verifikimiifakteve.mksitemap
verifikimiifakteve.mksitemap

Të nderuar gazetarë, të mos e lodhim ministrin me pyetje!

on 27 - 11 - 2015       

Microphones-400x250Gjashtë muaj para zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, (para)fushata zgjedhore e partive politike veçmë ka filluar dhe mekanizmi i tyre vetëpromovues është vënë dukshëm në lëvizje. Kronikat për “bashkëpunimet e rëndësishme” ndërmjet vetë ministrave dhe për takimet e tyre me qytetarët mbushin rubrikat e lajmeve.

Paradoksi është në atë që nuk vërehet në lajme, por që e vuajnë gazetarët. Sa më i afërt dhe transparent shihet të jetë ministri me popullin, aq më i mbyllur dhe i rezervuar është realisht në dhënien e informacionit. Gazetarët u shërbejnë vetëm për të ndjekur ngjarjet ku gjithçka është nën organizimin e tyre dhe nuk thuhet asgjë më shumë se sa që është shkruar në fjalimin e përgatitur, të cilin (duhet të thuhet se) ministri e lexon (për herë të parë) pa larguar sytë asnjë çast nga fleta.

Gjithmonë para se del ministri të japë deklaratën për mediat, dikush nga stafi i asistencës së tij na lut (nënkupto, na urdhëron) që të mos bëjmë asnjë pyetje jashtë temës për të cilën jemi aty.

Jotransparenca e institucioneve ndaj mediave u theksua edhe në raportin e KE-së për progresin.

“Rregullorja për regjistrimin e gazetarëve si dhe qasjen në informata të ndjekë standardet ndërkombëtare! Sipas gazetarëve ka një tendencë nga ana e autoriteteve publike për të mbi-përdorur “klasifikimin” e dokumenteve, veçanërisht të atyre që lidhen me koston e projektit Shkupi 2014, për të parandaluar qasjen e publikut në informata.”

Partitë politike nuk refuzuan asnjë fjali nga raporti dhe të gjitha e përshëndetën duke thënë që është real. Kjo ishte sikur t’i thoshin KE-së “E paske kuptuar?! E ç’farë pastaj?”.

Autoriteti i ministrit është i paprekshëm dhe ai aspak nuk ndjen përgjegjësi t’i sqarojnë opinionit ç’po ndodh me dikasterin që drejton. Në telefon nuk përgjigjen as nga zyra e marrëdhënieve me median dhe mos të flasim për ministrin.

Pas disa tentativave duke i rënë telefonit të tij për të marrë një përgjigje të vetme, më në fund përgjigjet. Me t’i thënë që jam gazetare, pa dëgjuar as pyetjen, vazhdoi të përsërisë disa herë më radhë “Vajzo më pengon. Vajzo, më pengon. Kam shumë punë.” – më tha.

Boh ç’më gjeti!… Çfarë pengese? Tek e fundit të dy po bëjmë punën. Është pjesë e punës tënde të merresh me mua (nënkupto gazetarët). Dhe është pjesë e punës time të merrem me ty (dhe për fat të keq, edhe me shumë të tjerë si ti).

Të mos flasim pastaj se si është ajo ndjenja kur tjetrit i ecën nga pas deri te makina, duke e lutur të të kushtojë vetëm dy minuta.

Ç’janë dy minuta kur paraprakisht ke shpenzuar dy orë për ta dëgjuar teksa aq bukur fliste për investime, shifra, numra, ndërtime, riparime, bashkëpunime, integrime etj. etj. Në fakt, disa pyetje patjetër t’i kesh pas gjithë asaj sepse ata që ke dëgjuar, janë shumë të bukura në parim por realisht, thjeshtë, s’kanë logjikë.

Si përfundim, ai u fut në makinë dhe nuk u kthye as të më shikonte. Ka shumë punë, tha asistentja e tij.

Unë nuk i mora përgjigjet e pyetjeve të mija dhe në mungesë të përgjigjeve për shqetësimet reale, bëra një tekst të bukur për dhuratat që shpërndau. Goxha ngjarje!!!

Nuk e përcaktoj dot cili rast është më i keq. I ministrit që më fiku telefonin, i atij tjetrit që më injoroi dhe s’më foli fare (thuajse s’po flisja me të) apo i këtij tjetrit që na tha neve gazetarëve ‘më pritni jashtë të jap deklaratën’, pastaj iku duke na kaluar pranë, si të ishim të padukshëm. Ka shumë punë, tha sekretarja.

Epo si bëjmë edhe ne. Ata të shkretët mezi ju mjafton koha; nga njëri event në tjetrin, nga njëri promovim në tjetrin, nga njëri takim në tjetrin, nga njëra marrëveshje në tjetrën… Ne mendjen vetëm te Jugohrom-i, te gabimet në librat shkollor, te Marrëveshja e Ohrit, te përmendoret shqiptare (inekzistente) të Shkupi 2014, etj. Që tani dhe deri në zgjedhje, kemi kaq shumë gjëra të mira për të ndjekur dhe kaq gjëra pozitive për të publikuar. Në djall pyetjet. Rroftë ministri jonë shembullor!


Kjo kolumnë është përgatitur nga kuadër të Projektit të USAID-it për përforcimin e mediumeve në Maqedoni – Komponenta Shërbimi për verifikimin e fakteve nga mediumet, që implementohet nga fondacioni Metamorfozis.. Kjo kolumnë është mundësuar me përkrahjen e Agjencisë amerikane për zhvillim ndërkombëtar (USAID). Përmbajtja e kolumnës është përgjegjësi e autorit dhe nuk i paraqet qëndrimet e fondacionit Metamorfozis, USAID-it ose të qeverisë së SHBA-ve. Për më tepër informata për punën e USAID-it në Maqedoni, ju lutemi vizitoni ueb-faqen e USAID-it: (http://macedonia.usaid.gov) dhe faqen e USAID-it në Facebook: (www.facebook.com/USAIDMacedonia).

Abonohuni për lajmet më të reja