Institucionet: Gjithçka është njësoj, e edhe ai është këtu
Published in Kolumna
on 9 - 09 - 2016 Author: Александар ШољаковскиМаqedonia në vend të demokracisë fitoi reklamokraci. Gjithçka është e bazuar në atë që populli të mbahet peng duke servuar gënjeshtra laramane propaganduese – me qëllim që të mos lihet hapësirë që të mendojë për realitetin dhe perspektivat
Shkruan: Аleksandar SHOLJAKOVSKI
Kaluan 8 muaj që kur Gruevski nuk është në krye të qeverisë. Dhe? Nuk ka asnjë ndryshim. Në skenë janë truket e njëjta propaganduese, fjalori i njëjtë neglizhent, bredhjet dhe primitiviteti i njëjtë. Gjithçka zhvillohet sikurse edhe para kësaj ngjarjeje. Me dallime të vogla.
Ka qeveri, mirëpo sikur nuk ekziston. Ka kryeministër, mirëpo ai është ose person totalisht anonim ose, duhet të luajë një rol të tillë me detyrë partiake. Mbetet i padukshëm, pothuajse i panjohur për popullatën e gjerë.
Ai, kryeministri, edhe pse është pushtet, paraqet vetëm transmision të vullnetit partiak ose thënë më saktë, të vullnetit të shefit. Gjithçka rregullohet nga qendra partiake, gjegjësisht nga pronari. Gruevski është vazhdimisht këtu. Për makinerinë propaganduese më e rëndësishme është se çka do të thotë ai, e për kryeministrin zyrtar ka vend aq sa është patjetër. Nuk kalon asnjë paraqitje e qeverisë, e Gruevski të mos “fryhet” para kamerave. Mendimi i tij(!?) theksohet, përsëritet, është kryesori dhe përfundimtari. Askujt të mos i shkojë mendja të kundërshtojë. Me këtë rast i gëzon të gjitha privilegjet e kryeministrit të qeverisë, edhe pse nuk i takojnë.
Ky është një lloj i veçantë i dypushtetësisë. Partia në pushtet funksionon sipas modelit të njëjtë sikur edhe më parë, vetëm se tani të përforcuar. Sundon nëpërmjet medieve dhe propagandës. Institucionet janë të parëndësishme, ato janë vetëm transmision i vullnetit të një personi. Tezat se në Maqedoni institucionet e sistemi janë krejtësisht të nënshtruara, vetëm se konfirmohen.
PATETIKË PËR LAVDËRIMIN E PARTISË
Gjithçka është njësoj dhe ai është këtu. Pas gjithë asaj që ndodhi, nuk ka lëvizje as për një milimetër nga propaganda dhe politika agresive. Emisionet informative televizive asnjëherë nuk kanë qenë më lajkatare. Në komunizëm, një dozë të tillë lajkatarie kishte vetëm për Titon. Bile edhe në atë kohë të njëmendësisë, informacionet që kishin të bëjnë me jetën e përditshme të njeriut nuk përmbanin një patetikë të këtillë për lavdërimin e partisë. Tani, për çkado që të raportohet, në kontekst dhe me implikacion të qartë, merita është e partisë dhe e shefit të tyre të padiskutueshëm. Аktivitetet për sanimin e dëmeve nga vërshimet, në medie u shndërruan në atë se partia dhe shefi janë të vetmit që u ndihmojnë të dëmtuarve. E në terren, ndihma u shndërrua në përparësi për simpatizuesit e tyre. Madje edhe në fatkeqësi nuk mundën ta tejkalojnë qasjen e tyre përjashtuese.
Për të kushedi satën herë vërtetohet teza se nga Maqedonia pushteti bëri një shoqëri të sëmurë! U vërtetua ndarja propaganduese që u bë gjatë dhjetë viteve të fundit, e cila është aq e theksuar sa që edhe në këto momente mendohet vetëm në relacionin komunistë – vmro-istë. Ndarja u mundësuar me meritën e madhe të medieve. Me qëllim që të shkatërrohet edhe ai pak vetëbesim kombëtar që kishte mbetur dhe orientimi i përgjithshëm qytetar, qeveria i goditi të gjitha sferat e jetës së përbashkët. Ndarja është shumë e thellë, ndërsa përkatësia partiake më e fuqishme se të gjitha të tjerat. Makineria propaganduese bëri objekt talljeje nga të gjitha format e individualitetit dhe lirisë së të menduarit. Të gjithë ata që nuk janë me ta janë “sorosoidë”, mercenarë të dikujt, armiq të popullit dhe të shtetit. Dhe kjo intencë tani përforcohet.
Në bazë të këmbënguljes që e tregojnë dhe duek pasur parasysh gjithçka që ka ndodhur gjatë viteve të fundit, edhe përkundër të gjitha vërejtjeve të bëra nga jashtë, ata nuk e lëshojnë vijën e fortë propaganduese. Vazhdojnë me projektet e tyre që pëlcasin nga korrupsioni, sikur të mos ketë ndodhur asgjë. Për çdo ditë premtojnë projekte të reja, të reja, të parëndësishme për të mirën e përgjithshme ose, të parealizueshme. Edhe pse në ndërkohë, ka pëlcitje nga të gjitha anët. Në vend që të tremben pak pas vërshimeve tragike, ata vazhdojnë me projektet e çmendura. Fasada karikaturale në barok, objekt mastodonik kushtuar Nënë Terezës. Diçka që është në kundërshtim të plotë me misionin e Nënë Terezës, e cila tani me siguri rrotullohet në varr. Vazhdon çmenduria e quajtur fasada në stilin barok, përmendore, parqe, rrotullame. Një reagim normal politik, kur realiteti do të na bjerë në kokë, do të ishte përcaktimi i prioriteteve, ndërprerja e sprintit drejt humnerës.
REKLAMOKRACIA
Маqedonia në vend të demokracisë fitoi reklamokraci. Gjithçka është e bazuar në atë që populli të mbahet peng duke servuar gënjeshtra laramane propaganduese – me qëllim që të mos lihet hapësirë që të mendojë për realitetin dhe perspektivat. Në prag të zgjedhjeve e gjithë kjo përforcohet, stërzmadhohet. Premtohen projekte të parealizueshme, hidhen shuma të mëdha parash… Nuk dihet kulminacioni, mirëpo e gjithë kjo nuk do të përfundojë mirë. Paratë janë harxhuar që moti, jetohet me veresi. Kështu, reklamokracia në vend të demokracisë, nëse këta mbeten në pushtet, do të shkojë në diktaturë klasike. Për shkak se ajo do të jetë mënyra e vetme që edhe më tutje të mbeten në pushtet.
Problemi i mosfunksionimit të institucioneve në konstelacionin konkret është çështje kyçe, për shkak të së cilës gjatë këtij çerekshekulli nuk arritën në vend të vendosen bazat e një shoqërie të civilizuar demokratike. Pavarësia dhe pacenueshmëria e institucioneve duheshte të jetë kapari i atij premtimi. Mirëpo, te ne secila garniturë në pushtet, gjëja e parë që e bënte ishte ta cenjë integritetin e tyre. Të gjitha ligjet janë përgatitur në atë mënyrë që ta vërtetojnë vullnetin e udhëheqësisë partiake, e tani vetëm të shefit partiak.
Gjendja e këtillë do të thotë se edhe zgjedhjet në dhjetor do të jenë edhe një fiasko për demokracinë e Maqedonisë. Deri atëherë do të jemi dëshmitarë të obstruksioneve të shumta – në medie, mbi buxhetin, Prokurorinë speciale publike, Komisionin shtetëror zgjedhor…
Maqedonia ka nevojë për ripërtrirje sistemore, në të gjitha sferat. Para së gjithash, në të gjitha institucionet e sistemit, në gjyqësi, në medie, në arsim, në shëndetësi, në sektorin qytetar, pothuajse në të gjitha domenet, të cilat ky pushtet i paepur i përvetësoi dhe i deformoi.