verifikimiifakteve.mksitemap
verifikimiifakteve.mksitemap

Shërbim për verifikim të fakteve në media

Projekt i USAID-it për forcimin e mediumeve në Maqedoni
USAID Logo

Suficit analistësh, deficit i analizës politike!

on 29 - 01 - 2017       
Këtë postim mund ta lexoni edhe në: Maqedonisht

analistet


Shkruan: Sefer TAHIRI

“Pas përfundimit të mandatit si zëvendësministër i Punëve të Brendshme do të mund t’ju përdorim si analist politik”. Me këto fjalë një gazetar i TV NOVA-s proqeveritare të Sead Koçanit iu drejtua ish-zëvendësministrit të Brendshëm nga radhët e VMRO-DPMNE-së, Oliver Andonov. Por, a është Andonov analist politik? Sigurisht që jo, për shkak të përkatësisë së tij partiake dhe për shkak se nuk është analist politik që publikon analiza objektive politike, duke qenë profesor i lëmisë së sigurisë!

Këtyre ditëve shkrova se analist politik nuk mund te jetë një që nuk shkruan analiza politike, ngjashëm siç nuk mund të jetë xehetar një që nuk punon në xeherore. Por karshi faktit që në përmbajtjet mediatike mund të lexojmë shumë pak analiza politike, hapësira mediatike është e vërshuar nga individë, të cilët vetëquhen ose prezantohen nga media si analistë politikë?

Debatet politike i kanë uzurpuar këta persona, që quhen analistë ?! Shpesh ndodh që të njëjtit, në një natë, mund t’i shikosh në dy studio të ndryshme. Brenda javës “shëtisin” prej një studio në tjetrën, duke shfaqur më shumë opinionet e tyre, shpesh edhe të shprehura me tifozllëk partiak- politik, sesa që bëjnë analizë të mirëfilltë. Kemi suficit analistësh dhe deficit analizash politike.

Debatet vlojnë nga “analistët”, ndërsa politikanët në të shumtën e rasteve heshtin. Ndërsa partitë në pushtet, sidomos VMRO- DPMNE-ja, selekton studiot se ku marrin pjesë përfaqësuesit e saj. Edhe pse logjika e “pushtetit të katërt”, si korrigjues i tre pushteteve tjera, thotë se në media përgjigje (dhe përgjegjësi) më shumë duhet të japin politikanët, sesa analistët! Kjo nënkupton edhe atë që hapësirën mediatike nuk duhet ta dominojnë analistët, por duhet të ketë raport balancues me hapësirën dhe vëmendjen që marrin politikanët.

Megjithatë, nuk duhet harruar se opinionistët dhe analistët, njësoj si politikanët, kanë përgjegjësi publike për fjalën e thënë dhe të dhënë.

Dallimi është që politikanët këtë përgjegjësi e marrin nga populli dhe më pas për të paguhen e kanë privilegje të mëdha, ndërsa opinionistët dhe analistët nuk paguhen, pra nuk marrin rroga për analizat apo opinionet e tyre (nuk i përfshij këtu “mercenarët” mediatik, nëse ekzistojnë të tillë).

Prandaj, është tërësisht e pakuptimtë dhe irracionale të gjykohen apo paragjykohen mendimet e analistëve, sepse shpesh dëgjojmë anakronizma të tillë. Në fund, siç do të thoshte analisti Xhelal Neziri, “fajtor për gjendjen do të shpallen analistët”. Gjë që nuk ka sens! Pra, analistët kanë përgjegjësi, por nuk mund të kërkohet nga ata llogari për analizat ose opinionet që shfaqin.

Cilësimin analist politik sot e merr gjithsecili që shfaqet në televizione, qoftë në edicionet informative apo në debatet politike. Siç do të shprehet profesori i sociologjisë në UEJL, Ali Pajaziti, “ka një kohë që një kategori sociale frekuente në media na përball me një sintagmë fort aktuale, ‘analist politik’, që në esencë është shprehje me taban, e institucionalizuar globalisht, por në kushtet tona shumë kë e irriton, që herë të lë pa tekst e herë të bën të hapësh sytë, t’i fërkosh dhe të thuash: “Auu, nga doli ky tani?”, “Prej kur u bë analist?”, “Cilat analiza i ka bërë?”, “Sa tekste, libra, së paku sa kolumna ka në këtë fushë?”

Mediat, shpesh duke tentuar të bëjnë balancimin politik, futen në një kurth tjetër, që është kamuflimi i disa individëve të njohur të skenës publike prapa termit ‘analist politik’, ndërsa, në fakt, bëhet fjalë për propagandistë të regjur të partisë në pushtet VMRO-DPMNE, ose edhe të BDI-së. Shpesh media, sidomos ajo vizive, bëhet peng i autoriteteve të rrejshme shkencore, profesionale ose akademike, pasi të njëjtit emra i shfrytëzon për tema, çështje apo fenomene të ndryshme. Shpesh mund të dëgjojmë në diskursin publik edhe termin “gjithologë”. Prandaj, mediat dhe gazetarët duhet të kenë kujdes se kë ftojnë në debatet politike, pasi emri dhe mbiemri i një individi nuk duhet të jenë të mjaftueshëm për të përcaktuar relevancën e burimit, por kjo duhet bërë duke peshuar dhe duke marrë për bazë saktësinë e informacioneve, me të cilat operojnë, argumentimet që ata shfaqin në debate, objektivitetin e analizës politike, sa kjo analizë e tyre bazohet tek interesi publik apo është në funksion të agjendës publike e kështu me radhë.

Duhet shmangur debatet e përgatitura me inerci, në mënyrë të stuhishme, duke shfrytëzuar burimet, me të cilat gazetarët kanë raporte miqësore, sepse mediat kanë për detyrë të sjellin para publikut pluralitetin e analistëve dhe opinionistëve, por edhe diversitetin e qëndrimeve apo vështrimeve analitike që shfaqin. Vetëm në këtë mënyrë, analistët dhe opinionistët nuk do të bëhen të mërzitshëm për publikun, pasi shpesh mund të dëgjohen qytetarë të cilët thonë se “në media rrotullohen 10 deri në 15 vetë dhe tashmë e dimë prej përpara se çka do të thonë”.

Përveç shprehjes së kritikave të këtilla të hapura në rrjetet sociale, e vërteta është se në komunikimin publik ka një lloj ironizimi sa i përket kësaj kategorie të profesionistëve. Kohëve të fundit, ajo po ironizohet qëllimisht nga politika (kryesisht nga politikanë të dështuar, që mospasjen sukses në zgjedhje dëshirojnë tua atribuojnë njerëzve mediatik). Pa të drejtë, kuptohet!

Ndërsa, kmedia_clip_publica keqkuptime lidhur me funksionin e analistit edhe nga media, por edhe nga publiku. Fatkeqësisht, në vend që të inkurajohen, artikulohet hapur kjo tendencë retorike, e cila përveç se ka nota ironie, madje ka edhe nënçmime!

Për të shmangur keqkuptimet e përdorimit të sintagmës analist politik, kemi bërë disa sugjerime ndaj mediave dhe gazetarëve, lidhur me atribuimin e burimeve.

ANALIST (POLITIK)- cilësohet personi i cili merret me zbërthimin e fenomeneve politike, me shqyrtimin dhe vështrimin e ngjarjeve, problemeve apo ideve politike me imtësi apo nga të gjitha anët. Mund të cilësohen persona që zakonisht kanë të kryer shkenca politike ose shkenca sociale dhe që punojnë në institute hulumtuese ose të analizave politike, por edhe njerëz me përvojë të gjatë në media dhe që shkruajnë analiza politike, të cilat publikohen në mediat, rrjetet gazetareske ndërkombëtare apo publikime tjera.

Ata që punojnë në institucione shtetërore në pozitë drejtori, ose mbajnë ndonjë pozitë tjetër drejtuese (menaxheriale) nuk duhet të prezantohen në media si analistë, sepse më e pakta që mund të thuhet është tendencë për manipulim me publikun, pasi tentohet që një mendim i njëanshëm politik të paketohet si mendim analitik, sepse ky i fundit ka ndikim më të madh tek publiku.

Nuk mund të quhen analistë politikë disa persona të rinj, axhaminj, krejt anonimë, pa ndonjë ‘bekgraund’ ose bagazh profesional- aplikativ ose hulumtues- shkencor, të cilët i sheh që dalin përnjëherë në hapësirën mediatike si analistë politik, edhe atë si kërpudha pas shiut.

Ka shumë dilema dhe kritika se vallë mund të jetë analist politik një ish-politikan? Mund të jetë, vetëm nëse ka shkollim universitar ose pasuniversitar nga fusha e shkencave politike ose sociale apo ka angazhime në fakultete, institute ose qendra kërkimi, e që është dëshmuar me publikimet e shkrimeve analitike. Ndërsa, nuk e meriton këtë titull një që është pasiv në përgatitjen e analizave të shkruara dhe që aktivizohet vetëm në studiot televizive. Për ta vlen termi pasues!

OPINIONIST- cilësohet personi, i cili thjesht ka një mendim, qëndrim, pikëpamje ose këndvështrim mbi ngjarjet, idetë, projektet, problemet ose fenomenet politike. Këtu zakonisht bëjnë pjesë ish-politikanët ose ish-ambasadorët, ndaj të cilëve ka një lloj refuzimi nga publiku.

EKSPERT- cilësohet personi, i cili është i specializuar ne një fushë specifike, të ngushtë dhe për të cilën është i thirrur me kompetencë dhe profesionalizëm të komentojë, analizojë ose debatojë. Pra, ekspert është një person që ka ekspertizë në një fushë studimore, natyrisht dhe ka të publikuara punime shkencore në revista nga kjo fushë, por edhe merr pjesë në konferenca, tribuna, seminare ose simpoziume shkencore.

Shembull – eksperti i së drejtës penale, i së drejtës civile, eksperti i medias, eksperti i partive politike, i demokracisë, eksperti i demografisë, eksperti i mikroekonomisë, etj! E njëjta vlen edhe për përdorimin e termit hulumtues shkencor ose studiues. Si të tillë mund të cilësohen personat që punojnë në institutet hulumtuese shkencore, qoftë si institute joqeveritare apo ato me financim publik.

GAZETAR- Me këtë cilësim të atribuohen kolegët që punojnë në media dhe të cilët marrin pjesë në debate, japin deklarata politike në media ose flasin për çështjet e medias dhe gazetarisë, si lirinë e shprehjes apo problemet e ndryshme në media, si kërcënimet, pagat, kushtet e punës e kështu me radhë. Është titullim që i bën nder gjithsecilit që punon në media!

Normalisht, gazetari konkret cilësohet edhe duke marrë për bazë pozitën e caktuar që ka në media në dimensionin pronësor (botues ose pronar), në dimensionin menaxherial (drejtor ose menaxher i përgjithshëm) dhe dimensionin editorial (kryeredaktor ose redaktor). Brian McNair, në librin e tij “Hyrje në komunikimin politik”, thekson se “janë gazetarët që na komunikojnë neve kuptimin e politikës. Ata i fusin ngjarjet e jetës politike në struktura narrative”. Duke qenë të tillë, ata kanë të drejtë të jenë komentues të zhvillimeve politike në media të ndryshme.

PROFESOR UNIVERSITAR- Cilësohet personi, i cili punon si mësimdhënës në universitet dhe që shpreh mendime apo merr pjesë në debatet në media dhe flet për fushën, në të cilën jep mësim, ose flet për problemet e arsimit dhe shoqërisë. Në këtë kontekst mund të cilësohen me termin AKADEMIK anëtarët e Akademisë Maqedonase të Arteve dhe Shkencave. Kuptohet, vetëm kur flasin për fushën e tyre specifike ose për çështjet shoqërore. Kur heshtin, duhet t’u kujtohet se elita universitare dhe akademike nuk hesht. Heshtja e tyre nuk është flori!

Për fund, media nuk duhet ta relativizojë përgjegjësinë e politikanëve që i shmangen ballafaqimit, të cilët shpesh preferojnë njëtrajtshmërinë debative, relativizim ky që bëhet duke zënë karriget e politikanëve në media nga analistët dhe opinionistët. Prandaj, mediat duhet të jenë më insistuese, që politikanët të përgjigjen kur kanë interesim mediat, e jo kur u konvenon partive politike. Meqë atëherë nuk kemi të bëjmë me gazetari, por me marrëdhënie me publikun ose PR. Publiku duhet të bindet, jo të manipulohet!

(Autori është profesor universitar dhe hulumtues i çështjeve mediatike) 


Ky leksion gazetaresk është përgatitur në kuadër të Projektit të USAID-it për përforcimin e mediumeve në Maqedoni – Komponenta Shërbimi për verifikimin e fakteve nga mediumet, që implementohet nga fondacioni Metamorfozis.. Ky leksion gazetaresk është mundësuar me përkrahjen e Agjencisë amerikane për zhvillim ndërkombëtar (USAID). Përmbajtja e analizës është përgjegjësi e autorit dhe nuk i paraqet qëndrimet e fondacionit Metamorfozis, USAID-it ose të qeverisë së SHBA-ve. Për më tepër informata për punën e USAID-it në Maqedoni, ju lutemi vizitoni ueb-faqen e USAID-it: (http://macedonia.usaid.gov) dhe faqen e USAID-it në Facebook: (www.facebook.com/USAIDMacedonia).

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Abonohuni për lajmet më të reja