verifikimiifakteve.mksitemap
verifikimiifakteve.mksitemap

Gjuha nënçmuese në raportimet e përditshme

on 31 - 10 - 2015       

news-media-standards-400x250Jam e sigurtë që çdo ditë në media po përballeni me shprehje dhe epitete aspak të këndshme për veshin dhe syrin (si lexues) dhe me siguri tani që po lexoni këtë, ju bien ndërmend disa shembuj. Në mediat tona, kjo tani është bërë e zakonshme dhe ne, mesa duket, e kemi pranuar me qetësi të madhe dhe po përshtatemi pa problem.

“Goja të prish, goja të ndreq” thuhet në popull, që nënkupton se fjalët që zgjedh për tu shprehur, të definojnë si njeri. Por në media nuk është kaq ‘liberale’. Gazetari ka një kod etik, si pjesë e rëndësishme e të cilit janë edhe normat e përdorimit të gjuhës. Gjithmonë duke pasur parasyshë rolin që ka media në shoqëri ku ndër tre funksionet kryesore të saj është edhe edukimi, gjuha e gazetarit nuk duhet të jetë nënçmuese, ofenduese, degraduese, nuk duhet të nxisë urrejtje, nuk duhet të nxisë dhunë dhe nuk duhet të nxisë diskriminim. E logjikshme apo jo? Po, por vetëm si normë që mediat ndonjëherë preferojnë ta injorojnë. Gjithmonë, sharjet, fyerjet, grindjet, konfliktet, zënë hapësirën më të madhe mediatike.

Rasti më i freskët është sharja që u artikulua gjatë një seance parlamentare në Kosovë, ku, për hirë të senzacionit (që etika e gazetarit nuk e preferon), pothuajse të gjitha mediat vendosën në thonjëza sharjen si titull të lajmit, disa madje duke i shtuar edhe superlativin “SKANDAL” si për të bindur publikun se puna ishte vërtetë serioze. Përgjithësisht janë portalet ata që e ndjejnë veten më të lirë seç duhet, ndonjëherë, edhe për të shkelur mbi etikën.

Për mediat (po i përgjithësoj pa të drejtë), Kaltrina Azizi është “voglushja e BDI-së”. Është ofenduese që gazetari gjatë raportimit të tij të konsiderojë “voglushe” një deputete, pavarsisht moshës që ajo ka. Pastaj, Ermira Mehmeti është “fytyra e pispillosur” e cila u përfol aq shumë për një aferë që mediat nuk arritën ta konfirmonin asnjëherë dhe në fakt nuk ishte fare punë e tyre.

Në shumë nga mediat mund të vërejmë tendencën për të diskredituar Lëvizjen Besa duke i quajtur “turkofilë” dhe manipulatorë të simpatizantëve të tyre për të cilët edhe është pretenduar që i rimburësojnë me para. Këtu nuk nënçmohet vetëm Besa si subjekt politik, por edhe grupi i publikut që janë mbështetës të saj.

Grupi i funksionarëve të BDI-së të cilët nga mediat u akuzuan se “po devijojnë” nga vija ideologjike e partisë (por mbetën vetëm spekulime ngaqë nuk arritën kurrë ta dëshmojnë këtë), sipas tyre, janë “rrebelët e BDI-së”.

Jo rallë, target sulmesh nga gazetarët janë edhe vetë gazetarët. Kjo për të sulmuar konkurrentin ose, në rastin më të keq, për t’u sulur naivisht në mbrojtje të ideve politike që media mbështet kurse ai tjetri “merr guximin” të thotë diçka ndryshe. Kështu së fundmi, Baton Haxhiu, pas disa akuzave të bëra, u cilësua si “matrapaz që tregton me stendat e të sëmurëve, maskara dhe fundërrinë e kombit” kurse Muhamed Zekirit, ka ndodhur disa herë që kolegët e tij t’i drejtohen me “novinar”, duke dashur që termit t’i veshin veti nënçmuese.

Është e qartë se epitete të kësaj natyre, gjithmonë me nuanca negative, pikasin dhe fiksohen më lehtë. Vetëm rastet kur fjalët shprehëse arrinë deri në kufirin e skandalit, sigurojnë autorin që do të dëgjohen dhe do të marrin vëmendjen që synon ai. Edhepse janë të dënuara nga një varg rregullash që flasin për përdorimin e gjuhës nga ana e gazetarit, fyerjet dhe senzacionalizmi shihen si mënyrë e mirë që ngulit në mendjen e publikut se me personin në fjalë “diçka është gabim”. Duke qenë shumë më e vështirë që të hulumtosh mbi atë që ja vlen dhe që vërtetë ka interes, d.m.th. mbi punën dhe përgjegjësinë publike që individ ka, media zgjedh rrugën më të shkurtër, mbush hapësirën e vet mediatike me komente, gjuhë pa standarte, shpesh nënçmime dhe epitete të pahijshme drejt shënjestrës së saj.


Kjo kolumnë është përgatitur nga kuadër të Projektit të USAID-it për përforcimin e mediumeve në Maqedoni – Komponenta Shërbimi për verifikimin e fakteve nga mediumet, që implementohet nga fondacioni Metamorfozis.. Kjo kolumnë është mundësuar me përkrahjen e Agjencisë amerikane për zhvillim ndërkombëtar (USAID). Përmbajtja e kolumnës është përgjegjësi e autorit dhe nuk i paraqet qëndrimet e fondacionit Metamorfozis, USAID-it ose të qeverisë së SHBA-ve. Për më tepër informata për punën e USAID-it në Maqedoni, ju lutemi vizitoni ueb-faqen e USAID-it: (http://macedonia.usaid.gov) dhe faqen e USAID-it në Facebook: (www.facebook.com/USAIDMacedonia).