verifikimiifakteve.mksitemap
verifikimiifakteve.mksitemap

Saliu: 2016-ta, vit i vështirë për gazetarinë shqipe në Maqedoni

on 5 - 01 - 2017       
Овој напис го има и на: Maqedonisht

Intervistë me Isen Saliun, kryeredaktor i gazetës “Lajm”
Intervistoi: Benjamin Arifi

Isen Saliu, kryeredaktor i gazetës "Lajm"

Isen Saliu, kryeredaktor i gazetës “Lajm”

Isen Saliu në gazetari ka filluar në vitin 2000, në gazetën e përditshme Fakti. Një periudhë të shkurtër ka punuar për Kohën Ditore, kurse te Gazeta Lajm është që nga viti 2005. Nga viti 2007 emërohet kryeredaktor në këtë gazetë, e cila për momentin është e përditshmja më e vjetër në gjuhën shqipe, që mbijeton në tregun mediatik në Maqedoni. Ndërkohë, disa vite ka qenë i angazhuar edhe si korrespodent prej Shkupit në Televizionin Klan nga Shqipëria. Me të bisedojmë për zhvillimin e gazetarisë në Maqedoni kohëve të fundit, si dhe për aktualitetet mediatike dhe shoqërore dhe sfidat e mëdha, me të cilat ballafaqohen gazetarët dhe mediat në vend.


Sa ka ndryshuar vetë gazetaria, por edhe rrethanat për bërjen gazetari shqipe në Maqedoni gjatë viteve që ju merreni me këtë profesion?

Isen Saliu: Ndryshimet janë të pakrahasueshme. Jo vetëm ato ndryshime që janë të nivelit global, e që i ka sjellur zhvillimi teknologjik , por edhe ndryshime specifike, që për fat të keq janë më tepër negative, se pozitive. Shoqëria në Maqedonia është tejet e politizuar, prandaj edhe në fokus të informacionit edhe më tej mbetet politika. Për fat të keq, kemi rënie drastike të nivelit të politikanëve që na përfaqësojnë, gjë që reflektohet edhe në punën e gazetarëve, sepse politikanët edhe më tej janë burimi kryesor i informacionit. Janë shtuar rreziqet, e presionet janë bërë më perfide. Është një sakrificë e vërtetë sot, të jesh gazetar shqiptar në Maqedoni. Ndoshta edhe për këtë arsye shumë kolegë kanë vendosur të largohen nga gazetaria në profesione tjera, e madje edhe të largohen nga Maqedonia. Nuk duhet mohuar se janë paraqitur edhe shumë gazetarë të rinj, që kanë freskuar gazetarinë shqiptare në Maqedoni, por është fakt se vërehet një shkëputje gjeneratash që ka krijuar një vakum të thellë.

 

Viti që lamë pas ishte vit i vështirë si për situatën e përgjithshme në vend, ashtu edhe për lirinë e mediave, sidomos atyre shqipe. Si e vlerësoni 2016-tën në krahasim me vitin paraprak?

Isen Saliu: Mund të themi lirisht që viti 2016 ishte më i vështirë se viti 2015, për shkak se i tërë ky vit që po lëmë pas ishte vit zgjedhor. Edhe pse patëm vetëm një palë zgjedhje, gjatë tërë vitit patëm fushatë parazgjedhore, sepse zgjedhjet fillimisht duhej të mbahen në muajin prill, pastaj në qershor, që në fund të mbahen më 11 dhjetor. Për shkak të fushatës së vazhdueshme parazgjedhore, gjatë tërë vitit kishte subjekte, të cilave u pengonin mediumet e lira, prandaj shfrytëzonin çdo mundësi për të bërë presion, që e vërteta për ta të mos dalë në shesh.


Gjatë këtij viti, ju si media, por edhe personalisht, keni alarmuar disa herë presione të ndryshme dhe kërcënime. Për çfarë konkretisht bëhet fjalë?

Isen Saliu: Presionet kanë qenë të natyrave të ndryshme. Kemi pasur edhe “vizitorë të paftuar” në redaksi, nga përfaqësues të një partie politike. Poashtu kemi pranuar dy padi nga Bashkimi Demokratik për Integrim, përmes të cilave kryetari i kësaj partie, Ali Ahmeti dhe BDI si parti, kërkojnë 50 mijë euro dëmshpërblim. 30 mijë kërkohen nga gazeta, kurse 20 mijë prej meje si kryeredaktor. A ka apsurd më të madh? E di mirë opinioni shqiptar se sa miliona euro janë ndarë për mediumet maqedonase që përhapin pa ndërprerë propagandë antishqiptare që kur BDI është në pushtet, kurse kësaj partie i del punë me gazetën “Lajm”. Ne, jo vetëm që nuk kemi pasur reklama qeveritare, që fundja paguhen me paratë e Buxhetit që mbushet edhe nga lexuesit e gazetës Lajm, por BDI dëshiron të na gjobisë me 50 mijë euro. A nuk është ky një presion i drejtpërdrejtë? Mendoj se kjo sjellje i kushtoi më tepër BDI-së, se sa gazetës Lajm.

Ne nuk e kemi ndërmend të reterojmë nga qëllimi për informim të shpejtë dhe objektiv të lexuesve. Ne e kemi ndërgjegjen e pastër para opinionit, prandaj nuk e kemi ndërmend të frikohemi edhe pse jemi plotësisht të vetëdijshëm për rrezikun që ekziston në Maqedoni për mediumet e pavarura.


A i keni paraqitur kërcënimet dhe presionet në polici, përfaqësitë diplomatike, shoqatat e gazetarëve? A ka pasur ndonjë reagim ose epilog?

Isen Saliu: Kuptohet që të gjitha këto presione i kemi denoncuar në institucionet kompetente, por edhe te përfaqësitë diplomatike në Shkup që janë të interesuara për të përkrahur fjalën e lirë, por edhe shoqatat vendore dhe ndërkombëtare që mbrojnë të drejtat e gazetarëve. Kemi paralajmërime dhe presim që së shpejti rastet e presioneve ndaj gazetës Lajm të bëhen pjesë e raporteve vjetore që përgatiten nga insititucionet dhe shoqatat më prestigjioze ndërkombëtare.


Gjatë periudhës së zgjedhjeve dhe asaj parazgjedhore, edhe ne si Shërbim për Verifikimin e Fakteve kemi vërejtur polarizim të skajshëm të media dhe shkelje të shumta të Kodit Etik. A po politizohen gjithnjë e më shumë mediat në vend?

Isen Saliu: Më vjen keq, por e kam patjetër të them se ju si Shërbim për Verifikimin e Fakteve keni bërë shumë gabime gjatë monitorimit të mediumeve. Gabimi kryesor që bëni është se bazoheni në kritere dhe standarde evro-perëndimore për të monitoruar dhe verifikuar faktet, në një shtet ku liria e shprehjes ka rënë në nivelin e diktaturave më të egra botërore.

Besoj që nuk bëhet fjalë për tendencë, por për qasje të gabuar. Qytetarët, funksionarët, në përgjithësi burimet e informacionit që janë kritikë ndaj pushtetit gjithnjë e më pak guxojnë të flasin me emër e mbiemër para mediumeve dhe këtu nuk janë fajtorë as gazetarët e as mediumet, por për shkak të situatës së krijuar. Kurse ju, nëse nuk gaboj, jeni paraqitur edhe me qëndrime se mediumet nuk duhet t’i bazojnë shumë informacionet në burime anonime. Kemi parti, të cilat nuk pranojnë të japin fare deklarata për mediume të pavarura, por vetëm për mediumet e tyre të preferuara, kurse ju si Shërbim keni shprehur vërejtje se gjithmonë duhet pasur edhe qëndrimin e palës, për të cilën shkruhet.  Shpresoj se do të ndryshoni këtë qasje. Është fakt se mediumet po politizohen dhe po shkelet Kodi Etik, mirëpo mund të them lirisht se gazetaria në përgjithësi, e ajo shqiptare në veçanti, me disa përjashtime, është në nivel më të mirë në krahasim me sferat tjera të shoqërisë. Kjo nuk do të thotë se duhet të vetëkënaqemi, por duhet të vazhdojmë të punojmë që të përmirësohemi dhe të shërbejmë si shembul lpozitiv për shoqërinë.


Cilat janë sipas jush problemet kryesore, me të cilat ballafaqohen mediat në përgjithësi në Maqedoni, si dhe ato në gjuhën shqipe në veçanti, kur flasim për momentin aktual?

Isen Saliu: Thuajse në secilën prej gjashtë pyetjeve tuaja paraprake, përmenda së paku nga një problem që preokupon gazetarinë e sotme në Maqedoni. Presionet janë edhe të natyrës materiale, edhe të natyrës gjyqësore. Qeveria ndan miliona për reklamim në mediumet që përkrahin politikat e saj, kurse bombardon për çdo ditë mediumet e pavarura dhe kritike me padi në gjykatat, për të cilat edhe vetë ministrat e kësaj qeverie kanë deklaruar se nuk janë të pavarura. Dukuritë e sharjeve, ofendimeve e madje edhe kërcinimit fizik të gazetarëve janë bërë përditshmëri. Kërcënime vijnë nga ministra, zëvendës-ministra, kryetarë partish – nuk ngurrojnë të padisin mediumet dhe askush nuk jep përgjegjësi për këtë. Shpresoj se të gjitha këto dukuri do t’i takojnë të kaluarës, bashkë me politikanët që manifestojnë ato dukuri, si dhe se viti 2017 do të sjellë ndryshime pozitive.


Ky leksion gazetaresk është përgatitur në kuadër të Projektit të USAID-it për përforcimin e mediumeve në Maqedoni – Komponenta Shërbimi për verifikimin e fakteve nga mediumet, që implementohet nga fondacioni Metamorfozis.. Ky leksion gazetaresk është mundësuar me përkrahjen e Agjencisë amerikane për zhvillim ndërkombëtar (USAID). Përmbajtja e analizës është përgjegjësi e autorit dhe nuk i paraqet qëndrimet e fondacionit Metamorfozis, USAID-it ose të qeverisë së SHBA-ve. Për më tepër informata për punën e USAID-it në Maqedoni, ju lutemi vizitoni ueb-faqen e USAID-it: (http://macedonia.usaid.gov) dhe faqen e USAID-it në Facebook: (www.facebook.com/USAIDMacedonia).