e oktapodit qeveritar, e dinë se është më lehtë të fitosh llotarinë, se sa të të jepet fjala në një konferencë për shtypi. Jo vetëm që është i kufizuar numri i pyetjeve, zakonisht jo më shumë se dy gjithsej, por edhe gazetarët që u jepet ‘nderi’ për të bërë pyetje, përzgjidhen me vëmendje nga shërbimi qeveritar për marrëdhënie me publikun. Jo për nga kriteret profesionale, fatkeqësisht, por për nga niveli i kontrollit politik dhe puthadorësisë së tyre, të cilën e ka parë dhe dëgjuar opinioni në miliona raste. Rrethi magjik zakonisht nuk është më i gjerë se sa 4-5 media, Sitell, MIA, RTVM, Kanal 5, Dnevnik dhe Alfa në disa vitet e fundit.

Të rralla janë rastet kur kolegët jashtë këtij rrethi, gëzojnë mundësinë për të parashtruar pyetje në konferenca të tilla. Nuk mjafton entuziazmi, këmbëngulësia dhe duart e ngritura lartë, më lartë se sa të kolegëve që pyesin jo sepse duan, por sepse duhet. Ngelen të padukshëm të gjithë ata që nuk kanë marrë haberin me instruksione – ‘ti sot do bësh këtë pyetje’!

Skemat e tilla krijohen zakonisht për të vjedhur terrenin për pyetje nga gazetarët e pavarur dhe kritik, por shpesh herë me pyetje të porositura i jepet mundësi kryeministrit dhe funksionarëve të tjerë qeveritarë që të lavdërojnë dhe promovojnë projekte e politika që ata duan. Madje, kolegët më me përvojë shpjegojnë edhe situata sikleti, kur gazetarët  e mediave të “rrethit magjik” edhe pse të kurdisur paraprakisht, të zhytur në realitetin e dhimbshëm që nuk e shohim në lajmet e tyre, harrojnë të ngrenë dorën për pyetje. Si në një rast, kur përkundër interesit të madh të mediave të pavarura rreth një ngjarje të caktuar politike, zëdhënësi qeveritar kishte vendosur ta çonte në fund skemën e parapërgatitur, pavarësisht se nuk po gjente bashkëpunim nga gazetari “i kurdisur”, i harruar diku në qoshin e sallës së konferencave. Me këmbëngulësi dhe përkushtim, mes duarve të kolegëve të entuziazmuar, zëdhënësi e gjen në fund të sallës të harruarin dhe vendos ta ndihmojë: ‘Sitell, a ke pyetje?’.

Plas e qeshura. Por nuk është shaka.

Kështu u censurua edhe konferenca e euro-komisarit Han me kryeministrin Gruevski, ku përkundër kaq shumë çështjeve me interes publik, sidomos të lidhura me bisedimet dhe krizën politike, konferenca u kufizua në vetëm 2 pyetje! Nuk është e vështirë për tu qëlluar që njërën e mori Alfa, për të pyetur çështje të konsumuar gjerë e gjatë në fjalimet e dy funksionarëve – çështjen e refugjatëve. Vetëm njëra pyetje, për çudi, iu dha ‘24 Vesti’, televizion që perceptohet si i pavarur, por sërish mungoi përgjigjja nga kryeministri.

Për të mos folur për mediat në gjuhën shqipe, që në konferenca të tilla, ndoshta ka vite që u mbyllet goja. Sidomos në kohëra krizash politike dhe dështimesh e skandalesh qeveritare. Tek-tuk mund tu jepet fjala kur parashikohet se do të kërkojnë llogari për çështje të aktualitetit etnik politik, sepse receta tashmë është mësuar përmendësh. Kritikat për çështje të tilla me karakter entik përjetohen si lëvdata, fatkeqësisht jo vetëm nga politikanët, por edhe nga populli, që pasqyrohet më pas edhe në rejtingjet politike.

Realiteti i lirisë së mediave në Maqedoni, ose më saktë mungesës së saj, mund të përshkruhet fare mirë vetëm përmes këtij shembulli. Një ilustrim për mysafirin, trumbetuesin e kësaj vlere që Evropa synon ta kultivojë. Për t’ia bërë të qartë se pa diktimin e reformave konkrete dhe pa vullnet të mirë, vërejtjet ‘as mish, as peshk’ në Raportet e Progresit mund të mos mjaftojnë! Ndërkohë e gjithë pamja me larinë e shprehjes mbetet mu te liria për të bërë pyetjen. Për përgjigjen as që po flasim.


Kjo kolumnë është përgatitur nga kuadër të Projektit të USAID-it për përforcimin e mediumeve në Maqedoni – Komponenta Shërbimi për verifikimin e fakteve nga mediumet, që implementohet nga fondacioni Metamorfozis.. Kjo kolumnë është mundësuar me përkrahjen e Agjencisë amerikane për zhvillim ndërkombëtar (USAID). Përmbajtja e kolumnës është përgjegjësi e autorit dhe nuk i paraqet qëndrimet e fondacionit Metamorfozis, USAID-it ose të qeverisë së SHBA-ve. Për më tepër informata për punën e USAID-it në Maqedoni, ju lutemi vizitoni ueb-faqen e USAID-it: (http://macedonia.usaid.gov) dhe faqen e USAID-it në Facebook: (www.facebook.com/USAIDMacedonia).