verifikimiifakteve.mksitemap
verifikimiifakteve.mksitemap

Skender Raufi: Beteja mediatike është beteja më e madhe e fituar!

on 13 - 04 - 2016       
Këtë postim mund ta lexoni edhe në: Maqedonisht

Një karrierë me plot sfida. Jetë e tërë kushtuar luftës për të arritur deri te e vërteta,  në dobi të interesit publik dhe në kornizat e etikës gazetareske. Janë këto karakteristikat kryesore të veprimtarisë disadekadëshe të gazetarit të mirënjohur Skender Raufi. Ai për “Shërbimin e verifikimit të fakteve” zbulon disa çaste të rëndësishme nga karriera e tij, për t’i nxjerrë para nesh si leksione gazetareske që do t’i shërbenin çdo gazetari të ri por edhe atyre me përvojë, si një itinerar në rrugëtimin drejt së vërtetës.

  1. Është vërtetë e vështirë, por a do të kishit mundur ta rrumbullakësoni përvojën tuaj gazetareske në ca fjali të vetme, dhe si do ta formulonit?

Skender Raufi: Gazetarinë (atë televizive, në rend të parë) e mora si një grishje sfidante për të përhapur lëngun e përplotshëm të një diskursi pa “lule artificiale”, të sinqertë dhe të ri, të paanshëm dhe lirë, por, dhe për të peshuar moralin tim në karshillëkun e suvalëve që i servirte një sistem monist… Dhe, si shumë të tjerë, të kësaj gjenerate, të atyre para dhe të mëvonshme, e mora në dijeni se ky “mision” donkishotian do shumë sakrifica, energji dhe mbi të gjitha durim që të përjetësohet…Dhe, sot, dekada pas, në një rirenditje shoqërore dhe “kuaziplurale” për fat të keq, substanca e një gazetarie të balancuar, të lire dhe të moralshme, mbetet utopike, për mos me thënë një fiksacion distopik, i cili, i vë në sprovë gjeneratat që mbërrijnë, për nisma të reja….Edhe pse aty-këtu vura ndonjë guralec në këtë mozaik të shprehjes gazetareske, mbeta i zhgënjyer dhe NUK DOLA I FITUAR.

  1. Cilën ngjarje e kujtoni nga karriera juaj e bujshme dhe çfarë leksioni keni nxjerrë nga e njëjta? A mund ta ndani me opinionin?

Skender Raufi: Janë shumë ngjarje, që brenda katër dekadash pune në gazetari dhe jo vetëm, që zëshëm kumbojnë me destrukte, gjithmonë politike, në karrierën time. Akëcilin episod që do e veçoja, si më tingëllimtarin, do ishte e padrejtë kundruall një tjetre të ngjashme. Megjithatë, një nga mësimet, nga më të shkëlqyerat dhe më sinjifikativet, për të qenë i qartë ndaj lexuesit të këtyre ca rreshtave që po zbardh, e për të marrë në dijeni harkun e kohës së veprimtarisë sime gazetareske, doemos do të jetë fundi i vitit 1982, kur, pa fare shkrese, arsyeje ose logjike, partia komuniste e Maqedonisë urdhëroi ndryshimin e toponimisë shqipe me atë maqedonas. Shkupi u bë Skopje, Dibra – Debar, Kërçova-Kiçevo…Është një punë sizifiane të përshkruaj keqardhjen e tërë kolektivit të “TV Shkupit” të atëhershëm, pra edhe timen në këtë shtjellë rrëfimi. Ca kolegë, e bëmë heshturazi një marrëveshje që sa herë që do të përmendej “Skopje”, ne të përdorim si ‘substitut’ (!) “kryeqyteti i Maqedonisë”. Kohë më pas, survejuesit e programit edhe ashtu të shtrënguar në gjuhën shqipe, e vërejtën këtë “marifet” dhe si pasojë, tre gazetarë të redaksisë së atëhershme u suspenduan nga vendet e punës, për t’i angazhuar në zhanre tjera televizive. Nënkuptohet, unë isha i treti.

  1. Kur kujtoni kohën e veprimtarisë tuaj si gazetar, çfarë e karakterizonte atë kohë që sot ju konsideroni se mungon?

Skender Raufi: Krahasuar me kohën që sot e themi moniste (komuniste), tashti, në një gjoja sistem plural demokratik, në esence shumë pak gjëra janë jashtë “syrit të ciklonit”, pra, jashtë mbikëqyrjes politike. Ama, sot mbikëqyrës nuk janë maqedonasit, por janë shqiptarët vetë, më saktë shërbëtoret e djeshëm të politikave diskriminuese, që kujtojnë se janë “gdhirë zotërinj që nga mëngjesi”. Ata sot janë bërë racistë kaluar racistit, me të instaluar një “skotë kusarësh”, një “shportë karavidhesh”, ca kallpazanë të gazetarisë, që kapardisen me padronët e tyre injorantë, të mangët nga kodi moral e shpirtëror. Partitë politike shqiptare (servile të atyre maqedonase), çdo ditë e më thellë bënin dhe po bëjnë të çara edhe më të thella në mediat (sado të pakta) në Maqedoni. Thënë shqip e troç, derisa të qeverisin këta halabakë e gjysmakë mendsh e trush, këtë qark të shtjellës mund ta sulmojmë në pak fjalë: “diktatura mediatike në Maqedoni përgjithësisht, e ndër shqiptarët veçanërisht, si po venë punët, do të gjallojë derisa një gjeneratë, në një kohë të përafërt (?!), nuk i detyron të japin shpirt e kësisoj të hapen udhët e shprehjes së lirë”. Pra, nëse në komunizëm gazetaria (madje dhe zyrtarisht) censurohej, sot, edhe përkundër të drejtës kushtetuese për shprehje të lirë, në mënyrë më primitive, barbare dhe idioteske, jo zyrtarisht censurohet!!!

  1. Si e komentoni zbehjen e etikës gazetareske?

Skender Raufi: Zbehja e etikës gazetareske në Maqedoni, siç u prek dhe u përmend në pak rreshta më sipër, reflekton nga beteja për t’i dominuar mediat nga ana e pushtetmbajtësve. Në këtë vijë mendimi, për ta zgjeruar qarkun e këtij teksti, të shkruar situativisht, por me nder dhe pa hile, mbase edhe do të përmendet, i parafrazuar dhe në vija që nuk e ndryshojnë esencën, kundrimi i shkëlqyer i Kadaresë, i cili, me një ton tejet lucid dhe mençurisht do të konstatojë se “beteja mediatike, është beteja më e madhe e fituar….madje më e madhe se ajo në terrenin e luftës së vërtetë”. Pipirucët e politikës shqiptare në Maqedoni, të zgjuar dhe shquar për dëme dhe profite, këtë mendim e bënë kredo të veprimit të tyre, sepse, siç e dinë samarxhinjtë dhe berberët e këtij nënqielli, ata, me impotencën e tyre për pushtetari, janë bërë gaz i botës, dhe tok me ta edhe një hise, goxha e madhe e “gazetarëve” që mendojnë me bythë e shkruajnë me këmbë. Për të përmbyllur këtë kaptinë, le të mbahet mend se, ndër gazetarët shqiptarë, këtu, në Maqedoni, ka dhe pena të shkëlqyera, persona të moralshëm, guximtarë….por, kjo është një temë që duhet prekur më gjerë e më gjatë.

  1. Kohëve të fundit krijues i politikave redaktuese nuk është interesi publik por shtabet partiake. Si e komentoni këtë fenomen?

Skender Raufi: Politika redaktuese e mediave në Maqedoni, në të shpeshtën e rasteve nuk bëhet në redaksi. Krijues të këtyre politikave janë qendrat e pushtetit, ca “komisariate” apo shtabe informative, që lëpirësve të tyre u japin “direktiva” dhe “prioritete” ngjarjesh. Profili i redaktorëve (me ca përjashtime) është një shkretani për ta qarë dhe jo doemos për ta sharë, se, aq ua zë “rradakja”. Po të ishin këta redaktorë, në kuptimin më të simplifikuar të fjalës, po, para kësaj po të nuhatnin gazetarinë profesionale, nuk do lejonin që ta bastardojnë deri në këtë pike të padurueshme zanatin apo “fellën” e tyre vetanake. Thënë më qartë dhe pa fare dyzimi – interesi publik sot dhe këtu në Maqedoni, që duhet të jetë alfa e omega mediatike, ka humbur rrugë në oborrin e “sulltanëve”-politikbërës. Këtu i vihet pikë, dhe ndonjë pikëçuditëse këtij fenomeni!!!

  1. Gazetaria është “urë lidhëse mes popullit dhe pushtetit” apo është “pushteti i katërt”. Pse ?

Skender Raufi: Ditë para, një gazetar i ri, i guximshëm dhe “rebel” i kësaj kohe të “ngrirë” , energjik dhe i pa shitur gjëkundi (ca do e marrin për idealist), më pyet me tërë sinqeritetin e vet edhe këtë: A është gazetaria udhë lidhëse mes popullit dhe pushtetit, apo është “pushteti i katërt”?! Mik i ndershëm, Maqedonia ka vetëm një pushtet – të parin. I dyti dhe i treti janë pushtet “havadan”, ndërsa për gazetarinë si pushtet i katërt do mund të bisedojmë kur të fashitet açik diktatura që ka mbërthyer këtë shtet. Të uroj ta mbërrijmë gazetarinë, si kudo në botën e civilizuar, si pushtet i katërt!

  1. Si do t’ia argumentonit një studentit të gazetarisë pesë gjërat kryesore, që gazetarinë ta jetojë si profesionin më të mirë të mundshëm?

Skender Raufi: Studentëve që kanë vendosur të studiojnë, ose të merren me gazetari, u jap mbështetje që edhe ta bëjnë këtë, veç tjerash, për shkak të argumenteve të qëndrueshme që kujtoj të jenë shtyllat e një korrektori të një shoqërie mirëqenës; 1. Të ruajnë moralin personal-gazetaresk dhe të qëndrojnë larg qendrave të agjitacionit; 2.Të jenë të balancuar në informim; 3.Të luftojnë për interesin e përgjithshëm (publik); 4.Të ndajnë drejtë interesin privat nga ai i përgjithshëm 5. Të krijojnë një botë të re, pa diskriminime, urrejtje dhe shëmtira tjera, ia vlen pra!

 


Ky leksion gazetaresk është përgatitur nga kuadër të Projektit të USAID-it për përforcimin e mediumeve në Maqedoni – Komponenta Shërbimi për verifikimin e fakteve nga mediumet, që implementohet nga fondacioni Metamorfozis.. Ky leksion gazetaresk është mundësuar me përkrahjen e Agjencisë amerikane për zhvillim ndërkombëtar (USAID). Përmbajtja e analizës është përgjegjësi e autorit dhe nuk i paraqet qëndrimet e fondacionit Metamorfozis, USAID-it ose të qeverisë së SHBA-ve. Për më tepër informata për punën e USAID-it në Maqedoni, ju lutemi vizitoni ueb-faqen e USAID-it: (http://macedonia.usaid.gov) dhe faqen e USAID-it në Facebook: (www.facebook.com/USAIDMacedonia).

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

Abonohuni për lajmet më të reja