verifikimiifakteve.mksitemap
verifikimiifakteve.mksitemap

Titulli vret si gur, e lajmi i zbrazët si pus i shpuar

on 9 - 10 - 2013       
Овој напис го има и на: Maqedonisht

Nisur nga lajmërimi i titullit, që tingëllon ogurzi për një vend shumëtnik, lexuesi pret që në tekst të lexojë çfarë ka ndodhur konkretisht, pret të mësojë se kush e kush u rrah (të cilave klasa ishin këta nxënës “shqiptarë” dhe “maqedonas”, sa syresh ishin etj.), cilat ishin motivet që i shtynë të arrijnë deri në këtë akt, cilat ishin pasojat e kësaj përplasjeje fizike dhe çfarë pritet të ndodhë pas kësaj. Në tekst, nuk gjendet përgjigje për asnjë nga këto pyetje.

 

Shkruan: Аurora Karametidoktore e shkencave të informcaionit dhe të komunikimit

 

Kolaz 004 1024dpi

 

 

 

 

 

Në morinë e çështjeve të shumta që mbizotërojnë prej kohësh agjendën e medias në Maqedoni, ka disa lajme që pikësëpari shkaktojnë shqetësim dhe padurim për ti lexuar, pikërisht për shkak të titujve të ndjeshëm. I tillë ishte lajmi që u shfaq në mediat në linjë me tituj si “Rrahje mes nxënësve shqiptar dhe atyre maqedonas në Shkup” dhe “Rrahje mes nxënësve shqiptar dhe atyre maqedonas në shkollën e mesme “Pançe Karagjozov” në Shkup”. Mediumi i dytë i cituar më sipër ka riprodhuar lajmin e marrë nga mediumi i parë, të cilit edhe i referohet, me vetëm një ndryshim të vogël në titull. Këtu do të marrim në analizë vetëm lajmin origjinal.

 

Titull tronditës, trup lajmi zhgënjyes

 

Nisur nga lajmërimi i titullit, që tingëllon ogurzi për një vend shumëtnik, lexuesi pret që në tekst të lexojë çfarë ka ndodhur konkretisht, pret të mësojë se kush e kush u rrah (të cilave klasa ishin këta nxënës « shqiptare » dhe « maqedonas », sa syresh ishin etj.), cilat ishin motivet që i shtynë të arrijnë deri në këtë akt, cilat ishin pasojat e kësaj përplasjeje fizike dhe çfarë pritet të ndodhë pas kësaj. Në tekst, nuk gjendet përgjigje për asnjë nga këto pyetje.

 

Nga të dhënat e nevojshme që pritet të lexohen brenda një trupi lajmi normal, ky ofron vetëm ndodhinë grosso modo dhe kohën e vendin e ngjarjes. Pra, në trupin e lajmit me 100 fjalë, vetëm përsëriten të njëjtat informata që jepen edhe në titull, asnjë e dhënë më tepër që mund të ndihmonte kuptimin e situatës. Përkundrazi, përcaktimi kohor “mëngjesin e djeshëm” është zhgënjyes sepse është element tregues se lajmi tashmë e ka humbur aktualitetin. Në këtë kuadër, lind natyrshëm pyetja: përse ky lajm publikohet një ditë më pas, për deri sa vetë mediumi ende nuk di asgjë më shumë për ndodhinë?

 

Një lajm i shkruar në mënyre kaq flash mund të jetë i kuptueshëm kur ai vjen menjëherë nga vendngjarja dhe pritet që të bëhet i plotë me detajet e nevojshme në orët në vazhdim. Por, lajmi i një dite më parë, që nuk ka mundur të plotësohet me të dhënat e domosdoshme edhe pas më shumë se 24 orësh, del në dritë veçse me tendencën për tu shitur vetëm nëpërmjet titullit. Në titull, është shpalosur i gjithë mesazhi që gazetari ka synuar të japë rreth ngjarjes, dhe këtë e ka bërë nëpërmjet të dhënave grosso modo, që në vetvete përfaqëson një stereotip të njohur : “të rinj/nxënës maqedonas janë rrahur me të rinj/nxënës shqiptarë, në Shkup!”, duke mos e mbështetur me as edhe një burim të vetëm në trupin e lajmit.

 

Për të ngritur zërin, nuk përshpëritet!

 

Pse është kaq e rëndësishme të klasifikohen të rinjtë që janë rrahur në “shqiptarë” dhe “maqedonas”, kur në tekstin e lajmit nuk ka asnjë intervistë apo burim të cituar që do të mund ta vërtetonte përkatësinë e tyre etnike? Nisur nga mangësia e informacionit të konfirmuar dhe të detajuar që mediumi ka rreth ngjarjes, nga mungesa e burimeve të cituara, ky lajm ka më shumë trajtat e një stereotipi sesa ato të një lajmi të bazuar në fakte. Po sikur ata të rinj të mos kenë qenë nxënës të shkollës, përderisa janë rrahur «para oborrit të shkollës së mesme të mjekësisë “Pançe Karagjozov” në Shkup» dhe jo brenda në oborrin e shkollës? Po sikur ata të jenë rrahur me shoqi-shoqin e së njëjtës etni? Po sikur nxënësit nga etnia “tjetër”, cilado qoftë, thjesht të kenë ndodhur rastësisht aty pranë dhe të kenë ndërhyrë për ti ndarë? Çfarë kërkohet të arrihet më këtë titull lajmi, pa lajm?

 

Tërësia e atij shkrimi, titull-plus tekst lajmi-plus foto, ndërton një diskurs që flet se botimi i lajmit, më shumë sesa për të informuar mbi ngjarjen, duket se është bërë me qëllim tu bihet këmbanave të alarmit për vetë kontekstin e ngjarjes, pra, për gjendjen e acaruar të marrëdhënieve ndëretnike dhe ndërnjerëzore në Maqedoni vitet e fundit, e shprehur më haptazi ndërmjet të rinjve. Por, ky shqetësim, kjo ngritje zëri për incidentet me bazë ndëretnike, është artikuluar në formën e një titulli pa tekst shpjegues, në formën e një paragjykimi me titull, me gërma të mëdha. Në vend të një lajmi të plotë, gazetari ka ofruar vetëm kornizën e vetë për copën e realitetit që ka zgjedhur të sjellë në sytë e lexuesit.

 

Por megjithatë, edhe brenda kornizës së “rrezikut të shpërthimit të dhunës mes të rinjve shqiptarë dhe maqedonas në Shkup” gazetari ka patur mundësi të shkruajë të paktën një paragraf si sfond (background) për ngjarjen, duke sjellë me këtë rast në vëmendjen e lexuesit rrezikun e madh të ngjarjeve të këtilla për sigurinë e jetës së të rinjve por edhe në përgjithësi për stabilitetin e brishtë të vendit. Më së miri mund të arrihej përmbushja e këtij përbërësi të lajmit nëpërmjet përkujtimit të ngjarjes së bujshme të dy viteve më parë, të rrahjes së një të riu nga bashkëmoshatarët e vet të së njëjtës përkatësi etnike të cilin hyri për ta mbrojtur një djalosh me përkatësi etnike tjetër, që më pas humbi edhe jetën për shkak të plagëve të marra. Një sfond i tillë, do e ndihmonte jo vetëm lexuesin të ndërtojë një këndvështrim realist për lajmin (sepse para se të jenë “shqiptarë” dhe “maqedonas” këta nxënës janë të rinj adoleshentë që mund të jenë edhe shokë) por do të ndihmonte edhe vetë gazetarin të mendonte për të ndërtuar një diskurs të vërtetë mbi ngjarjen. Vetëm një diskurs i ndërtuar në mënyrë profesionale ka fuqinë të alarmojë për ngjarje dhe fenomene të rrezikshme të shoqërisë.

 

Përfundimi

 

Profesionalizmi gazetaresk dhe përgjegjësia intelektuale, kur ndërthuren mirë, mund të prodhojnë diskurse mediatikë cilësorë dhe relevantë. Në rastin e lajmit në shqyrtim, me titull të madh dhe tekstin e cunguar, duket se këto dy vlera nuk e kanë takuar njera-tjetrën dhe më në fund vendi i të dyjave ka mbetur i zbrazur duke prodhuar një shembull lajmi që nuk përfaqëson as përgjegjësi për standardet profesionale, as përgjegjësi intelektuale të artikuluar.


Kjo analizë është përgatitur nga kuadër të Projektit të USAID-it për përforcimin e mediumeve në Maqedoni – Komponenta Shërbimi për verifikimin e fakteve nga mediumet, që implementohet nga fondacioni Metamorfozis.. Analiza është mundësuar me përkrahjen e Agjencisë amerikane për zhvillim ndërkombëtar (USAID). Përmbajtja e analizës është përgjegjësi e autorit dhe nuk i paraqet qëndrimet e fondacionit Metamorfozis, USAID-it ose të qeverisë së SHBA-ve. Për më tepër informata për punën e USAID-it në Maqedoni, ju lutemi vizitoni ueb-faqen e USAID-it: (http://macedonia.usaid.gov) dhe faqen e USAID-it në Facebook: (www.facebook.com/USAIDMacedonia).

Abonohuni për lajmet më të reja