verifikimiifakteve.mksitemap
verifikimiifakteve.mksitemap

Xhixho: VOA 70 vjet, një zë si dritare për botën dhe rajonin

on 30 - 10 - 2015       

VOA

Zakonisht  është ai intervistuesi, por kësaj radhe gjendet në anën tjetër të tavolinës. Shefi i seksionit shqip të Zërit të Amerikës, Arben Xhixho, për Shërbimin për Verifikimin e Fakteve në Maqedoni, flet për 70 vitet transmetim në gjuhën shqipe të VOA, si dhe gjendjen e medias në Ballkan, me theks te media shqipe.

 

Para dy vitesh VOA shënoi 70 vjetorin, sigurisht një arritje e madhe për median shqipe. Çfarë domethënie ka kjo për neve, për shqiptarët?

 

Arben Xhixho: Po e drejtë. Para dy vitesh ne festuam 70 vjetorin e fillimin e transmetimit në gjuhën shqipe. Emisionet në shqip kanë filluar më 1943 në shqip, dhe kanë vazhduar deri më 1952 apo ‘53. Pastaj janë ndërprerë për 2-3 vite duke vazhduar kështu në mënyrë të pandërprerë deri më sot. Siç thatë edhe ju, kemi festuar 70 vjetorin që është një sukses goxha i madh, për një medium që të funksionojë kaq gjatë për të qenë një organ shtypi, një transmetues fillimisht në radio, më pas në televizion dhe tani në internet, në ueb, për të qenë ende lojtar kryesor në mjedisin shqipfolës në Ballkan, aty ku është edhe audienca jonë kryesore. Vëmendja jonë përqendrohet kryesisht në zhvillimet kryesore në botë, në mbulimin e rajonit shqipfolës, gjithashtu në sqarimin e audiencës tonë për politikat e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, qëndrimet amerikane.

Cili ka qenë bashkëpunimi me mediat shqipe në Maqedoni

Arben Xhixho: Jo vetëm në Maqedoni por në gjithë rajonin e Ballkanit, Maqedoni, Shqipëri, Kosovë, Mal të Zi, në Serbinë Jugore, në Preshevë, ne kemi  ato që i quajmë stacione partnere, të cilat kanë programe të  Zërit të Amerikës dhe i ritransmetojnë për të shkuar deri tek audienca. Në qoftë se radio në të kaluarën transmetohej me valë të shkurtra, dhe nuk kishte nevojë për stacione partnere pasi që njerëzit mund të kapnin sinjalin vetë drejtpërsëdrejti, me avancimin e teknologjisë dhe kalimin në FM, me kalimin në televizion u bë i domosdoshëm një bashkëpunim më i ngushtë me stacionet lokale.  Përmes tyre është më lehtë të shkohet deri tek shikuesit apo dëgjuesit. Është një partneritet strategjik do ta quaja, i dyanshëm. Neve na ndihmon për të shkuar deri tek audienca, kurse stacioneve që na transmetojnë u ndihmojnë për të pasuruar programin, për të pasur një zë më të besueshëm. Për shkak të problemeve që ne më i dimë që i ka shtypi në këto shtete, Zëri i Amerikës e luan rolin e saj të drejtë të informimit të paanshëm, të balancuar dhe gjithëpërfshirës.

Bazuar në prizmin e bashkëpunimit  me mediat lokale, por edhe aq sa keni pasur mundësi ti ndiqni dhe ti njihni, a jeni të njoftuar me kushtet në të cilat punojnë mediat shqipe në Ballkan e sidomos në Maqedoni? Sa ka hapësirë për përmirësim?

 Arben Xhixho: Shtypi në gjuhën shqipe në përgjithësi, nuk do të ndalen vetëm në një shtet edhe pse interesi juaj është kryesisht për Maqedoninë, por do të ndalem tek të tre shtetet kryesore po i quaj, Maqedoni, Kosovë, Shqipëri. Ka ndryshime, por ka edhe të përbashkëta. Është zhvilluar jo pak, por ka ende shumë mangësi. Të metat kryesore i shikoj tek mungesa e pavarësisë editoriale dhe për këtë nuk do të fajësoja në asnjë mënyrë gazetarët, pasi që është mjedisi i punës ku ata punojnë. Mjedisi i shtypit është i vënë nën kontrollin ekonomik ose politik dhe gazetarët arrijnë vetë-censurë, pasi në fund të fundit për ta kjo punë është një formë për të mbijetuar. Punëtorët e një mediumi që do t’i nënshtrohen rregullave të tij. Kushtet janë jo fortë të mira. Ka shumë gazetarë që punojnë pa kontrata. Ka shumë kolegë në media private që thonë se paguhen shumë pak, nuk kanë asnjë lloj sigurie në punë dhe gjithë këto gjëra e vendosin shtypin në një gjendje jo fort të mirë. Ka gazetarë, organe, artikuj që janë shumë të mirë por ato duan guxim, kurajë dhe mbështetje, duke vlerësuar ata si persona që dalin mbi mediokritetin dhe luajnë rol në shoqëri. Ky është edhe një nga synimet e Zërit të Amerikës , për ta ndihmuar shtypin që të ngrihet aty ku duhet të jetë. Që të bëhet një shtyp i pavarur duke qenë zëdhënëse e opinionit të qytetarëve. Jo të përcjellë gjithçka që thotë Qeveria, por atë që thotë ajo gjithmonë ta marrë me skepticizëm. Është natyrë e gazetarit skepticizmi, në mënyrë që të dalin faktet e sakta. Më pas është audienca e juaj ajo që do të vendosë se ky ose ai qeveritar, ose parti politike ka bërë apo nuk ka bërë veprimin e duhur.

Një nga sfidat për ne, shtypin lokal në Maqedoni, por besoj edhe në Shqipëri dhe Kosovë ka qenë mungesa e kuadrit, për shkak të problemeve në hapjen e arsimit shqip fillimisht në Maqedoni. Zëri i Amerikës po organizon seminare për përforcimin e kuadrit lokal. Sa ka arritur rezultate deri më tani dhe a do të vazhdojë kjo mënyrë e funksionimit?

 Arben Xhixho: Rezultatet në fakt duhet t’i dini ju më mirë se ne.  Aq sa kemi mundësi punojmë pasi që fondet e Zërit të Amerikës nuk janë pakufi. Aq sa kemi mundësi po mundohemi të ndihmojmë njerëzit tanë. Këto nuk janë kurse kualifikimi por një mundësi që ne si kolegë të shkëmbejmë mendime. Ju keni hallet tuaja, ne mund të kemi përvojën tonë. Kështu shkëmbejmë mendimet dhe shohim se si mund të përfitojmë nga njëri tjetri.  Këto janë të rëndësishme pasi që kjo merr një këndvështrim të ri nga një gazetar tjetër i një vendi tjetër se si mund të trajtohet e njëjta gjendje. Kjo pasi kur jeton në vendin tënd shpeshherë të shpëtojnë disa gjëra, një sy i freskët, një sy i tretë i shikon më ndryshe gjërat. Se sa të suksesshme janë këto trajnime, këtë e dini ju më mirë se unë. Ne kemi qëllim të vazhdojmë edhe në të ardhmen, por kjo varet nga buxheti, nga mundësitë që do kenë në Uashington.

A ka ndonjë plan afatshkurtër ose afatgjatë për zgjerimin e Zërit të Amerikës në Ballkan ndoshta?

 Arben Xhixho: Për momentin jo, kemi programet që janë duke u transmetuar aktualisht. Transmetohen gjysmë orë në ditë program televiziv. Në internet, në ueb jemi gjatë gjithë kohës. Ne mbyllëm programet e radios para disa kohësh gjithmonë për arsye buxhetore. Fokusi është në llojet e mediave të preferuara në rajonin tonë, televizioni dhe interneti. Prandaj edhe atje po e kthejmë vëmendjen. Plane momentale për tu shtuar nuk ka. Madje para dy-tre vjetësh ka qenë një lloj propozimi, që Zëri i Amerikës me transmetim në gjuhët e Ballkanit të mbylleshin, por situata në botë ndryshoi. Kemi një qëndrim më agresiv të Rusisë, apo grupit ISIS, radikalizmit që po ndodhë sot, element që shihet në rajonin tonë. Kjo dhe gjendja e shtypit në përgjithësi kanë bërë të domosdoshme transmetimet ndërkombëtare ku për fat që keq sot është vetëm Zëri i Amerikës, Dojçe Vele, apo BBC-ja para ca kohësh, ndaj shihet se këto transmetime janë ende të nevojshme, ende ka interes për to.


Ky leksion gazetaresk është përgatitur nga kuadër të Projektit të USAID-it për përforcimin e mediumeve në Maqedoni – Komponenta Shërbimi për verifikimin e fakteve nga mediumet, që implementohet nga fondacioni Metamorfozis.. Ky leksion gazetaresk është mundësuar me përkrahjen e Agjencisë amerikane për zhvillim ndërkombëtar (USAID). Përmbajtja e analizës është përgjegjësi e autorit dhe nuk i paraqet qëndrimet e fondacionit Metamorfozis, USAID-it ose të qeverisë së SHBA-ve. Për më tepër informata për punën e USAID-it në Maqedoni, ju lutemi vizitoni ueb-faqen e USAID-it: (http://macedonia.usaid.gov) dhe faqen e USAID-it në Facebook: (www.facebook.com/USAIDMacedonia).

Abonohuni për lajmet më të reja