verifikimiifakteve.mksitemap
verifikimiifakteve.mksitemap

Femrat e suksesshme të mediave tona

on 10 - 11 - 2015       

“Unë gjithmonë kam besuar se suksesi i një gruaje mundet vetëm të ndihmojë suksesin e një gruaje tjetër”

Gloria Vanderbilt.

Në një nga profesionet që kërkon kurajo, guxim, këmbëngulje, përkushtim total dhe pasion, përveç meshkujve, për të cilët besoj, është më e lehtë, ndoshta më të pakta në numër por jo me më pak përkushtim, përfshihen edhe femrat. Ai profesion është gazetaria dhe ata janë gazetare, moderatore dhe kontribuese në zhvillimin e medias ku bëjnë pjesë dhe padyshim, si pasojë e kësaj, edhe në zhvillimin e shoqërisë.

Akoma pa i hyrë profesionit, vështirësia e parë me të cilën përballen gazetaret shqiptare femra është pikërisht fakti që janë të tilla – “femra” në një shoqëri ku akoma dominon një mentalitet, në praktikë më shumë konservatorë se sa liberal.

“Do të thonë shpesh që je femër, por ti tregohu grua!”, këshillon Ilva Tare, një nga gazetaret më të njohura në Shqipëri, moderatore e emisionit “Tonight”. Edhe pse afër gjeografikisht dhe ndajmë një identitetet kombëtar, dallimet në sferën e barazisë gjinore, arsimimit të femrave dhe  përfshirjes së tyre në profesione me rëndësi publike, mes Shqipërisë dhe Maqedonisë (pjesës shqiptare), kanë qenë të mëdha për arsye të zhvillimeve historike që dihen.

Sot gjërat kanë ndryshuar dhe vlerësoj se ecim në rrugën e duhur. Së fundmi, dy televizione në Maqedoni kanë vënë në qendër të programeve të tyre dy femra. Ata drejtojnë dy prej emisioneve politike me një peshë të madhe. Arta Tahiri, në karrigen e nikoqirit të “Rruga drejt…” po dëshmon që edhe një grua është në gjendje të drejtojë një emision si ai që gëzon një shikueshmëri të lartë dhe një bagazh historik të ngjeshur. Po kaq gjurmë në historinë e medias shqipe në Maqedoni ka lënë edhe vetë Arta Tahiri. Ajo, me dekada, ka qenë fytyra e edicioneve të lajmeve në gjuhën shqipe, moderatore emisionesh të tjera, bashkëshortja e një gazetari dhe studiuesi të medias dhe e denjë për tu marrë si shembull.

“Click plus” program i një formati të ngjashëm, me Anita Latifin qe tenton te ze vendin e tij në agjendën e publikut. Anita Latifi është po ashtu fytyrë publike dhe pjesë e disa mediave të tjera në të kaluarën.

Fakti që këto zhvillime janë si të njëkohshme të bën të reflektosh më gjatë mbi gjendjen aktuale andaj po them që kjo është një epokë e re për përfaqësimin dhe rolin e femrave në media. Mediat janë pushtet. Andaj kur tashmë femrat janë pjesë e rëndësishme e tyre, mund të themi që një pjesë e pushtetit është në duart e tyre. Kjo padyshim që do të reflektojë mbi përmirësimin e rolit të femrës në përgjithësi në shoqëri sepse fytyrat publike janë model që shoqëria ndjek.

Rasti i tyre nuk është i vetëm. Migena Gorenca ka qenë ndër zërat e parë femëror të gazetarisë shqiptare në Maqedoninë e pavarur kurse sot është në postin e kryeredaktores së televizionit publik, programit në gjuhën shqipe. Gjithashtu Merita Dulatahu, redaktore e programit satelitor në po të njëjtin televizion. Elida Zylbeari, kryeredaktore që në moshë shumë të re, e Portalb, një prej portaleve në gjuhën shqipe më të lexuara në vend.

Në pozitat ku janë, ata kanë arritur të qëndrojnë fortë përballë sfidave duke lënë gjurmë në ecurinë e zhvillimit të mediave tona. Ata janë ballafaquar dhe do të ballafaqohen me shumë individë me përgjegjësi publike dhe publiku do të jetë vlerësuesi më i mirë i punës së tyre. Atësitë profesionale të një gazetari/je nuk i definon gjinia.

Për të gjithë ato që stepen para vështirësive për faktin e vetëm se janë femra, këto dhe raste të tjera të pathëna këtu, do të shërbejnë si shembull për të thyer tabutë dhe për të dëshmuar se femrat kanë potencial edhe për profesionet që janë sfiduese, me përgjegjësi të madhe dhe shpesh të rrezikshme, siç është gazetaria.


Kjo kolumnë është përgatitur nga kuadër të Projektit të USAID-it për përforcimin e mediumeve në Maqedoni – Komponenta Shërbimi për verifikimin e fakteve nga mediumet, që implementohet nga fondacioni Metamorfozis.. Kjo kolumnë është mundësuar me përkrahjen e Agjencisë amerikane për zhvillim ndërkombëtar (USAID). Përmbajtja e kolumnës është përgjegjësi e autorit dhe nuk i paraqet qëndrimet e fondacionit Metamorfozis, USAID-it ose të qeverisë së SHBA-ve. Për më tepër informata për punën e USAID-it në Maqedoni, ju lutemi vizitoni ueb-faqen e USAID-it: (http://macedonia.usaid.gov) dhe faqen e USAID-it në Facebook: (www.facebook.com/USAIDMacedonia).