Xhelatët e fjalës së lirë dhe rregullimi i mediave para zgjedhjeve
Published in Kolumna
on 21 - 01 - 2016 Author: Сеад РизвановиќTani, për fat të keq, gjendemi në një situatë kur gazetarët, të cilët në parim duhet të kërkojnë derregullim në sferat që e definojnë lirinë e të shprehurit, duheta ta pranojnë se Maqedonisë urgjentisht i nevojiten rregulla të reja për normalizim të hapësirës mediatike. Mirëpo, nëse bëhen përpjekje që të normalizohet vendi, sigurisht se mediet nuk mund të ndahen nga ky proces.
Shkruan: Sead Rizvanoviq
Si barcoletë e “Koza Nostrës” tingëlloi lajmi se “Asociacioni maqedonas i gazetarëve ” (AMG) ka përgatitur kod për sjellje gjatë zgjedhjeve të të gjithë pjesëmarrësve në procesin zgjedhor. Në kronikën e përgatitur nga një televizion nacional në kuadrin që e përshkruan AMG-në, përveç kryetares Sllagjana Simishkova, në kuadër ishte edhe redaktori i pо këtij televizioni, i cili fuqishëm qëndron prapa aktiviteteve të AMG-së.
Sikur të mos ishte qesharake do të ishte tragjike që mu ky redaktor dhe mu ky televizion i kërkojnë këto gjëra nga partitë dhe nga mediet: Respektimin e vlerave themelore, barazi dhe drejtësi në mediet publike dhe ato komerciale dhe në internet, mundësi të barabarta për promovim zgjedhor, fushata zgjedhore të zhvillohet në mënyrë të hapur, publike dhe në frymë të argumentimit të mirë. Të respektohen vlerat themelore të nderit, sinqeritetit, marrëdhënieve korrekte, respektimit të ndërsjellë, përgjegjësisë, tolerancës.
Me të vërtetë, vetëm kur jam duke i lexuar “udhëzimet” e AMG-së përmbahem që të mos plas nga të qeshurit, duke pasur parasysh se rregulla të këtilla kërkon redaktori i një medieje që u bë sinonim i (MOS)respektimit të asnjë vlere, përfaqësimit të (PA)barabartë dhe (JO) të drejtë të aktorëve politikë, propagimit të hapur të gjuhës së urrejtjes, sulmeve mbi ata që mendojnë ndryshe të bazuara në komente personale dhe paragjykime.
ABSURDISTANI MEDIATIK
Mirëpo, kjo komunikatë e AMG-së është epizod i rradhls në absurdistanin maqedonas, dhe vjen në një kohë pas fushatës, të cilën nga një qendër e udhëhiqnin një pjesë e medieve, e që kishte për qëllim të paraqesë së LSDM-ja dëshiron të fusë censurë mediatike. Makineria propaganduese spinin e bazonte mbi një propozim të pretenduar që qenka dhënë nga LSDM-së, mirëpo problemi qëndron në atë se për censurë akuzon censuruesi më i madh në historinë e Maqedonisë së pavarur.
Këto ngjarje mund të krahasohen me një situatë hipotetike kur rojtarët e llogoreve të koncentrimit në Gjermaninë naciste do të ankoheshin se hebrenjtë duan të fusin mënyrë jotransparente të ndarjes së shujtave në kuzhinën е llogorit.
Në raportin e parë tremujor të Institutit për studime të komunikimit në mënyrë të qartë detektohet sjellja e një pjese të medieve, të cilat, shpeshherë e sulmojnë SHGM-në e udhëhequr nga Naser Selmani, kurse e favorizojnë AMG-në. Në periudhën e monitorimit, ndërmjet 23 nëntorit dhe 18 dhjetorit, instituti përfundon se ka ngjashmëri të madhe në kornizimet që janë ndërtuar në lajmet e shërbimit publik dhe atyre të medieve komerciale “Sitel”, “Alfa” dhe “Kanal 5”.
Ka një përputhje të madhe në zgjedhjen e temave, burimeve dhe të këndit të përpunimit të temave. Madje mund të vërehet emitim i sinkronizuar i kronikave për temën e njëjtë dhe me bashkëbisedues të njëjtë, të cilët njëzëri e favorizojnë VMRO-DPMNE-në në pushtet. Ky konstatim çon në përfundimin se ka mundësi që programi i këtyre televizioneve të jetë koordinuar nga një burim i njëjtë – thuhet në analizën e ISK-së.
Në kushte kur sjellja e një pjese të medieve në Maqedoni, dhe sjellja e qeverisë sa i përket kontrollit mbi mediet u bë dhe do të jetë pjesë e të gjitha raporteve relevante ndërkombëtare, është e paqartë se çka dëshiron të arrijë AMG-ja dhe mediet që e mbështesin këtë shoqatë. A mendojnë me të vërtetë se ndonjë monitor relevant mund të mendojë se kjo shoqatë dhe ato medie mund të flasin për lirinë e të shprehurit dhe për lirinë e medieve në kushte kur Maqedonia e arriti fundin në këto dy kategori kyçe.
RREGULLAT DHE DERREGULLIMI
Mediet e njëjta të cilat sipas analisës së ISK-së në mënyrë të sinkronizuar emitojnë tema që e favorizojnë VMRO-DPMNE-në, po ashtu, fuqishëm e mbështetën tezën e partisë në pushtet se opozita kërkon rregullim të medieve siç nuk ka askund në botë. Me siguri kjo është një nga shkaqet që tani ofrohen zgjidhje “kooperative” nga qendrat që duan të krijojnë iluzion se janë kërkues të barabartë të lirisë së të shprehurit në shoqëri.
Tani, për fat të keq, gjendemi në një situatë kur gazetarët, të cilët në parim duhet të kërkojnë derregullim në sferat që e definojnë lirinë e të shprehurit, duheta ta pranojnë se Maqedonisë urgjentisht i nevojiten rregulla të reja për normalizim të hapësirës mediatike. Mirëpo, nëse bëhen përpjekje që të normalizohet vendi, sigurisht se mediet nuk mund të ndahen nga ky proces.
Në fund të fundit, në qoftë se një ditë institucionet arrijnë të ngriten në këmbë të veta, atëherë ne gazetarët përsëri do të kërkojmë derregullim, mirëpo të shpresojmë se vetëdija dhe ndërgjegja e gazetarëve dhe e pronarëve të medieve do të arrijnë në stadium më të lartë dhe nuk do të ketë nevojë për ligje të veçanta që do të definonin se çka është gazetari profesionale.